Pavjo Gjini | 28.07.2020 | nyje.al
Një interpretim terrëzues po merr terren, se Ministria e Shëndetësisë dhe i gjithë aparati i dërrmuar për sigurimin e kalitjen e shëndetit publik po cyt fryerjen e numrave të të infektuarve me Covid-19 me synimin për të thithur më shumë fonde nga Bashkimi Evropian për përballimin e pandemisë. Teza të tilla më shumë sesa kritika janë shenja se nuk ka teori kritike të mënyrës sesi qeveria po përballet me pandeminë nën dritën e çfarë është për t’u bërë përballë saj.
Një argument i tillë do të mund të fantazohej edhe me rastin e tërmetit kur lypjes në fundvit kryeqyteteve të Evropës e gjetiu Kryeministri Rama do t’i shtonte keqardhjen se pse për dreq nuk ishte edhe më i fortë tërmeti i nëntorit, mundësisht ta kishte rrafshuar të gjithë Shqipërinë që të merrte 20% e tij të radhës për rindërtimin e saj ky piktor me darë. Sigurisht që një ëndërr e tillë e as ajo për vjedhjen e fondeve të BE-së nuk mund të përjashtohen nga gjumi i shqetësuar i Ramës e i sozinjve të tij, megjithatë argumenti më shumë sesa terrorizues është paqtues e rehatues. Pandemia është më radikale se kjo frikë dhe ka nevojë për një kritikë edhe më radikale.
Rritja e numrave të Kovid-19 nuk ka nevojë për cytje të mëtutjeshme në një kohë kur ligjërimi shtetëror është dorëzuar i degdisur te përgjegjësia individuale nga mobilizimi total për luftë me një komandant i cili duket se basketbollin e preferon tek-pullë dhe se uniformë duket sikur nuk ka veshur as në shkollë fillore e lërë më atë të gjeneralit. Nuk ka nevojë për cytje fallse statistikore pandemia; tashmë i janë hapur të gjitha llogoret për të bërë kërdinë brenda radhëve tona. Kushdo që vritet në llogoret e armikun tashmë e ka fajin vetë. Një logjikë kjo e çimentuar për minatorët e vdekur në miniera ndër vite.
Në këtë situatë kur pandemia e ka kapluar shëndetin publik e po ashtu ekonominë e vendit, atëherë çfarë funksioni kryen një argument i cili pretendon të vërë në pah të vërtetën e sistemit? Teoritë e konspiracionit dhe kritika e korrupsionit janë terapi normalizuese dhe jo transformuese. Kur mendojmë se pandemia është veç rasti i radhës që Shqipëria të vjedhë fondet e radhës disi qetësohemi, i njëjti biznes si zakonisht presupozohet. Pandemia del të jetë e parëndësishme kur mendojmë se ajo po fryhet nga institucionet. Gjendja perceptohet më e qetë sesa na shfaqet. Është më shumë shpresë sesa kritikë, ‘ah sikur të jenë duke bërë korrupsion me frymët e vdekura në spitale sesa të jetë vërtetë e tillë situata me pandeminë.’ Më e lehtë ideja se Manastirliu e Rama e kalërojnë dhe e instrumentalizojnë pandeminë, më mirë ideja se Manastirliu është e korruptuar sesa ideja se Manastirliu është e dorëzuar. Prej këtij rasti mund të nxjerrim përfundimin se akuza për korrupsion nuk është aspak radikale, nuk e transformon interpretimin e situatës dhe as nuk bën thirrje për mobilizim për transformimin e saj.
Ashtu siç teoritë e konspiracionit janë shenja e mungesës së fuqisë teorizuese ashtu edhe kritika ndaj korrupsionit është shenja e mungesës së fuqisë kritikuese. Por le të themi po ashtu, duke tërhequr një spekulim më të përgjithshëm, se është në natyrën e përgjithshëm të korrupsionit që të rehatojë dhe jo të skandalizojë. Korrupsioni është rendi i gjërave dhe jo devijim ndaj tij. Një zyrtar i korruptuar nuk skandalizon askënd, ndërsa një zyrtar i cili nuk tundohet nga korrupsioni, ai po që skandalizon. Që njerëzit shiten e blihen lehtësisht është tashmë një proverb popullore në pushtet, por që ekziston një njeri që nuk shitet e blihet kjo po që shqetëson një komunitet të tërë.
Kur korruptohemi nuk ndjejmë ankth, ndërsa nëse refuzojmë një ofertë korruptive po. Filozofi i krishterë Soren Kirkegard thoshte se ankthi nuk vjen nga përvoja e fundësisë tonë, por nga vetëdijësimi se në fakt jemi të pafundëm. Ngjashëm me të edhe ne mund të themi se ankthi, i vetmi afekt siç thosh Frojdi që nuk luan bllofin, përjetohet më shumë nga një ballafaqim real me një situatë absolute, si kjo përballë një kronike të një pandemie të paprecedent e të paralajmëruar, sesa përballë një krize të rreme të shkaktuar nga korrupsioni.
Jemi mësuar vetëm me kritikën ndaj korrupsionit. E kemi të pamundur të lexojmë situata jashtë kësaj pseudo-kritike. Madje edhe fundi i botës nëse vjen nga një asteroid do të mendohet se është efekt i një mega-afere korruptive në importimin e asteroideve me shpresën se kjo do t’ia zbusë impaktin me tokën. Në një shkrim më pat kërcitur ideja e thjeshtë se korrupsion bën një zyrtar i cili nuk di ç’të bëjë tjetër. Ndërsa tani më ka kërcitur bindja se kritikë të korrupsionit bëjmë atëherë kur nuk dimë se çfarë të kritikojmë tjetër. Korrupsioni dhe anti-korrupsioni është një perde e cila mbulon faktin se nuk ka asgjë pas perdes.
Në prozën e shkurtër e të famshme ‘Përpara Portës së Ligjit’, Frantz Kafka tregon një katundar tek pret para portës së ligjit dhe para fytyrës së rojtarit të saj deri sa roja ta lërë të futet brenda ligjit. Tek po vdes në fundin e jetës së tij roja bëhet gati të largohet dhe katundari i habitur e pyet sesi po e lë portën pa roje. Roja i përgjigjet se ishte aty vetëm për të dhe tani që po vdes katundari porta nuk ka më nevojë për roje. Filozofi Sllavoj Zhizhek e interpreton këtë prozë duke thënë se roja qëndron aty për të mbuluar faktin se pas portës së ligjit nuk ka asgjë dhe jo se po mbulon ndonjë gjë thelbësore që ligji nuk do që ta shohë katundari. Kështu mund të themi edhe sot se ideja e një roje të korruptuar të shëndetit publik është aty sa për të mbuluar faktin se pas rojes nuk ka fare një sistem të shëndetit publik.
Një kritikë të ngjashme me të Zhizhekut në fushën e video-artit e ka bërë tashmë në Shqipëri artistja Valentina Bonizi e cila me një kapje gjeniale nga brenda hapësirave të Kryeministrisë në Tiranë ka lënë rrëfimin e prozës së Kafkës ndërkohë që tregon mëngjesin kur kati i parë i Kryeministrisë hapet nga pastrueset e rojet dhe bëhet gati që ne, ‘katundarët’ e Kafkës, të futemi brenda hapësirës së Kryeministrisë tashmë të quajtur me një ironi therëse Qendra për Hapje dhe Dialog. Gjenialiteti i kamerës së Bonizit qëndron te fakti se pamja brenda portës është mes errëtim Beketian, ose siç e quan Badiou këtë ngjyrë të Beketit një e zezë e hirtë 1, e cila nuk lë hapësirë për dialektikë e kontraste, si për të treguar se brenda portës rojet sigurohen që të mos dallohet se nuk ka asgjë brenda, pos një boshi të madh, emrin e vogël të së cilit e mban Kryeministri aktual i Shqipërisë.
Shpërfaqja e boshit me emrin Rama janë ‘ofertat e pakërkuara’, në një vend ku tashmë qasja ndaj ekonomisë së kërkesës është zhdukur edhe në kohë të jashtëzakonshme. Ndërkohë që Kryeministria është privatizuar dhunshëm në zyra për hapje dhe dialog, me drejtor të sajin Edi Ramën, nga përmbytja me oferta të pakërkuara dhe pa asnjë orientim për nga shëndeti publik e kërkesat publike, kritika anti-korrupsion nuk ka më lidhje me kritikën. Thjeshtë pohon dëshpërimisht se më mirë një zot i lig sesa asnjë grimë zoti.
***
1. ‘Çfarë është e zeza e hirtë? Një e zezë e tillë që asnjë dritë nuk mund të thuhet se e kontraston, një e zezë e ‘pakontrastueshme’. Kjo e zezë është mjaftueshëm e hirtë që asnjë dritë të mos i vendoset përkundrejt si ‘tjetra’ e saj. Në një kuptim abstrakt, vendi i qenies është i trilluar si një e zezë që është gri mjaftueshëm me qenë jo-dialektike, e veçuar nga të gjitha kontradiktat me dritën. E zeza gri është një e zezë që duhet rrokur në pozicionimin e saj dhe që nuk formon asnjë çiftim me ndonjë gjë tjetër.’ Badiou, Alain. On Beckett. Përkthyer në anglisht Nina Power & Alberto Toskano. Manchester: Clinamen, 2003. Faqja 6.