Moral me çizme, ligj me opinga
S’mu duk sikur në fytyrën e tij kishte keqdashje. Më erdhi si fjali e thënë pateklif, gati si për t’u kapur pas një bote të njohur, ku gjithçka ngelet në vend: gruaja në shërbim, burri “kryefamiljar”, fëmijët në rresht, Zoti në mur. Mjafton një fjali e tillë për të kuptuar se sa pranë sipërfaqes notojnë pasiguritë nga frika e humbjes së busullës. Një dridhje e vogël në tonin e përditshmërisë tregon se sa e brishtë është ajo “qetësi” që e kemi menduar si traditë. Deri në urrejtje. Parehatinë që rri pezull dhe gërryen çdo përpjekje për të folur për drejtësi, pavarësi, çlirim e sheh kudo në komente online, tryeza familjare, mjedise pune, në predikime e panele publike...

