
Vetë frika
Chris Cutrone | Shqipëruar nga Genc Shehu
Ribotuar për Nyjen me leje të autorit | 01.06.2025
Kjo është bota e Trump-it dhe ne thjesht po jetojmë në të. Pyetja e vetme është se si ndjehemi për këtë. Franklin D. Roosevelt mbajti fjalimin e tij të famshëm, “E vetmja gjë për të pasur frikë është vetë frika”, për të adresuar shqetësimet rreth reformave të tij të New Deal-it, të cilat në atë kohë ishin hapa të paprecedentë dhe për këtë arsye me të drejtë frikësuese. Mesazhi i administratës së dytë të Trump – e cila në shumë aspekte është në fakt administrata e tij e parë – është i njëjtë: kërcënimi nuk vjen nga masat që ai po ndërmerr, por nga përhapja e frikës për to. Reagimi i panikuar i tregjeve të aksioneve dhe bondeve u duk se ndërlikoi përkohësisht procesin e negociatave për tarifat, por këto janë çështje taktike, jo strategjike: objektivi mbetet i njëjtë. Dhe tarifa bazë prej 10%, sakaq një goxha rritje, mbetet në fuqi. Trump nuk do të ndalet nga qëllimi i tij, që është të ristrukturojë ekonominë amerikane dhe atë globale. Ai sakaq ka ndikuar në mënyrë të pakthyeshme në situatë. Kush e di si do të përfundojë e gjitha kjo? Trump dhe ekipi i tij duken të sigurt në dijen e tyre për atë që po bëjnë.
Çfarëdo dramash që mund të ketë patur (ose jo) pas perdeve mes këshilltarëve të Trump-it, ato kishin të bënin me “renditjen” dhe jo me ritmin: pauza 90-ditore u parapri nga një vonesë e ngjashme 30-ditore për tarifat e mëparshme ndaj Kanadasë dhe Meksikës. Kjo u bë për të dhënë kohë për negociata, jo për t’i shmangur ato. Trump ka të paktën dy vjet për të realizuar qëllimet e tij.
“Dita e Çlirimit” nuk u shpall vetëm për ShBA-në, por për të gjithë botën. Jo vetëm që Ukraina “nuk i ka letrat në dorë”, por askush tjetër nuk i ka – përveç ShBA-së, e cila mbetet e vetmja që i shpërndan kartat në këtë lojë, duke thirrur të gjitha bastet. Dhe të gjithë e dinë që nuk duhet kurrë të vësh bast kundër shtëpisë – jo më kot, sepse kazinoja është në pronësi të gangsterëve më të mëdhenj. Trump nuk është as proteksionist, as izolacionist. Nëse është diçka, ai po tregon që epoka e përmbajtjes perandorake ka marrë fund. Nëse të gjithë do të përfitojnë nga perandoria dhe do të ankohen për të, atëherë Trump është i prirë të sillet si ashtu, si perandor, duke sjellë kryeneçët në rrugën e duhur – dhe delinquentët të japin llogari. Trump dëshiron të jetë bujar, por atij i duhet të vihet në pozitën për të qenë i tillë. Ajo që lehtësisht sykalohet është se sa shumë bota ka nevojë për të dhe dëshiron që ai ta bëjë këtë. Udhëheqja amerikane jo vetëm që është ende e mundur, por e domosdoshme.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, thotë se “paqartësia strategjike është çelësi i çdo negociate” dhe kështu lëkundjet e tregut janë të pashmangshme. Por në momentin e shkrimit të këtij teksti, bursat sakaq janë mëkëmbur. Rezistenca ndaj politikave të Trump-it vjen nga të gjithë ata që kanë njëfarë interesi në status quo-në që ai po përpiqet ta shkundë dhe ta përmbysë. Ai po e rinis lojën nga e para dhe të gjitha bastet e mëparshme nuk vlejnë më. Të gjithë jemi të shqetësuar, por disa janë më shumë të investuar se të tjerët. Trump po rrit bastin mbi ta dhe ata do të duhet të tërhiqen ose të rrezikojnë të humbasin gjithçka. Trump nuk po bën blof: se s’ka nevojë. Gjithçka që i duhet të bëjë është të vendosë rregull në shtëpinë e vet – dhe rezulton që mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është që të veprojë në skenën botërore, duke i dorëzuar politikës së brendshme një ekonomi globale të ristrukturuar si fakt i kryer.
Bessent deklaroi se, për brezin e kaluar, Wall Street-i ka ecur mirë, por tani ka ardhur radha e “Main Street”-it [ekonomisë së përditshme amerikane]. Ai thekson se ekonomia ka funksionuar për të përparuar vetëm 10% e shtresës më të pasur, ndërsa ka vepruar në dëm të 50% më të varfër që kanë humbur terren; ndërsa 40% të shtresës së mesme janë rropatur veçse të mos fundosen. Ai dëshiron që ekonomia t’u shërbejë 90%-shit dhe jo vetëm 10 apo 50%-shit. Nëse Amerika rrezikon të shpërbëhet, Trump ka ardhur për ta ndrequr atë.
Bessent e përshkroi goditjen e parë me tarifat si një shkoqitje e vendeve të botës në “tre grupe: aleat, neutral dhe armik” – ku Kina u ekspozua si një “aktore e keqe”. E gjitha kjo do të thotë vetëm se do të negociohet më fort me të, jo se do të shpallet një luftë tregtare e mirëfilltë – të cilën Kina nuk do mund ta fitonte. Por Trump po premton përfitime edhe për Kinën, ekonomia e së cilës ka po aq nevojë për ndryshim sa edhe ajo amerikane. Kjo nuk do të thotë që vendoset Kina në një pozicion armiqësor – përveç nëse ata vetë këmbëngulin – por ta trajtosh marrëdhënien në një mënyrë tjetër. Megjithëse Trump përdor retorikë me shumatore zero, ai nuk negocion sipas asaj logjike, por kërkon përfitim të ndërsjellë. Trump e konsideron që bota sakaq ishte në një luftë tregtare me ShBA-në, por ShBA-ja nuk ka qenë duke u kundërpërgjigjur. Por ç’kuptim do kishte që ShBA-ja ta “fitonte” këtë luftë? Ai mendon se kjo përplasje ka qenë në dëm të të gjithëve dhe se ai mund t’u shërbejë më mirë jo vetëm interesave të ShBA-së, por edhe atyre të palëve të tjera. Analogjia me “luftën” ndoshta nuk është e përshtatshme, sepse ka qenë një marrëdhënie parazitare që po e vret ngadalë bartësin – por nëse kjo lejohet të ndodhë, kjo do të marrë zvarrë poshtë gjithë botën bashkë me të.
Kush janë aktorët kryesorë? ShBA-ja, Kina dhe Europa (e tillë siç është) – pjesa tjetër e botës thjesht nuk do të përpihet. Por Kina është si një majmun mbi shpinën e ShBA-së që e rëndon; dhe Europa është një krijesë e Luftës së Ftohtë nga ShBA-ja që tani mendon se ekziston mëvetësisht. E vetmja mënyrë që secila të bëhet njëmend vetvetja do të ishte përmes një bashkimi me tjetrën, kundër ShBA-së. Por asnjëra nuk i beson tjetrës më shumë sesa i besojnë ShBA-së. Dhe pastaj është Rusia: kur Europa sheh Rusinë, ajo sheh Kinën; kur Kina sheh Rusinë, ajo sheh Europën. Dhe tani SHBA-ja e Trump-it dëshiron të afrohet me Rusinë me një ofertë për normalizim si alternativë ndaj shndërrimit të saj në një kthinë të Kinës apo Europës. Kështu, ShBA-ja mbetet në një pozitë prioritare dhe të privilegjuar të aftësisë për të negociuar me të gjithë, veçmas e së bashku. Ajo gjithashtu mund të – ose të paktën të kërcënojë se do të – tërhiqet brenda hemisferës së saj dhe të lejojë Botën e Vjetër të përpijë vetveten. (Gjë që me shumë gjasa do të ndodhte pa ShBA-në – siç tregojnë gjitha luftërat e shekullit të kaluar dhe të tanishëm.)
Ashtu siç premtoi Trump, ulja e çmimit të naftës ka tharë aftësinë e Rusisë dhe Iranit për të zhvilluar luftë. Ata do të luten që t’i kthejmë nga buzë humnera. Nata e gjatë e tmerreve të degraduara të presidencës Biden po zhduket si një mirazh në mjegull me agimin e Epokës së Artë të re amerikane të Trump-it. Jo vetëm ShBA-ja, por edhe bota mezi pret të zgjohet nga ky makth.
Lufta tregtare nuk do të çojë në Luftën e Tretë Botërore; përkundrazi, Trump po punon për ta parandaluar atë. Mënyra se si po e bën këtë, sipas kritikëve të tij, është duke e çuar SnBA-në drejt “falimentimit”. Trump po shpall paraprakisht ShBA-në “të falimentuar”, jo për ta likuiduar atë, por për të rinegociuar kushtet me kreditorët e saj: siç ndodhte me kompanitë e tij, ata kanë interes më të madh që ShBA-ja të vazhdojë të funksionojë. Nëse ka diçka që është “tepër e madhe për të dështuar,” ajo është ShBA-ja. Duke parashikuar një mospagim, faliment të pashmangshëm, Trump po i vihet para punës. Ashtu siç bëri Nixon kur theu dhe rindërtoi sistemin Bretton Woods pas Luftës së Dytë Botërore duke e hequr ShBA-në nga standardi i arit; dhe siç bëri ngjashëm Reagan kur uli vlerën e dollarit duke marrë pajtimin e kreditorëve në Marrëveshjen e Plaza-s; Trump po synon të rivlerësojë dollarin në nivel ndërkombëtar për të mos e vendosur më ekonominë amerikane në disavantazh. Një përparësi që ka në këtë drejtim është se ShBA-ja në fakt është ndjeshëm më pak e varur nga tregtia ndërkombëtare sesa shumica e vendeve të tjera.
Dokumenti i bardhë i kryetarit të Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, Stephen Miran, që propozon një “Marrëveshje Mar-a-Lago,” është miratuar si një mjet drejt këtij qëllimi – nëse zyrtarisht apo jo, mbetet qëllimisht e paqartë. Miran shkroi se bota varet nga dy “mallra publike” të ofruara nga ShBA-ja: një monedhë universale për tregti; dhe siguri ushtarake globale. Kjo ka qenë dhe mbetet në interesin e ShBA-së, por kushtet u bënë të pabalancuara pasiqë bota u mëkëmb nga Lufta e Dytë Botërore deri nga vitet ‘60. Që atëherë, ShBA-ja filloi të mbartë një barrë të padrejtë në subvencionimin e vendeve të tjera, gjë që dëmton jo vetëm Amerikën por edhe vetë botën. Kostot e mbrojtjes janë përfshirë shprehimisht si faktorë në negociatat tregtare dhe Miran madje ka propozuar një tarifë përdorimi për dollarin si monedhë tregtare.
Investitori Ray Dalio sheh në krizën aktuale fundin e disa cikleve në fusha që kanë rezultuar të paqëndrueshme: financiare, tregtare, gjeopolitike dhe politike të brendshme – si brenda ShBA-së, ashtu edhe në shumë vende të tjera. Trump përfaqëson një transformim të mundshëm në të gjitha këto fusha, drejt një rendi të ri politik dhe ekonomik post-neoliberal. Alternativa është përpjekja për të shmangur ndryshimet e domosdoshme me një qasje me arna. Por loja tërhiq e mos këput është zgjatur sa ka mundur. Fatura ka ardhur për t’u paguar dhe Trump është i gatshëm ta paguajë – përpara se kostoja të bëhet e papërballueshme.
Por neoliberalizmi i konsensusit “bi-partiak” të brezit të fundit nuk qe thjesht një masë politike, por një formë e tërë komplekse politike, ekonomike, kulturore, madje edhe psikologjike e kapitalizmit. Ai ishte njëkohësisht një ndryshim nga dhe një vazhdimësi me formën e mëparshme të kapitalizmit në etapën e fundit të shekullit të 20-të. Çështje është karakteri i ritmit historik të transformimeve në kapitalizëm.
Trump gjithmonë ka dashur ta bëjë këtë: Që nga aludimet e tij të para për të kandiduar për President në fund të viteve 1980, Trump është ankuar për potencialin amerikan të shpërdoruar. Që ai po e vë në zbatim këtë pas dyzet vjetësh është diçka tipike për ndryshimet e mëparshme në kapitalizëm: John Maynard Keynes formuloi qasjen e tij para Luftës së Parë Botërore, por ajo u zbatua vetëm pas të dytës dhe në vazhdën e Depresionit të Madh; Milton Friedman mëtoi reforma në vitet 1940 në përgjigje të automatizimit, të cilat u miratuan pas krizës dhe rënies ekonomike të viteve 1970, në një epokë çindustrializimi. Këto ndryshime mbërritën me vonesë, për të përmbushur domosdoshmëri të kahershme të kapitalizmit. Të gjitha përfaqësonin nga një krizë politike që ndryshoi ideologjitë e partitë dhe rikonfiguroi elektoratet. Edhe pse u dhanë përgjigje për një gjendje të shkuar – rasti i Trump erdhi pasi Obama dështoi të përballej siç duhej me krizën pas Recesionit të Madh të 2008-ës – ato megjithatë vendosën kusht-themelet për të ardhmen.
Kam kaluar 10 vitet e fundit – që nga shfaqja e Trump si kandidat – duke vëzhguar agun e post-neoliberalizmit për të cilin Trump është shprehja. Është dashur gjithë kjo kohë që shpërfillja përçmuese ndaj Trump-it si një anomali e rastësishme të fillojë të zbehet. Por konfuzioni dhe frika vazhdojnë. Ezra Klein e quan Trump një “i moderuar radikal”, që do të thotë dikush që përdor mjete ekstreme – për shembull retorikë të roitur – për të arritur synime që në thelb janë të moderuara. Trump po ndjek ndryshime në mënyrë mjaft konservatore, por edhe kjo është e papërballueshme për një establishment kockë-ngrirë dhe një publik të trajnuar të ketë frikë.
Është shushatje marramendëse, por njeriu mund të gjejë pikëmbështetje për të ruajtur ekuilibrin, nëse është i gatshëm të hapë sytë ndaj shenjave të kohës: Trump, si buçitje nga e kaluara, është një ndërmendje se llogaritë me historinë nuk mbyllen lehtë me çmim të lirë. Një formë e kapitalizmit ka përfunduar. Është e përshtatshme që një disident nga periudha e tij e lavdishme të jetë ai që e ndryshon atë tani. Si Bernie Sanders, Trump është një figurë e Revolucionit Reagan të viteve 1980, që paralajmëroi për mangësitë e rrezikshme të tij, të cilat të tjerët nuk deshën t’i njihnin. E vjetra, në pamje të parë e vjetëruar, mund të dalë papritur si më aktualja, duke iu përgjigjur nevojave të së tashmes. Ajo që lypet është vullneti për ta bërë. Vullneti i Trump-it është tmerrësisht i patundur. Disa ndihen të ngazëllyer prej tij, të tjerë e kundërshtojnë me mosbesim, duke ngulmuar se është i pamundur. Por gjërat duhet të ndryshojnë – dhe do të ndryshojnë: në fakt, tashmë kanë ndryshuar.
Kur Jeb Bush e quajti Trump-in “kandidati i kaosit” një dekadë më parë në parapraket republikane të 2016-ës, ai donte të na paralajmëronte kundër dikujt që nuk do të respektonte ritet e rendit mbizotërues – apo thjesht besnikërinë ndaj partisë republikane. Por kjo shkoi shumë më tej: Trump është i gatshëm të flijojë gjithçka dhe cilindo për të bërë atë që ai mendon se është e drejtë. Është një moment “djegieje e anijeve” si ai i Kortesit, pa kthim pas, ku udhëheqësi i detyron ndjekësit e tij të ecin përpara për të pushtuar këtë botën e re që u është hapur përpara. Por nëse ata refuzojnë, Trump nuk do të ndihet fajtor për mosveprimin e tyre, ngase ai bëri gjithçka që mundi për t’i sjellë deri në atë pikë: tashmë do të jetë në dorën e tyre ta rrokin mundësinë.
Trump-it nuk i interesojnë medoemos fatet e Partisë Republikane apo as ato të votuesve të tij, pasi ata shërbyen thjesht për ta vendosur në pozitën nga e cila ai po vepron tani. Veprimet e tij kanë për qëllim benefitin për brezat që do të vijnë: janë për fëmijët dhe nipërit e votuesve të tij (dhe të të tjerëve), jo për vetë ata. Demokracia përfaqësuese do të thotë të zgjedhim politikanë që të ushtrojnë gjykimin dhe të marrin vendime në emrin tonë, jo të zbatojnë dëshirën tonë, të cilën vështirë se e dimë vetë sidomos kur bëhet fjalë për punët e shtetit. I vetmi mjet për zhgënjimin është t’i largojmë nga detyra përmes votës. Fakti që Trump nuk ka asgjë për të humbur si një “rosë çalamane” [president pa mandat tjetër] e përkeqëson problemin: nuk ka asnjë mënyrë për ta mbajtur përgjegjës përveçse me (një tjetër) procedim paditës për shkarkim dhe heqje nga detyra. Por kjo nuk do të ndodhë. Shumë nga ata që nuk ia miratojnë veprimet, nuk do të mbështesin largimin e tij nga pushteti. Dhe shumë të tjerë vazhdojnë të mbështesin atë që ai po bën.
A do t’ia dalë Trump-i? Paçka të gjithave, kjo mbetet e paqartë. Por ai do të përpiqet. Duam s’duam, tashmë jemi në këtë udhëtim. Asnjëherë nuk kemi pasur zë ndaj shoferëve – përveçse për t’i zgjedhur. Ben Shapiro ka thënë se asgjë nuk është e garantuar përveç aventurës në kapitalizëm. Janë kohë si këto që vënë në provë parimet themelore të shoqërisë së hapur, ku asgjë nuk është e sigurt dhe rreziqet janë reale. Ajo për të cilën mund të jemi të sigurt është se Trump nuk është një petk pa gjë. Ai ka marrë të drejtën dhe lirinë për të vepruar. E vetmja gjë që mund të merret si e dhënë është ajo që kontraktohet përmes një transaksioni midis palëve të interesuara – të paktën për aq sa vazhdon ndërveprimi i tyre. Trump është i bindur se gjithmonë ka marrëveshje për t’u bërë: ai mund t’i shndërrojë kundërshtarët e mundshëm në klientë; dhe interesi vetjak i ndërsjellë do të ngadhënjejë për ta fashuar marrëdhënien të qëndrueshme në fund.
Basti i Trump-it është që në këtë lojë të kush tutet i pari, të tjerët kanë shumë më tepër për të humbur dhe pak për të fituar nëse refuzojnë të tërhiqen. Në sfidën syngulur me kundërshtarët e tij, një gjë është e sigurt: ai nuk do të jetë i pari që do të mbyllë sytë. Apo të prishë besën: ai po zoton përkushtime për Amerikën dhe botën që do zgjasin ndër dekadat e ardhshme. Ai nuk ka asgjë për pasur frikë – dhe as ne nuk duhet të kemi.
Imazhi në ballinë: Sublation Mag