12.03.2022 | nyje.al
Me dhjetra mijëra qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë kanë mbushur sot Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Kjo ishte dita e katërt e protestave që kanë nisur pas rritjes së vlerës së shitjes së karburantit këtë fillim Marsi. Manifestimi nisi në Sheshin “Skënderbeu”, nga ku mijëra qytetarë marshuan për tek godina e Kryeministrisë. Në ballë të tyre shpalosej banderola “Boll na vodhët”, thirrje-akuzë që i drejtohet klasës politike të 30 viteve që pas rënies së regjimit diktatorial.
Kërkesat e Protestuesëve
Me mbërritjen para Kryeministrisë, protestuesit kanë marrë mikrofonin dhe kanë shprehur kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Protestuesit ishin nga radhët e qytetarëve të thjeshtë, akademikë, artistët e deri tek përfaqësuesit e një ndër sektorëve më të prekur nga kjo gjendje alarmante e çmimeve, atij të sektorit bujqësor.
“Sot kemi ardhur për Shqipërinë, ndryshe nga të gjitha rastet e tjera sot jemi për Shqipërinë. Fermerët edhe blegtorët, ata të cilët sigurojnë bukën tonë të përditshme, ata të cilët sigurojnë ushqimin për fëmijët tanë. Ata duhen mbështetur siç i mbështet bota, rajoni. Ku është paketa për fermerët? Ku është Ministria që bën foto? Fëmijët tanë duhet të konsumojnë qumësht që prodhohet në Shqipëri, jo qumësht serbie.
Një thirrje drejtuar qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Bujqësisë: Mbështesni fermerët! Ky është vetëm fillimi, nuk ka të ndaluar nëse nuk dëgjoni zërin e prodhuesve vendorë. Nëse nuk dëgjoni zërin e vertetë të shqiptarëve që gjenden në këtë shesh. Të gjithë të bashkuar, Shqipëria para.”- Ervin Resuli – Përfaqësues i Fermerëve
Situata në të cilën ndodhet vendi sot shihet si një emergjencë, për të cilën duhet folur dhe vepruar. Krahas uljes së çmimeve, protestuesit kërkojnë dhe transparencë mbi sigurinë në raste emergjente.
“Kërkesa numër një: Shpallja në Fletoren Zyrtare të Minimumit Jetik.
Kërkesa e dytë: Ulja e çmimit të naftës në kuotat para lufte (siç e pretendon Rama).
Tre: Çdo çmim ushqimi të rikthehet në koston e mëparshme.
Katër: Të deklarosh sa është nafta rezervë e shtetit Shqiptar, sa është Fondi i Emergjencave.
Ne duam që çdo gjë të jetë nën kontrollin e popullit dhe jo në kurriz të popullit.” – Fatmir Mërkoçi – Avokat
Në listën e kërkesave, për zgjidhje më efikase të problematikës së madhe të çmimeve, disa pika shtoi edhe Ervin Goci, pëdagog në Universitetin e Tiranës.
“Ne kërkojmë hetim, kërkojmë çmim tavan, kërkojmë heqje taksash, kërkojmë thyerje monopolesh, kërkojmë diversifikim burimesh, kërkojmë kontroll mbi burimet që mos të eksportohet nafta kuturu nëpër botë dhe kërkojmë të aktivizohet një kompani publike e cila konkuron në treg dhe mban nën kontroll çmimin dhe u shërben qytetarëve direkt.” – Ervin Goci – Pedagog / Aktivist
Për Gocin, mijëra qytetarët në bulevard janë vetë shteti dhe qeveria duhet t’u bindet kërkesave të tyre, përndryshe revolta do të kthehet në makth për Kryeministrin.
“Jemi i vetmi shtet në botë, që e kemi shtetin privat. Ky individi këtu (kryeministri Rama) do të shkatërrojë shtetin, ne nuk do e lejojmë ta shkatërrojë shtetin. Shteti është i joni. Është i gjithi i përbashkët dhe ky është akti më shtetëror që kemi bërë sot.
Kërkesat janë shumë të thjeshta, janë jashtëzakonisht të thjeshta, po ua themi me fjalë kyçe. Nëse nuk i kupton, atëherë Dita e Verës do të bëhet Dita e Ferrit për të.”
Protesta e ditës së sotme, me numër të lartë pjesëmarrësish, hyn në një nga reagimet më të mëdha të qytetarëve ndaj politikave të pushtetit në këto tre dekadat e fundit. E ngjashme me të, por në shifra më të ulëta, ka qënë ajo kundër armëve kimike, në nëntor të vitit 2013. Kjo për shkak të mos përfshirjes publike të partive politike në vend, e për rrjedhojë edhe pjesëmarrje të lartë qytetare të paangazhuar apo pozicionuar në asnjërin krah. Një nga rastet e sotme ishte artisti i njohur Irgen Çela.
“Jam pjesë e kësaj proteste, se kjo është protestë e popullit dhe jo e partive politike. Ashtu siç tha kolegu im, (Florian Binaj), edhe unë i ftoj të gjithë personazhet publikë, se përpara se të jemi “VIPa” jemi qytetarë.” – Irgen Çela – Aktor
Për qytetarë dhe aktivistë të shumtë, ky reagim i madh popullor adreson edhe keq-qeverisjen e dhjetë viteve të fundit. Revoltën e popullit e shohin si mundësi për të përmbysur këtë regjim politiko-ekonomik që po shkatërron vendin dhe qytetarët sipas tyre.
“Koha është sot, dita është sot. Ose e shporrim Edi Ramën bashkë me oligarkët e tij që këtej, ose ai dhe ata do na pinë gjakun një nga një. Bashkohemi të gjithë, o sot o kurrë.” – Redi Muçi – Pedagog / Aktivist i Organizatës Politike
“Lironi shokët tanë”
Me këtë thirrje që kumbonte në Rrugën “Myslym Shyri”, protestuesit pas mbarimit të manifestimit përballë Kryeministrisë marshuan për tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të djemve dhe vajzave e burrave dhe grave të arrestuar tre mbrëmjet e fundit nëpër kryeqytet dhe mbarë Shqipërinë. Janë me qindra, ata që janë shoqëruar në komisariate pas bllokimit të rrugëve dhe mbi ta rëndojnë akuza të ndryshme. Në shumë prej rasteve këto shoqërime kanë qenë të dhunshme e të paligjshme, duke përdorur edhe efektivët civilë të Policisë së Shtetit. Arrestimet nga civilët e maskuar kanë ngjallur zemërim të madh ndër protestues, të cilët u janë drejtuar me thirrje “Poshtë Civilët!”