Rindërtimi si dhuratë, pa pretendime mbi të

nyje.al | 17.10.2022

Kanë kaluar tre vite që prej fatkeqësisë natyrore të tërmetit, që ngjau më 26 nëntor 2019, dhe ndryshe nga çfarë propagandohet ditë për ditë nga rrjetet sociale të pushtetit, shumë banorë janë ende të parehatuar dhe të shqetësuar për kushtet e jetesës në banesat e reja. 

Disa prej banorëve të Valiasit, zonës së shpallur për rindërtim dhe zhvillim të detyruar me vendim nr. 22/2020, kanë kontaktuar redaksinë tonë dhe na kanë ftuar për të parë më nga afër apartamentet dhe punimet e bëra në to. Ata shprehen se janë të pakënaqur mbi mënyrën e shpërndarjes së apartamenteve. Ka ndër ta që hedhin dyshime për ndarje jotransparente dhe të bëra “me njohje dhe me fuqi”. Të tjerë kanë pakënaqësi mbi cilësinë e punimeve të bëra. Të gjithë shprehen se ankesat e tyre pranë bashkisë Kamëz nuk jane mirëpritur, përkundrazi, u është kërkuar ‘mirënjohje’ pasiqë u kanë falur shtëpi të reja. Rrjedhimisht, mbi ‘gjënë e falur’ nuk ke të drejtë të kesh pretendime. 

Ankesat e banorëve

Agimi prej vitesh punon në ndërtim në emigracion dhe kur mori në dorëzim apartamentin në Valias mbeti i pakënaqur nga cilësia e punimeve. Materiali i dobët i pajisjeve të tualitetit, veshja me pllaka aspak profesionale dhe pa hapësira për ndreqje nga vetë ai, matje të gabuara, tuba të aspirimit dhe ujit të dëmtuar, ka shkaktuar shumë pakënaqësi për të. E gjejmë me materiale ndërtimi të shpërndarë nëpër shtëpi, dhe me metër në dorë, pasi kishte vendosur të ribënte shumicën e punimeve brenda apartamentit të tij. Ai bashkëndan edhe habinë e tij mbi mënyrën sesi është menduar planimetria dhe është projektuar përdorimi i hapësirës brenda banesës duke lënë të kuptojmë se kushdo që e ka krijuar, nuk ka menduar për njerëzit. “Kam shkuar te bashkia, u jam ankuar, por nuk m’i kanë marrë parasysh kërkesat” – pohon ai. Gjatë bisedës shton gjithashtu se fryma me të cilën është përballur në institucion nuk ka qenë aspak mirëpritëse. Agimit i është përmendur shtëpia si dhuratë nga pushteti, ndaj dhe ankesat apo pretendimet nuk duhet të zënë vend. 

Shqetësim tjetër për banorët janë edhe pellgjet e mëdha me ujë mes pallateve. Para rindërtimit zona vuante nga e njëjta situatë. Pellgjet hyrjeve mbusheshin nga shiu dhe qytetarët ankoheshin edhe për probleme me ujin e pijshëmes m dhe kanalizimet. Sot, teksa shohin pellgjet me uji dhe depozitime mbetjesh fare pranë pallatave të reja, druajnë që ndërtimet e reja vazhdojnë të mbartin problemet e vjetra infrastrukturore. 

Mimoza, për muaj të tërë ka raportuar praën redaksisë sonë pakënaqësitë e vazhdueshme që prej fillimit të procesit të shembjes dhe ndërtimit, të procesit të shortit të shtëpive, e deri tani që ka marrë shtëpinë e re. Ajo na pohon që ka muaj që këmbëngulë ta marrë sa më shpejt apartamentin e saj, kjo për shkak të pamundësisë për të paguar qiratë e larta në Kamëz. Peripecitë e të gjeturit vend me qera dhe punë përgjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta për Mimozën. Me ndjesinë e mirë që më në fund e ka një shtëpi të sajën, ajo prap nuk ndihet e lumtur. Shtëpia e re është më e vogël krahas pritshmërive të saj. Ashtu si në rastin e Agimit, edhe ajo pohon që punimet e realizuara janë të dobëta. Veshjet prej druri të dyerve shqiten përnjeherë nga muri dhe sistemi elektrik nuk është bërë siç duhet. Gjithsesi ajo u shpreh se do fillonte të jetonte sa më shpejt në apartamentin e ri pasi nuk ia dilte dot me qeranë që kishte. 

Fidarija jeton vetëm gjithashtu. Apartamenti i ri ku duhet të jetojë gjendet në katin e parë të një prej godinave dhe ballkoni është ngjitur me sheshpushimin mes dy pallateve. Shqetësim primar për të është siguria, pasi hyrja nga ballkoni i keqdashësve të mundshëm është tejet e lehtë. Ka qenë kërkesë e saj që nga fillimi, vendosja e saj në katet më lart por shorteu i realizuar nga institucionet nuk parashikonte të tilla kërkesash. 

IMG_0591

Një grup punëtorësh ndërtimi, të cilët gjendeshin në zonë, dhe që ishin banorë të Valiasit, në disa rrugica më tutje, u shprehen se pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i 2019-s nuk janë përfshirë në skemën e dëmshpërblimeve dhe se jetojnë në kushte shumë të vështira. Pavarësisht kërkesave të panumërta drejtuar Bashkisë, ata nuk kanë marrë asnjëherë një përgjigje pozitive. 

Gjatë bashkëbisedimeve me banorët e shqetësuar për kushtet e reja të banesës, dëshmuam edhe familje të tjera të cilat në po atë ditë kishin marrë çelësin e banesës së re. Një burrë i moshuar, që kishte hyrë rishtazi në apartamentin në Valias, na kërkoi që ta intervistonim. “Edi Rama marrtë nga vitet e mia. Pesë vite jetë i jap nga të miat, për këtë që na ka bërë… më shumë nuk i jap dot, se dhjetë vite jetë druaj më kanë mbetur gjithsej” – u përgjigj me humor ai. Ai pohoi se ishte shumë më rehat nga ç’ka qenë më parë dhe ishte mirënjohës për çka posedonte tani. 

Një tjetër banore, Znj. Arapi, familja e të cilës përbëhej nga tre kurorë përpara se të shembeshin shtëpitë u shpreh se pas një procesi të gjatë e të mundimshëm jane bërë me shtëpi të re, dhe ndihen më në fund të rehatuar. Ndërkohë, priten që familje të tjera, mbase edhe nga zona të largëta të dëmtuara nga tërmeti të zhvendosen në apartamentet bosh të Valiasit. Ndërtesa e Administratës së Njësisë së zonës është ende duke u ndërtuar. Nga ky vend nuk ka më asnjë shenjë nga miniera e Valiasit, të gjitha ndërtesat të amortizuara të saj, tashmë i kanë lënë vend ndërtimeve të reja në zonë. 

Pas intervistimit të banorëve të mësipërm dhe për të kuptuar edhe më mirë sesi po menaxhohet situata post-ndërtim nga bashkia Kamëz, redaksia jonë tentoi të kishte një komunikim me Bashkinë e Kamzës, por telefonatat tona mbetën pa përgjigje.


Fotografitë: Ronald Qema

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje