Diana Malaj & Ronald Qema| 25.01.2020 | nyje.al
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vazhdim referuar si Komisioneri) ka zhvilluar një monitorim në dhjetorin e 2020-s e cila rendiste Bashkinë Kamëz si bashkinë “me semafor të bardhë”; emërtim ky për të treguar se ka një nivel transparence proaktive në nivel minimal.
Ky monitorim mbështetej në vlerësimin e 61 bashkive të Shqipërisë me gjithsej 4 pikë, respektivisht me nga një pikë për: publikimin e programit të transparencës, publikimin e regjistrit të kërkesave dhe përgjgijeve, publikimin e të dhënave të koordinatorit të së drejtës së informimit dhe publikimin e regjistrit elektronik për kërkesat dhe përgjigjet për të drejtën e informimit i instaluar. Kamza vlerësohej me 3 pikë, edhe pse 3 publikimet e saj ishin veëm formale, pa pasur informacione brenda tyre.
Bazuar në përvojën e redaksisë së Nyjes, të aktivistëve të qytetit dhe jashtë tij, por edhe kërkesave të gazetave të tjera bashkia Kamëz të kthen përgjigje për kërkesën (ciladoqoftë shkalla e vështirësësi apo impenjimit për përgatitjen e saj) ditën e fundit të afatit ligjor maksimal të parashikuar në ligj. Duket sikur pret ditën e 10-të të të kthejë përgjigje, ndërkohë që ligji për të drejtën e informimit synon në fakt që këtë afat 10 ditor ta konsiderojë afatin maksimal, dhe jo të stabilizohet si koha normale e përgjigjes së institucionit.
Bazuar në kërkesë-ankesën e grupit ATA, në datën 22 tetor të vitit 2020 Komisioneri ka dalë menjë rekomandim drejtuar Bashkisë Kamëz. Në të parashikohej se Bashkia Kamëz duhet të pasqyrojë në programin e transparencës të gjitha kategoritë e informacionit të detyrueshëm për t’u bërë publike duke i lënë një afat 90 ditor (afat që përmbushet me 22 janar 2021), përndryshe do të merrte masat për gjobvënien për kundërvajtje administrative. Rekomandimi i detajuar lidhur me nivelin e transparencës së Bashksië Kamëz tregon shumë më shumë sesa “semafori i bardhë”, duke e nxjerrë këtë institucion ‘lakuriq’ në hermetizmin e saj. Mosrespektimi i detyrimeve ligjore dhe rekomandimit të Komisionerit passjell për bashkinë Kamëz një seri gjobvëniesh. Në rastin konkret titullari i institucionit, pra Kryetari Suli do duhet të gjobitet nga 50 000 – 100 000 lekë për shkak të mosvënies në zbatim programin institucional të transparencës të miratuar që prej 1 janarit 2019. Jo vetëm titullari, por edhe Koordinatori i të drejtës së Informimit pranë bashkisë Kamëz, duhet të jetë po aq i kujdesshëm me plotësimin dhe përditësimin e Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, përndryshe do të dënohet me 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
Rekomandimi solid i Komisionerit nxjerr në pah mangësitë e transparencës proaktive (transparencë që duhet bërë kryesisht nga institucioni) të Bashkisë Kamëz. Në mënyrë të përmbledhur, sipas këtij rekomandimi nuk gjenden të publikuara në faqen zyrtare të programit:
– Organizimi dhe funksionimi i bashkisë Kamëz;
– Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit (kodi i etikës, karta e auditimit të brendshëm, raportet e auditimit të brendshëm të ushtruar në bashki, raporte përfundimtare të KLSH-së, planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve etj)
-Kërkesat, ankesat, sinjalizimet apo vërejtje lidhur me organet e bashkisë, regullore e brendshme për procedurën e shqyrtimit, hetimit adm, etj)
– Kontratat publike, raportet e kontrollit mbi auditimin dhe zbatimin e kontratës
– Shërbimet që ofron bashkia (shërbimet administrative në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, shërbimet sociale, kulturë, sport, shërbime argëtuese, mbrojtjes së mjedisit, bujqësisë, zhvillimit rural, zhvillimit ekonomik, sigurisë publike apo funksione të tjera të
deleguara).
– Nuk ka të dhëna mbi koordinatorin për njoftimin dhe konsultimin publik, dhe asnjë mundësi informimi mbi proceset e pjesëmarrjes qytetare në vendim-marrje të bashkisë (pa plane vjetore, akte që do të konsultohen, afate, strukturat përgjegjëse etj)
– Buxheti publik (që përfshin bërjen publike të buxhetit vjetor bashkë me dokumentacionin shoqërues, treguesit financiarë, numri i punonjësve buxhetor për çdo njësi shpenzuese, regjistri i parashikimeve të prokurimit publik).
Sipas rekomandimit të Komisionerit, edhe ai informacion që gjendet i shpërndarë në faqen zyrtare të Bashkisë, nuk është i ndërlidhur me programin e transparencës çka sjell vështirësi për qytetarin për t’u orientuar dhe informuar.
Ndër të tjera, informacioni jo i ndërlidhur me programin e transparencës:
– Organi përfaqësues i bashkisë (Këshilli bashkiak, lista emrore, rregullorja e këshillit)
– Njoftimet për mbledhjen e Këshillit, rendin e ditës, projekt-vendimet në proces shqyrtimi nga Këshili Bashkiak, procesverbalet e mbledhjeve, bashkë me vendimet, urdhëresat dhe urdhrat me karakter normativ janë të publikuara pjesërisht.
– Informacioni mbi titullarin e bashkisë, funksionet dhe ndarjet etyre janë të publikuara pjesërisht dhe nuk janë të ndërlidhura me prog. e transparencës
-Informacion mbi transparencën dhe llogaridhënien ekonomiko- financiare nuk ka të publikuar kalendarin e programit buxhetor afatmesëm dhe atij vjetor; paketa fiskale është e publikuar por nuk ndërlidhet me programin e transparencës; nuk ka të publikuar asnjë plan strategjik të zhvillimit të bashkisë.
I vetmi informacion i dhënë i saktë është adresa dhe kontaktet e Koordinatorit për të Drejtën eInformimit pranë Bashkisë. Ndërkohë që nuk është i përditësuar regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, regjistri i kërkesave dhe informacioneve të dhëna më parë, nuk është e publikuar asnjë procedurë mbi kërkimin e informacionit apo trajtimit të kërkesave për informacion.
Bashkia nuk ia ka dalë të ngrejë ndër vite asnjë regjistër me të dhënat esenciale të një bashkie lidhur me grupet e interesit: cilat janë organizatat vepruese në qytet, përfaqësuesit e medias, biznesit, shërbimet që ofrohen nga organizata të ndryshme, nismat advokuese, lobuese dhe monitoruese të shoqërisë civile. Bashkia Kamëz nuk zotëron një regjistër civil në të cilin të figurojë numri i saktë i banorëve të saj; aq më pak të kemi të publikuar një informacion edhe më specifik i cili do të reflektonte edhe përpjekjen institucionale për të njohur punën lokale të grupeve të interesit.
Çka mbetet për t’u parë është sjellja e Komisionerit i cili është përballë një institucioni të cilit, siç e ka treguar koha i duhen më shumë se dy vite për të përmbushur një detyrim ligjor të, prapambetur që prej viti 2014, e që ligji e parashikon plotësimin brenda 6 muajsh.
*Ky shkrim mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.