nyje.al | 04.07.2024
Vetëvrasja e Pali Trashaj me fostoksinë në hyrje të SPAK, si akt i fundit i tij për të kërkuar drejtësi, ka tronditur Shqipërinë ditën e djeshme. 63 vjeçari, mbetur peng i një procesi të gjatë kundër një mikro-kredie të shndërruar në një borxh gllabërues të të gjitha të ardhurave të familjes, vendosi të konsumonte substancën kimike që i mori dhe jetën.
Ditën e sotme, Lëvizja Bashkë ka ndërmarrë një aksion në bankën qendrore të vendit. Duke krahasuar skemat e manipulimit nga kompanitë e mikrokredive me ato të firmave piramidale në vitin 1997, aktivistët e Lëvizjes Bashkë i vunë në ballë godinës së Bankës së Shqipërisë parullën “Sudja 2.0”.
Lëvizja Bashkë deklaroi pas aksionit se qeveria shqiptare është bashkëfajtore në humbjen e jetës së qytetarit Trashaj. Gjithashtu e akuzoi atë për bashkëpunim dhë nënshtrim ndaj poseduesëve të këtyre kompanive, të cilësuar nga aktivistët si fajdexhinj.
Aktivistët akuzuan edhe Bankën e Shqipërisë si përgjegjëse të pasojave që ky sistem mashtrimi sjell. Si institucioni që licenson këto kompani dhe ka për detyrim t’i monitorojë ato, për aktivistët është bashkëfajtor edhe kreu i saj Gent Sejko. Në deklaratën e saj për shtyp, Lëvizja Bashkë e akuzon Sejkon si aktor kyç në këto skema mashtrimi.
Përgjegjës për këtë katastrofë, ku mijëra qytetarë po vidhen, mashtrohen dhe shpronësohen me dhunë, është së pari qeveria shqiptare, e cila përkundër detyrimit ligjor per t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimi, është kthyer në bashkëpunetore dhe shërbëtore të oligarkëve, banditëve dhe fajdexhinjve.
Përgjegjëse është sigurisht edhe Banka e Shqipërisë, e cila i ka licensuar dhe supozohet t’i monitorojë këta fajdexhinj. Çka jo vetëm nuk po ndodh, por ka dyshime serioze se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, është i përfshirë vetë në to.
Lule artificiale u vendosën në rrethimin e godinës dhe imitime të parave u hodhën brenda saj nga aktivistët me thirrjen që këto lule duhet të shkojnë për krerët e këtyre skemave që mashtrojnë qytetarët, edhe duke përfituar nga dëshpërimi i tyre. Sipas anëtarëve të Lëvizjes Bashkë, Banka e Shqipërisë është kthyer në institucionin ndëshkues të qytetarëve që bien pre e këtyre skemave për sa kohë nuk kryen asnjë veprim për t’i kontrolluar dhe ndaluar ato.
Së fundmi, deklaratat e aktivistëve u mbyllën më thirrjen për drejtësi për studiuesin dhe historianin Pali Trashaj dhe kërkuan që organet e drejtësisë t’i përshpejtojnë hetimet e të përfundojnë përpara hekurave të gjithë abuzuesit e “kioskave të fajdeve” siç i quajtën ato, si dhe të gjithë pushtetarët e përshirë.