26.03.2017 | nyje.al
Takim letrar me autorin Romeo Çollaku mbi romanin e tij të fundit “Mjaltë në teh”, zhvilluar në qëndrën rinore ATA.
“Ashtu si gjithë njerëzit e rruzullimit mbarë, edhe banorët e asaj kodre të veçuar nga bota e kishin, secili, nga një huq të keq e të pandreqshëm. Dhimitër Jeshili, fjala vjen, me të mbetur vetëm, në shtëpi, në arë a në pyll, zinte e dërdëlliste me vete; dhe nuk është se thoshte ndonjë gjë që do të ishte rrezik ose turp ta ndante me dikë tjetër; vetëm sa u jepte zë disa mendimeve të thjeshta e tërësisht të pafajshme. Tani, si të thjeshtë dhe të pafajshëm i gjykojmë ne, por, për kraharorin e atij njeriu zemërdëlirë, mbase qenë të rëndë e brejtës, ndaj dhe nuk i mbante dot përbrenda. Kurse Mëhillengjëlli, sa shihte ujë, ujë shiu a kroi, ia mbathte vrapit drejt prrallit a shqindit më të afërt. Para se të keqësohej edhe më shumë gjendja e tij, ia mbathte vetëm kur e shihte ujin… Secili, secili sapo i linte shëndenë moshës moskokëçarëse të fëmijërisë, ngarkonte në shpinë kryqin e huqit të vet dhe, me përulësi e durim, e mbartte atë gjithë jetën, derisa flakën e kandilit zinte e ia mekte ai thëllim më i tejmë”.
Romeo Çollaku është poet, prozator dhe përkthyes. Ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Gjirokastrës. Është vlerësuar me çmimin e revistës “Aleph” për përkthimin në vitin 2000, si dhe me çmimet kombëtare “Fan Noli” (për përkthimin, 2007) dhe “Mitrush Kuteli” (për tregimin, 2009). Ka një punë voluminoze në përkthimin e prozës dhe poezisë nga gjuha frënge, greke dhe polake, ndër të tjera mund të përmendim: Janis Ricos, “E largëta”, poezi; Paul Verlaine, “Poezi”; Stéphane Mallarmé, “Poezi”; Gérard de Nerval, “Aurelia”, prozë; “Antologji e tregimit grek” etj.
Krijimtaria e autorit:
“Zemër virgjine”, poezi 1993
“Ar e fosfor”, roman 2002
“Gjithë diell e natë”, poezi 2003
“Kumbaraja e kohës”, poezi 2004
“Për shtegtarët e pak metrave katrorë”, tregime 2009
“Heshtjen duke gërmuar”, poezi 2011
“Vise kundërmime”, poezi 2013