nyje.al | 12.04.2025
Të mbledhur masivisht, fëmijë, gra dhe burra të të gjitha moshave, mbajtën dje një protestë masive në mbështetje të Palestinës. Ky tubim u organizua nga mbështetës dhe grupime për “Palestinën e lirë”. Që nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael, pro-palestinezët kanë reaguar ashpër duke e distancuar veten nga “medaljet e nderit” dhe bashkëpunimet me krerë shtetesh që janë njëkohësisht dhe autorë gjenocidi sistematik. Të vendosur mes xhamisë së Namazgjasë dhe Parlamentit, qëllimi i protestës ishte përcjellja e një mesazhi në dy vende: në parlament: për qeveritarët; dhe ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), duke i akuzuar për heshtje bashkëfajësie në gjenocid.
“Jo në emrin tim!” dhe “Free Palestine” (Palestinë e Lirë) ishin dy thirrjet më të shpeshta nga protestuesit e shumtë, të cilët me pankarta, flamuj dhe thirrje të forta dënuan veprimet e vazhdueshme të kryeministrit Rama, veprime të cilat protestuesit përsëritën me vendosmëri që nuk janë kurrsesi në emër të tyre. Sipas tyre, Rama nuk i përfaqëson shqiptarët, të cilët janë në mbështetje të popullit palestinez dhe kundërshtojnë çdo formë të bashkëpunimit me udhëheqës të vendeve që kryejnë aktet çnjerëzore. Organizatorët theksuan se veprime të tilla nga liderët e shtetit shqiptar nuk janë të pranueshme dhe kërkuan një qasje më humane dhe të drejtë në lidhje me çështjen palestineze.
Publicisti dhe bashkëorganizuesi i kësaj proteste, Florian Arapi tha se shqiptarët, pavarësisht besimit fetar, krenohen për ndihmën e dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit se izraelitët janë të mirëpritur në vendin tonë, ai tha se nuk pranojnë ata që po kryejnë gjenocid.
“Ne shqiptarët, duke përfshirë gjithë shqiptarët, edhe muslimanë edhe të krishterë, jemi krenarë që kemi strehuar hebrenj gjatë luftës së dytë botërore, por ne kemi pritur ata njerëz ndaj të cilëve është kryer gjenocid, jo ata njerëz që kanë kryer gjenocid.”
Hoxha Florian Leli, u shpreh se heshtja ndaj gjenocidit dhe luftës është një formë e pjesëmarrjes në të, qoftë edhe në mënyrë indirekte. Ai bëri të qarta kërkesat dhe arsyjen e protestës kur tha se qytetarët shqiptarë kërkojnë që qeveria e tyre të mbajë një qëndrim të qartë dhe të angazhohet për paqen, duke ndihmuar në ndalimin e konfliktit në Palestinë.
“Heshtja ndaj gjenocidit dhe luftës është pjesëmarrje, qoftë dhe indirekte në luftë. […] ne si qytetarë të Shqipërisë, kërkojmë që qeveria jonë të mbajë qëndrime të denja, të jetë faktor për paqen, të jetë faktor për ndaljen e konfliktit në Palestinë, të jetë faktor për pushimin e përhershëm të këtij akti gjakatar. Kjo është kërkesa kryesore e jona dhe prandaj jemi mbledhur këtu. Jo në emrin tonë.”

Laura Kertalli, dikur e vlerësuar me medalje të artë nga kryeministri Edi Rama si maturante ekselente, sot ishte pjesë e protestës si zë kundërshtues kundër asaj që po ndodh në Palestinë, duke u distancuar nga çdo medalje që merret në emrin e shqiptarëve. Ajo u shprehu kritike ndaj kryeminstrit dhe kërkoi përfaqësim të denjë nga ai ose largim.
“Kush je ti zotëri që flet në emrin tim dhe të komunitetit tim pa më marrë mua mendimin? Nëse je përfaqësuesi ynë atëherë bëje siç duhet ose ik, sepse ne si komunitet nuk kemi nevojën e tradhëtive të drejtpërdrejta, nuk kemi nevojë për iftare masive e as për kurorëzime me medalje nderi nga presidenti i Izraelit.”
“Jo në emrin tim” ishte edhe thirrja e Fioralba Dumes, aktiviste e kauzës palestineze dhe pjesë e grupimit “Palestina e lirë”. Ajo tha se pjesëmarrja e kryeministrit në një shtet ku përfaqësuesit e tij kryejnë gjenocid dhe pranimi i një medaljeje nga autorët e masakrës ku po normalizohet vrasja e fëmijëve dhe bombardimet, nuk është në emrin e qytetarëve shqiptarë.
“Kryeministri jonë, jo në emrin tonë, shkoi në një shtet me përfaqësues të një vendi që po kryen gjenocid, gjenocidin më të gjatë të historisë, gjenocidin më të mirëdokumentuar të historisë. Jo në emrin tonë, ai mori një medalje nga vetë autorët e masakrës. Jo në emrin tonë ai buzëqeshi para kamerave, para shtetit, para shtetarëve që po normalizojnë vrasjen e fëmijëve, grave, burrave; që po bombardojnë spitale, që po bombardojnë shkolla, që po bombardojnë në mënyrë masive duke ndërprerë armëpushimin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.”
Dorina Rexhmati e drejtoi thirrjen e saj, përveçse për kryeministrin, edhe për mediat të cilat nuk kanë raportuar për gjenocidin në Palestinë duke përmendur numrin e fëmijëve të vrarë i cili rritet çdo ditë. Përpos tyre, mijëra fëmijë të tjerë kanë mbetur jetimë dhe shumë vuajnë nga uria dhe sëmundjet. Sipas saj, bashkëautor i kësaj tragjedie është edhe vendi ynë.
“Që ta dinë të gjitha mediat që nuk nxjerrin asnjëherë asnjë pamje të Palestinës dhe ju zoti kryeministër, 14.500 fëmijë janë vrarë deri më tani dhe më shumë… Numrat po shtohen çdo ditë. Rreth 30 mijë kanë mbetur jetimë dhe mbi 60 mijë fëmijë vuajnë në kushte të vështira nga uria dhe sëmundjet. Dhe të gjitha këto falë mbështetjes së këtyre shteteve që mbajnë “paqen” në botë, pjesë e të cilëve është edhe shteti jonë.”
Pas fjalimeve ishte parashikuar që protestuesit të marshonin nga parlamenti ku nisi protesta, drejt kryeministrisë, por u anullua për shkak se rruga nëpër të cilën ishe parashikuar të kalonin protestuesit ishte e bllokur për shkak të çeljes së fushatës për dy partitë e vendit, PS dhe PD.