Tribut William Butler Yeats-it

16.06.2020 | nyje.al 

Ky qershor shënon 155 vjetorin e vdekjes së poetit William Butler Yeats. Ai është konsideruar  si poeti më i madh i shekullit XX. Përpos krijimtarisë së tij poetike, ai ishte dramaturg e themelues i Teatrit Abbey ( Teatri Kombëtar i Irlandës), aktivist kulturor dhe i angazhuar në jetën politike të vendit, folklorist, mitolog e studiues i misticizmit oriental dhe atij perëndimor.

Prej ritmit, ndryshimeve metrike, rimave të brendshme dhe intensitetit lirik poezia e tij dukshëm dallohej që kishte marrë prej traditës poetike gaelike. Krahas lirizmit të tij poetik, poezia e Yeats-it huazonte lirshmërinë dhe drejpërdrejtësinë e të folurës së përditshme. Krijimtaria e Yeats-it në teatër ka po aq vlera sa poezia e tij, në jetën sociale dhe politike të Irlandës. I ndikuar nga teatri japonez No, arriti të gjejë nëpërmjet tij forma dramatike që ndërthurnin poezinë, dansin, muzikën dhe aksionin dramatik- gjithmonë në shërbim të një ideje sipërane. Themeluesi i fondacionit W.B Yeats, James W. Flannery thotë se për Yeatsin aktrimi ishte përpjekja për të mësuar sesi të arrijmë versionin më të mirë të vetes.

Themelues i teatrit të angazhuar politik, William Butler Yeats synonte në krijimin e një performancë gjithëpërfshirëse, sa dramatike aq dhe poetike me qëllim që të  krijonte një komunitet- në shoqërinë irlandeze aq të përçarë dhe të polarizuar sa ç’ishte gjatë jetës së tij.
Prej dëshpërimit që ndjente për shkak të dështimeve në krijimtarinë e tij letrare dhe prej gjendjes politike të vendit, ai u tërhoq nga skena politike. Në vitin 1923 iu dha çmimi Nobel me motivimin “për poezinë e tij gjithëherë të frymëzuar e që shpreh shpirtin e një kombi të tërë.”
Më poshtë ju sjellim tre poezi të tij shkëputur nga antologjia në shqip, publikuar nga shtëpia botuese “Aleph”(2017), përkthyer nga Idlir Azizaj. Publikimi i tyre bëhet me leje të shtëpisë botuese ”Aleph”.

Takim
Ngase qeveria ma shpifi vërtet
Kapa dhe flaka një degë të thyer
Deri atje ku ketri i pabindur hovet vetë
Aq i këndellur në të kërcyer.
Dhe me atë tingullin e vogël dënesëtar
Që të kujton të qeshurën, hovi dhe një herë
E me një vrik sakaq e të pema përballë.
Nuk ia ngjizi vullneti me vlerë
As rrudhja e vetullave si errësirë,
As mendtë e hairit si gjetkë
Nuk ia pollën atë dhëmb presë e gjymtyrë të dlirë;
Jo sajë tyre kërceu ai lart e qeshte në degë
Ndaj asnjë qeveri s’e kish me sy të mirë.

Pleqtë adhurojnë pasqyrimin e tyre në ujë
Dëgjova të thonin ca pleq, po shumë pleq:
“Gjithçka ndryshon,
E një nga një cofim si dreq”.
Anës ujit
Jua pashë duart si putra, me kurriz
Gjunjtë e gungosura si nyjet në murriz,
Dëgjova si thonin ca pleq, pleq shumë,
“Çdo gjë e bukur shket përtej si
Uji në lumë!”
Ah, mos e shty gjithë jetën duke dashuruar!
Ah mos e shty gjithë jetën duke dashuruar,
Unë gjatë mbeta vetë i dashuruar
Aq sa s’isha më në modë,
Si një këngë e harruar.
Ndërsa kalonin vitet e rinisë
Për ne dallime s’kishte më
Mundimet kujt i përkisnin
Se ne dy ishim një.
Ah, por brenda minutit ajo ndryshoi-
Ah, mos e shty gjithë jetën i dashuruar,
Ndryshe s’do jesh më në modë,
Si një këngë e vjetëruar.

Lundrimi drejt Bizantit
Në ktë vend s’ka më vend për pleqtë. Rinia
Në përqafime mes veti, zogjtë nëpër pemë,
– Ato breza në shuarje- pastaj ajo melodia,
Ujëvarat e salmonit, dyndja e skumbrit në det;
Nga peshku, mishi apo shpeza gjithë verën lavdia
Këndon çka pjell, çka lind e mandej vdes.
Kapluar nga një muzikë plot ndjesi
Gjithë monumentet e braktisura të intelektit pa pleqëri.

II.
Pleqëria e bën shpirtin e lig;
Je një shkop me zhele sipër, veç
Në shpirti këndoftë e duar-troket, në i këndofshin bulçitë
Për secilën zhele në petkat që vdekja ha;
Se as shkollë kënge nuk ka, por vetëm leksione
Mbi monumentet e madhështisë së saj.
E kësisoj lundrova deteve me ardhë
Në qytetin e shenjtë në Bizant.

III.
O mençurakë pranë zjarrit që Zoti e shenjt
Si në mozaikët e artë mbi mur,
Dilni nga zjarri i shenjtë, përdridhuni në hell,
Bëhuni mjeshtri që këngën e shpirtit tim thur,
Ma digjni zemrën! Nga dëshira i sëmurë
E përngjitur një kafshe vdekatare
Ky shpirt as veten s’njeh; e më fusni të gjithë
Brenda artificës së përjetësisë.

IV.
Sa të braktis natyrën, kurrë s’do të ketë
Trupi im formë të lidhur me sendet natyrore,
Por formën që sajojnë farkëtarët grekë
Me ar të rrahur e smalto përrallore
Të mbajnë zgjuar Perandorin kur drejt gjumit shket;
Ose i varur trupi te një degë e artë t’u këndojë prore
Zotërinjëve e damave në Bizant
Për gjërat e shkuara, të sotme, e ato ç’kanë me ardhë.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje