Selma Daku | 09.03.2025 | nyje.al
Disa nga rrugët kryesore të qendrës së kryeqytetit, ushtuan këtë 8 Mars nga thirrjet e grave që protestuan për liri, siguri dhe drejtësi për gratë e vrara. Për aq kohë sa diskriminimi gjinor mbetet i pranishëm në shoqëri, Dita e Gruas si festë që njihet gjerësisht, për aktivistet është edhe protestë. Me vargje të thirrura që kundërshtonin patriarkatin dhe kërkonin lirinë e gruas, dhjetra gra, vajza dhe djem nisën marshimin nga sheshi “Nënë Tereza” drejt zonës së “Ish-Bllokut”, të shoqëruar me pankarta dhe dy banderola që kryesonin marshimin. Përveç barazisë gjinore, ato kërkuan edhe drejtësi për gratë e vrara si dhe siguri në rrugë, në ambientet e punës, në shtëpi dhe kudo. Në solidaritet me vrasjet e shumta të grave që justifikohen me motive xhelozie, njëzëri u thirr fort se vrasja e tyre nuk mund të quhet kurrsesi krim pasioni, por femicid.











Marshimit të organizuar nga Kolektivi Feminist në Shqipëri iu bashkuan herë pas here edhe kalimtare të rastit. Gra të tjera duartrokitën marshuesit nga dyert dhe dritaret e shtëpive apo punëve pa mundur t’i bashkohen marshimit . Thirrjet e dala nga megafoni kërkonin liri dhe të drejta për të gjitha gratë, edhe ato që 8 Marsin e kalojnë në shtëpi, punë a gjetkë.
“Marshojmë për të drejta,
marshojmë për liri,
marshojmë dhe për gratë që sonte janë në shpi!”
Marshimi përfundoi në ballë të Kryeministrisë, përpara së cilës grupimi vendosi të mbante fjalime por edhe thirrje ndaj qeverisë për fuqizimin e politikave për gratë dhe vajzat. Gjithashtu u kërkua dhe garantimi e sigurisë për to, në një realitet ku shumica prej tyre përpos mizogjinisë që përjeton gjatë ditës, përballet edhe me terrin që ofrojnë rrugët e pandriçuara të kryeqytetit, e bashkë me terrin, të gjitha rreziqet e përndjekjeve, ngacmimeve dhe dhunës.







Aktivistja Albina Ruko, ndau përvojën e saj kur si studente por edhe me tej është përballur me sfida të mëdha, ku theksoi se edhe kryeqyteti me kushtet e tij i ka shkaktuar dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale duke e detyruar të ndryshojë edhe vendbanim nga frika për jetën. Megjithatë ajo thekson se nuk ka reshtur së denoncuari këto kushte duke kërkuar t’u japë zë dhe forcë të gjitha grave dhe vajzave që ndoshta ndihen të pafuqishme për të ngritur zërin.
“Si vajzë studente, më është dashur të punoj me turne dhe shpesh mungesa e transportit publik dhe rrugët e pandriçuara kanë sjellë dhunë fizike, seksuale dhe psikologjike, aq sa më është dashur të ndërroj shtëpinë prej frikës se e nesërmja mund të mos më gjente gjallë. Por kurrë nuk heshta për ta denoncuar këtë tmerr.”
Elkjana Gjipali, mësuese dhe producente, në fjalën e saj u ndal te politikat e deritanishme, të pavlefshme sipas saj, ku theksoi nevojën për reforma reale dhe mbështetje për gratë. Ajo kërkoi që të eliminohen vendimmarrjet që s’prodhojnë asgjë por të ofrohet punësim, paga të drejta dhe mundësi për të përparuar.
“Sot ne themi boll më me skema fantazëm që mbeten në letër. Duam politika reale. Duam mbështetje aty ku gratë kanë nevojë. Duam punësim, duam pagë të drejtë, duam mundësi për të ecur përpara.”
Bora Mema, anëtare e Lëvizjes Bashkë, u shpreh se gratë vazhdojnë të sakrifikojnë për të mbajtur një sistem që i injoron, që nuk i mbron dhe që nuk i vlerëson. Nënvlerësim që sipas raporteve të pabarazisë së theksuar gjinore shprehet në pritshmërinë kohore për tu bërë më mirë për gratë e vajzat e këtij vendi, kur do të duhet një shekull për të arritur barazi gjinore.
“Ende sakrifikojmë mendjen, trupin dhe shpirtin për të mbajtur gjallë një ekonomi që nuk na njeh, një shtet që nuk na mbron dhe një shoqëri që nuk na vlerëson. […] Po ashtu, raportet e hendeqeve gjinore tregojnë se me progresin e avashtë që Shqipëria ka për sa i përket barazisë gjinore, do na duhen 100 vjet për të arritur barazi gjinore dhe dora në zemër, asnjëra nga ne nuk e ka jetën e tepërt që të presë 100 vjet që ne ta arrijmë këtë gjë”.
Sipas Observatorit Shqiptar të Femicidit, 32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë periudhës 2021-2023, ku rreth 90% e vrasjeve janë kryer nga partnerët apo anëtarë të familjes dhe 24 nga këto raste janë konsideruar si femicid. Më tej në raportin e OShF-së thuhet se në 90% të këtyre rasteve, para se të përfundojnë në tragjedi, kanë pasur një historik dhune nga autorët, që tregon se ndëshkimi në kohë i autorëve të dhunës, mund të parandalojë vrasjen.
“Raporti zbulon se 90% e viktimave te femicidit kanë perjetuar dhunë nga autorët e tyre më parë, duke theksuar se shenjat e hershme paralajmëruese kanë tendencën të shfaqen në forma të ndryshme të dhunës dhe abuzimit. Kjo nënvizon nevojën kritike për masa të menjëhershme dhe reagime të forta për të mbrojtur gratë dhe vajzat.”