Dita e Martin Luther King Jr.

Pavjo Gjini | 20.01.2020 | nyje.al 


Në SHBA 20 janari shënohet si dita e Martin Luther King Jr, pastorit dhe aktivistit të të drejtave civile. MLK Jr. njihet për ngulmimin e tij në metodat e mosbindjes civile paqësore si mënyra më efektive dhe më e moralshme për realizimin e kërkesave të zezakëve të Amerikës për barazi politike, sociale dhe ekonomike, për respektimin e dinjitetit të tyre si qenie njerëzore të barabarta mes të tjerave.
Nyje.al ka botuar përkthimin e letrës së tij të famshme “Letër nga Burgu i Birmingamit” të cilën mund ta lexoni këtu. 

Sot Nyje.al po rikujton pjesë nga dy prej fjalimeve më të rëndësishme të MLK Jr.
Fjalimi “Përtej Vietnamit” i 4 prillit të vitit 1967 fokusohet te kritika ndaj luftës së SHBA-ve në Vietnam dhe te kritika ndaj militarizimit të ekonomisë amerikane nga njëra anë dhe ndaj varfërisë dhe racizmit brenda shoqërisë amerikane nga ana tjetër.
Shi një vit më vonë, Martin Luther Kingu vritet në Memphis pasi kishte shkuar për të mbështetur protestat dhe grevat e punëtorëve sanitar aty. Një ditë para vrasjes, më 3 prill të vitit 1968, mbajti fjalimin “Kam qenë majë malit”, teksa kishte nisur tashmë, bashkë me një shumësi organizatash me shtrirje popullore, organizimin e një fushate mbarë kombëtare të quajtur “Fushata e të Varfërve”. Kjo fushatë do të përmbyllej me marshimin drejt dhe për zaptimin e qytetit të Uashingtonit me qëllim avancimin e kërkesave të të varfërve për të drejta ekonomike dhe njerëzore.

Më poshtë po ndajmë dy pjesë të këtyre dy fjalimeve revolucionare të cilat mund të tingëllojnë megalomane ose patetike për kohët tona të ndrydhura, por që tregojnë se përse Kingu cilësohej prej CIA-s si njeriu më i rrezikshëm i kohës dhe jo figura që paqtonte konfliktin me shugurime sentimentale për bashkim dhe vëllazërim.

Përtej Vietnamit:
“E vetmja shpresë e jona sot është aftësia për ta rigjetur shpirtin revolucionar që t’i dalim përballë një bote me raste armiqësore për të shpallur armiqësinë e përjetshme me varfërinë, racizmin dhe militarizimin. . . . Çdo komb duhet të zhvillojë një besnikëri thelbësore ndaj njerëzimit si të tërë në mënyrë që të ruajë më të mirën e secilës shoqëri individuale. Një thirrje e tillë për një bashkrendim mbarë botëror që i ngre shqetësimet fqinjësore përtej çdo farefisnie, race, klase dhe kombi është në të vërtetë një thirrje për një dashuri të pakushtëzuar dhe të mbarë kombshme për të gjithë njerëzit.
. . .
Le t’ia ripërkushtojmë veten përpjekjes së gjatë dhe të hidhur, por të bukur, për një botë të re. Kjo është një thirrje e bijve të Zotit, dhe vëllezërit tanë mezi po presin përgjigjen tonë. A do t’u themi se shanset janë tepër të vogla? A do t’u themi se përpjekja është tepër e vështirë? A do të jetë mesazhi jonë ai i forcave të jetës amerikane që punojnë kundër mbërjes së tyre në plotësisht njerëz, dhe se për këtë u shprehim keqardhjen tonë më të thellë? Apo do të kemi një tjetër mesazh, atë të përgjërimit, shpresës dhe solidaritetit me dëshirat dhe përkushtimet e tyre ndaj kauzës, me çfarëdolloj çmimi? Zgjedhja është e jona dhe pavarësisht se do të donim diçka tjetër na duhet të zgjedhim në këtë moment qendror të historisë së njerëzimit”.

Kam qenë Majë Malit:
“Diçka po ndodh në Memphis, diçka po ndodh në botë. Siç e dini, nëse do të kisha qenë në fillimin e kohës, me mundësinë për të pasur një panoramë të përgjithshme e të plotë të historisë së njerëzimit deri në ditët tona dhe nëse Zoti do të më thoshte, “Martin Luther King, në cilën epokë do të doje me jetu?” – do t’ia merrja një shtegtimi mendor prej Egjiptit e tutje, ose përmes Detit të Kuq, prej shkretëtirës për në tokën e premtuar. Dhe me gjithë madhështinë e tij nuk do të ndalesha aty. Do të zhvendosesha më tutje për në Greqi me mendjen në Olimp dhe do të takoja Platonin, Aristotelin, Sokratin, Euripidin dhe Aristofanin mbledhur përreth Partenonit tek diskutojnë problemet e mëdha e të përjetshme të realitetit.
Por nuk do të ndalesha aty. Do të mbërrija shkëlqimin e Perandorisë Romake dhe do të shihja zhvillimet atypari prej perandorëve dhe udhëheqësve të saj të ndryshëm. Por nuk do të ndalesha aty. Madje do të shtrihesha deri në ditët e Rilindjes dhe t’i shkrepja një pamje të beftë gjithçkaje që ka bërë Rilindja për jetën kulturore dhe estetike të njeriut. Por nuk do të ndalesha aty. Do të shkoja edhe përmes shtigjeve të atij prej të cilit kam marrë emrin dhe do ta shihja Martin Luterin tek ildis 95 tezat e tij në derën e kishës së Wittenbergut.

Megjithatë nuk do të ndalesha aty. Do të dukesha edhe në vitin 1863 dhe të shihja një president të lëkundur me emrin Abraham Linkoln tek më në fund mbërrin në përfundimin se i duhet ta firmoste Shpalljen e Emancipimit. Por nuk do të ndalesha aty. Do të mbërrija edhe në fillimet e viteve ’30 dhe ta shihja njeriun tek rreket me problemet e falimentimit të kombit të tij dhe të dilja me një thirrje elokuente se nuk kemi pse t’i frikësohemi asgjëje përpos frikës vetë.
Por nuk do të ndalesha aty. Sado e pazakontë, do t’i kthehesha Madhërisë së Tij dhe t’i thosha, “Nëse do të më lejosh me jetu edhe për veç disa vite më shumë në gjysmën e dytë të shek. XX, do të të jem i lumtur.” Në këto momente ky është një qëndrim i pazakontë për t’u mbajtur sepse bota është e gjitha bërë rrëmujë. Kombi është i sëmurë. Këto troje janë kapluar në telashe. Kudo përreth ka përshtjellim. Ky është një qëndrim i çuditshëm, por e di, në një farë mënyrë, se vetëm atëherë kur është terr mjaftueshëm, mundemi t’i shohim yjet. Dhe e shoh Zotin, në një mënyrë të pazakontë, tek punon në këtë periudhë të shek. XX ashtu si njerëzit po i përgjigjen – diçka po ndodh në botën tonë. Masat njerëzore po ngrihen dhe kudo ku po mblidhen, varësisht nëse janë në Johanesburg të Afrikës së Jugut; në Nairobi të Kenias apo në Accra të Ganas; në qytetin e Nju Jorkut; në Atlanta të Georgias; në Jackson të Mississippit; apo në Memphis të Tennessee — thirrja është kudo e njëjtë – “Duam me qenë të lirë”.

Dhe një tjetër arsye pse jam i lumtur me jetu në këtë periudhë është se jemi të detyruar në një pikë ku do të na duhet të rrekemi me probleme të cilat njerëzit janë rrekur t’i zgjidhin përgjatë gjithë historisë. Mirëpo, nuk kanë qenë kërkesat që i detyruan ta bënin këtë. Mbijetesa na kërkon që të rrekemi me to. Njerëzit, për vite tanimë, kanë folur për luftën dhe paqen. Por tashmë, nuk mjafton veç të flasin për to. Nuk është më zgjedhja mes dhunës dhe mungesës së dhunës në botë, por: ose pa dhunë, ose pa ekzistencë.

Na duheni të gjithë ju dhe e dini se për mua e bukura e kësaj është t’i shoh bashkuar të gjithë pastorët e Ungjillit, një pikturë mahnitëse. Kush më shumë se vetë pastorët mundet me u presupozu se i artikulon më mirë përgjërimin dhe dëshirën e zjarrtë të popullit? Në një mënyrë, pastori duhet me qenë vetë Amosi tek thotë, “Le të rrjedhë si ujë e drejta, Si lumë që s’shteret drejtësia.” Në një mënyrë, pastori duhet të shpallë si Jezusi, “Fryma e Zotit është në mua, sepse më ka bekuar me u marrë me problemet e të varfërve”.

Pra, nuk e di se çfarë do të ndodhë tani e tutje. Ditë të vështira na presin, por kjo nuk përbën më problem për mua, sepse kam qenë majë malit dhe nuk shqetësohem. Si çdokush, do të doja me jetu një jetë të gjatë. Jetëgjatësia ka vendin e vet, mirëpo tani nuk e kam merakun aty. Dua thjesht të përmbush vullnetin e Zotit dhe ai vetë më ka lejuar që t’ia mbërrij majës së malit. Dhe e kam hedhur vështrimin prej atypari dhe e kam parë tokën e premtuar. Mund të mos ia mbërrij atje me ju, por dua që ju ta dini që sonte se ne, si popull, do t’ia mbërrijmë tokës së premtuar. Dhe jam i lumtur sonte. Nuk më shqetëson asgjë. Nuk i frikësohem askujt. Sytë e mi e kanë parë shkëlqimin e ardhjes së Zotit.”

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje