“Che Vuoi?”
Sllavoj Zhizhek | Përktheu Genc Shehu | nyje.al | 14.03.2026
The Sublime Object of Ideology është një vepër thelbësore e Sllavoj Zhizhekut, e botuar për herë të parë në vitin 1989, që shënoi hyrjen e tij në botën akademike anglishtfolëse dhe vendosjen e tij si një nga mendimtarët më të rëndësishëm të teorisë bashkëkohore. Duke ndërthurur analizën marksiste me psikoanalizën lakaniane, Zhizhek eksploron mënyrat se si ideologjia funksionon jo vetëm përmes shtypjes, por edhe përmes kënaqësisë dhe dëshirës së pavetëdijshme. Vepra thekson konceptin e ideologjisë si një strukturë që jo vetëm deformon realitetin, por shërben si mjeti përmes të cilit individët e përballojnë vakuumin ekzistencial të së vërtetës sublime. Ky tekst është një kontribut madhor në fushën e teorisë kritike, duke hapur horizonte të reja për analizën kulturore dhe politike, si dhe duke pozicionuar Zhizhekun si një ndërmjetës të rëndësishëm midis traditave intelektuale kontinentale dhe anglosaksone. Pjesa e shkëputur është kapitulli i tretë i këtij libri.1
Përkthimi dhe botimi për Nyjen me leje paraprake të Sllavoj Zhizhek
Identiteti
“Kopsitja”2 ideologjike
Çfarë e krijon dhe mban identitetin e një fushe ideologjike të caktuar përtej të gjitha ndryshimeve të mundshme të përmbajtjes së saj pozitive? Hegemony and Socialist Strategy (“Hegjemonia dhe strategjia socialiste”) piketon ndoshta përgjigjen përfundimtare për këtë pyetje thelbësore të teorisë së ideologjisë: moria e “shenjuesve të lirë, pluskues”, e elementeve proto-ideologjikë, strukturohet në një fushë të unifikuar përmes ndërhyrjes së një “pike të caktuar nyjëtimi” (kopsitja lakaniane e point de capiton) që i “kopsit” ato, që ndalon rrëshqitjen e tyre dhe ua ngulit kuptimin.
Hapësira ideologjike është e përbërë nga elemente kuturu, të palidhur me njëri-tjetrin, “shenjues pluskues”, identiteti i të cilëve është “i hapur”, i mbipërcaktuar3 nga artikulimi i tyre në një zinxhir me elemente të tjera – pra, domethënia e tyre “e fjalëpërfjalshme” varet nga mbi-domethënia e tyre metaforike. Për shembull, ekologjizmi: lidhja e tij me elemente të tjera ideologjike nuk përcaktohet paraprakisht; dikush mund të jetë ekolog me orientim shtetëror (nëse beson se vetëm ndërhyrja e një shteti të fortë mund të na shpëtojë nga katastrofa), ekolog socialist (nëse e lokalizon burimin e shfrytëzimit të pamëshirshëm të natyrës në sistemin kapitalist), ekolog konservator (nëse predikon që njeriu duhet t’i kthehet sërish rrënjëve të thella në tokën e tij amtare) dhe kështu me radhë; feminizmi mund të jetë socialist, apolitik; madje edhe racizmi do mund të ishte elitist ose populist… “Kopsitja” kryen një totalizim me anë të të cilit ky pluskim i lirë i elementeve ideologjike ndalet, ngulitet – domethënë, me anë të të cilit ata bëhen pjesë e rrjetit të strukturuar të kuptimit.
Nëse i “kopsisim” shenjuesit pluskues, për shembull, përmes “Komunizmit”, “lufta e klasava” i jep një domethënie të përpiktë dhe të fiksuar të gjitha elementeve të tjera: demokracisë (të ashtuquajturën “demokraci reale”, si në kundërshti me “demokracinë formale borgjeze”, si formë ligjore e shfrytëzimit); feminizmit (shfrytëzimi i grave si rezultat i ndarjes së punës e kushtëzuar nga klasa); ekologjjizmit (shkatërrimi i burimeve natyrore si pasojë logjike e prodhimit kapitalist të orientuar kah fitimi); lëvizjes pacifiste (rreziku kryesor kundrejt paqes është imperializmi aventurist) dhe kështu me radhë.
Zembreku në luftën ideologjike është cila nga “pikat nyjëtuese”, points de capiton, do të totalizojë, të përfshijë në serinë e saj të ekuivalencave, këto elemente pluskuese të lira. Sot, për shembull, çështja sa i përket luftës midis neo-konservatorizmit dhe socialdemokracisë është “liria”: neo-konservatorët përpiqen të tregojnë se demokracia barazimtare, e mishëruar në shtetin e mirëqenies, shpie medoemos në forma të reja të skllavërisë, në varësinë e individit ndaj shtetit totalitar, ndërsa socialdemokratët theksojnë sesi liria individuale, që të ketë ndofarë kuptimi, duhet të bazohet në jetën sociale demokratike, barazinë e mundësive ekonomike dhe kështu me radhë.
Në këtë mënyrë, çdo element i një fushe të dhënë ideologjike është pjesë e një serie ekuivalencash: surplusi i tij metaforik, përmes të cilit lidhet me të gjithë elementet e tjera, përcakton prapaveprimthi vetë identitetin e tij (nga një perspektivë komuniste, të luftosh për paqe do të thotë të luftosh kundër rendit kapitalist dhe kështu me radhë). Por kjo zinxhirosje është e mundur vetëm me kusht që një shenjues i caktuar – “Njëshi” lakanian – “të kopsisë” tërë fushën dhe, duke e mishëruar atë fushë, sendërton identitetin e tij.
Le të marrim projektin e Laclau/Mouffe të demokracisë radikale: këtu, kemi një artikulim të luftërave e përpjekjeve të veçanta (për paqe, ekologji, feminizëm, të drejtat e njeriut e kështu me radhë), asnjëra prej të cilave nuk pretendon të jetë “e Vërteta”, e Shenjuara përfundimtare, “Kuptimi i vërtetë” i të gjitha të tjerave; por vetë titulli “demokraci radikale” tregon se vetë mundësia e artikulimit të tyre nënkupton rolin “nyjëtues”, përcaktues të një përpjekje të caktuar e cila, pikërisht si përpjekje e veçantë, ravijëzon horizontin e të gjitha përpjekjeve të tjera. Ky rol përcaktues i përket, natyrisht, demokracisë, “shpikjes demokratike”: sipas Laclau-t dhe Mouffe-së, të gjitha luftërat a përpjekjet e tjera (socialiste, feministe…) do të mund të përfytyroheshin si radikalizim, zgjatje dhe zbatim gradual i projektit demokratik në fusha të reja (të marrëdhënieve ekonomike, të marrëdhënieve midis sekseve…). Paradoksi dialektik qëndron në faktin se, larg nga kryerja e një shtypjeje të dhunshme të dallimeve, përpjekja partikulare që luan një rol hegjemon çel vetë hapësirën për autonominë relative të përpjekjeve të tjera partikulare: përpjekja feministe, për shembull, është e mundur vetëm përmes referencës ndaj diskursit politik demokratiko-barazimtar.
Detyra e parë e analizës është pra të lokalizojë, në një fushë ideologjike të caktuar, përpjekjen a betejën partikulare, specifike që përcakton njëkohësisht horizontin e totalitetit të saj – për ta vënë në terma hegelianë, specien që është lloji i saj universal. Por ky është problemi kyç teorik: si ndryshon ky rol përcaktues, totalizues i një lufte të veçantë nga “hegjemonia” në konceptimin tradicional ku një luftë e caktuar (përpjekja e punëtorëve në marksizëm) shfaqet si e Vërteta e të gjitha të tjerave, asisoj që të gjitha luftërat e tjera në fund të fundit janë veçse forma të shprehjes së saj dhe që fitorja në këtë luftë na jep çelësin për fitore në fusha të tjera? Apo, siç shkon argumenti i zakonshëm marksist: vetëm revolucioni i suksesshëm socialist do të bëjë të mundur shfuqizimin e shtypjes së grave, përfundimin e shfrytëzimit shkatërrues të natyrës, lirim nga kërcënimi i shkatërrimit bërthamor… Me fjalë të tjera: si të formulojmë rolin përcaktues të një fushe të veçantë e specifike pa rënë në grackën e esencializmit? Teza ime është se anti-deskriptivizmi i Saul Kripke na ofron mjetet konceptuale për të zgjidhur këtë problem.
Deskriptivizmi kundrejt antideskriptivizmit
Ne mund ta quajmë përvojën themelore mbi të cilën ngrihet antideskriptivizmi i Kripkes si “pushtimi i rrëmbyesve të trupit”, duke iu referuar filmit të njohur fanta-shkencor të viteve 1950 (Invasion of the Body Snatchers): një pushtim krijesash nga hapësira e jashtme që marrin trajtë njerëzore – duken pikërisht si njerëz, kanë të gjitha vetitë e tyre, por në njëfarë kuptimi kjo i bën ata edhe më të rrëqethshëm e të çuditshëm. Ky problem është i njëjtë me antisemitizmin (dhe për këtë arsye Invasion of the Body Snatchers mund të lexohet si metaforë për anti-komunizmin e epokës së McCarthy-t4 në vitet 1950): hebrenjtë janë “si ne”; është e vështirë t’i njohësh ata, të përcaktosh në nivelin e realitetit pozitiv atë tepricë, atë veçori ikatare të tyre që i dallon nga të gjithë njerëzit e tjerë.
Çështja në mosmarrëveshjen midis deskriptivizmit dhe antideskriptivizmit është më elementarja: si i referohen emrat objekteve që ato përshenjojnë? Pse fjala “tryezë” i referohet një tryeze? Përgjigjja deskriptiviste është ajo evidentja: për shkak të kuptimit të saj; çdo fjalë është në radhë të parë bartëse e një kuptimi të caktuar – pra, ajo do të thotë një tog veçorish përshkruese (“tryezë” do të thotë një objekt me një formë të caktuar, që shërben për qëllime të caktuara) dhe më pas i referohet objekteve në realitet për aq sa ato kanë vetitë e përshkruara nga togu i përshkrimeve. “Tryezë” do të thotë tryezë sepse një tryezë ka vetitë e përfshira në kuptimin e fjalës “tryezë”. Qëllimësia kështu ka përparësi logjike mbi shtrirjen: shtrirja (një bashkësi objektesh të cilëve u referohet një fjalë) përcaktohet nga qëllimi (nga veti universale që përfshihen në kuptimin e saj). Përgjigjja antideskriptiviste, në kontrast, është se një fjalë lidhet me një objekt ose një grup objektesh përmes një akti të “pagëzimit fillestar” dhe kjo lidhje mbahet edhe nëse grupi i veçorive përshkruese që fillimisht përcaktonin kuptimin e fjalës ndryshon plotësisht.
Le të marrim një shembull të thjeshtuar nga Kripke: nëse e pyesim publikun e gjerë për një përshkrim identifikues të “Kurt Gödel”, përgjigjja do të ishte “autori i provës së paplotësisë së aritmetikës”; por le ta zëmë se prova u shkrua nga një tjetër njeri, Schmidt, një mik i Gödel-it, dhe se Gödel e vrau atë dhe e përvetësoi zbulimin e provës së përmendur; në këtë rast, emri “Kurt Gödel” do t’i referohej ende të njëjtit Gödel, edhe pse përshkrimi identifikues nuk do të zbatohej më për të. Ideja është se emri “Gödel” është lidhur me një objekt të caktuar (një person) përmes një “pagëzimi fillestar” dhe kjo lidhje qëndron edhe nëse përshkrimi fillestar identifikues del të jetë i pavërtetë.5 Kjo është bërthama e mosmarrëveshjes: deskriptivistët theksojnë përmbajtjen imanente, të brendshme e “qëllimore” të një fjale, ndërsa antideskriptivistët e konsiderojnë vendimtare lidhjen e jashtme shkakësore, mënyrën se si një fjalë është përcjellur nga subjekti në subjekt në një zinxhir tradite.
Këtu, një akuzë e parë na parashtrohet: a nuk është përgjigjja evidente ndaj kësaj mosmarrëveshje se kemi të bëjmë me dy lloje të ndryshme emrash: me nocione që përshenjojnë lloje (universale) dhe me emra të përveçëm? A nuk është zgjidhja e saj thjesht që deskriptivizmi llogarit mënyrën se si funksionojnë nocionet gjenerike dhe antideskriptivizmi mënyrën se si funksionojnë emrat e përveçëm? Nëse i referohemi dikujt si “dhjamosh”, është e qartë se ai duhet të ketë të paktën vetinë e të qenurit tepër i bëshëm, por nëse i referohemi dikujt si “Pjetër”, nuk mund të nxjerrim ndonjë nga vetitë e tij efektive – emri “Pjetër” i referohet atij thjesht sepse është pagëzuar “Pjetër”. Por një zgjidhje e tillë, një përpjekje për të hequr qafe problemin me një sqarim të thjeshtë klasifikues, nuk e kap fare atë që është në thelb të mosmarrëveshjes: si deskriptivizmi ashtu edhe antideskriptivizmi synojnë një teori të përgjithshme të funksioneve referuese. Për deskriptivizmin, emrat e përveçëm nga ana e tyre janë thjesht përshkrime të sakta të maskuara ose të shkurtuara, ndërsa për antideskriptivizmin, zinxhiri i jashtëm shkakësor përcakton referencën edhe në rastin e nocioneve gjenerike, të paktën të atyre që tregojnë lloje natyrore. Le të marrim sërish një shembull disi të thjeshtuar nga Kripke: në një moment të caktuar në parahistori, një lloj i caktuar objekti u pagëzua “ar” dhe ky emër u ndërlidh në atë moment me një tog veçorish përshkruese (një metal i verdhë, i rëndë dhe i shndritshëm që mund të stoliset bukur, e kështu me radhë); me kalimin e shekujve, ky tog përshkrimesh është shtuar dhe ndryshuar në përputhje me zhvillimin e njohurive njerëzore, asisoj që sot ta identifikojmë “arin” me specifikimin e tij brenda tabelës periodike dhe të protoneve, neutroneve, elektroneve, spektreve të tij, e kështu me radhë; por le ta zëmë se sot një shkencëtar do të zbulonte se gjithë bota e ka patur gabim për të gjitha vetitë e objektit të quajtur “ar” (përshtypja se ka një ngjyrë të verdhë të shndritshme është prodhuar nga një iluzion optik universal, e kështu me radhë) – në këtë rast, fjala “ar” do të vazhdonte t’i referohej të njëjtit objekt si më parë – pra, do të thoshim “ari nuk ka vetitë që i janë atribuar deri tani”, jo “objekti që deri tani e kemi marrë për ar nuk është në të vërtetë ar”.
E njëjta gjë vlen edhe për situatën e kundërt kundërfaktuale: është e mundur që të ekzistojë një lëndë që ka të gjitha shenjat identifikuese që zakonisht ia atribuonim arit dhe që përdornim për ta identifikuar në radhë të parë, por që nuk është e njëjta lloj gjëje, që nuk është e njëjta lëndë. Do të thoshim për një gjë të tillë se, megjithëse ka të gjitha dukjet që fillimisht përdornim për të identifikuar arin, nuk është ar.6
Pse? Sepse kjo lëndë nuk është lidhur me emrin “ar” përmes një zinxhiri shkakësor që shkon prapa deri te “pagëzimi fillestar” që themeloi referencën e “arit”. Për të njëjtën arsye duhet të thuhet se edhe nëse arkeologët ose gjeologët do të zbulonin nesër disa fosile që tregonin përfundimisht ekzistencën e kafshëve në të kaluarën që përmbushin gjithçka që dimë për njohuritë e mitit të njëbrirëshit, kjo nuk do të tregonte se ka pasur njëbrirësha. 7
Me fjalë të tjera, edhe nëse këto pothuaj-njëbrirësha përputhen në mënyrë të përkryer me togun e veçorive përshkruese të përfshira në kuptimin e fjalës “njëbrirësh”, ne nuk mund të jemi të sigurt se pikërisht këto ishin referenca origjinale e nocionit mitik të “njëbrirëshit” – pra, objekti me të cilin fjala “njëbrirësh” ishte fashitur në “pagëzimin fillestar”… Si do mund t’i injoronim përmbajtjet libidinale të këtyre propozimeve të Kripkes? Ajo që është në lojë këtu është pikërisht problemi i “përmbushjes së dëshirës”: kur hasim në realitet një objekt që ka të gjitha vetitë e objektit të fantazuar të dëshirës, gjithsesi përjetojmë domosdo një lloj zhgënjimi; ne përjetojmë njëfarë ndjesie se “nuk është kjo [çka desha]”; bëhet e qartë se objekti real më në fund i gjetur nuk është referenca e dëshirës megjithëse ka të gjitha vetitë që lypen. Ndoshta nuk është rastësi që Kripke zgjedh si shembuj objekte me një konotacion të fortë libidinal, objekte që sakaq mishërojnë dëshirën në mitologjinë e përbashkët: ari, njëbrirëshi…
Dy mitet
Duke pasur parasysh se si vetë terreni i mosmarrëveshjes midis deskriptivizmit dhe antideskriptivizmit përshkohet kësisoj nga një rrymë e nëndheshme e ekonomisë së dëshirës, nuk duhet të na habisë që teoria lakaniane mund të na ndihmojë të kthjellojmë termat e kësaj mosmarrëveshjeje, jo në kuptimin e një “sinteze” pothuaj-dialektike midis dy pikëpamjeve të kundërta, por përkundrazi, duke treguar se si, si deskriptivizmi ashtu edhe antideskriptivizmi, i dalin huq të njëjtës pikë kyçe – kontingjencën radikale të emërtimit. Dëshmia për këtë është se, për të mbrojtur zgjidhjen e tyre, të dyja pozicionet duhet të përdorin një mit, të shpikin një mit: një mit të një fisi primitiv te Searle-i, një mit të “vrojtuesit të gjithëdijshëm të historisë” te Donnellan-i. Për të kundërshtuar antideskriptivizmin, Searle shpik një komunitet primitiv gjuetar-mbledhës me një gjuhë që përmban emra të përveçëm:
Imagjinoni që brenda në fis të gjithë njihen me njëri-tjetrin dhe se anëtarët e porsalindur të tij pagëzohen në ceremoni me pjesëmarrjen e të gjithë bashkësisë. Imagjinoni më tej se, teksa fëmijët rriten, ata mësojnë emrat e njerëzve sikurse emrat lokalë të maleve, liqeneve, rrugëve, shtëpive, etj., përmes ekspozimit të përsëritur. Supozoni gjithashtu se në këtë fis ka një tabu të rreptë kundër të folurit për të vdekurit, kështu që nuk përmendet kurrë emri i askujt pas vdekjes. Tani, qëllimi i kësaj fantazie është thjesht ky: Siç e kam përshkruar, ky fis ka një institucion emrash të përveçëm që përdoren për referencë në të njëjtën mënyrë që emrat tanë përdoren për referencë, por nuk ka asnjë përdorim të vetëm të një emri në fis që përmbush zinxhirin shkakësor të teorisë së komunikimit.8
Me fjalë të tjera, në këtë fis, çdo përdorim i emrit përmbush pretendimin deskriptivist: referenca përcaktohet ekskluzivisht nga një tog veçorish përshkruese. Searle e di, natyrisht, se një fis i tillë nuk ka ekzistuar kurrë; ai do vetëm të tregojë se mënyra se si funksionon emërtimi në këtë fis është logjikisht parësore: se të gjithë kundërshembujt e përdorur nga antideskriptivistët janë logjikisht dytësorë, ato “parazitojnë”, ato nënkuptojnë funksionimin paraprak “deskriptivist”. Kur gjithçka që dimë për dikë është se emri i tij është Smith – kur e vetmja përmbajtje qëllimore e “Smith” është “personi të cilit të tjerët i referohen si Smith” – një gjendje e tillë logjikisht presupozon ekzistencën e të paktën një subjekti tjetër që di shumë më tepër për Smithin – për të cilin emri “Smith” është i lidhur me një tog të tërë veçorish përshkruese (një zotëri i moshuar e i dhjamosur që jep një kurs mbi historinë e pornografisë…). Me fjalë të tjera, rasti i dhënë nga antideskriptivizmi si “normal” (përcjellja e referencës përmes një zinxhiri shkakësor të jashtëm) është veçse përshkrim “i jashtëm” (një përshkrim që nuk merr parasysh përmbajtjen qëllimore) i një funksionimi që është “parazitar” – domethënë, logjikisht dytësor.
Për të hedhur poshtë Searle-in, ne duhet të demonstrojmë se fisi i tij primitiv, në të cilin gjuha funksionon ekskluzivisht në mënyrë përshkruese, nuk është vetëm empirikisht por edhe logjikisht i pamundur. Procedura derrideane, sigurisht, do të tregonte se si përdorimi “parazitar” gjithmonë gërryen – dhe ka pasë gërryer qysh në fillim – funksionimin e kulluar përshkrues: se si miti i Searle për një fis primitiv paraqet thjesht një tjetër version të një komuniteti krejtësisht transparent, në të cilin referenca nuk turbullohet nga asnjë mungesë, nga asnjë mangësi.
Qasja lakaniane do të theksonte një tipar tjetër: e thënë thjesht, në përshkrimin e Searle-it për fisin e tij, diçka mungon. Nëse njëmend shqetësohemi për gjuhën në kuptimin e saj të rreptë, me gjuhën si një rrjet shoqëror në të cilin kuptimi ekziston vetëm për aq sa njihet ndërsjelltas – me një gjuhë që, me përkufizim, nuk mund të jetë “private” – atëherë duhet të jetë pjesë e kuptimit të çdo emri fakti që ai i referohet një objekti të caktuar sepse ky është emri i tij, sepse të tjerët e përdorin këtë emër për të treguar objektin në fjalë: çdo emër, për aq sa është pjesë e gjuhës së përbashkët, nënkupton këtë moment vetëreferues, rrethor a qarkor. “Të tjerët”, sigurisht, nuk mund të reduktohen te të tjerët empirikë; ata më tepër anohen kah “Tjetri i madh” lakanian, kah vetë rendi simbolik.
Këtu hasim budallallëkun e posaçëm dogmatik të shenjuesit si shenjues, budallallëkun që merr trajtën e një tautologjie: një emër i referohet një objekti sepse ky objekt quhet ashtu – kjo formë jopersonale, pavetore, (“kështu quhet”) shpall përmasën e “Tjetrit të madh” përtej subjekteve të tjera. Shembulli i evokuar nga Searle si kryeshembull i parazitizmit – shembulli i folësve që nuk dinë asgjë për objektin për të cilin po flasin dhe për të cilët “e vetmja përmbajtje qëllimore mund të jetë se ata janë duke e përdorur emrin për t’iu referuar asaj të cilës të tjerët po ashtu i referohen me të njëjtin emër”9 – tregon, përkundrazi, një përbërës të domosdoshëm të çdo përdorimi “normal” të emrave në gjuhë si lidhje sociale – dhe ky përbërës tautologjik është krye-shenjuesi lakanian, “shenjuesi pa të shenjuar”.
Pjesa ironike e kësaj qëndron te fakti se kjo mungesë është në të vërtetë e brendashkruar në përshkrimin e Searle-it në formën e një ndalimi (“…ka një tabu të rreptë në këtë fis kundër të folurit për të vdekurit”): fisi mitik i Searle-it është kështu një fis psikotikësh që – për shkak të tabusë për emrat e të vdekurve – përmbaron10 funksionin e Emrit-të-Atit – që do të thotë, parandalon transformimin e babait të vdekur në sundimin e Emrit të tij. Nëse, për pasojë, deskriptivizmi i Searle-it humbet përmasën e Tjetrit të madh, antideskriptivizmi – të paktën në variantin e tij mbizotërues – humbet tjetrin e vogël, përmasën e objektit si Real në kuptimin lakanian: dallimi Real/realitet. Kjo është arsyeja pse antideskriptivizmi rrëmon për atë X-in, atë tipar që garanton identitetin e një reference përmes të gjitha ndryshimeve të veçorive të tij përshkruese, brenda vetë realitetit; kjo është arsyeja pse i duhet ta shpikë mitin e tij, një lloj kundrapunkti për fisin primitiv të Searle-it, mitin e Donnellan-it për një “vrojtues të gjithëdijshëm të historisë”. Donnellan ndërton me qesëndi këtë shembull të mëposhtëm kundërfaktual:
Supozoni që gjithçka që një folës i caktuar di ose mendon se di për Talesin është se ai është filozofi grek që deklaroi se gjithçka është ujë. Por supozoni që nuk ka ekzistuar kurrë një filozof grek që ka thënë diçka të tillë. Supozoni që Aristoteli dhe Herodoti i referoheshin një pus-gërmuesi që tha: “Dëshiroj që gjithçka të ishte ujë, kështu që nuk do të duhej të gërmoja këto puseta të mallkuara”. Në një rast të tillë, kur folësi përdor emrin “Talesi”, ai i referohet atij pus-gërmuesi. Më tutje, supozoni që ka ekzistuar një eremit që kurrë nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie me askënd, i cili përnjëmend mbante qëndrimin se gjithçka ishte ujë. Megjithatë, kur themi “Tales”, ne padyshim nuk i referohemi këtij eremiti.11
Sot, referenca origjinale, pika ndërnisëse e një zinxhiri shkakësor – pus-gërmuesi i shkretë – është e panjohur për ne; por një “vrojtues i gjithëdijshëm i historisë”, i aftë të ndjekë zinxhirin shkakësor deri në aktin e “pagëzimit fillestar”, do të dinte se si të gjente fillin zanafillor që ndërlidh fjalën “Tales” me referencën e saj. Pse është i nevojshëm ky mit, ky version antideskriptivist i “subjektit të presupozuar të dijes” lakanian?
Problemi themelor i antideskriptivizmit është të përcaktojë se çfarë përbën identitetin e objektit të përshenjuar përtej togut gjithnjë të ndryshueshëm të vetive përshkruese – çfarë e bën një objekt identik me veten edhe nëse të gjitha veçoritë e tij kanë ndryshuar; me fjalë të tjera, si të konceptohet korrelativi objektiv i “përshenjuesit të ngurtë”, i emrit për sa kohë që ai përshenjon të njëjtin objekt në të gjitha botët e mundshme, në të gjitha situatat kundërfaktuale. Ajo që anashkalohet, të paktën në versionin standard të antideskriptivizmit, është se ky garantim i identitetit të një objekti në të gjitha situatat kundërfaktuale – përmes një ndryshimi të të gjitha veçorive të tij përshkruese – është efekti prapaveprues i vetë emërtimit: është vetë emri, shenjuesi, që mbështet identitetin e objektit. Kjo “tepricë” në objekt që mbetet e njëjtë në të gjitha botët e mundshme është “diçka në të më shumë se ajo vetë”, që do të thotë objekti lakanian petit a: ne e kërkojmë kot në realitetin pozitiv sepse ky nuk ka asnjë koherencë pozitive – sepse është vetëm objektifikim i një boshi, i një pavazhdimësie që çelet në realitet nga dalja e shenjuesit. E njëjta gjë ndodh edhe me arin; ne kërkojmë kot në veçoritë e tij pozitive, fizike, për atë X që e bën atë mishërimin e pasurisë; ose, për të përdorur një shembull nga Marksi, është e njëjta gjë me mallin: ne kërkojmë kot midis veçorive të tij pozitive për tiparin që përbën vlerën e tij (dhe jo vetëm vlerën e tij të përdorimit). Ajo që nuk rroket nga ideja antideskriptiviste e një zinxhiri të jashtëm shkakësor të komunikimit përmes të cilit përçohet referenca, është pra rastësia radikale e emërtimit, fakti që vetë emërtimi e themelon referencën e vet prapaveprimthi. Emërtimi është i domosdoshëm, por është, si të thuash, i domosdoshëm më pas, prapaveprimthi, pasi të jemi sakaq “në të”.
Roli i mitit të “vrojtuesit të gjithëdijshëm të historisë” përkon pra saktësisht me atë të mitit të Searle për fisin primitiv: në të dy rastet, funksioni i tij është të kufizojë, të frenojë rastësinë radikale të emërtimit – të ndërtojë një agjenci që garanton domosdoshmërinë e tij. Në rastin e parë, referenca garantohet nga “përmbajtja qëllimore” imanente në emër; në të dytën, ajo garantohet nga zinxhiri shkakësor që na çon në “pagëzimin fillestar” që lidh fjalën me objektin. Nëse, në këtë mosmarrëveshje midis deskriptivizmit dhe antideskriptivizmit, “e vërteta” qëndron, pas së gjithash, tek antideskriptivizmi, kjo është sepse gabimi i antideskriptivizmit është i një natyre tjetër: në mitin e tij, antideskriptivizmi mbyll sytë ndaj rezultatit të tij, ndaj asaj që “e ka prodhuar pa e ditur”. Arritja kryesore e antideskriptivizmit është të na mundësojë të përfytyrojmë objet a-në si korrelativi i pamundur-real i “përshenjuesit të ngurtë” – që do të thotë, i point de capiton si shenjues “i kulluar”.
1. Kjo pjesë është shkëputur nga Sublime Object of Ideology, Sllavoj Zhizhek, botimi i dytë, Verso, 2009, ku figuron si kapitulli 3.
2. Me kopsitje përkthejmë termin “quilt” (të quilting point në anglisht, point de capiton në frëngjisht), koncept ky i psikoanalizës lakaniane që i referohet procesit me anë të të cilit lidhjet mes shenjuesve dhe kuptimeve bëhen të qëndrueshme, duke e strukturuar ligjërimin dhe realitetin. Termi në frëngjisht është marrë nga përdorimi në tapiceri që përshkruan një jastëk të qepur me pika të ngritura ku një copë a pëlhurë është mbushur me material të butë dhe qepet me pika të rregullta që shërbejnë që ky material i butë që mbush pëlhurën të mos rrëshkasë brenda saj; kjo jep një efekt të caktuar në sipërfaqen e mobiljeve si divane, shtrate apo jorganë, pra mund të përdoret edhe si detaj dekorativ, por funksionin në zanafillë e kishte si teknikë që të mos rrëshkasë mbushja, nga vjen edhe përdorimi teknik në psikoanalizën lakaniane, të mos rrëshkasë mbushja kuptimore e shenjuesve. [Shën. i përkth.]
3. Koncepti i “mbipërcaktimit” (overdetermination) është një term kyç i përdorur nga Louis Althusser në teorinë e tij marksiste për të shpjeguar procesin kompleks të formimit të ideologjisë dhe marrëdhënieve shoqërore. Althusser e huazon këtë term nga psikoanaliza frojdiane, ku mbipërcaktimi i referohet mënyrës se si një fenomen psikik (p.sh., një ëndërr) mund të jetë rezultat i shumë faktorëve e të ndërthurur, shpesh të pavetëdijshëm, e që risjellin të njëjtën çështje përmes elementësh të larmishëm. Lakan, në ndërveprimin e tij me psikoanalizën frojdiane, e thellon këtë ide duke theksuar rolin e strukturës së gjuhës dhe të dëshirës në formësimin e subjekti. Me këtë sfond teorik, Zhizheku e përdor konceptin për të analizuar jo vetëm mënyrën se si ideologjitë janë të ndërtuara nga shtresëzime të shumëfishta kuptimore, por edhe se si ato ndërveprojnë me pavetëdije për të prodhuar efekte politike dhe simbolike të fuqishme. (Shih Louis Althusser, For Marx, 1965; Sigmund Freud, The Interpretation of Dreams, 1900; Jacques Lakan, Écrits, 1966). [Shën. i përkth.]
4. Epoka e McCarthy-t, ose Mekartizmi, identifikohet me emrin e senatorit Amerikan Joseph McCarthy i cili në vitet ‘50 u njoh për komisionin hetimor për zbulimin e elementeve subversive komuniste brenda institucioneve amerikane që bashkëpunonin me Bashkimin Sovjetik për përmbysjen e rendit politik amerikan. Mekartizmi i referohet më gjerësisht të gjithë fushatës në vitet ’40 dhe ’50 të përkthyer në një regjim të tërë administrativ e ligjor të mbështetur mbi urdhra ekzekutive presidenciale për persekutimin politik të individëve, grupeve, nëpunësve publikë dhe institucioneve me bindje të majta radikale ose që punonin në dhe mbi lëminë e këtyre bindjeve si agjentë të spiunazhit të Bashkimit Sovjetik. Procedurat e ndjekura për survejimin, burgosjen, përfshirjen në lista të zeza dhe persekutimin e individëve, grupeve dhe institucioneve nga FBI-ja dhe institucionet e tjera të implikuara do të konsideroheshin eventualisht si jo-kushtetuese.
5. Saul Kripke, Naming and Necessiry, Cambridge, MA: Harvard University Press, 1980, ff. 83-5.
6. Ibid., f. 119.
7. Ibid., f. 24.
8. John Searle, Intentionality, Cambridge: Cambridge University Press, 1984, f. 240.
9. Ibid., f. 259.
10. Përmbaron përkthen këtu termin foreclosure (forecloses në fjali), që në psikoanalizën lakaniane i referohet një procesi specifik mohimi që karakterizon strukturën psikotike. Ky mohim themelor lidhet me refuzimin e Emrit-të-Atit, një element kyç i rendit simbolik, i cili siguron kushtet për formimin e metaforës dhe kuptimin e saj brenda strukturës simbolike. [Shën. i përkth.]
11. Ibid., f. 252.
Imazhi i ballinës: Alexander Lunyov në Unsplash

