Tri histori emigrimi: Rrugëtime, shtëpi, ngecje

Nebi Bardhoshi | 18.05.2024 | nyje.al

Do të parashtrohen tri histori, të cilat lidhen me emigrimin e pas viteve 1990. Pas parashtrimit do të bëj një reflektim të shkurtër antropologjik. 

I shpronësuar, tokë shteti, shtëpi me anza 

AC është rreth të 80-ve. Ka mbaruar së kosituri një parcelë aty pranë. Është maj 2009, prag zgjedhjesh të përgjithshme. Ulemi për kafe dhe biseda zë fill për tokën, shtëpinë, fëmijët. Pjesë e kësaj bisede është procesi i “të ngulurit këtu”. Fjalia “të ngulurit këtu” shpreh stacionin final të shpërnguljes. AC kishte lindur buzë Drinit, aty ku ndan kufiri i Kukësit me Pukën. Tokën dhe shtëpinë ia zë uji pas ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës. Në vitin 1976 familja e tij vendoset në fshatin Fajzë të Hasit. Fshati Fajzë krijohet nga shteti socialist dhe ka të gjithë parametrat e një fshati socialist. Banorët thonë se në atë kohë kishte më shumë se 60 mbiemra të ndryshëm. Ata vinin nga ish-të përmbyturit nga Drini. 

Në vitin 1991, teksa ndahet toka, banorët e Fajzës ndeshën vështirësi, ku shumë prej tyre ishin në pamundësi që të merrnin tokën bujqësore sipas ligjit. Shkak ishte fakti se vetë fshati ishte ndërtuar në tokën e përbashkët [mera] të disa lagjeve të fshatit Vranisht, të cilët nuk vonuan t’u thoshin se tashmë duhet ta lëshonin këtë tokë: “Keni ardhur me leje të shtetit, por jo tonën”. Shumëkush ka shmangur konfliktin, sidomos kur shteti të jep diçka që kulturalisht s’ka kuptim [pra shteti jep tokën e fshatit, duke e konsideruar si të veten]. 

AC ka marrë veç pak para si çmim të dhënë për shtëpinë. Rikthimi ndodhi në fshatin e bashkëshortes. Për pak kohë, pasi edhe aty nuk ishte e mundur për të vazhduar, pasi fshati ishte i varfër, pak tokë buke, dhe përbuzje shtesë si për një “kollovar”. Pas protestave të zhvilluara në Kukës, qeveria Meksi u njeh të drejtën e kompensimit të banorëve që nuk ishin shpronësuar për tokën që ua kishte mbuluar Drini. Me një vendim qeverie banorët do të merrnin rreth një dynym tokë, dhe me pak më tepër fat edhe një kredi për ndërtimin e shtëpisë. AC vendosi një ditë që të shpërngulej në Tiranë. Për të ndërtuar shtëpinë merr anza. Anzat janë ato pjesë të jashtme të trungut që kanë tepruar në procesin e nxjerrjes së dërrasave. Pra, njëra anë është lëvozhga e trungut, në anën tjetër është prerja me sharrë. Këto anza më shumë ia fal një mik, e pak prej tyre i blen. Flet me një shofer se kur e ka rrugën për në Tiranë. Vjen dita për t’u nisur për në Tiranë dhe për 12 orë ia dalin të mbërrijnë në fshatin ku jetojnë sot. Dikush del dhe i tregon pak  a shumë se ku me ngul. AC e kujton se kishte gjithsej vetëm 1000 lekë. I hoqi nga xhepi për t’ia dhënë shoferit, por ai nuk kishte pranuar të merrte asnjë lek. Për të ndërtuar strehën e parë me anza u ndihmua nga gjithë komshinjtë. Sot gjithë fëmijët e kësaj familjeje janë të shpërndarë nëpër vende të ndryshme. AC s’ka hequr as buzëqeshjen, as punën, as mirënjohjen. 

I punësuar, ikje prej frikës, nga kriza në krizë

Jemi ulur në avion. BD më kërkon t’i hap pak vend që ai të mund t’i japë sanduiçin vajzës, të cilën e ka diku më tej në avion. Shkëmbejmë batuta mbi prindërimin dhe fëmijët. Kështu zë fill biseda. BD ka ikur nga Shqipëria me 14 shtator 1997. Po atë ditë, unë kujtoj se mu desh të vija në Tiranë, sikurse edhe mu desh të ikja, për shkak të protestave të qytetarëve për vrasjen e Azem Hajdarit. Në vitin 1998, BD kishte qenë në punë kamerier. Më parë kishte punuar pak kohë si infermier, por fitimi si kamerier ishte rreth 3 mijë dollarë në muaj, pasi punonte në një prej kafeve më të frekuentuara në Tiranë. E kujton me të qeshur se sa lehtë hidhej paraja në ato vite. Pastaj vijon tregimin: “Sapo isha bërë baba. Më kishte lindur djali. I thashë bashkëshortes që nuk mund ta rrisim djalin këtu. Edhe babai ishte dakord dhe tha – ju duhet të ikni, ne si pleq do t’ia dalim disi. U nisa për në SHBA. Ma hodhën në fakt, sepse ngeca në Gjermani. Nja tre muaj më mbajtën me mashtrime. Nuk vuaja, se në hotel isha vendosur, por më vinte plasja se si ma hodhën. Kisha marrë gjoja një pasaportë italiane, me shpresën për të vajtur në Amerikë, por nuk ia dola. Atëherë vendosëm të shkonim në Torino. Atje na ecën punët shumë mbarë. Për një javë gjeta punë si infermier. Gjeta shtëpi, bëmë letrat, futëm fëmijët në shkollë. Por pas 12 vitesh erdhi kriza në Itali. Ra niveli i jetesës dhe vumë re se nuk po kursenim dot më. Më pas erdhëm në Shtutgart. Filluam punë pa problem. Na eci mbarë deri tani. Por tani Gjermania është duke u bërë si Italia. E ka kapur kriza dhe Gjermaninë. Tash kam vendosur që të dal në pension këtej sido që të shkojnë punët. Por nuk ia dal dot të marr pension të plotë, sepse për një vit e gjysmë nuk e arrijë dot numrin e viteve të kërkuara këtu për pension të plotë. Ndërkohë, kam humbur vitet e Shqipërisë, por edhe rreth tre vitet e para të Italisë nuk më njihen. Këtë javë kam ardhur për pushime në Shqipëri. Jeta në Gjermani ka shumë stres. Gjermanishten nuk arrita ta mësoj si duhet. Njerëzit janë të ftohtë, sidomos sapo marrin vesh se nga vjen. Jemi të përbuzur. Nuk ta thonë, por e ndjen. Italianët ta thonë ndryshe. – Ti nuk dukesh si shqiptar!!!”.

Biseda filloi të mbyllej kur avioni kaloi më shumë se një orë e gjysmë udhëtim. Kapiteni nga tha veç një orë e gjysmë. Më pas zgjatet nga dritarja dhe tregon se ku jemi. Tani në Lezhë po rrotullohet Ishmi.

Të ngecim, ku të ngecim!

Jam rrugës për në Skrapar. Sapo kam kaluar Poliçanin, një grup fëmijësh ma bëjnë me dorë që t’i marr në makinë. Janë tre djem që janë duke shkuar në lumë për t’u larë. Pamja njerëzore përputhet me peizazhet e kujtesës së fëmijërisë sime, ndaj është si një takim simbolik me atë kohë, edhe humori me plot shpotitje mes shokëve është i ngjashëm. Në bisedë dëgjon për zënien e peshqve nëpër guva të ndryshme me duar, për hedhje nga lartësi të ndryshme, për frikërat e secilit, për guximin, për rivalitetin në mes grupeve të ndryshme. Lumi ka një toponimi intime, plot vende sprovash dhe lojërash, ka vende të rrezikshme e vende ku mund të lahet kushdo, e kështu vijon rrëfimi mbi lumin, fëmijërinë e rininë e zonës.

Pak para se  të ndaheshim, pyetja ime, se çfarë shkolle bëjnë dhe nëse kanë ndonjë plan për studime universitare, pasoi fillimisht me një heshtje. Për universitetin më dhanë shembuj që nuk ia vlen më, pasi kushdo e merr dhe në fund fillojnë punë ata që kanë miq dhe përkrahje nga dikush tjetër, e jo pse kryejnë studime. Menjëherë njëfarë rrëfimi pesimist e kotësues për dijen, por edhe me dilema. Njëri prej çunave mendon se ia vlen të shkohet edhe për studime të larta, por ky njeri flet tashmë me më shumë droje. Më i rrituri ia shkrep se do të ikë jashtë shteti. Kur e pyes se në cilin vend mendon të emigrojë, përgjigja është – ku të ngecemi. Disi më bashkohet imazhi i rrjedhës së lumit, ngecjes së prurjeve të tij në brigje, e ndryshimit të këtij shtrati sipas forcës dhe ritmit të rrjedhës së tij. Por, ndërkohë, kjo mënyrë e të imagjinuarit të ikjes për në një vend tjetër, sikur i ka hequr vendet e mbërritjes si vende shprese.  

Reflektime antropologjike mbi shoqërinë dhe emigrimin

Rrëfimet mbi emigracionin janë pjesë e përditshmërisë në shoqërinë tonë dhe shprehje e përvojave shndërruese. Çka dëshmohet në secilën histori është dukuria e lëshimit të vendlindjes, por edhe e ridimensionimit të kuptimit e domethënies së saj. Ndryshe kujtohet vendlindja kur je në kërkim, ke arritur në “një vend” tjetër për një jetë më të mirë, apo thjesht sa për të ikur prej vendlindjes. Pra, këto tri histori na dëshmojnë më së pari për “vendlindjen”. Pastaj shikon kërkesën që të themelohet një vendmbërritje. Për vendmbërritjen shfaqen tri pamje. 

Rasti i parë na dëshmon se brenda një periudhe jo më shumë se 20-vjeçare ndryshuan katër troje. I pari, si zhvendosje prej shtetit, për t’i lëshuar vend ndërtimit të një hidrocentrali. I dyti, për t’i lëshuar vend “kthimit të tokës” sipas zakonit, i treti, si kalimtar në vendlindjen e bashkëshortes. E në fund shfaqet një vendmbërritje në një truall të përcaktuar prej shtetit. Ka familje të tjera që nuk janë lejuar as në truallin e caktuar nga shteti, por ky nuk është rasti. Në bisedën e fundit që pata këto ditë me rrëfyesin e kësaj historie, s’ka më dilema se shtëpia e fundit është dhe stacioni i fundit, kur bëhet fjalë për këtë botë. Dilema ka për vendvarrosjen. 

Rrëfimi i dytë është një cikël që ndjek ritmin tjetër të krizave. Po shtoj diçka në këtë histori. Prindërit e rrëfyesit erdhën nga Shijaku në Tiranë gjatë viteve 1960. Kurse ai, bashkë me të shoqen, lanë Tiranën, për shkak se nuk e patën të ardhmen e sigurt, sidomos për djalin e sapolindur. Nuk shkuan dot në SHBA, patën fat në Itali deri sa aty u takuan me krizën e radhës në ekonominë italiane. Tash jetojnë në Shtutgart, por kanë dëshirë të kthehen për pushime e ndoshta për pleqërim në Tiranë. Rrëfimi do të mbyllej si vijon – “kam dëshirë të vij me makinë. Kur jam duke ardhur në Shqipëri nuk e ndjej gjatësinë e rrugës, por nuk më bëhet të kthehem me makinë se udhëtimi më duket tepër i gjatë”. Shtëpia e braktisur shikohet si pikë ku mund të ndodhë rikthimi. 

Rrëfimi i tretë dëshmon për kureshtinë, pasigurinë dhe energjinë e të riut. Në këto rrëfime s’ka mëdyshje se duhet ikur, por se ku nuk dihet. Një gjë dihet, se këtu nuk rrihet. Se ku do shkojmë, përgjigjja është ku të ngecemi.