Nëse jeni i/e dhënë pas raportimit gazetaresk nga këndi i/e qytetarit/es të angazhuar, keni pasion reportazhin apo vokacion të adresoni shqetësimet e komuniteteve të përfshira në organizime kolektive politike, protesta dhe rezistenca në qytete dhe fshatra të Shqipërisë aplikoni në thirrjen tonë për gazetar/e. 

Autori/ja që po kërkojmë presim që të angazhohet me kohë të pjesshme pranë redaksisë së Nyjes, duke bashkëndarë ide dhe duke shkruar për çështje të rëndësishme sociale, kulturore dhe politike të qytetit dhe vendit. Raportimet e tij/saj do të kenë si indicie të parë zërat dhe shqetësimet e komuniteteve dhe banorëve në raport me shtetin, bashkinë, subjektet private apo institucione të tjera që trazojnë jetët e tyre. 

Si redaksi e themeluar nga aktivistë të qytetit të Kamzës kërkojmë që ai/ajo që do t’i bashkohet redaksisë sonë të ketë ndjeshmëri të lartë ndaj çështjeve në Kamëz dhe njerëzve që e banojnë atë. Autorët e Nyjes, njëherazi dhe aktivistë të Grupit Ata do t’ia lehtësojnë punën në redaksi gjatë gjithë kohës së angazhimit, me ndihmë, orientim dhe trajnime ad-hoc të vazhdueshme në mënyrë që përshtatja të vijë sa më lehtë për kandidatin/ten. 

Më shumë sesa gazetari e vrullshme, synojmë që të përcjellim hulumtime, raportime, analiza të shtrira në kohë me tematikë diverse, të cilat ia ndihmojnë qytetarit të  kuptuarit të proceseve të jetës publike si dhe që mbajnë në gjendje llogaridhënieje të vazhdueshme institucionet lokale dhe ato qendrore. 

Nëse jeni student/e i/e gazetarisë, letërsisë apo shkencave të tjera humane me interes në të shkruarit dhe raportimit 

ose

Nëse keni mbaruar studimet dhe kërkoni të profilizoheni në gazetari komunitare 

Aplikoni duke na dërguar materialet e mëposhtme:

Jëtëshkrimin tuaj (max 3 faqe) 

Letër motivimi (500 fjalë) 

dhe një produkt gazetaresk tuajin (në rastet kur aplikohet),

brenda datës 20 janar 2024,

në adresën tonë

*Ruajmë të drejtën që për raste përjashtimore të pranojmë aplikantë/e nga qyteti i Kamzës që nuk i kanë kriteret e mësipërme por që tregojnë gatishmëri dhe vullnet të jashtëzakonshëm për t’u përfshirë në gazetari komunitare.  Në këtë rast na kontaktoni fillimisht në këtë numër: +355684197531