Platforma për transparencën e shpenzimeve qeveritare mbetet pa financim, AIS: Databaza, instrument i rëndësishëm anti-korrupsion

nyje.al | 19.04.2024

Verën e shkuar Pallati i Kulturës Kamëz rikonstruktoi sallën e bibliotekës, investim që i kushtoi buxhetit të qytetit rreth 7.7 milionë lekë të reja. Kjo shumë e lartë, duke marrë një kosto mesatare të librit, po të shkonte për shtimin e inventarit do të silltë më shumë se 10 mijë tituj në bibliotekën e qytetit. Por i rëndësishëm mbetet edhe ambienti dhe duke parë imazhet në projektin e realizimit të rikonstruksionit, pritej një transformim që mund të ishte ftues për lexuesit e qytetit. 

Në përfundim të punimeve, përmes postimeve të Bashkisë Kamëz në rrjetin social Facebook u kuptua që imazhet e përpunuar 3D të përfshira në procesin tenderues, ishin shumë larg rezultatit të rikonstruksionit të bibliotekës së qytetit. 

Duke marrë në konsideratë politikat e transparencës dhe llogari-dhënies të Bashkisë Kamëz, këtë krahasim imazhesh por edhe informimin në tërësi për prokurimet e saj, nuk do e realizonim dot pa publikimin e këtij procesi tenderimi në openprocurement.al

Të dhënat në shesh, por për sa kohë?

Kjo platformë, projekt i Institutit Shqiptar të Shkencave (Albanian Institute of Sciences – AIS), është një ndër agregatët e të dhënave mbi prokurimet e njësive qeverisëse në vend, duke u bërë kështu një nga mekanizmat më të përdorur të gazetarëve shqiptarë që hulumtojnë mbi financat publike. Përpos prokurimeve, AIS ka krijuar databaza mbi transferta të pushtetit vendor, korporatat në vend dhe sistemin e drejtësisë, si dhe monitoron dhe publikon raporte mbi secilin sektor.

E gjitha kjo iniciativë ëshë ngritur me mbështetje financiare kryesisht nga jashtë vendit dhe qëndrushmëria e saj lidhet me afatet e financimeve. Ditët e fundit përmes njoftimeve në platformë por edhe në rrjete sociale është bërë e ditur që një prej platformave rrezikon të mos ekzistojë më për shkak të mungesës së financimit. Aranita Brahaj, drejtuese e AIS, u shpreh për redaksinë tonë që së fundmi aplikimet për mbështetje financiare nuk kanë rezultuar të sukseshme. Kësisoj platforma e Shpenzimeve Publike të Hapura (Open Spendings Albania) nuk do mundet të mirëmbahet më pa pasur një ndërhyrje financiare që shpëton databazën dhe ekipin që punon për të. 

Databaza Transaksione Thesari është një nga instrumentet më të rëndësishme për Transparencë, Mirëqeverisje dhe Antikorrupsion. Përmes Open Spending Albania, qytetarët kuptojnë se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. OpenSpending zbardh dhe bën të aksesueshme çdo pagesë nga Institucionet Buxhetore drejt klientëve nga 2012 e në vijim. Gazetarët dhe aktivistët më të guximshëm në vend përdorin të dhënat e Thesarit për të denoncuar raste korrupsioni, klientelizmi dhe konflikti Interesi. Prej muajit shkurt AIS,është në vështirësi për fonde për mirëmbajtjen, përditësimin, zhvillimin dhe hapësirën server për Transaksione Thesari.”

Politikat e donatorëve dhe beteja për integritet

Qëndrueshmëria e mediave “pa pronarë” mbetet gjithmonë sfidë kur qëllim nuk është përfitimi monetar dhe komercializimi evitohet. Në këto kushte, mbijetesa mbetet në duart e organizmave të huaj që mbështesin iniciativa të pavarura. Më axhenda kryesisht të paracaktuara, mbështetja nga këto organizma nuk siguron garanci afatgjatë, në këtë rast as për mediat e shkëputura nga “tregu”.

Për drejtuesen Brahaj, kohët e fundit ka një zhvendosje të vëmendjes mbi entitetet mediatike dhe rrjedhimisht edhe mbështetjes për to. 

“Fusha që po mbetet pa mbështetje është anti-korrupsioni. Donatorët kanë muaj që kanë zgjedhur pak organizata dhe po çojnë gjithë fondet tek ato pak. Ka mbivendosje, të gjitha ambasadat mbështesin me fonde të njëjtat OJF. Dhe kanë lënë jashtë fokusit llogaridhënien, transparencën, të dhënat dhe anti-korrupsionin.”

Përmes njoftimit që AIS ka publikuar në sajt kërkon një kthim të vëmendjes drejt gazetarisë së të dhënave dhe betejës së medias kundër korrupsionit. 

“AIS zotëruese e Open Spending Albania konstaton se mungojnë thirrjet për projekte Antikorrupsion, dhe kërkon ndihmën e donatorëve të mundshëm për mbështetje financiare dhe mundësi aplikimi. Spending Data Albania është instrument i krijuar nga ekipi programues, ekonomistë dhe aktiviste antikorrupsioni pranë AIS/OpenDataAlbania.”

Një tjetër rrugë për mbështetje njofton AIS është ajo e dhurimeve sipas parashikimeve ligjore, për të shmangur kurdoherë implikime që ndikojnë në imazhin e punës së kryer. Brahaj u shpreh se ky mekanizëm nuk e bën edhe aq të lehtë mbështetjen. 

“Kultura e ngritjes së fondeve në vend mungon. Edhe legjislacioni krijon vështirësi. Ne po përpiqemi jo vetëm t’i mbajmë databazat por edhe t’i ruajmë me kujdes dhe integritet.”

Aktivistë dhe gazetarë të shumtë i janë bashkuar thirrjes së AIS për mbështetje duke theksuar rëndësinë që platformat kanë për hulumtimin gazetaresk dhe kulturës së transparencës dhe llogari-dhënies.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje