Raporti i “Së bashku”: Personat me aftësi të kufizuara në Kamëz përballen përditë me sfida në infrastrukturë

Ronald Qema | 28.10.2024 | nyje.al

Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuara pas hulumtimeve në terren, ngrenë shqetësimin për mos realizim të detyrimit ligjor për infrastrukturë të mundshme për t’u përdorur nga të gjithë në qytetin e Kamzës. Fondacioni “Së bashku” përmes një raporti të hartuar së fundmi merr në shqyrtim infrastrukturën kryesore të qytetit dhe analizon mbi gjetjet në terren që flasin për një kufizim evident madhor në lëvizshmërinë e personave me aftësi të kufizuara. 

Personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit përballen me një sfidë të përditshme si përdorues të rrugëve dhe trotuareve në bashkinë Kamëz, veçanërisht në Bulevardin “Nënë Tereza”.

Me fjalinë e mësipërme e nis raportin “Së bashku”, raport i cili është hartuar nga ekspertet e planifikimit urban dhe politikave të gjithëpërshirjes Anjeza Llubani, Suela Lala, Elvisa Kastrati dhe Tea Novruzaj. Si aks kryesor i lëvizshmërisë në qytet merret në studim rruga që njihet me emërtimin Bulevardi “Nënë Tereza” dhe gjithashtu edhe ato pak metra hapësirë publike në qendër të Kamzës që përbëjnë sheshin me të njëjtin emër.

Rrugë e të gjithëve, por jo për të gjithë

Bulevardi “Nënë Tereza” si rruga me përdorimin me të madh të banorëve të qytetit do të duhej të ishte edhe ajo me standartet më gjithëpërfshirëse. Por, pas vëzhgimeve të eksperteve, realiteti dëshmon për një dominim të saj nga automjetet dhe objekte të tjera në shërbim të atyre që i drejtojnë ato. Kalimin e personave që përdorin karrige me rrota dhe grupet e tjera të margjinalizuara përgjatë e përmes saj e pamundësojnë trotuarët e ngushta e të mbingarkuara nga objekte mbi to dhe mungesa e infrastrukturës lehtësuese për këto individë. 

Në raport, “Së bashku” shënon si problematika të evidentuara mungesat e pjerrinave, semaforëve akustikë, sipërfaqeve me reliev që shërbejnë për orientim dhe mungesën e përpjekjes për të ndërtuar kryqëzime më miqësore për këto grupe të margjinalizuara apo për fëmijët. Listës së problematikave i shtohen edhe stacionet e transportit publik që nuk janë të aksesueshme nga p.a.k dhe mungesa e parkingjeve te dedikuara për ta. Kjo bën që në tërësi kjo rrugë, ashtu si pothuaj të gjitha në qytet, të ndihet si infrastrukturë që nuk promovon barazinë, por e thellon kulturën e dominancës nga automjetet. 

Rampa nuk është në rrafsh me sipërfaqen e rrugës dhe nuk është e pajisur me sipërfaqe me reliev për të evituar rrëshkitjen dhe mungesa e vijave të bardha me material të ashpërsuar.

Disniveli midis trotuarit dhe rrugës është i lartë dhe pengon kalimin e personave me vështirësi në lëvizje. Evidentohet mungesa e semaforëve me sinjal zanor dhe vijat relievore drejtuese për të verbrit.

Në raport, lidhur me foton e mësipërme shënohet edhe uzurpimi i hapësirës së parkimit të dedikuar për P.A.K, si ajo në foto që gjendet përballë insitucionit të Bashkisë së Kamzës. Punonjësit e Bashkisë apo vizitorët e saj janë drejtuesit e automjeteve që më së shumti zënë vend në atë parkim të dedikuar. 

Trotuaret si pistë me pengesa

Duke ia njohur Bashkisë Kamëz përpjekjen për ndërhyrje në infrastrukturë pas shqetësimeve të ngritura herë pas here, fondacioni “Së bashku” përmes raportit shprehet që edhe këto ndërhyrje shpesh vijnë si zgjidhje krejt larg standarteve teknike. Aty ku ka trotuar të shtruar, gjerësia e tyre është e pamjaftueshme. Aty ku ka pjerrina në nivel me rrugën, sipërfaqja e tyre është e rrëshqitshme dhe për të verbërit nuk ka asnjë sinjal paralajmërues për këtë kalim.

Fotot e mësipërme dëshmojnë sesi përpjekja për të shënjuar pjesën fundore të Bulevardit “Nënë Tereza” për personat me shikim të kufizuar sjell rrezik për ta për shkak të pengesave që e ndërpresin sinjalistikën, edhe në mënyrë të menjëhershme si në rastin e gardhimit të kantierit të ndërtimit, në foton e mëposhtme, që prej më shumë se një viti ka pushtuar më shumë se treçerekun e hapësirës publike.

Bllokimi i trotuarit në Bulevardin "Nënë Tereza", Dhjetor 2023, Kamëz, Ronald Qema

Prezenca e vijave me reliev të vazhdueshme për orientimin e personave që nuk shikojnë, janë të shkëputura, përfundojnë pa kriter pasi mungon prania e sipërfaqeve me reliev, paralajmëruese të një rruge motore. Kjo lloj vendosje rrezikon ecurinë e pesonave me aftesi të kufizuara.-shkruhet në raport.

Autobuzët me rampë, por stacionet jo

Në raport vëmendje i kushtohet edhe infrastrukturës së munguar në stacionet e transportit urban qytetas, të cilët paraqesin vështirësi në aksesin e këtij transporti nga personat me aftësi të kufizuar. Stacionet e vëzhguar, thuhet në raport, kanë mungesë të pjerrinave dhe sinjalizuesëve audio-vizual. Gjithashtu për të lehtësuar akesin e tyre në transport, por edhe të të gjithë qytetarëve, këto stacione do duheshin të ishin të pajisur me tabela informuese, streha dhe ulëse të sigurta. 

Stacioni i autobusit i pa pajisur me plane të pjerrëta (rampa), pa platforma të lëvizshme të përshtatshme për ngritje me qëllim lehtësimin e hyrjes për P.A.K, mungesa e informacionit dhe shërbimit të autobusit, pa strehë dhe pa pankinë, – paraqiten si problematika në raport 

Thirrje për Bashkinë: Rrugë gjithëpërfshirëse

Në përfundim të raportit, Fondacioni “Së bashku” rikujton që Shqipëria e ka detyrim ligjor edhe ndërkombëtar respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Qeverisja vendore duhet të ndërhyjë në infrastrukturë për të mundësuar lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët me parimin e barazisë. Bashkia Kamëz në tërësi, jo vetëm në aksin Bulevardi “Nënë Tereza”, paraqet probleme të theksuara me zbatimin e këtij detyrimi ligjor dhe do duhet të punojë për ndryshimin e kësaj gjendjeje infrastrukturore që diskriminon grupet e margjinalizuara. 

Shqipëria ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara që në vitin 2013 dhe ka disa ligje në fuqi për të garantuar aksesueshmёrinё për personat me aftësi të kufizuara në infrastrukturë dhe shërbime, por duket se mungesa e njohurive mbi legjislacionin dhe standardeve teknike dhe mungesa e konsultimit publik ka sjellë situatën aktuale, në këtë rrugë, por edhe në rrugë të tjera të bashkisë Kamëz.

Përmes analizës së paraqitur në raport, “Së bashku” tregon se mund të ndërtohen strategji për të pasur qëndrueshmëri në politikat e gjithëpërfshirjes infrastrukturore. Këto strategji do mundeshin t’i shërbenin jo vetëm qytetit të Kamzës, por të gjitha qyteteve në vend. 

Imazhet në artikull nga raporti “Rruga flet për gjithëpërfshirjen”, Fondacioni “Së Bashku”

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje