nyje.al | 17.07.2024
Procesi gjyqësor i iniciuar nga organizatat mjedisore në vend, kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura në janarin e vitit 2022, shënon seancën e radhës ditën e nesërme, 18 korrik në orën 11:30 në Gjykatën Administrative të Apelit. Përmes VKM-së nr.59, të datës 26.01.2022, qeveria shqiptare ndryshoi sipërfaqet e Parqeve Kombëtare dhe ky vendim u kundërshtua nga njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Avokatët e qendrës Res Publica, të cilët mbrojnë interesin e palëve paditëse, shpjeguan në një takim me banorët dhe grupet e interesit për Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” se tashmë janë kryer aktet e ekspertimit nga ekspertët e caktuar nga Gjykata Administrative e Apelit dhe çështja ka hyrë në fazën e debatit gjyqësor.
Si banorë të prekur drejtpërdrejtë nga ndryshimi i kufijve të Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”, banorët e Zall-Gjoçaj do të jenë nesër pranë Gjykatës për të ndjekur zhvillimet e seancës. Heqja e zonës ku është ndërtuar HECi Zais nga sipërfaqja e Parkut Kombëtar i dha dritën jeshile kompanisë “Seka Hydropower” për të riaplikuar në Entin Rregullator të Energjisë për licensim të veprimtarisë. Duke qenë se vendimi i Gjykatës së Lartë që pezulloi licensën e parë bazohej në paligjshmërinë e funksionimit të HECit për sa kohë ishte brenda zonës së mbrojtur, me ndryshimin e kufirit tashmë asgjë nuk pengoi rilicensimin në mars të vitit 2023.
Çka ndodhë në Zall Gjoçaj që prej atëherë?
Denoncimet e herëpashershme të aktivistëve në mbrojtje të lumit Flim, por edhe vizitat në terren dëshmojnë për një situatë të shkretuar në luginën e këtij lumi. Banorët dëshmojnë që prodhimi i bletëve këtë vit ka rënë në nivele të padëgjuara më parë. Blegtorët e zonës shprehen se bagëtive u duhet të ecin për orë të tëra për të gjetur burime uji.
Lumi i Flimit futet i tëri në tuba në digën e HECit Zais dhe uji arrin skajin e Melthit vetëm kur kompania merr vesh se aktivistë dhe gazetarë janë nisur për atje. Mos respektimi i kuotës së përcaktuar në kontratë si vijë ekologjike është standard për kompaninë që e ndien të nevojshmë të hapë portat dhe saraçineskat vetëm kur sapo duket në shkallën e Kolës ndonjë makinë. Kjo shkelje e kompanisë, akt kriminal që lë fshatra të tërë pa ujë, ka nisur që në ndërtimin e digës e përgjatë gjithë proceseve gjyqësore, edhe kur Gjykata ia kishte pezulluar veprimtarinë HECit.
Nga ana tjetër, studiuesit dhe ekspertët e mjedisit pas punës në terren tregojnë ndeshje me dukuri aspak të natyrshme dhe katastrofë mjedisore. Në shtratin e lumit ndeshet tashmë bimësi tipike e ekosistemeve të thata e në mungesë uji ndërsa në ecjen përgjatë kanionit të Flimit gjen eshtra të gjarpërinjve të ngordhur.
Trofta e kudo gjendur mbi digën e ndërtuar, e poshtë saj gjithashtu para se rrjedhën e lumit ta merrte HECi, nuk duket gjëkundi kur kompania lejon ujin të rrjedhë në kuotën kontraktuale pasiqë kjo derdhje e ujit në lumë bëhet në dy kohë dhe hapësira të ndryshme.
Kompania lëshon ujin nga diga e HECit, por ky ujë në sasi të pamjaftueshme humbet qindra metra para se të arrijë tek vendodhja e mullirit të vjetër, që banorët dekada më parë e përdornin gjatë gjithë vitit. Në këtë vend, kompania ka ndërtuar një sistem tubacioni që pompon ujë nga lart, gjithmonë kur ka makina që i afrohen fshatit Melth. Ky ujë gjithashtu në sasi të pamjaftueshme humbet ende pa arritur poshtë në drejtimin e shtëpisë së Ismet Kolecit, blegtorit të vetëm të mbetur në fshat.
Dhimitër Koleci, aktivist i Mbro Zall Gjoçaj, ashtu siç çdo herë kur kthehet në fshatin e tij të lindjes, u shpreh se beteja për rikthimin e ujit të Flimit në shtratin e tij nuk do mbarojë kurrë për sa kohë ata të munden. Ai bashkë më banorë të zonës dhe aktivistë të tjerë të përfshirë në kauzë do të jenë nesër përballë Gjykatës Administrative të Apelit për të kërkuar atë që e shohin të nevojshme po aq sa ujin e lumit, drejtësinë.