“They’re killing us”, manifestim për drejtësi për vrasjen e 22-vjeçares keniane Joy Ayoko

Ronald Qema | 21.02.2023 | nyje.al

“They’re killing us! They’re killing us! They’re killing us! (Po na vrasin)” – u dëgjua një zë në përmbyllje të aksionit “Drejtësi për Joy-n”  përballë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, mbrëmjen e djeshme. Një i ri nga Kenia në trotuarin përballë institucionit, i cili po bashkëbisedonte me aktivistet u shpreh se e di që jo të gjithë shqiptarët janë të këqinj por ata po i vrasin. Në dorë mbante celularin, në ekranin e të cilit shfaqej një postim në murin e rrjetit të tij social ku shkruhej: “Sa kushton gjaku i një Keniani/eje?”  

Joy Ayoko, 22 vjeçare nga Kenia, erdhi në Shqipëri për të punuar dhe jetuar në një realitet më të mirë se në vendin e saj. Ajo ishte e punësuar në një nga kazinotë e kryeqytetit dhe kishte filluar të krijonte jetën e saj. Ajo banonte në një apartament në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet deri në gusht të vitit të kaluar kur ra pre e dhunës nga individë ende të paidentifikuar. Sipas dëshmive të ekspertëve që janë publikuar në media, Joy është dhunuar fizikisht dhe hedhur nga ballkoni i banesës së saj gjysëm e zhveshur. E deklaruar e zhdukur nga shoqet e saj, ajo gjendej në urgjencë mëngjesin e 14 gushtit dhe nga dëmtimet e pësuara mbeti në koma. Për shkak të mungesës së shërbimit të duhur spitalor familja e saj vendosi ta largojë Joy-n nga Shqipëria për ta kuruar në vendin e saj, por për fat të keq ajo ndërroi jetë me 13 shkurt. Humbja e jetës së saj është akti i radhës i femicidit shqiptar, i cili merr me dhjetëra jetë grash në vit. Për Kolektivin Feminist në Shqipëri është e rëndësishme të mos harrohet e as falet asnjë jetë tjetër gruaje, qoftë ajo me kombësi shqiptare apo të huaj. 

“Nuk mund të bëjmë kompromis për të fituar të drejtën e jetës në vitin 2023! Patriarkati i vret gratë dhe shteti është bërë palë. Sot protestojmë për Xhoin dhe të gjitha jetët e humbura të grave prej femicidit. Ne nuk duam të jetojmë në një shoqëri që normalizon vrasjen e grave, ne duam drejtësi, mbrojtje dhe jetë të dinjitetshme për të gjitha gratë!”  Kolektivi Feminist

Rritja e kostove të jetesës në Shqipëri dhe pagat e mbetura të ulta kanë shtyrë shqiptarët të largohen në numra të lartë përgjatë viteve të fundit. Qeveria shqiptare si zgjidhje për bizneset që mbeten pa punonjës ka propozuar importimin e  “krahut të punës” nga vendet e varfëra që nuk kanë pretendime për kushtet e punës. Tituj absurdë lajmesh dhe histori të vlerësuara si të suksesshme nga biznesmenët shqiptarë kanë pushtuar ekranet tona duke proklamuar punonjësit e keqpaguar dhe keqtrajtuar si të dëgjueshëm dhe pa naze. Ky shtet në të njëjtën kohë, për aktivisten Deni Sanxhakun, është palë krimi në vrasjen e Joy Ayoko, me veprimet dhe mos veprimet e tij. 

“Kjo është vrasje e një gruaje të re, një gruaje me ngjyrë emigrante, pra ka edhe aspektin e racizmit, por nga ana tjetër na tregon se sa të pasigurta janë punëtorët dhe sidomos emigrantët në Shqipëri. Në një vend që rrugëton drejt aderimit në Bashkimin Europian, por edhe në një vend që i ka bërë thirrje publike punëtorëve nga Pakistani, Bangladeshi e vende të tjera që të vijnë e të punojnë këtu. Ndërkohë përpos pagave që nuk janë aspak dinjitoze, nuk sigurojnë asnjë lloj kushti sigurie minimale, asnjë lloj politike sociale që siguron integrimin dhe mbrojtjen e këyre punëtoreve. Nëse i kthehemi rastit të Xhoit, për ne është flagrant fakti që u heshtua nga Policia, u heshtua edhe nga media, që tregon për inkriminimin e instancave shtetërore apo personave të lidhur me pushtetin. Për rrjedhojë në kemi fajësuar drejtëpërdrejtë edhe shtetin, për faktin që është bërë palë në këtë vrasje. Që jo vetëm nuk ka vënë në punë instancat hetimore për të ndjekur këtë rast, deri më sot ne nuk kemi asnjë pistë hetimi, por edhe për faktin që nuk siguroi asnjë lloj kurimi apo asnjë lloj solidariteti për Xhoin, që të mbrohej nga shteti.” 

Deni Sanxhaku - Aktiviste

Shteti, me institucionet e tij, është bërë i gjallë vetëm pas 3 muajsh nga ngjarja kur u bë njoftimi i parë nga Policia e Tiranës. Muaj të tërë kanë kaluar, Joy humbi jetën dhe prokuroria  ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk ka asnjë pistë hetimi. Pjesëmarrëse/it në manifestimin e djeshëm kërkuan të gjenden fajtorët dhe të ketë një ndëshkim për ta. 

“Doja të bëja një thirrje për Prokurorinë e Rrethit Tiranë për një hetim sa më efektiv dhe po ashtu një kërkesë për Komisionerin e Mbrojtjes nga Diskriminimi në rast se kemi pasur diskriminim për shkak të racës, për shkak të faktit që shtetësja ishte e huaj, kërkojmë që të bëhet një hetim sa më i plotë. Duam një hetim sa më të plotë dhe efektiv që të kemi një fajtor dhe një dënim.” Nadia Guni 

Në deklaratën e lexuar nga aktivistet e Kolektivit Feminist shprehej se Ruth Abongo, e ëma e Joy-t, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi deri në momentin e fundit për vajzën e saj. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje