nyje.al | 28.09.2021
Procesi i Rindërtimit në Valias vazhdon me terrin informativ që e ka shoqëruar që në nisjen e tij, e që shoqërohet nga problematika të tjera për banorët që presin të kthehen. Në vëzhgimin në terren në lagjen e Valiasit të Vjetër shohim që tashmë janë ngritur godinat e banimit dhe po punohet për përfundimin e tyre, por ende qytetarët nuk e kanë një datë për rikthimin në banesat e tyre.
Sabriu, banor i Valiasit na shpjegon se nuk e ka të sigurtë se kur do të përfundojë procesi i rindërtimit: “Unë kam shtëpinë time private, por kam familjarët e mi që po presin mbarimin e banesave. Kam dëgjuar vërdallë që mund të jenë gati në dhjetor ose janar, se informacion të saktë nuk kemi, jo.”
Ish-miniera e Valiasit ishtë një qendër historike dhe jo vetëm, që fliste dhe vazhdon të flasë për një periudhë të caktuar të jetesës në Kamëz dhe historisë së punës në qytet. Qyteza e Valiasit u krijua për minierën dhe kjo fazë e re e kësaj qyteze po vazhdon të përpijë edhe historinë e saj.
Në një nga shpërthimet e kontrolluara për shembjen e një prej godinave, kanë mbetur të dëmtuara disa banesa përreth e ajo me pasoja më të rënda ishte banesa e Z.Kujtim Rajta. Ndjekja e procesit të vendimmarrjes të Bashkisë Kamëz nga redakisa e Nyjes, na vuri në kontakt me këtë rast. Të kontaktuar nga ne, familjarët u shprehën të pakënaqur me vlerësimin e dëmtimit nga ky shpërthim i kryer nga IKMT-së. Në një vendim të Këshillit Bashkiak të muajit shkurt, Bashkia kishte vendosur të dëmshpërblente familjen Rajta me vetëm 95 mijë lekë të reja, duke e përcaktuar banesën me dëmtim DS-2. Por pas ankimimit të kryefamiljarit dhe kërkesës për rivlerësim të dëmtimit, Instituti i Ndërtimit pas ekspertimit ka konstatuar që niveli i dëmtimit është DS-4 “për shembje”. Kjo i ka detyruar institucionet publike të rindërtojnë banesën e familjes Rajta.