Ronald Qema| 24.06.2023 | nyje.al
Ministria Kushi e cilësoi edhe patriotike kontratën e propozuar ndaj studentëve të mjekësisë, përmes të cilës ata detyrohen të punojnë tre vite pas studimeve në vend ose të paguajnë vlerën reale të supozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Kjo vlerë shkon rreth 5500 euro sipas ministres Kushi dhe është në sinkron me sa paguajnë studentët e mjekësisë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Ky krahasim dhe akuzat si jo-atdhetarë dhe jo-patriotë therin tek studentët si kanula e shiringës. Nëse në kërkesën e drejtuar dje drejt dy ministrive, asaj të Arsimit dhe Shëndetësisë dhe Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, mos të ishin ato pesë pika krejtësisht bazike por pika të tjera, që kërkonin zgjidhjen e problemeve që kanë studentët evropianë, do legjitimohej sulmi ministror dhe zhvatja e pretenduar e xhepave me tarifa “evropiane”.
Studentët shqiptarë të mjekësisë kërkuan dje përmirësim të kushtëve të sallave ku zhvillohen leksionet e seminaret, ndërtim të sallave të reja në të cilat ka vende mjaftueshëm për tu ulur secili student, ambiente të posaçme për kryerjen e praktikave, biblioteka të aksesueshme sipas nevojave të studentëvë, rivlerësim të literaturës, etj. Plotësimi i këtyre kërkesave do e çonte diskutimin në nivelin e tarifave “evropiane”.
Akuzat si jo-atdhetarë, për studentët janë lënduese dhe vijnë nga pushteti që në fakt nuk bën asgjë për ti mbajtur mjekët në vend.
“Ne nuk është se nuk duam të punojmë në vendin tonë, ne jemi atdhetarë, sepsë na është përmendur që nuk jemi atdhetarë e që nuk e duam vendin, por në fakt ne e duam vendin. Duam një vend ku mund të qëndrojmë e punojmë, jo vetëm tre vite por gjithmonë për sa kohë ka përmirësim të kushteve.”
Brunelio Fejzullau – Student
Kërkesa e dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Rektoratit dje është një ftesë që i bëhet institucioneve për të hapur rrugën e nxitjes dhe mbajtjes në vend të mjekëve sipas studentit Eliot Sulçaj.
“Largimi i mjekëve është një rrezik real për sistemin shëndetësor prandaj edhe ne kemi ftuar Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Rektoratin që të pranojë zgjidhjet tona për problemet, në mënyrë që mjekët të pranojnë të qëndrojnë vetë në Shqipëri dhe jo me detyrimin për të qëndruar vetëm tre vite.”
Në nisje të marshimit nga Universiteti drejt Rrugës së Durrësit për në Ministrinë e Arsimit studentët e cilësuan këtë propozim absurd, kur krahason pagat e mjekëve dhe kushtet e studimit e të punës. Gjithashtu kjo nismë bie thelbësisht ndesh me liritë e individit për të ushtruar profesionin e tij sipas dëshirës dhe pritshmërive personale.
Studentët i dhanë ultimatum ministrive deri javën e ardhshme për konsultimin dhe plotësimin e kërkesave imediatë që kanë. Në të kundërt, nëse këto pika nuk zbatohen, ajo kryesorja: Nëse nuk ka një dalje publike ku lajmërohet ndërprerja e menjëhershme e propozimit dhe ndalimi i hartimit të draftit, studentët do rikthehen përsëri në protesta.