150 firmëtarë në mbështetje të ASA: Përkrahim çdo nismë ligjore, administrative dhe shoqërore në mbrojtje të lirisë akademike

nyje.al | 06.06.2023

Mbyllja e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, si akt i radhës i shpërfaqjes së autokracisë në vendin tonë, është kthyer në temën kryesore të diskutimeve në hapësirën publike. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.338, i datës 31 maj 2023, është kundërshtuar gjerësisht ndër studiuesë, akademikë, studentë, aktivistë e organizime joqeveritare. Ditën e djeshme në faqen zyrtare në rrjetet sociale të ASA-së është publikuar një letër të hapur me rreth 150 firmëtarë që shprehin solidaritetin me institucionin e arsimit të lartë dhe mbështesin kërkesat e tij. Sipas organizatorëve të letrës së hapur, pa hezitim janë bashkuar në solidaritet studies me zë në lëmin e shkencave humane europiane si: Oliver Shmit, Florian Bieber, Nathalie Clayer, Ger Duijzings, Michael L. Galaty etj. 

Dr.Robert Pichler, studiues austriak, u shpreh se e ka të vështirë të kuptojë këtë vendim të qeverisë shqiptare dhe se ky vendim është një kërcënim për veprimtarinë shkencore të albanologëve. 

“Asnjë vend tjetër i Evropës Juglindore nuk ka zhvilluar një diskurs kaq dinamik shkencor në vitet e fundit sa studiuesit e ASA-s! Rezultati i këtij angazhimi është, ndër të tjera, që Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit do të organizojë konferencën e ardhshme InASEA në Shqipëri në vitin 2024. Një parakusht për këtë peizazh kërkimor në lulëzim është hapja ndaj diskurseve bashkëkohore, pritja e kërkimit ndërkombëtar dhe shkëmbimi me kolegë në Evropën Juglindore dhe në botë. Është e pakuptueshme pse qeveria shqiptare po shtyn shpërbërjen e ASA-s, institutet e së cilës kanë bashkëpunuar kaq ngushtë. Ekziston një shqetësim i madh se ky hap do të çojë gjithashtu në një ulje të autonomisë në kërkime. Integrimi në aparatin qendror të funksionimit të Akademisë së Shkencave kërcënon lirinë e kërkimit dhe bllokon frymën e hapur dhe krijuese që karakterizon shkencëtarët e ASA-s.”

Gjithashtu mbështetje për kolegët në ASA pati dhe ndër profesorë e studiuesë shqiptarë  që ushtrojnë veprimtarinë shkencore jashtë vendit, si: Adrian Paci, Prof. Asoc. Blendi Kajsiu, Prof. Ass. Brunilda Pali, Dorina Pllumbi, Prof. Asoc. Elidor Mëhilli, Dr. Elife Krasniqi, Endi Tupja, Dr. Gent Carrabregu, Dr. Piro Rexhepi, Prof. Ass. Dr. Vjosa Musliu, Vjollca Krasniqi,etj. Nga Kosova dhe Shqipëria, dhjetëra profesorë, akademikë dhe studiues e gjejnë gjithashtu nën kërcënim të madh albanologjinë pas këtij vendimi të marrë. Në përkrahje të çdo nismë ligjore, administrative dhe shoqërore që do të ndërmerret në mbrojtje të këtij institucioni dhe lirisë akademike në Shqipëri kanë dalë figura të angazhuara si Adela Demetja, Fatos Lubonja, Ervin Goci, Vincent W.J. van Gerven Oei, Elvis Hoxha, Gjergj Erebara, Luljeta Lleshanaku, Romeo Çollaku, Orgest Azizi, etj. Në solidaritet, si rrallë herë për një institution publik të Shqipërisë janë bashkuar edhe dhjetra profesorë e studiues në Universitetin e Prishtinës, një ndër institucionet e dijes me më së shumti projekte të përbashkëta me ASAn. Organizata të shoqërisë civile gjithashtu, nga Shqipëria e Kosova, kanë reaguar dhe kanë shprehur mbështetjen për Akademinë e Studimeve Albanologjike. 

Për akademikët e ASA-së, solidariteti dhe mbështetja e vazhdueshme e krejt këtyre aktorëve shkon përtej asaj çka ata mund të kishin menduar. I lumtur për vazhdimësinë e mbajtjes së diskutimeve rreth çështjes  së ASA-s si një ndër shqetësimet kryesore të jetës publike, Drejtori i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Nebi Bardhoshi shprehu në një takim të realizuar dje në hapësirën e Qendresës Qytetare se beteja shumë shpejt do arrijë në shkallët e gjyqësorit dhe se presin nga drejtësia që paligjshmëria e vendimit të qeverisë të sjellë ndalimin e shkrirjes së ASA-së. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje