Antonela Pepkolaj | 17.11.2021 | nyje.al
Pranvera dhe vjeshta janë sezonet më praktike dhe të preferueshme nga punëtorët, sidomos nga punëtoret. Në orën pesë e dyzet të mëngjesit, kohë kur hëna ndërrohet shpejt e shpejt me diellin, nxitimthi lëvizin burra e gra, kush për të kapur mjetin e transportit për punë, e kush për të kapur punën. Gratë, duke ecur e biseduar me njëra-tjetrën, kanë hap më të qetë në pjesët e errëta dhe pa dritë të rrugës, se sa në pjesën me dritë ku ndodhet edhe kafeneja e vetme e hapur në atë orar. Tek bar kafe “Rinia”, i cili ndodhet përballë bar kafe “Coffee”, i cili ndodhet në të majtë të restorant “Laçi”, ulen burra dhe djem, duke pirë kafen e mëngjesit ndërsa presin urbanin.
Në fabrikën e sistemit elektrik të makinave puna fillon në orën gjashtë të mëngjesit dhe turni zgjat tetë orë. Në fabrika të tjera, kryesisht këpucësh, dyshekësh, rrobaqepësi, etj., puna fillon në orën shtatë dhe ka raste që turnet janë shtatë-orarëshe. Të kapësh punën në orën gjashtë të mëngjesit është e vështirë, sidomos për ata punëtorë që vijnë nga zonat afër qendrës së kryeqytetit, por për ata që jetojnë afër, nuk përbën edhe aq problem sidmos sepse lirohen në orën dy të mesditës, duke pasur kohë të bëjnë çfarë të duan pjesën tjetër të ditës. Megjithëse e lodhshme, vitet e gjata nëpër fabrika të ndryshme, i ka bërë këto gra të mësohen me punën dhe të përshtaten me atmosferën dhe rregulloren.
Ka punëtore të përhershme dhe sezonale. Sezonalet janë kryesisht vajza dhe djem të rinj që punojnë deri tre muaj, aq sa janë edhe pushimet e verës nga shkolla. Përveç këtyre, ka edhe gra në moshë, të cilat nuk punojnë nga nevoja, sepse mund të kenë burime të ardhurash nga fëmijët jashtë shteti, por sepse nuk kanë çfarë bëjnë gjithë ditën në shtëpi.
Karafile Zyberi, tridhjetë e dy vjeçe, punon në fabrikën e sistemit elektrik të makinave. Për shtatë vjet ka punuar në një fabrikë këpucësh. Karafilja është një grua shumë e shkathët. Brenda tre muajve u ngrit në detyrë, herë pas here ndihmon edhe punëtoret e tjera. Një ndër veçoritë më të admirueshme të Karafiles është se nuk bëhet pesimiste në asnjë lloj rrethane dhe nuk dekurajohet në qëllimet që i ketë vendos vetes. Tani për tani jeton në zonën e Bulçeshit, dhe pret të zhvendoset në Angli së bashku me të shoqin dhe dy fëmijët. Karafilja thotë se ka kaluar disa vështirësi në jetë, për shembull nuk donte të martohej që nëntëmbëdhjetë vjeçe, por i ati e dha tek i biri i një fqinji dhe nuk kundërshtoi. Përveç kësaj, pasi u martua iu desh të jetonte me kunatat dhe vjehrrën ndërsa i shoqi punonte në Angli. Edhe ky ishte hall më vete. Gjithsesi, jeta e saj ka ndryshuar dhe pritet të ndryshojë.
Në punë, Karafilja shquhet si e zonja dhe pak mendjemadhe. Nuk ka frikë t’ua nxjerrë në pah paaftësinë që punëtoret mund të kenë në diçka, dhe nuk e fsheh se sa shpejt e mësoi po të njëjtën gjë vetë. Ajo di t’i shmangë konfliktet po aq mirë sa ç’di t’i krijojë, duke u justifikuar se më mirë të kritikojë ajo sesa ndonjë epror, sepse nga këta mund të ketë pasoja negative. Me ngritjen në detyrë ka kultivuar edhe një ndjesi vetbesimi, çka e tregon në rregullat që i injoron herë pas here. Për shembull, në mjedisin e punës nuk lejohen telefonat; nuk lejohet të mbahet ujë (për arsye sigurie, shishet e ujit kanë vendin e tyre apostafat, që është paksa larg nga vendi i punës); nuk lejohen muhabetet me punëtoret e tjera, nuk lejohet të lëvizësh nga vendi i punës vetëm nëse është e nevojshme; nuk lejohen flokët të lëshuara për arsye teknike, nuk lejohet të ulesh nëse puna që bën është në këmbë, përveçse në oraret e paracaktuara; pas pushimit, nuk lejohet të kthehesh me vonesë në vendin tënd të punës. Pavarësisht se nuk janë rregulla që kërkohet të ndiqen me rigorozitet, prapë shkelja e tyre bie në sy dhe, Karafilja i shkel të gjitha.
|
Duke e njohur temperamentin e saj, punëtoret e tjera i drejtohen shpesh me ton cinik, komente të cilat Karafilja i pret me batuta dhe buzëqeshje. Një ditë, njëra nga puntoret duke bërë sikur nuk ia mbante mend emrin, i tha “Lule”. “Moj… moj ti! Qysh e ke? Lule moj…” Karafilja u mek së qeshuri. “Ha-ha! Jo po barishte!”, ia ktheu ajo.
Që nga ajo ditë u bënë shoqe dhe e kalojnë shumicën e ditës bashkë. Shpesh e vënë në lojë njëra-tjetrën. “Qysh ta kanë gjetë fiks kët emër, se bash Karafile je”, i thotë shoqja. “Ti mu m’i marrsh të ligat, po shih emrin tand, se e ke si emër pleqsh”, ia kthen Lulja. Shumicën e kohës në fabrikë e thërrasin Lule, përveç supervizores dhe ndonjë punëtoreje të acaruar që e thërrasin Karafile.
Me shoqen e re, Lulja është më intime dhe i flet për jetën e vet personale. I tregon se vajzën e madhe e ka në klasë të shtatë dhe se është As në mësime. Dëshiron shumë që ta çojë me studime jashtë, se është shumë e zgjuar dhe me vullnet për të mësuar. Lulja ka një admirim dhe dashuri të veçantë për të bijën, ndryshe nga ajo që ka për të birin. Tregon me krenari se si një ditë, kur u kthye nga shkolla, e bija i kishte sjellë një tufë me mimoza. Lulja shumë e lumtur nga ky gjest, e pyet se ku i mori. “I vodha rrugës kur po kthehesha për shtëpi. Ha-ha!” Dhe qeshnin të dyja. Por Lulja nuk është fare e lumtur nga fakti se, pavarësisht se ka mesataren më të lartë në klasë, vajzën nuk ia bënë senatore, por bënë të bijën e një mësueseje letërsie aty. “Hajt, le ta mbajë edhe dy vite. Po do e shoh kur të shkojë në gjimnaz, se është dërrasë në matematikë.” Shprehet Lulja. Nuk i vjen inat pse e bija merrka më pak merita, por mërzitet se e bija qan shpesh nga fakti se ndihet sikur nuk e vlerësojnë dhe kështu, ndoshta do dekurajohet dhe do bjerë në mësime, mendon Lulja. Teksa i shprehej për gjithë këto gjëra shoqes së vet, kjo e fundit i sugjeron që sapo të mbushë moshën, ta fusë edhe të bijën në fabrikë, si punëtore sezonale. Lulja e sheh vetullngrysur, gati-gati e nevrikosur. “Larg qoftë! Gocës sime ia jap vetë unë çfarë i duhet, s’ka pse përzihet me fabrika.” Dhe papritur i ndryshon krejt mendimi për shoqen e vet, nga ajo ditë i hapet më pak.
Edhe pak muaj ka në plan Lulja të rrijë në punë, se ndoshta zhvendoset së shpejti. Punëtoret e tjera e kanë vënë re që merr raport dhe nuk vjen në fabrikë. Thotë se është sëmurë ose se ka fëmijët pa qejf, nuk i thotë kujt se shkon pas letrave me shpresën se plani për të ikur do të finalizohet. Nuk dëshiron të dëgjojë mendimet e njëqind vetave, se çfarë thotë njëri nuk thotë tjetri dhe, Lulja është pak e ndjeshme ndaj kritikave që mund të ketë kushdo për ambiciet e saj. Kështu e mban për vete dhe pret në heshtje. Vetëm me të bijën i ndan vizionet që ka për të ardhmen e të dyjave. Avash-avash, vajza është bindur se është e prerë të jetë e suksseshme për të arritur gjëra të mëdha. Klasa i duket e vogël dhe shkolla i duket kalimtare. Lulja e këshillon vetëm të ruajë mesataren e lartë, se gradualisht do t’i arrijnë gjërat që duan më fort.