Autor: Ronald Qema

Sendi shtetëror dhe njerëzit si hapësira kulture

Elsa Demo | 25.02.2025 | nyje.al

Bathore-Kamzë

Në tarracën e një ndërtese dykatëshe në Rrugën “Demokracia”, në Bathore, diellin nuk e pengon asnjë përmasë betoni. Është i ftohtë janari. Regjistruesi xhiron. 

“Unë kam pas një vetëgjykim”, thotë Klodi. “Kam ba 9-vjeçaren, jo fort larg prej këtu. Ishte e mbushur me tiransa dhe jugorë. Deri vonë nuk e pranoja që isha nga Bathorja, sidomos kur takoja persona që s’janë t’zonës. Bathorja shihej edhe ma poshtë se Kamza.” 

Klodi, Diana, Roni, Fidi, të tjerë që vijnë e na gjejnë në bisedë, rrinë, varin kokën e dëgjojnë, i përkasin gjeneratës Zeta, me një stil jetese larg kafeneve, qendrave tregtare dhe tërheqjeve të tjera sociale. Mes tyre dhe familjeve të tyre nuk ka ndonjë dallim të madh në të ardhurat financiare, në llojin e shtëpisë që kanë ndërtuar, në mjetet e transportit (autobus, biçikleta) që përdorin, në vullnetin për arsimim dhe në arritjet që kanë fituar. Pa harruar punën më vete apo në grup me vetëgjykimin, për të cilin flet Klodi, më shumë i provuar nga prindërit, apo fëmijët më të mëdhenj të familjes, mijëvjeçarët, në kohën kur Kamza dhe Bathorja si pararojë e saj, nuk kishte asfalt, ujë, kanalizime e drita. 

“Një plejadë e tërë gazetarësh ka shkruar për ne”, thonë. “Në Bathore, aty ku ligjet veprojnë si qëmoti apo përshkrime të detajuara të fytyrave të njerëzve, që i shohin të shformuar, me gojë të madhe e pa dhëmbë.” 

Është e disajta herë që i dëgjoj të flasin për materialet që kanë gjetur në arkivat e shtypit të përditshëm të viteve dymijë. Thonë se ka edhe artikuj që e vënë murin e pushtetit si pasqyrë përballë nevojave të të ardhurve. Diana kujton “Të luash me hallin e tjetrit” të Fatos Baxhakut. 

Ata çmojnë ndikimin e individëve të kulturës me të cilët kanë rënë në kontakt, pa e kuptuar që i kanë ndikuar edhe këta, shqiptarë a të huaj, që të rikthehen në Kamzë. 

Deri këtu, janë të vetëdijshëm që po flasin për një kuptim shumë të përgjithshëm që merr kultura në vendin ku jetojnë. 

“Kur thua kulturë në Kamëz, më kujtohet ai xhami i palarë i Pallatit të Kulturës, kur i bie dielli.” Klodi, i diplomuar për art dizajn, është në përfundim të studimeve master për Regji teatri. Është angazhuar me grupin amator pranë qendrës së aktivistëve “Ata”, e vetmja e kësaj natyre që funksionon në Kamzë. Ka qenë protagonist në shfaqjet nga autorë si Dario Fo apo Slavomir Mrozhek. Si hapësirën e parë kulturore, Klodi kujton kishën katolike në Bathore. Pavarësisht se ky informacion dhe perceptim nuk ka fituar familjaritet, Klodi nuk është i vetmi që e kujton kishën e Bathores si një vend të dashur, që ka nxitur dëshirën për teatrin, të paktën tek fëmijët e familjeve katolike nga Tropoja apo gjetkë. Do ta dëgjoja të përmendur edhe një herë tjetër. Klodi ka qenë pjesë e një grupi të vogël pranë kishës dhe bënin shfaqje, në vend që të gjezdisnin natën vonë rrugëve a kafeneve. “Më vjen keq që nuk ka mundësi të tjera, meqë pretendojmë me ba edhe diferencimin me Tiranën, sepse Kamza nuk është më pjesë e Tiranës. Kamza është vetëm.”

Klodian Gjonpalaj | Autor: Ronald Qema

Njëqind vjet më parë kishte qenë një fshat me 64 familje. Nga komunizmi trashëgoi një pallat kulture me kino-klub dhe një bibliotekë modeste, të cilat e humbën funksionin në epokën e re. Në vitin 1996 Komuna e Kamzës u bë bashki dhe sot, të ardhurit nga 32 qytete të Shqipërisë, si Dibra, Burreli, Puka, Tropoja, Mirëdita, Kukësi, që ka numrin më të lartë të të ardhurve, kanë krijuar një qytet me mbi 120 mijë banorë, me moshë mesatare mjaft të re, 27 vjeç. 

“Unë akoma e shoh atë linjën rustike të këtij vendi, kur shoh brirë, desh nëpër porta, ose dhe në karaktere: gratë shtëpiake që përgjojnë, ruajnë moralin e lagjes, kush shkon me kë, ça ka vesh.” Ky që flet është Aliu. 

Kur takon Ali Lucën (37 vjeç) ndjen se, në Kamzë, hapësirat e vërteta kulturore janë njerëzit, që krijojnë dhe veprojnë të pavarur nga qeverisja dhe çfarë ofron ajo mandat pas mandati, nga të majtë a të djathtë. Aliu është poet. Me botën jashtë nuk ka kanale komunikimi, por vargjet e haikut të tij tregojnë një njeri thellë botës dhe kjo që i kthen një pamje të padiskutueshme të vetes, e pranon ose jo:

Duke larë enët

Mama

Këndon balada të vjetra.

Ose një tjetër:

Si jashtë loje në këtë botë,

Shoferi i xhenazes

Heq një cigare.

Aliu nuk bën pjesë në ndonjë klub shkrimtarësh, botuesish, lexuesish, moderuesish. “Dhe shyqyr zotit, në Kamëz nuk ka as establishment kulturor, në kuptimin e keq të gjësë!”. Po drejt kësaj rruge po shkon, me bërjen e Kamzës me objekte banimi apo biznesi të cilësisë së lartë, me supertrotuarë që mund të krahasohen me ata të Korçës. 

“Shoh pallatin e kulturës”, thotë Aliu, “një koncept nga Bashkimi Sovjetik, dhuratë e Stalinit për vendet e lindjes komuniste, në shërbim të propagandës, dhe më duket një emër pa realitet mbrapa. Bankë dhe kafene. Një gjë që punon keq, më mirë t’i vënë kyçin.” 

Ali Luca | Autor: Ronald Qema

Gjithë njerëzit që takoj nuk e shmangin dot pallatin e kulturës, si një logjike absurde e është dhe nuk është, si një halë që sëmbon syrin. Bashkë me ndërtesën e bashkisë, pak metra më tej, në të njëjtën rreze me stadiumin dhe kishën katolike, krijojnë të vetmin ansambël, sendin publik me funksionin social dhe kulturor. Thuhet se, administratorët e rinj të qytetit, që dikur ishte konceptuar për të jetuar e për të fjetur, pa shkëmbyer dhe pa marrë me të tjerët, sot janë në hall për të krijuar një qendër. Po punojnë. Me ndonjë arkitekt nga të Tiranës, ia dalin.

“Në fakt e vetmja hapësirë publike, është kafeneja”, thotë i ulur në krah të Aliut, Durimi, që miqtë e duan edhe për shijet për fotografinë dhe leximet. Ai e quan Kamzën qytet të krijuar “aty për aty”, “ashtu për ashtu”. “Në rrugë”, thotë ai, “aty i ke të gjitha”. Me këto pak fjalë, Durimi përshkruan edhe llojin e fotografisë që bën. Në rrugë gjen çastin, njerëzit, hijet e shokëve, si gjëra momenti pa një qëllim të caktuar. 

Qeverisja dhe copëtimi i pallatit të kulturës 

Kalendari i aktiviteteve i afishuar në hyrjen e pallatit të kulturës ishte bosh, deri ditën e takimit me drejtoreshën. Aktivitete kulturore quhen koncertet, që mbulohen kryesisht nga ansambli popullor “Artan Cuku” dhe mbahen në shëtitoren e Bathores dhe të Valiasit, së fundi edhe në parkun e liqenit Paskuqan, një atraksion i ri për gjithë Kamzën. Nuk janë përfshirë në kalendar aktivitete që mund të organizohen me kërkesë të OJF-ve. Bashkia e Kamzës nuk ka buxhet për projekte që nuk i prodhon vetë. Nuk ndjek metodën e bashkive të tjera, me thirrje të hapura për projekte që vijnë nga subjekte private apo skena alternative e pavarur. “Nuk ftoj dot mysafirë kur shtëpinë nuk e kam në rregull. Ju e shihni vetë”, thotë Rigelca Gupi, drejtoreshë e Pallatit, që përfaqëson gjithë çka është sektor kulturor nën qeverisjen vendore. 

E pamë Pallatin. Është egër i ftohtë dhe i lagësht, si prej cerme. Në hyrje janë instaluar dy bankomatë. Shoqëria “Intesa Sanpaolo Bank Albania” ka marrë për 5 vjet (deri në 2027) një qoshk 1.5 m2, me qira mujore 20.000 lekë. Tjetra, shoqëria “Banka e Tiranës”, nga hapësira 1263 m2 e Pallatit, ka marrë sipërfaqen 165 m2, me detyrim mujor 530 lekë për m2.

I gjithë krahu i djathtë i objektit është kafene. Shoqëria e shërbimeve skeletore “Skela Syla” SH.P.K, sipas kontratës së nënshkruar me kryetarin e bashkisë Xhelal Mziu në vitin 2019, ka marrë me qira, nga hapësirat e brendshme të Pallatit, sipërfaqen 110 m2 për ushtrimin e aktivitetit bar-kafe dhe librari, për 10 vjet me detyrimin mujor prej 24,200 lekë/muaj. Librari aty nuk ka. Sipas kontratës, qiradhënësi është i detyruar “të garantojë qiramarrësin për gëzimin e qetë të sendit”. 

Pesë vjet më vonë, administrata e re e majtë, i jep me qira edhe 101.4 m2, nga pjesa e nëndheshme e Pallatit, me 300 lekë për m2. 

Drejtoresha Gupi thotë se vitin e kaluar “janë rikonstruktuar totalisht Salla e Rinisë dhe Salla e Bibliotekës. Janë bërë ambjente bashkëkohore, komode për përdorim dhe frekuentim nga çdo grupmoshë. Gjithashtu, ka filluar dhe rikonstruksioni për pjesën e mbetur të pallatit të Kulturës.” E pamë bibliotekën. Fotot e shkrimtarëve (kanë riprodhuar fotot që varen në muret e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit) janë mrrolur prej lagështisë, që si një shtrat lastarësh kacavjerrës, përshkon disa faqe muresh.  

Bibliotekë quhet një sallë me 4470 libra në raft. Fond i pamjaftueshëm për numrin e banorëve që ka qyteti dhe për moshat në fazë edukimi në të gjitha ciklet e sistemit arsimor. 

Vitin e kaluar ka pasur 131 lexues të anëtarësuar (mbase mund të quhen hapa para në raport historik me vitin 1978, kur Kamza kishte 760 familje dhe numri i bibliotekave në familje ishte 79.). Numri më i lartë, 149 të anëtarësuar, është shënuar në vitin 2022. Frekuentues janë 716 lexues për vitin 2024 dhe pika më e ulët, 60 frekuentues, regjistrohet në vitin 2020. 

Vetëm biblioteka e qendrës “Shpresë” në Kamzë, në lagjen e Bathores, ka 1000 nxënës dhe studentë të abonuar, përpos kërkesave që përmbush biblioteka e grupit “ATA”, po në Bathore. 

Sipas të dhënave të bashkisë, për vitin 2024 kultura është mbështetur me 11,301,000 lekë, nga të cilat: 

-1,450,000 lekë për Festivalin Teatror “RinArt”; Ekspozitën e pikturës; Panairin e Librit “Kamza lexon” edicioni III, promovime libri; Panairet artizanale dhe Koncerti i Ditës së Verës; koncertet festive “Tingujt e Liqenit”, “I Këndoj Qytetit tim”, Festivalin “Balkanika Folk”, Koncertin e Krishtlindjeve; Panairin Artizanal dhe ekspozitën e trashëgimisë Kulturore; aktivitetin argëtues “Verë dhe portokalle”; 

-320,000 lekë për trashëgiminë kulturore, materiale dhe jo materiale (në këtë kategori bashkia fut sërish panairet dhe koncertet).

Në vitin 2023, buxheti për kulturën ka kapur vlerën më të lartë në vitet e fundit: 51,351,678 lekë. Ishte viti i zgjedhjeve vendore, që s’kuptohen dot pa koncerte. “Kur shoh njerëz të mbledhur në shesh, mendoj, ose ka një koncert, ose ka ardhur një deputet”, thotë mësuesja dhe shkrimtarja Valbona Hykaj. Ndodh që, kur është deputeti, është edhe këngëtari. Edhe anasjelltas qëndron.

Për vitin 2025, buxheti është kthyer sërish në rutinë. Nga 5,250,168,638 lekë të buxhetit të përgjithshëm, kultura merr 14,204,500 lekë.

Pallati i kulturës nuk ka vlerën e një institucioni publik që të udhëhiqet nga një qeverisje kulturore, nuk ka program me vepra origjinale . Qyteti vetë nuk ka skenë kulturore apo organizata që të veprojnë të pavarura në sektorin e kulturës. 

Përgjigje nga Bashkia Kamëz lidhur me aktivitetet e realizuara në vitin 2024

“Jemi duke e menduar mbështetjen e projekteve artistike, pjesëmarrjen e operatorëve kulturorë edhe nga Tirana, për të nxitur prodhimin kulturor në qytet”, thotë drejtoresha. “Politikë motivuese ka qenë edhe vendimi që mori kryetari i bashkisë, z.Suli, që të gjithë ata që duan të hapin një biznes, vitin e parë të përfitojnë 0 taksë. Kanë përfituar edhe qendra në fushën e spektaklit apo edukimit artistik.” Takova në qytet dy prej tyre. 

Arbiol Dardha, që prej 6 vjetësh drejton “The beat killers dance academy”, ka bashkëpunuar me skenën e teatrit në Pallatin e Kulturës. “Është e dërrmuar si skenë, është një kabinë që kërkon investim të frikshëm arkitekturor. Hall i madh ajo godinë, por fëmija nuk mban mend godinën”, thotë Arbioli, “fëmija mban mend emocionin”. 

Kush ka parë kidsat në palestrën e akademisë dhe ka ndjerë energjinë e tyre, e kupton për çfarë e ka fjalën Arbioli. Nuk po përmendim arritjet që ekipet e kërcimit, ku dominojnë vajzat, kanë njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, apo dhjetëra klipet ku shfaqen të rinjtë, të formuar në akademinë e hip-hop-it, më e madhja në Shqipëri, ndoshta. Kjo hapësirë si praktikë e një kulture popullore kërcimi, për moshat 4-30 vjeç, funksionon e pavarur nga politikat e bashkisë. “Ne jemi të bërë vetë dhe nuk duam t’i shtrijmë dorën njeriu.” 

Arbiol Dardha në punishten e tij | Autor: Ronald Qema

Para dy vjetësh Arbioli i propozoi bashkisë “Rising star”, një projekt që përfshinte moshat e vogla dhe të reja në kërcim dhe muzikë. Nuk mori përgjigje. “Unë nuk kam ndërmend të lëviz nga këtu”, thotë. “Ne duam t’i nxjerrim fëmijët nga rutina, të çlirojnë energji, të fitojnë fleksibilitet dhe socializim. Këtu fëmija fiton siguri, mëson disiplinën dhe respekton rregulloren, larg shkollave me thika dhe izolimit në shtëpi. Kamza është minierë. Ky brez që po vjen, ka për ta ndryshuar rrënjësisht qytetin.”

Sofika Lleshi, pas shkollës në Paskuqan ku jep lëndën e artit pamor, vjen në qendrën “Peneli magjik”, ku ajo mëson rreth 100 nxënës. Deri në këtë pikë ka ardhur vetë. I vetmi që e ka shtyrë dhe e ka ndihmuar ka qenë i ati. Atyre që qeverisin qytetin, Sofika u kërkon mbështetje minimale. “Unë në fund të muajit paguaj si çdo biznes tjetër, pavarësisht se këtu është një studio arti. Nëse dua të kem nesër një ekspozitë, do doja mbështetjen e tyre, do doja një “po”, një miratim.” 

Sofika Lleshi në punishten e saj | Autore: Diana Malaj

Me sa ka kuptuar edhe Sofika, në bashki as nuk ka individë që të kuptojnë rëndësinë e hapësirave që janë të një forme midis biznesit dhe institucionit të edukimit kulturor dhe i shërben drejtpërdrejt shoqërisë. “Për festat e Nëntorit kujtohen që u duhet ndonjë ekspozitë, sepse u duhet të nxjerrin një fytyrë të kulturës me frymë folklorike. Atëherë thonë: kë kemi këtu rrotull?”

Ndryshe nga ç’mund të imagjinohet, në kushtet kur mungojnë praktikat artistike të organizuara dhe pjesëmarrja në to (teatër, kinema, galeri arti, muze, librari, salla koncertesh, banda muzikore, mjedise të kulturës alternative), individët, artistët dhe shkrimtarët që takova gjatë kësaj kohe, kanë ndjesinë e të qenit të kultivuar dhe të qytetëruar. Ata janë të ndërgjegjshëm për rolin e kufizuar të kulturës në qytet. E dinë që ka ardhur koha të pretendohet një perspektivë menaxheriale, jo një perspektivë politike e shpenzimit të parasë publike dhe të rritet kërkesa për llogaridhënie. Kultura mund të rrisë cilësinë e jetës, thonë, jo vetëm cilësinë e betonit për ndërtimin e pallateve. 

Në tokë të re

“Erdhi Fazli filmi, erdhi Fazli filmi! Urraaaa, urraaaa, rroftë partia dhe xhaxhi Enveri… Rruga oshëtinte prej zërave të fëmijëve atë mbrëmje të nxehtë korriku. Fazli filmi, kështu e thërrisnim burrin që vinte zakonisht gjatë fushatës së grurit e na shfaqte filmin në një beze në murin e stallës së kooperativës. Ai udhëtonte nga fshati në fshat me kalin e ngarkuar me bobinat e filmit… ” 

Kjo skicë për infrastrukturën ambulante që regjimi i Enver Hoxhës përdorte, ndër të tjera, për edukimin komunist të masave edhe në zona të thella e pa ndonjë komunikim kulturor, është marrë nga vëllimi “Klon” i Valbona Hykajt. Me këtë libër dhe me përmbledhjen e përrallave “Shtëpia pa dyer”, Valbona shërben si palë që përfaqëson kulturën e vendit nga ka ardhur, Tropoja.

E njëjta gjë, në një përmasë të ndryshme, ka ndodhur me grupin “Ata”, me shkrimin e dramës “Ora jeme. Një tragjedi e shkurtër”. E përftuar nga punishtja laboratorike e të rinjve, nën drejtimin e regjisorit dhe dramaturgut Shkëlzen Berisha dhe me bashkëpunimin e aktivistes feministe Rea Nepravishta, kjo dramë, e shkruar në një variant të folmeje në gegnisht, dokumenton trashëgiminë shpirtërore të komunitetit që jeton në Luginën e Valbonës. Edhe kjo është prirje e një kulture që zhvillohet në tokë të re, do thoshte Tomas Elioti, tokë e re, që dëshiron t’i ngjajë po aq edhe t’i ikë kulturës së prindërve. Disa nga pjesëmarrësit në punëtori, o kanë ardhur kërthi në Kamzë, o janë lindur këtu nga familje të ardhura. Si në rastin e Antonela Peplokajt. Familja e saj ka zbritur nga fshati Raja i Tropojës, sot Bregu i Lumit. 

U takuam në një nga pasditet e vona, kur ajo lë punën në shtëpinë botuese dhe hapësirën e artit “Berk”, në Tiranë. Bën dy vjet aty. Kujdeset për tekstet, redakton, ndihmon në menaxhimin e botimeve dhe tirazheve, mban komunikimin me libraritë dhe agjentët letrarë, e ç’mund të ketë kërkesa të tjera një shtëpi e vogël e gjallë. Antonela, e fokusuar, e ndjeshme, cilësi që e bëjnë të duket e tërhequr edhe kur është njëqind përqind aty, ka studiuar letërsi në Universitetin e Tiranës. Bukurinë e leximit e ndjeu 10 vjeçe, me “Aventurat e Hakëlberi Finit” dhe u regjistrua në bibliotekën e “World Vision” në Bathore, një organizatë ndërkombëtare humanitare e krishterë për zhvillim komunitar. Biblioteka e Vision-it ka qenë vendimtare për t’u prezantuar me botën e librit. U lidh me klasikët, Dostojevskin, Tolstoin, Floberin, Gëten, e më vonë me filozofinë dhe teorinë. Kur ajo përmend “Vëllezërit Karamazov”, portreti i saj evokon tronditje. “Ndoshta ngaqë i admiroj shumë shkrimtarët që pëlqej, nuk i kam profanizu. Kur mendoj për letërsinë e tyre, mendoj për njëfarë mjeshtërie, substance, si në tregimet e Pirandelos.” Çfarë ajo nuk ka shfaqur akoma, janë tekstet letrare vetjake që nuk më surprizuan, nisur nga ca pak profile njerëzore, që kisha lexuar prej saj në gazetën elektronike “Nyje” të Kamzës. Dy pjesët që më dërgoi, rrëfime të cilat ajo akoma i quan “draft 1” dhe “draft 2”, përveçse më dhanë ndjesinë e shkëputjes nga çfarë isha duke lexuar, edhe më provokuan trishtim që letërsia shqiptare dhe autorët e saj nuk janë zhvilluar në kushte normale gjatë historisë. Ja një copëz:

“Gjëja që ndoshta më bashkon më tepër me Lorin, është fakti se, prej këtij naiviteti që e cilëson, unë mund të jem vetvetja rehat, pa u munduar të ndryshoj, assesi. Në fillim më dukej gjë e parëndësishme. Duhet ndenjur me njerëz që gëzojnë lekë, pushtet, sukses, por që janë pak të avashtë nga trutë. Pastaj dola në përfundimin që, pjesa më e madhe e atyre njerëzve janë snobë të vetëpërfshirë, që, nëse nuk hyn në marrëdhënie servilizmi me ta, të shpërfillin hapur. Por, unë nuk po kërkoj mbështetje emocionale te civilë të rëndomtë të shtetit tonë, gjithsesi.”

Teksti në prozë i Antonelës është përpjekje për të dalë nga normaliteti i rutinës, për ta parë atë të zmadhuar, nga lart, si të ishte tokë e re.  

“Më fal”, thotë, “po ne nuk po flasim për Kamzën”. “Fakti që je ti, flet për Kamzën”, i them. 

Ashtu si Aliu e Antonela, edhe Or’festi shfaq një prirje tjetër të kulturës, një lloj kërkese për të krijuar dhe për të qenë bashkëkohor në kushtet e asgjësë. 

Or’fest është emri i artit të Festim Domit, 28 vjeç. Është lindur në Kukës, jeton në Bathore, ecën në këmbë, sepse “trupi e ndjen veten tepër të sigurt kur ecën dhe jam kapiten i emocioneve të mia”, ka kultivuar fidanishte në Kosovë, ka provuar emigrimin sezonal në Itali, punën në ndërtim, sapo ka hapur një biznes fast-food-i në Kamzë, do kandidonte me qejf për Kukësin, bën repturë, i ushqyer fillimisht nga hip-hop-i i Kosovës. Kërkojeni albumin e tij “Uza”, quajtur sipas shkurtimit të fjalës usta/mjeshtër, kur përdoret në gjuhën e folur si pasthirrmë. Kënga që ndjen se e përfaqëson, është Shpresa. Vargjet thonë:

kam pushtet pushtet du

n’djem t’mir tu kamuflu

liria s’koka ktu

zhdukmëni zhdukmëni

m’iki dhe shpresa

Me përgjigjen e pyetjes “ç’është frymëzimi?”, ai zbut gjithë cepat dhe hijet që prodhojnë  rrethanat në jetën e dikujt që krijon. “Njeriu shkruan mirë kur ka ndrydhje emocionesh. Hapet nji lloj porte dhe shkruan n’rrjedhshmëri, n’fluiditet. Në kët kuptim, inspirimi nuk asht qaq magjik.” Gjëja e fundit që ka shkruar është një repturë 14 minuta, free style, diçka që krijohet aty për aty. “Gjërat funksionojnë kur u vjen ora”, thotë, duke e mbyllur herë pas here fjalinë me “a e din?”. 

Or’fest, Festim Domi | Autor: Ronald Qema

Dielli i Or’festit ngroh sovran. 

Sovran edhe dielli i familjes dhe i shkollës. Shumë duan t’i ikin rëndesës së brezit prindëror dhe të mësuesit. Tjetër version ka familja e Era Hasanajt, 14-vjeçarja nga Bathorja, fituese e çmimit të parë në festivalin “Vaçe Zela”, 2024. Nxënëse ekselente në shkollën “Ibrahim Basha”, Era, nën drejtimin e mësueses së muzikës Anjeza Agolli, përgatitet të konkurrojë për Lice. Nëna e saj, Miranda, mësuese dhe ajo, nuk ka dilema a duhet mbështetur futja e fëmijës në art. “Kur njerëzit dëgjojnë muzikë, thonë, do përfundojë nëpër dasma duke kënduar. Kur u thua do jetë për muzikë klasike, thonë, pse i dëgjon më njeri këto gjëra? Unë kam qenë gjithmonë që fëmijët të bëjnë atë që duan. Nëse do të mësojë të mbjellë lule, të shkojë në një shkollë ku të mësojë mirë si të mbjellë lule. Një profesion duhet të jetë baraz me një dashuri. Një profesion që e bën pa e dashur, do ta lësh diku, ose do jesh në rreshtin e fundit. E them këtë, jo për t’i skalitur egon e keqe Erës. Era ka durim, edhe ne kemi durim. Ne po investojmë kundër të gjithëve, në një kuptim, se artistët e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë. Për ne ia vlen çdo sakrificë, që do ta ndihmonte Erën për t’u bërë njeri në radhë të parë. Standardi i jetesës nuk është të kem perde të modës, as kolltuqe të reja. Standardi i jetesës është që fëmija të kenë cilësi në edukim. Të kenë egon e mirë, jo ngordhja kalin atij komshiut.” 

Miranda kujton sa shumë është paragjykuar kjo zonë. Gjithmonë. “Nuk e keni idenë”, vazhdon, pa ndonjë ndjenjë krenarie a epërsie për atë që thotë, “se sa shumë të rinj nisen që këtej dhe shkojnë në shkolla të larta. Unë e mbroj me forcë cilësinë e arsimit në Kamzë. E njoh prej vitesh këtë zonë, njoh cilësinë e shkollës, nuk ka arrogancë në komunikim me mësuesit. Ende mësuesi respektohet më tepër se në qendra të mëdha urbane. Akoma mësuesi ka vlerë.” 

Për fëmijë që kanë zërin e Erës, energjinë e kidsave të Arbiolit, kuriozitetin nxënësve të Sofikës, do duhej të hapej një lice artistik në Kamzë. Qytetet që i kanë aktualisht licetë, po zbrazen, nxënësit dhe mësuesit po pakësohen. Kamza duket se e ka tejkaluar problemin e “rajonalizmit”, e përbërjes së popullatës nga të ardhurit, që nuk e keqpërdorin origjinën e njëri dhe tjetrit. Kulturë është edhe kjo. Kulturë që bashkoi njerëz, në një vend që nuk ishte dhe u bë i tyri.

1.Në të folur, njerëzit e shqiptojnë “Kamëz”. Po kështu e gjen të shkruar edhe në dokumentet zyrtare, së paku në të bashkisë, por jo në tekstet studimore.

2.Kamza historikisht ka qenë një vend të ardhurish për shkak të mundësive që jepte terreni fushor, toka dhe nëntoka e saj, me minierën e Valiasit. Të dhënat janë marrë nga studimi i Alfred Halilajt “Zhvillime urbane: Tradita dhe Risi – Rasti i Kamzës”, fq. 121-130, Pika pa Sipërfaqe, 2021, Tiranë; dhe Afërdita Onuzi, “Ndryshime në mënyrën e jetesës së klasës punëtore në fermën “Ylli I kuq”, Kamzë, “Etnografia shqiptare”, nr.12, 1982, Tiranë.

3. Artan Cuku, drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, “Dëshmor i atdheut” pas vdekjes, i vrarë për shkak të detyrës. Emërtimi Pallati Kulturës “Artan Cuku”, për një objekt që ka tjetër funksion dhe tjetër detyrë nga ato që ka ushtruar i ndjeri, mbetet arbitrar.

4. Onuzi, “Ndryshime në mënyrën e jetesës…”, art.cit., f.76 

Ky material është përgatitur në kuadër të nismës së redaksisë sonë me titull “Raporte nga Kamza”, brenda projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e autores. Përmbajtja e tij nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.