Thirra - Një etnografi e shtetit grabitqar dhe të kapur

Nebi Bardhoshi | 06.04.2024 | nyje.al

Në mëngjesin e së hënës së një prillit mbërritëm te Çadra e vendosur nga banorët e Thirrës. Kjo çadër është vendosur si shenjë dhe si vendqëndrim për të ndaluar vijimin e punimeve të firmës që po merr përroin në Luginën e Qarrit, me qëllim ndërtimin e një hidrocentrali. Përroi është degë e lumit Fan. Aktivistët e Zall-Gjoçajt e të Grupit ATA, artistë, gazetarë iu bashkuan banorëve të Thirrës në shenjë përkrahjeje. Është ende festa e Pashkëve, por banorëve u duhet të qëndrojnë në këtë çadër. Thirra është fshat vendosur në krye të luginës së lumit Fan, pjesë e krahinës së Mirditës, ose, thënë ndryshe, Thirra është në krah të djathtë të tunelit, teksa vjen nga Kosova. Nga ana ligjore, zona ku merret uji është zonë e mbrojtur, pjesë e Parkut Natyror Munellë dhe në këtë ujë do duhej të pinin shumë kafshë të egra, e ndër ta edhe rrëqebulli i Ballkanit, që është një specie në zhdukje. 

Yshtur prej logjikës së kotësimit, logjikës burokratike dhe korruptive, përfaqësues të shtetit do të kenë menduar se “s’ka ngelur kush për të kundërshtuar” në këto anë. E ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet se përse qeveritë e majta e të djathta dhanë leje koncensionare për hidrocentrale dhe për aktivitete të tjera, që bazë kryesore të aktivitetit kanë burimet natyrore. Shumica e tyre ndodh në zona të thella malore thuajse të braktisura. Është harruar se fshati është zonë e banuar më shumë prej kujtimeve të së shkuarës brendashkruar në kulturë, se sa prej së tashmes. Po ashtu, është harruar se fshatrat, së paku për një gjeneratë, rrinë me pengun e braktisjes e me shpresën e rikthimit. E, ndoshta, termi të “braktisura” më shumë shkon kur flitet për mënyrën se si shteti sheh këto zona. 

Edhe njëherë Thirra na dëshmon një projekt për të marrë ujin, që dikur gëzohej në mënyrë të përbashkët nga komuniteti. Uji merret në një zonë të mbrojtur nga ligji shtetëror, banorët nuk pyeten, nuk dëgjohen teksa protestojnë. 

Në vijim do të shënohen disa lexime dhe interpretime që frymëzohen nga antropologjia e ligjit dhe e shtetit. Teorikisht, leximi etnografik është prirë nga disa prizme. Së pari, është parë me sytë e dualitetit ligjor, përkatësisht, të ligjit kanunor dhe atij shtetëror. Më pas analiza pikëtakohet me vështrimin e Bauman, sipas të cilit shteti-komb ka ardhur duke përjetuar një ndarje në mes shtetit dhe kombit, tezë kjo e lëshuar te libri Monderniteti i Lëngët¹. Kësaj teze i bashkohet ftesa teorike e James Scott, zhvilluar te libri Seeing Like a State². E gjithë kjo përmblidhet në kritikën e zhvilluar nga antropologia Kriti Kapilla në librin Nullius: The Anthropology of Ownership³, Sovereignty, libër i cili ndihmon për ta analizuar sjelljen dhe praktikën e pushtimit nga shteti. Në tekst kam përdorur qëllimisht shtetin e kapur-grabitës, si një kategori e shtetit pushtues, jo thjesht resurseve por edhe vetë shoqërisë. Nganjëherë ka qenë përvoja etnografike që më ka çuar te teoria, e herë ka qenë teoria që më ka ndihmuar të shquaj më mirë. 

Gjyqësori, shteti dhe politika e privatizimit të rrjedhave të ujit

Dhënia e lejes për ndërtimin e HEC-it është bërë në vitin 2017. Më parë, në vitin 2016, ishte dhënë një leje për ndërtimin e një fabrike të ujit të pijshëm4. Në vitin 2021 banorët e zonës protestojnë publikisht. Policia arreston dhe shoqëron në komisariat më shumë se 30 prej protestuesve. Banorët nuk u dorëzuan dhe ia dolën ta ngrenë çështjen në gjykatë brenda këtij viti. Përveç gjykatës, banorët iu drejtuan edhe institucioneve të tjera shtetërore, si p.sh., Këshillit të Basenit Ujor, Mat, për të korrigjuar pasaktësitë që ishin vërejtur në veprimtarinë e këtij institucioni. Gjykata ka vendosur në favor të banorëve, duke iu referuar kryesisht së drejtës mjedisore dhe asaj proceduriale5. Ademi, që ka përjetuar të njëjtën eksperiencë, ku vendimet e gjykatës nuk zbatohen në rastin e Zall-Gjoçajt, shtron sërish pyetjen – nëse institucionet shtetërore nuk zbatojnë vendimet e gjykatës, çfarë duhet të bëjmë ne? 

Në një botë shtetërore të frakturuar, ku institucionet nuk zbatojnë vendimet e gjykatës, a mund të flasim për një potencial të të pasurit shtet të së drejtës? Sigurisht që jo. Por pyetja që e pason këtë është: ç’lloj natyre shtetërore është ngjizur tashmë? 

Çështja e moszbatimit të vendimeve të gjykatës dëshmon për një dimension tjetër që po merr sistemi social-politik në Shqipëri. Kur vendimet e gjyqësorit janë në favor të të fortit vendimi zbatohet pa mëdyshje. Madje, ka raste që policia ndërhyn pa pasur vendim gjyqësor apo në favor të të fortit. Kur gjyqësori vendos në favor të të dobëtit, të atyre me më pak pushtet, vendimet nuk zbatohen. Shoqëritë që zbatojnë ligjin vetëm për të fortin nuk kanë të bëjnë aspak me shoqëritë e drejta. Dikush mund të thotë se ai lindi si grabitqar, por, në fakt, shteti demokratik ndryshon prej “atij grabitqar” kur i bëhet krah së drejtës. E, në të shumtën, e drejta shkon nga i dobëti, sepse atij/atyre u shkelen më lehtësisht të drejtat. Në fakt, shteti aktual në Shqipëri është grabitqar dhe i kapur, ose anasjelltas.  Kapur, prej Partisë në pushtet, dhe partia e kapur prej oligarkisë së partisë dhe oligarkisë ekonomike. Kjo natyrë e shtetit të kapur -grabitqar është shfaqur dhe do të shfaqet hapur mbi burimet natyrore. 

Mënyra se si po sillet shteti në rastin e Thirrës është dëshmi e kësaj gjendjeje shtetërore, ku shteti, apo një pjesë e shtetit është kthyer në instrument pushtimi të burimeve natyrore dhe poshtërimi ndaj banorëve. E nuk teprohet po të thuhet se është bash kjo politikë e shndërruar në industri përçmuese ndaj qytetarit të vet që ka sjellë shpopullimin. 

Mbi të përbashkëtën dhe të drejtën komunitare

Veç Thirrës, fshatrat e tjerë që u prekën nga ndërtimi i hidrocentralit janë fshatrat Hebë dhe Xhuxhë. Për secilin fshat është ndaluar një përrua. Këta fshatra janë pjesë e një zone etnografike, ku ka qenë zbatuar kanuni i Lekë Dukagjinit. Ky kanun u ndalua që të zbatohej, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Akoma më saktë,  ky ligj zakonor u kufizua rreptë nga fundi i viteve 1960. Por, edhe më parë, pra që kur u themelua shteti shqiptar, zunë të merren territore nga kanuni i Lekë Dukagjinit dhe nga çdo e drejte tjetër që nuk ishte shtetërore. Kjo është një sjellje më se e zakonshme e shtetit modern. Por shtetet moderne ndryshojnë mes tyre se si sillen në totalitet me “zakonet e vendit”. Këtu nuk do të hyjmë gjatë në këtë temë, por kjo mbetet temë qendrore, padrejtësisht e anashkaluar dhe shpërdoruar në debatin publik dhe shkencor.  

Si është rregulluar përdorimi dhe gëzimi i ujit, që kanoset të futet përfundimisht në tuba?

Deri më sot uji është ndarë me vadë, për secilën shtëpi. Secila shtëpi e fshatit dhe lagjeve përkatëse ka pasur ditët që kishte të drejtë të vadiste. Vada rregullohej me ditë, sipas tokës. Kush lëshoi tokën dhe shtëpinë dhe emigroi ia la hisen e ujit atij që mori tokën dhe shtëpinë në ruajtje a përdorim. Kush u kthye rimori ujin, që dikur e kishte pasur sipas zakonit të vendit. Vija e ujit rregullohej kolektivisht. Në varësi të ditëve që kishte secila familje për të vaditur, aq i përpjesëtohej gjatësia e vijës së ujit që kishte për ta riparuar çdo ditë. Vendi ku kthehej përroi e futej nëpër vija rregullohej së bashku, në mënyrë që askush të mos kishte kundërshti e as pabarazi. Nga data 15 maj e në vijim fillonte radha. Kush shkelte radhën kishte gjobë. Kush pranohej në katund fitonte ose jo të drejtën e vadës. Kushdo që dilte në stane kishte detyrime për të ndjekur vadën atje lart, por edhe të ndërtimit të rrugëve, të lëshimit të bagëtive ose jo për të pirë ujë, kohën, stinën. 

Të gjitha këto praktika e norma zakonore përfshihen pa asnjë hezitim në kategorinë e njohur nga e drejta civile shtetërore “zakone të mira të vendit”. Por, ndërkohë, shteti ka shpallur monopolin pronësor mbi çdo burim uji e rrjedhe, e cila nuk ishte brenda pronës private. Këtu fillon paradoksi i privatizimit faktik, që fshihet nën petkun e praktikave koncensionare. Tani përrenjtë e lumenjtë trajtohen sikur nuk kanë pasur asnjë lidhje pronësie, por vetëm praktikë gëzimi e përdorimi, prej të cilave shteti nuk njeh detyrimin ligjor që të pyesë komunitetet si ish-pronarë. 

Shteti i kapur-grabitqar dhe prodhimi i të huajit në vendin e vet

Si thoshte Lleshi, më i moshuari ndër protestuesit, “më ka humb rruga në oborr, më është fikë flaka e pishës…!”. Rruga humbet në oborr, kur humbet të drejtën, ku s’ke ku i gjen kuptim padrejtësisë. Ka shumë padrejtësi që njeriu ndesh në jetë, por kur ndeshet edhe në padrejtësi edhe të pakuptimtë, ajo shumëfishohet si përjetim. Si mund t’i jepet kuptim asaj që dikush ka të drejtë të përvetësojë gjithë burimin e ujit? Ka qenë dhe është jashtë e kundër çdo kodi zakonor e, në parim, edhe shtetëror, që dikush të ketë të drejtë të përvetësojë burimet ekzistenciale. Qoftë ky dhe pushtuesi. Ndaj, betejës për burime ekzistenciale i shtohen beteja të tjera shpirtërore, si ajo për drejtësi, e bashkë me të, edhe nevoja me kuptu, me i dhënë domethënie. Një shpjegim është “fikja e flakës së pishës”. Shuarja e flakës së pishës ka shumë kuptime, po një prej tyre është kur mungon trashëgimtari. Mungesa e trashëgimtarit mund të shihet në shumë linja kuptimore. Nganjëherë vetë e eviton praninë e trashëgimtarit, sepse nuk kërkon që ta përfshijë në konflikte. E kjo vihet re qartë në rezistencat që po ndodhin në mbrojtjen e lumenjve prej grabitjes. Nga ajo që kam mundur të vërej dhe të kuptoj, del se fakti që kemi të moshuar që rezistojnë nuk është se mungojnë fare të rinjtë. Por janë prindërit që shumë herë kërkojnë që të rinjtë të mos përfshihen në konflikte. Pra, është një “fikje e pishës”, me qëllim për të evituar më të keqen, se dihet mirë se po u lanë të rinjtë të përfshihen në konflikte, nuk dihet se ku ndalojnë. Aq më tepër në një shtet të kapur e grabitqar, që nuk e ka për gjë që një konflikt për burimet e jetës ta shndërrojë në një konflikt për motive të dobëta, apo për motive primitive. Ndaj, duket se këta zëra në moshë nuk janë thjesht zëra të një zone të braktisur, por janë zëra prindërimi, që presin të dëgjohen. 

Një tjetër banor, Pashku, na tregon si rrjedhë të jetës jo vetëm rendet e jetës së bashku, përfshirë ujin, tokën, kullotat e stanet. Ndër të tjera, vjen çështja e  shkatërrimit të shtëpive në lagjet e Tiranës nga shteti për të ndërtuar pallatet. Të afërm të Pashkut tashmë janë në kufi me zonën e pallateve që po zgjerohet. Sërish shfaqet shteti në krah të të fortit, si i kapur, si grabitqar. Atij që nuk emigroi i merret uji, atij që shkoi në qytet i rrezikohet shembja e shtëpisë. Dhe, vijon më tej Pashku vetë, pa e shtyrë njeri –shkurt me u ba i huaj në vendin tand! Me sa duket ky është produkti kryesor që prodhon një shtet i kapur dhe grabitqar – shndërron vendasin në të huaj.

Referenca

1-Bauman, Zygmund. 2017.  Moderniteti i Lëngët, Tiranë, Pika Pa Sipërfaqe. 

 2-Scott, James. 1998. Seeing Like a State: How Certain Schemes to Improve the Human Conditions have Failed, Yale University Press

3-Kapilla, Kriti. 2022. Nullius:  The Anthropology of Ownership, , Sovereignty, HAU-Books. 

4-Me dt.  07. 11. 2016, u miratua VKM paraprake nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për zhvillimin e një projekti për pasjen e një Fabrike imboltimi uji të pijshëm. Pasuar me vendime të tjera paraprake që gjetën miratim me Vendimin Nr. 56, dt. 07. 11.2016.  Ndërsa me Vendimin Nr. 07, dt. 21.02.2017, u dha leja për ndërtimin e hidrocentralit mbi përrenjtë e Kumbullës, Menës dhe Qarrit, degë të lumit Fan. 

5-Shih Vendimin e Gjykatës Administrative, Nr. 396, dt.24.02.2023.