Ish-minatorët përpara Parlamentit për miratimin e statusit: Deputetët të flasin me votë pro

Selma Daku | 01.11.2024 | nyje.al

Ditën e djeshme, minatorë dhe ish-minatorë, u mblodhën para parlamentit për të kërkuar miratimin e statusit të minatorit, premtim ky i dhënë prej kohësh nga qeveria aktuale. Ky grupim ka vite tashmë që lufton për miratimin e këtij statusi, prej të cilit ata do të mund të përfitonin lehtësira të konsiderueshme ekonomike, si dhe vlerësimin e punës së tyre me një status të dinjitetshëm. 

Duke iu referuar ligjit 29/2019 për trajtimin financiar suplementar, të punonjësve që kanë punuar në minierë në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit, dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji, kryeministri i vendit, Edi Rama, tha dje në Durrës se statusi i minatorit është tashmë i miratuar dhe janë të përfshirë në listën e përfitimeve  nga buxheti për pensionet e veçanta. Me arrogancë, ai i konsideroi protestuesit për statusin e minatorit si “një grup njerëzish” që kërkojnë një lloj statusi të ndryshëm që do të krijonin disbalanca jo të drejta. 

Sakaq, kërkesat e tyre ndaj qeverisë, minatorët dhe ish-minatorët i kanë bërë të ditura në dhjetor të 2020, me anë të peticionit të ndërmarrë nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i cili është firmosur nga më shumë se 10 mijë pensionistë dhe qytetarë. Që nga ai vit, statusi i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, qëndron i pashqyrtuar dhe për të nuk është marrë asnjë hap konkret. 

Edhe dje, pensionistët që kanë punuar në minierë, kërkuan nga qeveria mbajtjen e premtimit tëzvarritur prej vitesh. Pensionisti dhe ish-minatori Qani Shino tha se statusi i miratuar që u përmend në Durrës nga kryemnistri, për ta është një lëmoshë.

“Kryeministri e ka premtuar miratimin e statusit që në mandatin e parë, e ka premtuar tre herë dhe nuk e ka dhënë asnjëherë. Dhe sa kohë do vazhdosh të mashtrosh? […] Ligji i 2019-ës nuk qe status, por një lëmoshë për minatorët.”

Ndryshe nga çfarë parashikohet në ligjin 29/2019 për minatorët dhe ish-minatorët, ata kërkojnë një status në të cilin përfshihet sigurimi i jetës, rritja e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët; rritja e pensioneve dhe garantimi i kujdesit shëndetësor të veçantë për minatorët dhe ish-minatorët. Thirrja e një prej protestuesëve ish-minator, ishte për deputetët e qarkut të Dibrës, për të cilët tha se duhet të jenë ata të parët që të duhet ta ngrenë zërin në parlament për çështjen e statusit të minatorit.

“Ju bëj thirrje deputetëve të Dibrës, të shkoni në parlament dhe të krijoni grupimin parlamentar për miratimin e statusit të minatorit. Nëse jeni dibranë bëjeni, nëse jeni sharlatanë, mos e bëni.”

Në protestë pati dhe një përplasje mes deputetit të PD-s, Edi Paloka, i cili tentoi t’i afrohej protestës, me disa nga protestuesit, të cilët e quajtën hajdut dhe i kërkuan të largohej. Në vijim të kësaj, aktivisti i “Lëvizja Bashkë”, Emiljando Kita, tha se deputetët që duan t’i mbështesin minatorët duhet të bëjnë punën e tyre në parlament dhe jo t’iu afrohen gjatë protestës.

“Puna e të gjithë deputetëve është në parlament. Asnjë deputet i cili merr 5 milionë lekë në muaj, nuk mund t’u afrohet minatorëve. Të gjithë deputetët e secilit krah kanë pasur pushtetin në dorë për 30 vite. Nëse disa deputetë që mundohen të afrohen te minatorët, e kanë mbështetur këtë status, duhet të flasin dhe të votojnë në parlament.”

Sakaq, raportohet se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar rishtazi projekt-ligjin për statusin e minatorit bashkë me relacionin përkatës duke parashtruar një seri kërkesash, ndër të tjera rritjen e pensionit të minatorëve në vlerën e të paktën 130% e pagës minimale. 

Minatorët premtuan vijim të protestave deri në përmbushjen e kërkesave, pavarësisht vështirësive shëndetësore, si dhe kërkuan nga mediat që ta përçojnë zërin e tyre sa më shumë të jetë e mundur. Disa nga protestuesit paralajmëruan edhe grevë urie duke dhënë një afat prej 2 javësh pritje për masa konkrete nga qeveria për përmbushjen e kërkesave të tyre.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje