Antropologjia e së drejtës dhe antropologjia politike e at Gjeçovit

Nebi Bardhoshi | 13.07.2024 | nyje.al

At Shtjefën Gjeçovi dje kishte 150-vjetorin e lindjes. Ndaj këtu po shtrojmë dy-tri fjalë, të cilat janë reflektime për një traditë kërkimore antropologjike në fushën e kanunit, shtetit dhe politikës në studimet antropologjike, që zë fill prej punës së at Gjeçovit.

Shtjefën Gjeçovi, e drejta, antropologjia

At Shtjefën Gjeçovi ka qenë mbledhësi dhe kodifikuesi i veprës së njohur me emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit (botuar në 1933).  Shumëkush mendon se kanuni ka qenë në krye të herës i kodifikuar dhe se vetëm ndodhi “zbulesa e tij”. Shumëkush këtë imazh e lidh me Lekë Dukagjinin. Për Lekën ka lloj-lloj imazhesh popullore. Por, në fakt, at Gjeçovi e mblodhi dhe e kodifikoi të drejtën kanunore, duke e mbledhur prej ‘gojës së komit”  dhe për këtë duket se ka pasur një strategji të qartë kërkimore. Në literaturë dhe në popull ka një imazh se at Gjeçovi e mblodhi këtë të drejtë vetëm diku në veri të Shqipërisë, dikush mendon vetëm në Mirditë. Në të vërtetë, at Gjeçovi i dha përparësi të dhënave që mblodhi në Mirditë, por zonat ku mblodhi të dhëna përfshin Kosovën e deri, së paku, në Luginë të Drinos në Gjirokastër. Gjeçovi lëshoi teza për kanunin e Arbërisë së Tosqve [kupto Labërinë], duke na sjellë edhe termin “Kanuni i Tpirrit”.

Pakkush e shtron ende pyetjen se përse ky kanun u kodifikua dhe pak cekje studimore janë bërë mbi procesin e kodifikimit. Çka dihet me siguri është se at Gjeçovi e realizoi këtë punë dhe për këtë kishte në mendje një të drejtë që krahasohej me të drejtat më të lashta. Projektit gjeçovian nuk i mbaron qëllimi këtu. Që në krye të herës projekti në fjalë ka pasur si qëllim të p a j i s ë shoqërinë shqiptare me dinjitetin politik. Me pajis një shoqëri me dinjitet politik, në kohën kur shkroi at Gjeçovi, ishte me qitë prova e me dalë dëshmitar, se ky popull meriton respekt dhe, njëherazi, të drejtën me ndërtu shtet. Në kohën kur u mblodh e u kodifikua kanuni, fundi i shekullit XIX e fillimi i shekullit XX, bota ishte mbushur me imazhe raciste e shoviniste si kurrë më parë, imazhe që pretendonin të mbështesnin mendimin e tyre në shkencë. Shumëkush në ditët e sotme e kujton se, në atëbotë, imazhet raciste e kolonialiste ishin përzier në Europë e Ballkan, e shqiptarët ishin jo rrallë pjesë e përshkrimeve të tilla.

Nga ana historike, edhe pas përpjekjeve të ndryshme, ende ka dilema nëse vërtet Lekë Dukagjini dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu, apo dhe princa të tjerë të mesjetës arbërore, e kodifikuan apo jo të drejtën zakonore. Ekziston një mundësi historike, përderisa në botën mesjetare shfaqet kjo dukuri aty-këtu. Por, dokument që të provojë një fakt të tillë ende nuk kemi. Çfarë dimë mirë është se e drejta kanunore, e mbledhur dhe kodifikuar nga at Gjeçovi, ishte një e drejtë që i përket ligjeve të gjalla, të pashkruara e të pakodifkuara. Po ashtu, çka dimë qartë është se kjo e drejtë, edhe pse ka pasur ndikime të ndryshme, sërish ajo mbetet dëshmia më e fortë e kulturës arbërore. Për këtë flet lidhja e së drejtës me gjithë spektrin shoqëror dhe kulturor ku ajo u zbatua.

Projekti antropologjik i at Gjeçovit mbi kanunin ishte një projekt në kuadër të rrethit të fretërve françeskanë. Ky rreth, me pamëdyshje, ka hedhur bazat e antropologjisë shqiptare mbi shqiptarët, ligjin dhe politikën. Kur themi se projekti kërkimor është bazë për antropologjinë e së drejtës dhe atë politike, nuk po themi se qëllimi kryesor ka qenë ai disiplinar, por, në fakt, ka qenë njohja dhe studimi i kulturës, ndoshta më shumë si dimension politik dhe vleror, por, në kuadër të disiplinës së antropologjisë së ligjit dhe politikës, këto të dhëna bëhen bazë për kërkimet në të ardhmen të së drejtës dhe dimensioneve politike të shoqërisë shqiptare. Këto dimensione nganjëherë u reduktuan vetëm te kategoria e “traditës” e “trashëgimisë” e “së shkuarës”.

Kjo vepër u rikodifikua në fund të vitit 1944, nga puna e përbashkët e Emil Tedeskinit dhe At Benedikt Demaj. Por kjo punë mbeti e pabotuar deri para pesë vitesh, kur u botua nga etërit françeskanë në Shkodër. Ndërkohë, gjatë socializmit “kanuni” thuajse u zhduk nga hapësira publike si tekst, pasi nuk pati botime a ribotime të tij deri në vitin 1989. Ky botim me të drejtë dyshohet se i ka shumë borxhe punës rikodifikuese të bërë nga Tedeskini dhe Kurti. Por s’ka dyshim që modeli i Gjeçovit vijoi të influencojë çdo punë mbi kanunin dhe çdo kodifikimi që i ndodhi kësaj të drejte.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, mbledhur e kodifikuar nga at Gjeçovi, përveçse ishte puna më solide në rrafshin e dijeve etnografike shqiptare, për këtë ka gëzuar shumë promovime e keqkuptime teorike. Por, akoma më komplekse është “jeta politike” e kësaj vepre. Kjo “jetë politike” e kanunit ka shtigje e trajektore shumë komplekse. Ky kanun është bërë frymëzim për ekzotizim e primitivizim të bartësve të kanunit, herë duke e inferiorizuar primitiven si një prapambetje kulturore, herë duke e lartësuar këtë gjendje juridike si më arkaiken e më zanafilloren. Po ashtu, parë në plan të brendshëm shtetëror, jo rrallë kanuni është përdorur si armë shtetërore për inferiorizimin e zonave të tipizuara si kanunore, e kjo shprehet më qartë gjatë socializmit. Në botën e sotme, kanuni është bërë jo rrallë ‘shenjë’ diskursive në proceset përulëse ndaj bartësve të tyre, apo përlartësuese ndaj vetvetes së imagjinuar, e madje është bërë shenjë politike e kampeve politike, që, jo rrallë, limitohen në “rrathë krahinorë”, të projektuar si me tipare të ndryshme kulturore.  E, nëse do të vijonim me shembuj të pranisë së kanunit në planet diskursive bashkëkohore dhe jetën e tij politike tej bazës fillestare empirike, shohim se ‘kanuni’ bën njëfarë jete edhe në gji të teorive konspiracioniste.  

Çfarë ka rëndësi teorike në këtë që po nënvizojmë se, veç studimeve e projekteve që mund të vijojnë për studimin e kulturës juridike dhe specifikisht kulturës krahinore, mund të ndërtohen jo pak studime antropologjike, të cilat shohin jo vetëm kanunin si “ligj zakonor” apo “ligj i gjallë”, por edhe se si imazhi i tij ka depërtuar në diskursin publik. Mendoj se ky imazh nuk do të mund të ishte kaq konkret dhe prezent, as në literaturë e as në diskursin publik, nëse kjo vepër nuk do të ishte kodifikuar. Shkurt, edhe sot studimet mbi kanunin ndjellin kureshti dhe duhet të riartikulohen edhe njëherë, me qëllim qartësimin dhe thellimin në shumë drejtime. Unë vetë kam përzemër dy temëza – dilemat e Gjeçovit dhe rrugën e shkurtër që marrin shumë lexues e jo rrallë edhe studiues.

Shtëpia, e drejta, politika

Për ta përmbyllur, duhet të përmbledhim çka u tha dhe çka duhet ditur e kuptuar më tej, por që nuk u shtrua këtu. Po e nisim me këtë të fundit. At Gjeçovi ka një objektiv themelor të tij, që duket vijon dhe sot e kësaj dite në debatin publik. Shqetësimi i tij është nxjerrja e njeriut shqiptar prej “jetës shpiare”. Me jetë “shpiare” at Gjeçovi duket se ka një imazh të filozofisë antike greke, që shoqërohet me njëfarë përbuzjeje për jetën private, e cila zhvillohet brenda mureve të shtëpisë, dhe një adhurim për jetën politike, atë të zhvilluar në agorën e shoqërisë. Këtë e shpreh më së miri në veprën Agimi i Gjytetniisë. Kërkesa me dalë përtej “pragut të shtëpisë” dhe egos personale, vijon të jetë një ndër sfidat e mendimit politik bashkëkohor. Ndërkohë, për “shtëpinë” dhe “jetën shpiare”, pak vepra mund të flasin në mënyrë më të kodifikuar se sa Kanuni i Lekë Dukagjinit. Por, njëherazi, kjo vepër ka brenda saj lidhjen e botës “shpiare” me botën “e jashtme” a ndryshe që mund ta quajmë “politike”. Duke e parë kështu mundemi me kriju një imazh më të plotë të mendimit dhe projektit kërkimor të at Gjeçovit. Shohim një dimenson të spikatur që lidhet me antropologjinë e së drejtës dhe shkollarinë e saj në studimet shqiptare, por, njëherazi, edhe teza e shqetësime që lidhen me vetë kuptimin dhe domethënien e shoqërisë, shtetit e politikës.

i Gjeçovi, Shtjefën. 1933. Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër, Shtypshkronja Françeskane.

 ii Gjeçovi, Shtjefën. 1929. Shënime, Tiranë, Instituti i Antropologjisë, Arkivi i Etnografisë.

 iii Për të patur një panoramë më të plotë mbi përdorimin e “primitivizmit ligjor” në literaturë kisha sygjeruar këto lexime – Fabian, Jonannes. 2014. Time and Other: How Anthropology Makes its Object, Columbia University Press. Kuper, Adam, 2005, Reinvention of Primitive Society,  Routledge, Second Edition., Touri, Kaius, 2016. Lawyers and Savages: Ancient History and Legal Realism in the Making of Legal Anthropology, Routledge.

 iv Bardhoshi, Nebi. 2021. Jeta në ag’  dhe sipas pushkëve të gjata: kontribut mbi punën e At. Shtjefën Gjeçovit, Shkodër, Hylli i Dritës, Janar – Qershor, Nr. 1, fq. 234-259.

vv  Gjeçovi, Shtjefën. 1910. Agimi i Gjytetniisë, Shkodër “Botimet Françeskane”.

Imazhi në ballinë: Web

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje