Aurora Leka | 20.12.2017 | nyje.al
“Kamza është lëvizje”,- më thotë ajo teksa i shoqi më qeras me një kafe, -“ kam patur gjithmonë punë”.
Skutën e saj plot me stofra e perde e gjejmë në hyrje të tregut. Përballë një makine të vjetër, me këmbët që i shtriq hera herës në një kolltuk aty afër, punon çdo ditë të javës Kimete Lala.
Qep, mat, pret, e kur ndonjëherë i soset durimi me atë çka ka në dorë ja kalon ta mbarojë punonjëses së saj më të re në moshë. Ndërkohë heq, vë, syzet (etiketën e numrit optik ka harruar t’ua heqë ) i mban në një kuti në cep të tavolinës, dhe i vë dhe ndërron sipas rastit. Herë i duhen për larg ,herë për afër, e nëse flet me ndokënd nuk i duhen fare.
Ajo e ka dyqanin prej 17 vitesh, qëkur erdhi në Kamëz. Këtë zanat e ka ushtruar gjithë jetën. Punon aty bashkë me të shoqin. Thotë me shaka që gjithë jetën e ka çuar yll me të, kurse tani që janë pleq, edhe zihen ndonjëherë. Fiton gjithmonë ai që ka të drejtë, sipas saj. Është gjyshe prej shumë vitesh dhe shpesh herë moshatare të saj, që vijnë në dyqan për të porositur, i thonë që tashmë duhet të “mendojë për veten”. Por ajo nuk mund të rrijë në shtëpi duke menduar “për veten”. Në dyqanin e saj mund të mendojë edhe për veten, edhe për fëmijët.
“Nuk dua ti bëhem barrë askujt, do të punoj deri sa të kem fuqi”,- thotë ajo ndërsa kalon nën gjilpërë porosinë e rradhës.