Ervin Kaçiu |15.04.2020 | nyje.al
8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve kaloi, por besoj që meritojnë më shumë se sa të kujtohen vetëm në një ditë. Veçanërisht këtë periudhë që është cilësuar si luftë globale, gjatë të cilës përpjekja e zakonshme për mbijetesë e romëve më të varfër, ashtu si edhe më të varfërve në përgjithësi, fiton përmasat e një lufte të vërtetë. Në fakt 8 Prilli është thjeshtë një konvencion, rezultat i një marrëveshje politike, ashtu siç edhe janë shumë të tjera që simbolizojnë përkatësi kombëtare, etnike apo të çfarëdolloji. Jo se kjo është e gabuar, por për sqarim (për sa unë kam vëzhguar në terren) kjo ditë ende nuk e ka fituar rëndësinë e synuar për romët, të paktën jo për ata të cilëve i referohet ky shkrim. Por është e rëndësishme për aktorët politik që ndërmjetësojnë marrëdhënien e tyre me botën. Me pak fjalë, është dita e kremtimit publik të ekzistencës së kësaj pakice që ditët e tjera të vitit është pak e pranishme, megjithëse për ata që nuk e dinë duhet sqaruar fakti që janë mes nesh prej shumë shekujsh.
Në fakt, Romët e varfër edhe kur shfaqen në sferën publike si rezultat i të qënurit të përjashtuarit nuk kanë mundësi të ndikojnë shfaqjen, ajo është plotësisht në dorë të ndërmjetësuesit. Kësisoj në të vërtetë nuk shfaqen, por projektohen nga tjetri sipas shijeve, interesave, dëshirave subjektive e në disa raste madje kolektive. Theksoj, as romët e varfër as komuniteti si emërtohet rëndom dhe as e gjithë pakica. Për mendimin tim edhe në përdorimin e shkujdesur të termit komunitet bëhet një gabim konceptual i rëndësishëm, me peshë edhe në praktikë – që shumëfishohet në një zinxhir keqkuptimesh që nuk formatojnë thjeshtë perceptimin por edhe raportin e shumicës me romët. Jo se përdorimi i këtij termi në vetvete është problem por në rastin e romëve, ashtu si edhe të çdo etnie pakicë, rrezikon të definojë përfytyrimin që ata janë të gjithë njëlloj. Në të vërtetë nuk janë homogjen, por heterogjen si shumë formacione të tjera shoqërore, përjashto grupimet shoqërore që e kanë për synim homogjenizimin (ose edhe pa e patur për synim bien në atë gjendje).
Në këtë shkrim siç edhe manifestohet që në rreshtat e parë po fokusohem në shquarjen e disa paqartësive të krijuara prej Tjetrit, nisur nga njohja që unë kam, duke konsideruar rolin e rëndësishëm të tjetrit në përcaktimin e gjendjes së romëve, sidomos shtresës më të varfër të kësaj pakice.
Për shembull, këto ditë më shumë se kurrë romët e varfër po bëjnë thirrje të ndihmohen, janë aq shumë në hall sa janë të vetmit që sfiduan “biopolitikën covidiane” duke protestuar. Reagimi jo fort i papritur nga njerëzit online (ky njeriu i ri covidian prej më shumë se një muaji e me gjasa edhe post-covidian) sintetizuar në një gjuhë urrejtje raciste që po bëhet edhe motivi i këtij shkrimi sillej rreth idesë që ata nuk e meritojnë ndihmën se e kanë fajin vetë pasi nuk duan të punojnë se e kanë mendjen te “qejfi”. Nuk e di nga buron ndër “ne” kjo etikë pune të cilën nuk e hasim shpesh në përditshmëri, por kam vënë re që shfaqet me doza të larta sa herë që bëhet fjalë për romin e varfër.
Në portretizimin e një romi ekzotik, që në funksion të lirisë e “qejfit” të tij është i gatshëm të bëjë çdo lloj dredhie të mundshme, kanë ndihmuar një shumësi zërash që formësojnë opinionin publik në të shkuarën dhe në të tashmen. Nga kryeministra apo kryebashkiak, që kur i takojnë në situatë krizash si ajo e tërmetit me dashuri atërore i thonë “ju duam shumë se ju jeni të veçantë”, e deri tek nostalgjiku i pandreqshëm që përdor si kut matës për gjithçka përvojën e deformuar në regjimin komunist enverist, kur sipas tyre megjithëse romit i ofroheshin mundësi të barabarta zgjidhte të jetonte në katet e para të pallateve. Ndihmon folklori që është mjaft i pasur me shprehi nga më të ndryshmet si përshembull “Në një vend nuk gjen rehat arrixhiu”. Kam dëgjuar madje edhe profesor sociologjie të thotë me kompetencë që romët nuk kanë varre, duke nënkuptuar jo vetëm idenë se edhe në atë botë nuk kanë një stacion, por duke e lënë njëkohësisht të hapur opsionin që mund të jenë edhe kanibal.
Natyrisht, siç edhe është diskutuar nga studiuesit, përfytyrimi i romit jo fort racional e përfton përsosmërinë estetike prej skalitjes nga mjeshtrat e artit e të letërsisë që zbuluan te romi një prej subjekteve më ekzotike. Romët në këtë sferë përgjithësisht portretizohen si mishërimi i një jete poetike, si njerëzit e lirë që kanë arritur të jetësojnë anarkinë. Adhuruesit e bijtë besnik të natyrës! Këto si shumë prej metaforave apo hiperbolave të tjera të lëvruara në imazh dhe fjalë thjeshtë zbukurojnë mendimin e fshehur se ata nuk e përfunduan procesin civilizues. Ata ngecën diku aty në kurbën e modernizimit pa u bërë plotësisht nënshtetas apo qytetar të bindur, i shpëtuan “kafazit të hekurt Weberian”. Ndërkohë që të tjerët vraponin drejt racionalizimit, romët udhëtonin ngadalë me karrocat e veshjet e tyre shumëngjyrëshe në lirinë nomadike. Megjithëse si kundërpërgjigje ndaj çdo paraqitje romanticizuese që i mban romët të veçuar nga pjesa tjetër e njerëzimit, qëndron fakti që fatkeqësisht u ndeshën rrugës me projektin më racional të shekullit të 20 – kampet naziste të shfarosjes në të cilat humbën jetën më shumë se 1 milion romë.
Kuptohet që si arti ashtu edhe letërsia janë në të drejtën e vet për ta zbukuruar jetën përmes trillimit. Problem është mënyra se si është keqpërdorur në kohë ky narracion e imazh edhe nga instancat që e kanë për detyrë përgjegjësinë politike të njohjes të së vërtetës, shpeshherë duke kultivuar e amplifikuar në publik idenë e një romi që nuk merr përsipër përgjegjësitë që i takojnë qytetarit dhe që përfiton si parazit në kurriz të shoqërisë. Në qasjen më dashamirëse romët i bëjnë rezistencë sistemeve të ngurta racionale të modernitetit sepse megjithëse të varfër e duan shumë lirinë e tyre. Në atë më pak dashamirëse paraqiten thjeshtë si të paaftë për t’u përshtatur me këto regjime. Në thelb, ato mbetën primitivi i bukur, të rehatuar brenda kufinjve të ishullit të tyre kulturor e mundësisht racial, në vështirësi për ta kuptuar e për t’u kuptuar prej botës që i rrethon.
Në përpjekje prej vitesh për të njohur më mirë shtresën më të varfër të romëve do të ishte e pavërtetë të thoja se jetës së tyre i mungon muzika e hareshme e ngjyrat, por kjo nuk do të thotë që gjithë jeta e tyre është dioniziake. Është njëjtë si e shumicës, sa lirike aq edhe epike, sa racionale po aq e ngërthyer në ndjesi e në rrugëtime shpirtërore. Nuk janë as në arrati dhe as në rezistencë ndaj një bote racionale që rregullohet prej gravitetit të detyrimeve, megjithëse s’do të ishte keq edhe po të ishte ashtu. Nuk më ka ndodhur rrallëherë që të takoj rom që jetojnë në baraka. Nga të gjitha anët kundërmon era e plehrave, e ujrave të zeza, por po ashtu ngado dëgjohet muzikë, të qeshura, fëmijë që luajnë, burra që pinë raki, gra që kërcejnë etj etj. Gjallëri që vështirë ta gjesh diku gjetkë nëpër Shqipëri e me gjasa edhe më pak në epokën post-covidiane. Por këto përgjithësisht janë ngjyra që mbulojnë grinë e thellë të së përditshmes. Thjeshtë sfidojnë përfytyrimin pervers të disa apo shumë prej nesh mbi të varfrin. Në qoftë se i varfri na del jashtë kornizës së fotografisë melodramatike që kemi krijuar si ushqim për hierarkinë e ndërtuar mbi ndarjen “ne” dhe “ata” atëherë nuk meriton vlerësim, se nuk është një jetë e themeluar mbi virtyt.
Imagjinata jonë e mbështetur sidomos në narracionin mediatik, na thërret t’i vizatojmë si njerëz që qajnë, mundësisht me ndonjë deformim fizik të dukshëm, me shumë fëmijë të uritur që bërtasin në kor poezinë e bukës. Nuk mund të jesh edhe i varfër edhe të gëzosh, ndryshe ka diçka që nuk shkon. Romët e varfër që sot po lypin bukë, në pamundësi për të punuar prej izolimit nga COVID-19 në kushte normale jo vetëm punojnë por bëjnë punët më të vështira që nuk dëshiron t’i bëj askush prej nesh. Thjeshtë, shumë prej nesh nuk arrijnë t’i dallojnë se janë të padukshëm. Të padukshëm se ndryshe nuk na përmbushet përfytyrimi që ata duhet të jenë diku shtrirë në ndonjë hije peme duke pirë raki e kënduar në liri, apo diku gjetkë duke ngjizur fëmijën e radhës. Të padukshëm sepse janë bërë pjesë e rutinës urbane ku shqisat e kanë humbur kthjelltësinë. Kur hedhim plehrat në kosh, megjithëse janë aty në disa raste familjarisht nuk i shohim se është normale që Ata/Ato të jenë te koshi duke gërmuar.
Para rreth 4 vitesh në Selitë, në një vizitë në shtëpinë e një familjeje që priste në ankth t’i prishej shtëpia nga bashkia, si pasojë e rregullimit të një rruge që të çonte më shpejt në një qendër tregtare, takova një fëmijë rreth moshës 12 vjeç që në fakt shumë pak i kishte ngelur prej fëmije në fizionomi. Duke qarë po më thoshte që shtëpia që po i prishej ishte ndërtuar edhe prej punës së tij në koshat e plehrave prej 5 vitesh. Ai dilte çdo ditë për punë në mëngjes dhe kthehej në darkë, dhe nuk është një rast i veçuar. Kam takuar me dhjetra prej tyre që kanë ndërtuar jetën e tyre përmes kësaj pune. Këtë vit, në një bisedë me një zonjë që shiste te tregu i rrobave të përdorura në Shkozë, e angazhuar në këtë punë prej 15 vitesh, po më thoshte që fëmijët mbrëmë kishin fjetur pa ngrënë. Nuk ka mundësi i thashë, dhe si për ta provokuar po e pyesja se çfarë dreqin bëni me lekët, se ju këtu fitoni, aq sa për të siguruar ushqim të paktën. Nisi të më shpjegonte në hollësi jetën e saj për të cilën nuk do të mjaftonte një shkrim, as artikull, dokumentar apo film i gjatë. E thënë shkurt, vetëm së fundmi ishte sëmurë njëri prej 3 fëmijëve. Për të paguar mjekimin në spitalin shtetëror kishte marrë borxh, të siguruar me shumë vështirësi sepse të njohurit e saj ishin po aq të varfër sa ajo. Në mënyrë që të kujdesej për fëmijën në spital kishte lënë edhe punën në treg duke u mbështetur atë kohë vetëm në rrogën e bashkëshortit që punonte në pastrimin e qytetit të Tiranës. Si përfundim, duke qenë të detyruar të paguanin borxhin kishin ngeluar pa asnjë lek e nuk kishin as për të ngrënë.
Fakti që dinë të gëzojnë nuk do të thotë që nuk punojnë. Nuk është për t’u shqetësuar se edhe rakinë e pinë nga ajo më e lira. Në sferën e konsumit ka hapësirë për të gjitha shtresat. Punojnë në punë të vështira, informale, të pasigurta nga të cilat mund të sigurojnë të ardhura që konsumohen brenda një dite e në rastin më të mirë brenda një jave. Nuk po lypin ndihmë se i mungon dinjiteti, sepse janë lypsa kronikë që na mashtrojnë, por sepse jetojnë prej gjeneratash brenda ciklit të mbyllur të varfërisë.
Shkruajta gjatë, e ndoshta e mora shumë seriozisht Tjetrin e romit dhe COVID-in por teza dominuese që romët e varfër janë të përjashtuar sepse kanë zgjedhur të jenë të përjashtuar është e rrezikshme. Kjo, si në gjendjen e jashtëzakonshme ku kërkohet solidaritet imediat, ashtu edhe në normalitet, njohja e tyre është fillimi i punës për t’u mundësuar një jetë më të mirë. T’i lëmë në ishullin e tyre të mbijetesës se kështu duan është anti-humane. Për të kundërtën, nuk është për t’u shqetësuar se po biem në grackën e ndonjë mendësie kolonializuese, se as romët nuk janë ndonjë fis që e zbuluam në pyjet e amazonës. Muret sociale nuk vetëpërcaktohen, por definohen në ndërveprimin me tjetrin brenda strukturës sociale në të cilën banojmë.
Pingback: Media komunitare – Nyje