nyje.al | 07.05.2024
“Liri, liri, liri Palestinës” ishin thirrjet që jehuan në sheshin “Skenderbej” fundjavën që lamë pas, nga ku dhjetra protestues të grupmoshave të ndryshme treguan mbështetjen e tyre për mijëra gra, burra dhe fëmijë që po vriten çdo ditë në vendin e tyre. Kjo protestë, krahasimisht me shumë të tjera që janë vetë organizuar në Tiranë prej muajsh, numëroi shumë protestues, ndër të tjerë dhe shumë të rinj. Tubimi u organizua nga një bashkësi organizatash në shenjë solidariteti ndaj popullit palestinez dhe si shprehi e kundërshtisë dhe denoncimit të akteve genocidiale izraelite që prej më shumë se gjashtë muaj ka shkaktuar mbi 45 mijë të vrarë.
Florian Arapi, një prej organizatorëve të këtij tubimi, kujtoi gazetarët që kanë humbur jetën në Palestinë si pasojë e përpjekjeve të Izraelit për të ulur sa më shumë numrin e dokumentimeve, dhe u shpreh se Izraeli nuk po ndalet as nga ligji ndërkombëtar. Si pasojë e kësaj, protestat në vende të ndryshme të botës kanë qenë masive, si kundërshti e hapur ndaj politikave shtetërore në mbështetje të Izraelit.
“Megjithëse për të zhdukur të vërtetën, Izraeli ka vrarë më shumë se 141 gazetarë, dëshmitë janë pafund dhe ky pa frikë mund të quhet gjenocidi më i dokumentuar i historisë së njerëzimit. Ata nuk po frenohen as nga ligji ndërkombëtar, as nga gjykata ndërkombëtare penale, as nga OKB- ja dhe as nga aleatët e tyre. Protestat më masive po ndodhin në Amerikë, ku studentëve iu është mohuar e drejta e fjalës dhe janë kërcënuar se kjo do iu mbetet “njollë në biografi”dhe nuk do të gjejnë dot punë në profesionin e tyre. E gjithë kjo sepse ata i thanë “Stop” gjenocidit, stop vrasjes së fëmijëve. Ata po kuptojnë se zionizmi po kërcënon vendin e tyre, po kërcënon demokracinë, po kërcënon lirinë e shprehjes.” – u shpreh Arapi.
Studentët amerikanë kanë filluar masivisht prej javësh okupimin e universiteteve duke kërkuar ndalimin e menjëherëshëm të investimeve ekonomike apo marrëdhënieve klienteliste me palët izraeliane. Thirrje të ngjashme për zaptim të universiteteve, bojkt të studimeve dhe ndërmarrjen e një serie takimesh tematike ku problematizohet çështja e Palestinës po merren gjerësisht në universitetet më të rëndësishme në Europë. Zëri kundërshtues i studentëve dhe kërkesat e qarta politike të tyre kanë zbuluar edhe sjellje censuruese të drejtuesve të universiteteve, të cilët aty ku po gjejnë hapësirë po anulojnë aktivitete studentore, po censurojnë fjalën e lirë të studentëve, po kërcënojnë dhe shkarkojnë profesorët që janë rreshtuar në solidaritet me Palestinën, dhe po aq po bashkëpunojnë me forca policore për të shtypur me dhunë protestat e qindra studentëve.
Protestuesit evokuan krahasimin me pushtimin serb në Kosovë dhe përpjekjen e popullit shqiptar për liri e çlirim kundrejt dhunës genocidiale serbe, ngjashëm siç populli i Palestinës po përballet sot. Në fjalët e mbajtura nuk u kursyen edhe kritika të drejtëpërdrejta ndaj kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu me akuzën si mbështetës të Izraelit; sakaq shtetit shqiptar ju kërkua që të merrte masa e sanksione direkte e të menjëhershme ndaj Izraelit.
Aktivisti dhe misionari i fesë islame, Burhan Fili, u shpreh së do të duhej edhe më shumë solidaritet e protestues në rrugët e Tiranës, për shkak se kjo është çështje që nuk lidhet me përkatësisë fetare, por është çështje që i përket sferës njerëzore e humane.
“Populli palestinez me qëndrimin e tij po i jep mësim njerëzimit, njerëzim i cili deri dje ishte“brainwashed”. Po ndihmon njerëzimin të çlirohet nga prangat e injorancës, nga prangat e frikës, nga prangat e asaj që quhet dhunë psikologjike” – pohoi ai.
Aktivistja Fjoralba Duma, rimori solidaritetin e grupimeve studentore në të gjithë botën, duke theksuar rëndësinë e saj, si dhe më pas parashtroi se situata e Palestinës ish pasqyrim i shoqërisë dhe gjendjes njerëzore sot. Ajo bëri thirrje për shqiptarët të protestojnë dhe të tregojnë rezistencë kudo ndodhen.
“Palestina është grumbullimi i të gjitha padrejtësive. Atje po vriten njerëz, po kryhet gjenocid! Ndërkohë që në vendin tonë zhvillohen javë kulturore ndër të cilat është edhe shteti i Izrealit me aktivitetet e tij. Po çfarë kulture ka Izraeli? Kulturën që e ka marrë dhe e ka tjetërsuar nga dikush tjetër? Të gjithë ne duhet të marrim mbi shpatulla kurajo për të treguar se çfarë po ndodh në botë sepse jo të gjithë e dinë. Në universitete nuk po flitet pë Palestinën! Ata që po protestojnë po rrihen! Të gjithë ne këtu duam liri, të themi që aty po kryhet një gjenocid. Por, edhe liri nga shteti pasi ai nuk po e përfaqëson etjen tonë për drejtësi”
Një djalë 7- vjeçar palestinez i cili ndodhet në Shqipëri, foli në protestë, duke treguar që një pjesë e madhe e familjes së tij gjindet në Gaza, por është mirënjohës për solidaritetin që shqiptarët kanë shfaqur ndaj tyre.
Kryetari i shoqatës “Ardhmëria” Sabaudin Jashari, përcolli disa mesazhe me anë të të cilave tregoi se është krah palestinezëve. Ai tha se populli i Gazës tregon se liria nuk vdes kurrë pasi është në zemrat dhe mendjet e të rinjve, duke ju referuar edhe njëherë protestave masive studentore në botë.
“Populli i Gazes na tregon se historisë nuk i vjen fundi asnjëherë dhe kjo sakrificë që ata po bëjnë ju jep vlerë dhe tregon se çdo komb duhet të ketë motiv ruajtjen e lirisë. E vërteta nuk vdes kurrë, nëse ka kush e kërkon.”
Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në shenjë solidarizimi nga sheshi “Skënderbej” drejt Bulevardit të Ri me thirrje pro Palestinës dhe kundër genocidit izraelit.