nyje.al | 04.04.2024
Ditën e sotme, Lëvizja Bashkë ka ndërmarrë një aksion në Bashkinë e Tiranës duke shkruar në muret e saj “Erion Veliaj shko te shokët”. Në fjalën e mbajtur, Mirela Ruko, aktiviste e LB dhe këshilltare bashkiake në Tiranë u shpreh se nën drejtimin e Erion Velisë ky institucion është kthyer në vatrën më të madhe të korrupsionit.
“Arrestimi i drejtorëve të bashkisë, ka qenë lajmi më tronditës i ditëve të fundit. Pesë drejtorët kishin bërë kërdinë duke vjedhur 30 milionë euro nga buxheti i bashkisë, për të ndërtuar hotele e vila luksoze, për të cilat dyshohet se është bashkëpronar edhe Erion Veliaj.”
Aksioni i aktivistëve të Lëvizjes “Bashkë” vjen pas arrestimit të drejtorëve më të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë, që po hetohen nga SPAK për vjedhjen e miliona eurove përmes tenderave. Kompania 5D e hetuar për pronësi de-facto nga Mariglen Qato, ish drejtor i IKMT, ka përfituar dhjetëra tendera nga Bashkia Tiranë apo institucione ndërvartëse. Në hetime të mëtejshme janë zbuluar lidhjet me drejtorë të tjerë si Redian Molla, Taulant Tusha, Deborah Keçi dhe Eglantina Zere. Dy të fundit janë pezulluar nga detyra ndërsa tre drejtorët janë arrestuar.
Lëvizja Bashkë duke ndarë fotot nga aksioni që ka marrë vëmendje të lartë në rrjetet sociale liston të gjithë ata që e vuajnë dhe e shijojnë vjedhjen sistemike që Bashkia e Tiranës e ka kthyer në model qeverisje. Teksa paratë shkojnë në xhepin e kryetarit dhe të drejtorëve të tij, shkruan “Bashkë”, ato vilen nga xhepat e qytetarëve të ndershëm.
“Ku shkuan paratë e qytetarëve? Në pak duar! Në duart e drejtorëve dhe të tuat, Erion Veliaj!
Po kush paguan në Bashkinë Tiranë? Paratë e grabitura nga ata, janë mundi i qytetarëve të Tiranës; janë detyrimet e paguara të prindërve, dyqanxhinjve, tregtarëve të vegjël dhe të ndershëm; janë puna e përditshme e të gjithë atyre që jetojnë përmes pagës ose pensionit, i cili në shumicën e rasteve është i pamjaftueshëm, por ata prapëseprapë i përgjigjen detyrimeve të tyre.”
Për këtë parti, që në zgjedhjet e vitit të kaluar, zuri vendin e forcës së tretë në kryeqytet, diskursi i kreut të Bashkisë Tiranë është manovër për të shpëtuar paq nga dënimi që ai meriton si kreu i strukturës kriminale që ka ndërtuar.
“Ndryshe nga ajo që thua ti, korrupsioni dhe përvetësimi parave publike nuk është thjesht shpërdorim detyre, nuk është përgjegjësi individuale, por është pjesë e një strukture të mirëorganizuar kriminale dhe ti je në krye të saj.”
Barrën e kriminalitetit të mveshur me pushtet e mbajnë qytetarët e Tiranës sipas Lëvizjes “Bashkë”. Janë ata që prej këtij institucioni kanë mbetur pa shtëpi, pa siguri, pa shërbime dhe me një përditshmëri në kushte të pashëndetshme.
“Ata që e pësojnë janë banorët e Astirit, që nuk kanë shkolla dhe çerdhe për fëmijët e tyre;janë banorët e 5 Majit, Astirit, Selitës, Freskut dhe Kombinatit, që i latë në qiell të hapur; janë banorët e Rrugës së Dibrës, Rrugës së Kavajës, Rrugës së Durrësit, Rrugës së Elbasanit, Komunës së Parisit e kudo ku ka ndërtime, që hanë pluhurin dhe betonin e kullave; janë qytetarët që rendin për të kapur urbanin, por ngecin në trafikun e çmendur të Tiranës; janë fëmijët që nuk gjejnë një park për të luajtur; janë ata që ju i sëmurët me ajrin e ndotur të Tiranës; janë qytetarët që zgjohen me zhurmat e pompave të ujit, ata që kthehen në shtëpi duke kaluar në rrugët e pashtruara dhe të pandriçuara të këtij qyteti, dhe ata që flenë me zhurmën e betoniereve!”
Nuk u deshën shumë minuta pas realizimt të aksionit që shënimet të fshiheshin nga punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Kalimtarë kanë ndarë imazhe në faqen në Facebook të “Bashkë” duke shfaqur muret teksa bojatiseshin.
Përgjatë aksionit, aktivistet e “Bashkë” u përplasën me policinë bashkiake që tentoi t’i ndalonte. Të pranishëm ishin edhe forca të tjera policore dhe punonjës civil, por për aktivistin Emiljando Kita, nuk ja dolën t’i ndalonin dot sepse ata po ashtu janë qyetarë mbi të cilët bie barra e vjedhjes.
“Ne, kundra tyre, ja dolëm! Ata nuk janë të motivuar në punën e tyre, paguhen keq dhe mbrojnë një hajdut si Veliaj. Ne jemi të vendosur në parimet dhe idetë tona, prandaj ja dalim, e do ja dalim.” – u shpreh Kita në rrjetin social Facebok.
Një foto që ka në objektiv një prej punonjëseve të Policisë Bashkiakë ka marrë vëmendje të shtuar në rrjetet sociale.
Përpos mureve, shënimin me mesazhin që Erion Veliaj duhet të shkojë në burg aktivistët e lanë edhe në makinën e parkuar në anë të Bashkisë Tiranë.
Imazhi në ballinë dhe në brendësi: Lëvizja Bashkë