Gjykata Administrative e Apelit pranon kërkesat e Zall-Gjoçajt për përshpejtimin e çështjeve

nyje.al | 26.09.2024

Kërkesat për përshpejtim nga banorët dhe aktivistët e Zall-Gjoçaj të dorëzuara në Gjykatën Administrative një javë më parë janë pranuar nga gjyqtarët relatorë Blerona Hasa dhe Ardian Dvorani për dy nga çështjet e depozituara në këtë gjykatë. Dy ditë më parë gjyqtarët vendosën nisjen e shqyrtimit të përshpejtuar të çështjeve, njëra prej tyre me objekt caktimin të pavlefshëm të të gjitha akteve të miratuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, që i kanë hapur rrugë ndërtimit të HEC-eve në Zall-Gjoçaj dhe tjetra me objekt detyrimin e Ministrive për zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e bashkimit të Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçaj me atë të Lurës.

Duke ringjallur shpresën për drejtësi tek banorët që prej vitesh enden në gjykata, shqyrtimi i këtyre çështjeve do të çojë në vendime të rëndësishme lidhur me të gjitha veprimet e institucioneve shtetërore që ndonëse Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj ishte fakt i kryer, ose më së paku në kryerje, lejuan ndërtimin e digave mbi lumenjtë Flim e Urakë. Shembull i qartë i shkeljeve është leja e ndërtimit të HEC-eve e miratuar nga KKT në mars të 2019 kur tashmë ishtë konfirmuar zonimi i Zall-Gjoçaj si Park Kombëtar si pjesë e bashkimit më Parkun e Lurës në nëntor të një vitit më parë. 

Sipas vendimeve të gjyqtarëve, shqyrtimi në dhomën e këshillimit nis që në muajin e ardhshëm për të dyja çështjet. Në arsyetimet e gjyqtarëve Hasa e Dvorani për të dyja rastet e pranimit të kërkesës për përshpejtim caktuan se çështjet e Zall-Gjoçaj me rrethanat e parashtruara nga banorët dhe avokati i tyre, Franc Terihati nga Qendra për Fuqizimin Ligjor (CLE), plotësojnë kushtin e natyrës së çështjes dhe atë të shkaqeve veçanërisht të rënda dhe të motivuara për t’i marrë në shqyrtim njëherë e më parë ato. 

Shkëputur nga vendimi për pëshpëjtimin e shqyrtimit të një prej çështjeve, marrë nga gjyqtari Dvorani

Për aktivistët e Mbro Zall-Gjoçaj pranimi i kërkesave për përshpejtim të shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Administrative e Apelit është një akt që ngjiz shpresë tek ta për drejtësi. Në një postim në rrjetet sociale ata shkruajnë: 

Ditën e djeshme u bë e ditur se dy çështje priten të kenë shqyrtimin e tyre në dhomë këshillimi në muajin tetor. Këmbëngulja dhe shpresa për drejtësi vazhdon ta mbajë gjallë përpjekjen për mbrojtjen e Parkut Zall-Gjoçaj. I gëzohemi këtij lajmi të shumëpritur dhe kjo përgjigje na jep shpresë për vendime të drejta e të paanshme, të cilat do të rrëzonin të gjitha aktet administrative mbi të cilat është ngritur ky projekt shkatërrues mjedisi. 

Imazhi shoqërues i postimit të Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj

Alta Koleci, aktiviste ndër më të zëshmet në mbrojtje të Zall-Gjoçaj, u shpreh se edhe për të pranimi i kërkesave për përshpëjtim ngjall shpresë dhe ndjesi të mira. Ndjesi të cilat uron t’i ndiejë edhe kur të vijë puna për marrjen e vendimeve.

Pas shumë kohë pritje, po shohim që Gjykata ka nisur të lëvizë për Zall-Gjoçajn. Kjo na jep shpresë që të gjitha vendimet e marra nga shkatërruesit e mjedisit të zhbëhen dhe lumi të rrjedhi i lirë. Siç e thamë edhe në protestë javën e kaluar, kurrë nuk është vonë për drejtësi kështuqë edhe pse e dimë që shqyrtimi i përshpejtuar do të zgjasë për shumë muaj mbase, prapë i gëzohemi që drejtësia nisi t’i shpluhurosë dosjet tona. Uroj që edhe vendimet në fund të seancave të na gjejnë të gëzuar.

Kërkesat për përshpejtim u dorëzuan nga avokati i palës paditëse dhe banorët e Zall-Gjoçaj, të enjten e kaluar kur edhe u mbajt një aksion përballë Gjykatës Administrative të Apelit. Në këto kërkesa parashtrohet që vonesa në shqyrtimin e kësaj çështjeje do të sillte si rezultat pasoja të pashmangshme, pasi ndërtimi i dy HEC-ve brenda një zone e cila ka qënë Park Kombëtar në kohën kur janë miratuar aktet administrative objekt gjykimi, fakt i cili është pranuar edhe nga palët e paditura, por edhe nga Gykata, do të shkaktonte dëme të pakthyeshme në ekonomi, në mjedis, në ekosistem dhe në të gjithë zonën perreth.

Dëmet tashmë kanë nisur të jenë të prekshme sqarohet në këto kërkesa për përshpejtim dhe këtë e provon një akt inspektimi i kryer në zonë muajt e fundit. 

Paragraf i shkëputur nga Akti i Inspektimit në kërkesën për përshpejtim të dorëzuar më 19.09.2024

Akti i inspektimit i mësipërm është dorëzuar si provë për t’u marrë në shqyrtim gjatë zhvillimeve gjyqësore që pritet të nisin gjatë muajit tetor. Aktivistët e Zall-Gjoçaj shprehen se do të jenë në dyert e sallat e Gjykatës përgjatë gjithë seancave për të rikujtuar rëndësinë e vendosjes së drejtësisë për atë zonë dhe ato banorë që prej më shumë se pesë vitesh këmbëngulin për rrjedhën e lirë të lumit.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje