Shqipëria, progres të pakët për të siguruar të drejta dhe shërbime të barabarta për personat me aftësi të kufizuar

Erisa Kryeziu | 05.02.2024 | nyje.al

Prej vitit 2014, Shqipëria ka garantuar ligjërisht përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar. Megjithatë, 10 vite pas miratimit të ligjit ajo çfarë vihet re është se në realitet ky komunitet vijon ende të përballet me barriera të shumta, sa i takon aksesit në shërbime dhe institucione publike. 

Sipas një raporti të përgatitur nga një grup organizatash të aftësisë së kufizuar në Shqipëri, në drejtim të zbatimit të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, progresi i kryer për të siguruar të drejta të barabarta është i pakët. 

“Përparimi i vetëm i vërejtur në lidhje me zbatimin e Nenit 1-4 të Konventës mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është përmirësimi i mbrojtjes ligjore kundër diskriminimit, i cili përfshin dispozita për përshtatje të arsyeshme. Përtej kësaj, nuk janë ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të pajtuar legjislacionin shqiptar me Konventën dhe me rekomandimet e ofruara nga Komiteti për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara për qeverinë shqiptare”,- thuhet në raport. 

Në mars të vitit 2023, Fondacioni Së Bashku dorëzoi pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi një ankesë për mos aksesueshmërinë e Zyrës Postare në Njësinë Administrative nr.7 në Tiranë. 

“Zyra e Postës Shqiptare sh.a. në Njësinë Administrative nr. 7, Bashkia Tiranë, nuk është e aksesueshme dhe në hyrje të saj ka shkallë”,-thuhet në vendimin e KMD-së, ndërsa konstatoi diskriminim në formën e rëndë të tij të personave me aftësi të kufizuar nga ana e Postës Shqiptare. 

Në Kamëz, Posta Shqiptare ka vetëm një zyrë të saj. Me gjithë pajisjes me rampë, për të marrë shërbim, barrierat qendrojnë te sportelet e larta. 

“Sportelet i kemi të paaksesueshme të gjitha, sepse janë të gjitha mbi atë lartësinë që ne mund të marrim shërbim. Detyrohemi pastaj që mundohen punonjëset të na ofrojnë shërbimin jashtë sportelit”,rrëfen Dovlet Xhangolli, një i ri me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe banues në qytetin e Kamzës.”

Dovleti teksa zbret rampën, ndonëse të rikonstruktuar, të vështirë për tu përdorur në Pallatin e Kulturës Kamëz, Shtator 2023, Ronald Qema

Ai shprehet se, problematike janë edhe bankomatet e shërbimeve bankare, të cilat janë të paarritshme për personat me aftësi të kufizuar. 

“ATM-të ne nuk i aksesojmë dot. Pjesa e karrigeve me rrota nuk i akseson dot fare. Jo vetëm këtu në Kamëz, por edhe në të gjithë Tiranën, mos them në të gjithë Shqipërinë. I kanë standarde të tëra, i kanë llogaritur vetëm për persona që mund të ecin, për kategorinë e aftësive të kufizuara është në vlerën zero të aksesit të saj”, – u shpreh Dovleti.

Infrastruktura fizike vijon të mbetet e paarritshme 

Sipas raportit të përgatitur nga organizatat, Plani i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar tregon se mungesa e aksesueshmërisë është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në segregimin e personave me aftësi të kufizuar. 

“37% të ndërtesave nën juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë disa veçori të arritshme, zakonisht të kufizuara në një rampë hyrëse. Përveç kësaj, 50% të zyrave të punës, shkollave profesionale dhe qendrave të trajnimit profesional janë të paarritshme. Zyrat postare, të cilat janë përcaktuar ligjërisht për pagesat publike, duke përfshirë ndihmën dhe pensionet për aftësi të kufizuara, janë përgjithësisht të paarritshme dhe në disa raste të rrezikshme për shkak të dyshemeve të rrëshqitshme”,- argumentohet në raport. 

Raporti sjell në pah shembullin e ndërtimit të një rrethrrotullimi në Tiranë, i cili edhe pse kushtoi 22 milionë euro nuk siguroi akses për personat me aftësi të kufizuar. Pas ankesës pranë Komisionerit për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit autoritetet përgjegjëse rregulluan situatën, por kjo solli kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Sipas Suela Lalës, ata që fitojnë tendera dhe marrin projekte nuk njohin specifikimet teknike të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. 

“Edhe kur bëhet kolaudimi dhe marrja në dorëzim nga ana e bashkisë ata nuk e verifikojnë këtë element. Edhe pse në fakt ligji për planifikimin e territorit thotë që asnjë objekt publik nuk mund të merret, nuk mund të jepet certifikata e përdorimit nëse nuk ka realizuar elementet e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. Përveç kësaj VKM-ja e 23 dhjetorit 2015 thotë që asnjë investim publik i ri apo rikonstruksion qoftë, nuk mund të kryhet me para publike nëse nuk përfshihen të gjithë elementet e aksesueshmërisë”,- përfundon Lala. 

Suela Lala në hollin e Pallatit të Kulturës Kamëz, ku mbeti përgjatë gjithë shfaqjes, shkak mungesa e infrastrukturës, shtator 2023, Ronald Qema

Përgjatë vitit 2023, pranë Komisionerit për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit, janë trajtuar 23 çështje sa i takon aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. 

Mungesa e aksesit në trotuare dhe kryqëzimet e mbikalimeve, mos garantimi i vendeve të parkimit të rezervuara, mos aksesi në institucionet publike dhe ato shëndetësore për shkak të mungesës së rampave, mos garantimi i aksesit në Pallatin e Kulturës dhe qendrën shëndetësore në Kamëz si dhe në Postën Shqiptare janë disa nga ankesat e drejtuara përmes Komisionerit, ku në pjesën më të madhe të tyre është konstatuar diskriminim. 

“Aksesueshmëria do duhet të ishte një çështje që në pesë vitet e shkuara të kishte marrë një hov të dukshëm, ndërkohë që ende nuk jemi aty. Ende flasim për mungesë aksesueshmërie”, -shprehet Suela Lala nga Fondacioni Së Bashku. 

Sipas raportit të hartuar nga organizatat qe advokojnë për personat me aftësi të kufizuar ka pasur një promovim nga ana e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duke rezultuar në një rritje të ankesave për diskriminim të lidhur me aftësi të kufizuara. 

“Megjithatë, ka një perceptim dominues se numri aktual i ankesave mund të mos paraqesë me saktësi situatën. Prandaj, është e nevojshme një hulumtim i përmbajtshëm për të kuptuar pse individët mund të jenë të rezervuar në lidhje me dorëzimin e ankesave. Ky hulumtim mund të zbulojë pengesat për qasjen në sistem dhe të ndihmojë në krijimin e strategjive për të inkurajuar më shumë njerëz për ta përdorur, duke kështu testuar efektivitetin e tij”,- thuhet në raport. 

Gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuar

Raporti nxjerr në pah mungesën e objektivave konkretë të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025 për gratë me aftësi të kufizuar. 

“Edhe pse plani njeh rekomandimet e Komitetit të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar si për shembull, promovimin e punësimit në tregun e punës me një theks të veçantë në gratë – ai nuk vendos objektiva të qarta për të adresuar këtë çështje. Kjo lënie jashtë është veçanërisht kritike për gratë me aftësi të kufizuar intelektuale, të cilat shpesh mbeten të fshehura në shtëpi nga familjet e tyre për shkak të mungesës së mbështetjes komunitare. Si rezultat, këto gra ndodhen pa mbështetjen dhe mundësitë esenciale të nevojshme për një jetë të pavarur dhe pjesëmarrje sociale”,- artikulon raporti.

Ndërsa, sa i takon fëmijëve me aftësi të kufizuar, pavarësisht kornizës së fortë ligjore, ajo çka vihet re është përballja e tyre me barriera sa i takon pjesëmarrjes në aktivitete kulturore e argëtuese, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. 

“Hapësirat publike si sheshet dhe lojërat, nuk janë dizajnuar universalisht për të akomoduar çdo fëmijë. Megjithëse ligjet vendosin standarde për arritshmëri në infrastrukturën fizike, si rrugët, rampat, ashensoret, këto nuk zbatohen”,- argumenton më tej raporti. 

Arritje të pakta me aksesin në transport publik dhe parkimet e dedikuara 

E vetmja arritje e nënvizuar në raport sa i takon transportit publik është vendosja e sistemit audio që lajmëron stacionet në linjës e urbanëve të Kamzës. Ndërsa sfidat vijojnë të mbeten për autobusët e tjerë, taksitë apo mjetet e tjera të trasportit.

“Megjithatë, sfidat mbeten, duke përfshirë autobusë të mbipopulluar, stacione autobusi të paarritshme dhe staf që nuk është i trajnuar për të akomoduar personat me aftësi të kufizuara. Në vitet e fundit, në Tiranë janë prezantuar linja të reja autobusi, të njohura si “autobusë të gjelbër”, të cilat janë tërësisht të paarritshëm për personat me aftësi të kufizuara”,- parashtron raporti. 

Sa i takon taksive, ato vijojnë të jenë të paarritshme dhe sipas raportit ende nuk ka një politikë që i detyron ato të përfshijnë mjete të arritshme për personat me aftësi të kufizuar. 

Po aq shqetësuese mbeten edhe parkimet e dedikuara. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është ende duke trajtuar çështjen me kompaninë që menaxhon parkingun në aeroportin „Nënë Tereza“. Sipas ankesës së Fondacionit Së Bashku, në këtë aeroport nuk kishte vende të rezervuara dhe përdoreshin tarifa ndaj personave me aftësi të kufizuar. 

“Vetëm disa bashki në Shqipëri, si Tirana dhe Shkodra, kanë vendosur hapësira parkimi të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara. Megjithatë, numri i këtyre vendeve në Tiranë është shumë i kufizuar dhe largohet shumë nga kërkesa ligjore e 5%. Për më tepër, këto vende parkimi nuk përputhen me standardet teknike për arritshmëri”,- thuhet në raport. 

Jetesa e pavarur 

Personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri kanë qasje në “ndihmën personale” që nga viti 2020. Megjithatë, sipas raportit shërbimi riprodhon modelin tradicional mjekësor të aftësive të kufizuara dhe nuk arrin të mbështesë mjaftueshëm jetën e pavarur.

Sipas Suela Lalës me rritjen e inflacionit dhe luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve është çështja e pagesave që marrin personat me aftësi të kufizuar, të cilat janë të pamjaftueshme.

“Ne si organizatë për shembull kishim disa takime me njësinë administrative në Mamurras dhe Milot, dhe kur del nga Tirana ti kupton sa të varfër janë njerëzit dhe sa  të vështirë e kanë jetesën me ato pagesa që marrin. Duhet të paguajnë ujë, drita dhe të ushqehen apo të blejnë ilace me 100 mijë lek të vjetra, gjë që është e pamundur. Apo dikush që ka nevojë për ndihmës personal dhe shteti të jep 120 mijë lek të vjetra dhe ke familjarë të moshuar që nuk të shërbejnë dot. Mbetesh në mëshirë të fatit”,- argumenton Lala. 

Sipas raportit tarifat e pagesave për ndihmën personale janë shumë të ulëta, duke qenë tre herë më pak se paga minimale. 

“Si rezultat, opsioni i vetëm i qëndrueshëm për ta është të përdorin këto fonde për të paguar anëtarët e familjes për mbështetje. Si rezultat, pagesat për ndihmën personale efektivisht bëhen një mbështetje financiare për familjen, në vend që të fuqizojnë personin me aftësi të kufizuara për të ushtruar zgjedhje dhe kontroll”. 

Edukimi 

Edhe pse kuadri ligjor shqiptar mundëson gjithpërfshirje në edukim për fëmijët me aftësi të kufizuar, ka një disbalancë në raportimet e statistikave nga institucionet. 

Sipas raportit “INSTAT raporton se në vitin 2021, 4,699 fëmijë me aftësi të kufizuara frekuentojnë shkollën, ndërsa shifra e Ministrisë së Arsimit është shumë më e lartë, në 7,877. Këto disbalanca shfaqin mungesën e përcaktimeve dhe transparencës të njësuar në raportim. Përveç kësaj, nuk ka të dhëna për numrin e studentëve me aftësi të kufizuar në dëgjim”.

Ndërsa vihet re se ka një mungesë këshillimi dhe mbështetjeje për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara pas përfundimit të arsimit të detyrueshëm. 

“Kjo mungesë e udhëzimit çon në faktin që pak fëmijë me aftësi të kufizuara vazhdojnë në arsimin e lartë”,- saktëson më tej raporti. 

Sa i takon aksesit në institucionet arsimore, vetëm 60% e tyre janë të arritshme. Ndërsa sfidat e tjera në fushën e edukimit përfshijnë mungesën e mjeteve didaktike për fëmijët me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe shërbimet psiko-sociale të pamjaftueshme brenda shkollave. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje