Viti i ri akademik me aksione e protesta, studentët-ministres: Boll me propagandë

nyje.al | 07.10.2024

Viti akademik 2024-2025 nisi sot për mijëra studentë në Shqipëri. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u gjend sa në një fakultet në tjetrin përgjatë paradites së sotme për të uruar të rinjtë që rikthehen në auditore ose shkelin për herë të parë në to. Krahas duartrokitjeve përgjatë fjalëve të saj, ministrja u prit edhe me akuza dhe kundërshti nga aktivistët në një deklaratë në ballë të Universitetit Politeknik të Tiranës. Lëvizja për Universitetin u gjend në momentin e duhur për t’u pozicionuar pas ministres Manastirliu, teksa ajo fliste me median, duke shpalosur banderolën “Ku janë studentët?”

“Thirrja jonë sot ishte “Ku janë studentët?” për ministren  e Arsimit e po ashtu për qeverinë duke qënë se që nga viti 2014, që nga miratimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, ne kemi pasur vetëm përkeqësim të situatës së arsimit në Shqipëri dhe vazhdimisht nuk janë marrë masa.” deklaroi Loreta Koleci, aktiviste e Lëvizjes për Universitetin.

Aktivistja u shpreh githashtu se degradimi i sistemit arsimor ka përzënë studentët drejt universiteteve private dhe atyre jashtë vendit, ku vitin e kaluar akademik audiorët e universiteteve publike u jetësuan nga vetëm 84 mijë studentë. Pesë vite më herët, në nisjen e vitit akademik 2018-2019 auditoret prisnin më shumë së 113 mijë studentë sipas të dhënave të INSTAT të publikuara nga faktoje.al.

Por këtë vit sipas ministres shifrat janë rritur krahasimisht me vitin e kaluar, duke shënuar 20 mijë regjistrime të reja. Kjo deklaratë e Manastirliut nuk qartëson nëse këto regjistrime të shtuara çojnë më shumë studentë tek universitetet publike apo ato private, të cilët kanë qënë të vetmit që kanë njohur rritje në dekadën e fundit.

Burimi: INSTAT, faktoje.al

Studenti si emigrant

Në rritje janë edhe çmimet e qerave apo shërbimeve të nevojshme për studentët, gjë që ka bërë që studentët të kthehen në emigrantë sipas Lëvizjes për Universitetin. Përpos banderolës që pasi u shfaq pas minstres u vendos në ballë të Universitetit Politeknik të Tiranës, aktivistët e LPU shpërndanë për studentët edhe fletushkën me mbishkrimin “A janë studentët emigrantë?” në të cilën parashtrohen kushtet të cilat e pohojnë këtë gjendje në të cilën e gjejnë veten studentët shqiptarë sot.

Për sa kohë një student e ka të vështirë të gjejë një shtëpi me qera pa u paragjykuar dhe trembur nga çmimi, e ka të pamundur aksesin në dije, paguhet dhe punon në kushte minimale dhe ballafaqohet me papunësi pas diplomimit, ai është një emigrant në vendin e vet sipas Lëvizjes për Universitetin. 

Ekonomiku “nën dhunë”

Me kundërshti dhe thirrje për ndryshime thelbësore në sistemin arsimor nisi viti akademik edhe në Fakultetin e Ekonomisë. Një grup studentësh protestuan në hyrje të godinës së këtij fakulteti kundër nisjes së vitit akademik derisa pedagogu Mirdaim Axhami, i denoncuar për dhunë fizike të ushtruar ndaj koleges së tij, të mos jetë pjesë e ekipit pedagogjik në Universitetin e Tiranës. Ata bënë thirrje për bojkot derisa dhunuesit të largohen nga auditorët.

Burimi: gazetakorrieri.com

S’presim përgjigje, presim dorëheqje

Duke iu kthyer aksionit të aktivistëve të LPU ndaj ministres Manastirliu, kjo e fundit tentoi të afrohej me studentët dhe i ftoi në një takim për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Aktivistët i thanë ministres se pyetja ishte retorike dhe nuk prisnin përgjigje nga ajo. Ajo çfarë studentët u shprehën se duan është ndryshimi i legjislacionit për arsimin e lartë dhe largimi i të gjithë përgjegjësve të shkatërrimit të tij deri më tani, duke përfshirë edhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje