Nebi Bardhoshi | 15.05.2020 | nyje.al
Një nga dyert e Teatrit Kombëtar, foto nga Elsa Paja
Vite më parë debatoja me një nga miqtë e mi që mendonte se e njihte mirë punën e qeverisë së asaj kohe. Në një moment, kur na kishte rrëmbyer debati, mu drejtua: ”hajde me jep prova, unë kam statistika, ndërsa ti çfarë ke si dëshmi”? Nuk është se u vura shumë në siklet për të thënë se cila ishte metoda ime. Kjo loja me statistikat është e kaherëshme. Ne dimë që sipas statistikave shtetërore kemi jetuar prej diku pesë dekadash në lumturi socialiste, dhe në demokraci kemi jetuar nëpër faza lumturie. Por të dy këto “kohë lumturish”, na kanë ftuar edhe në sakrifica. Kjo e dyta është bërë më shumë realitet.
Nëse ka një formë për të dëshmuar se në ç’regjim jeton, duhet të mos ndalesh vetëm te ideologjia zyrtare. Praktika etnografike, pra jeta e regjimit si përvojë e njerëzve na e tregon.
Të paktën tri çështje na kanë provuar që nuk kemi të bëjmë me një regjim demokratik në kohën që jetojmë:
E para është rasti i Rrugës Durrës-Kukës, si një dëshmi e thyerjes së kontratës kombëtare dhe ekonomike.
E dyta është rasti i ndërtimit të mbi 700 Hec-ve që dëshmon se po thyhet kontrata me natyrën, zotin e njeriun.
Dhe e treta është rasti i Teatrit Kombëtar që tregon se është thyer tashmë kontrata me qytetin.
Të treja këto thyerje kontratash nuk janë të dorës së dytë pse ato në thelb, përrethohen e shprehen me parimet bazë kushtetuese. Mirëpo sot do të ndalem kryesisht te çështja e Teatrit, për shkak të rrezikut që po i kanoset ditët e fundit.
Teatri Kombëtar është mbrojtur prej më shumë se dy vitesh nga shumë njerëz të angazhuar. Edhe sikur të kishim të bënim me dy-tre veta të angazhuar, një kryetar qeverie demokratike apo një kryetar qyteti demokratik, do të duhej të ndalonin e të reflektonin. Edhe nëse “pakica” gabon, “ne”, shumica e imagjinuar duhet të ndalemi. Por në fakt nuk është kështu. Fakti është se flukse të ndryshme të shoqërisë e kanë mbrojtur teatrin. E kanë mbrojtur me idenë se shkatërrimi i tij bazohet mbi një prezumim të gabuar për vlerat historike e kulturore. Dhe këtë e faktuan shumë arkitektë e specialistë të trashëgimisë kulturore. Kundër këtyre argumentave u tha se kemi të bëjmë me një arkitekturë të shëmtuar, ndërsa nga ana inxhinierike me një godinë të paqëndrueshme. Edhe për këto pretendime shumë profesionistë të fushës- prej të cilëve kam mësuar shumë- parashtruan argumente që vërtetonin të kundërtën. Por edhe sikur të kishim të bënim me një arkitekturë të shëmtuar, koncepti i trashëgimisë, e njeh edhe mundësinë e mbrotjes të së “shëmtuarës” kur ajo sjell shumë kujtime të rëndësishme për qytetin, madje kur sjell kujtime të rëndësishme qoftë dhe thjeshtë për një komunitet të vogël.
U dhanë prova që aty janë bërë gjyqet e para politike ndaj të persekutuarëve. Në këtë rast, sikur një kompesatë të ishte, ajo do duhej mbrojtur, për ta na dëshmuar me materialitetin e saj, çka panë sytë e atyre që u dënuan.
Më vonë u fol gjerë e gjatë dhe u dhanë argumenta të plota se kjo ndërtesë i përket një ansambli arkitekturor, i cili mbart në vetvete vlera estetike, historike e kulturore. Një kryetar qeverie i një vendi demokratik, një kryetar qyteti i një vendi demokratik do të ndihej mirënjohës e krenar me gjithë këto argumenta. U shtuan edhe argumenta rreth sigurisë inxhinierike, por për këtë nuk foli askush më qartë se sa tërmeti.
Është thënë se teatrin e mbrojnë njerëz nga parti e grupe krejt të ndryshme politike. Kështu mund të jetë. Pyetja mund të shtrohet gjithashtu se ku qëndron problemi në këtë mes? Qyteti kështu përbëhet, nga flukse të ndryshme, nga njerëz shumë të ndryshëm. Pikërisht kjo shumësi fluksesh janë shenja e qytetit dhe njëkohësisht treguesi që është tejkaluar ideja e grupit homogjen që komandohet nga partia-shtet.
Le ta marrim sikur një parti është duke e mbrojtur një teatër. Ky do të duhej të ishte lajm i mirë, edhe për kryetarin e qeverisë, edhe për kryetarin e qytetit, nëse do të ishim në një shoqëri demokratike. Ka lajm më të mirë se sa kur një parti kujdeset për një teatër? Por fakti është se mbrojtësit e teatrit janë të përbërë prej shumë fluksesh, e shumë përtej asaj që përfaqësojnë të gjithë partitë së bashku.
Në fakt, sikur e shoh unë profanisht, të gjitha partitë që kanë qenë apo janë në pushtet gjenden në pikun e krizës morale përkundrejt kujtdo në qytet. Më pak fjalë asnjë nuk mbron dot partinë e tij në tavolina miqsh, dhe kjo është kriza morale e një partie. As ai miku im që zura në gojë në krye të herës nuk bën zë më për partinë. Se mbrohen në ekrane, se në facebook, kjo është mbrojtje për arsye pune. Pra për të mbrojtur një punë, një biznes, ose një oligark.
Nëse do të kishim një kryetar qeverie, një kryetar qyteti, që e duan një qytet për një shoqëri me shumë flukse e shprehi të lirisë, një qytet që së paku përmallet për demokracinë atëherë teatri do të duhej të ndërtohej diku larg qendrës së qytetit. Jo teatër i ri duke shembur shumë teatro njëherazi. Sepse të shembësh Teatrin Kombëtar të sotëm, shemb vendin e kujtesës së Teatrit të parë të kryeqytetit, shemb Teatrin Kombëtar, shemb vendin e kujtesës së gjithë vënies në jetë të veprave, dështimeve, dorëzimeve, gëzimeve, shemb një teatër të jetës sonë në diktaturë, shemb një teatër që mbrohet nga qytetarët e këtij qyteti.
Një kryetar qeverie e një vendi demokratik, një kryetar qyteti në demokraci, do të kërkonte ta zgjeronte qytetin. Zgjerimi i qytetit bëhet duke përshenjuar territorin me teatro e vepra të tjera publike që i përkasin kulturës. Një qytet demokratik nuk pushton shenjat e dikurshme duke shembur, por i ballafaqon ato me epërsinë e shenjave të lirisë. Qytetet e lirisë nuk kanë vetëm një qendër.
Do të kisha sugjeruar që teatrin e ri ta kishin ndërtuar diku në Paskuqan, Kombinat, Bathore, Babrru, Kashar. Ose më mirë në Astir! Kështu mund të vijonin me retorikën kundër të ardhurit, por duke iu vendosur atyre, “vendasve” dhe atyre me pushtet, një pasqyrë. Teatri, është një vend kur ti ballafaqohesh me veten e tjetrin. Një vend ku përballet qyteti. Një vend në të cilin nuk mund të hysh pa njëfarë ndroje se çdo ndodhë me ty. Një vend, ku e lëshon veten të befasohesh, të matesh me tjetrin. Një teatër në zonat tabu, në Bathore ose Babrru , Kombinat, Kashar, Astir, Paskuqan do të ishte një hyrje e dyfishtë në teatër, në atë të tabuve ndërtuar nga një etnografi politike mbi tjetrin, dhe një tjetër që vendos në provë loja në teatër, loja në lojë. Një teatër tjetër, por jashtë Qendrës, do të ishte një shenjë e zgjerimit të qytetit, të qytetit që përmallet së paku nga mungesa e lirisë.