16.06.2022 | nyje.al
Ditën e djeshme janë rikthyer protestat kundër rritjes së çmimeve në kryeqytet. “Nuk mban më ujë pilafi” ishte motoja që u shpërnda në rrjete sociale dhe në takime me qytetarë, nëpërmjet së cilës Organizata Politike thirri protestën. Nafta që sot shitet 258 lekë, çmimet e ushqimeve të shportës që sa vijnë e rriten dhe çmimet e produkteve të tjera po e bëjnë mbijetesën më të vështirë sipas qytetarëve dhe aktivistëve.
“Ne si të rinjë dhe aktivistë u detyruam ta thirrnim këtë protestë në kushtet e një heshtjeje totale dhe një tallje të madhe nga ana e qeverisë ndaj qytetarëve. Sipas Institutit të Statistikave, i cili është institucion publik, çmimet e ushqimeve të shportës janë rritur me 30%, ndërkohë gjatë gjithë vitit të fundit, jo vetëm klasa punëtore por edhe shtresa e mesme ka pësuar rënie dramatike në kursim dhe konsum. E një popull që nuk mund të kursejë e nuk mund të konsumojë është një popull që jo vetëm i rrezikohet e ardhmja po i është vënë në dyshim edhe e tashmja.” Klodi Leka – Aktivist i Organizatës Politike
Manifestimi nisi në sheshin “Skënderbej” nga ku më tej protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë. Në ballë të godinës së qeverisë, qytetarët nëpërmjet fjalëve të mbajtura dhe pankartave ngritën shqetësimet dhe problematikat e tyre.
Përfaqësuesi i invalidëve të punës tregoi se shpenzimet publike i tejkalojnë më shumë së dyfish të pensionit që ai merr nga shteti.
“Që të paguaj detyrimet e kësaj qeverie këtu mbrapa duhen 38887 lekë ndërkohë ndërsa në pensionin e fundit kam marrë 16000 lekë. Prandj i kërkoj kësaj qeverie të lëvizë dorën për këta invalidë pune që i kanë dhënë këtij populli shumë, të ndërhyjë në transportin interurban, të zbatojë ligjin për invalidët e puns se janë në gjendje të mjerueshme.”
Edhe pensionistët e shohin gjendjen e tyre në limitet e absurdit kur krahasojnë mbështetjen e tyre financiare nga shteti me shpenzimet e qeveritarëve dhe kërkuan reagim qytetar. Një pensioniste pjesëmarrëse në protestë u shpreh:
“Rama e pi një kafe ndoshta 500 lekë, kurse unë e kam pensionin 200 lekë në ditë”- pohoi përgjatë protestës. Ajo shtoi gjithashtu se nuk e kupton se çfarë presim ende si popull që nuk ngrihemi të kërkojmë një jetë dinjitoze.”
Thirrjes për bashkim në protestë iu bashkua edhe një person me aftësi të kufizuara, që marshoi përgjatë bulevardit dhe thërriti:
“Kjo është një krizë reale, ftoj të gjithë të bashkohen në protestë, rinia të mos ikë nga vendi.”
Në fund të protestës së djeshme u njoftua që edhe sot, datë 16 qershor, në orën 18:00 do të ketë manifestim, e do të vazhdojnë për sa kohë nuk ka ndërhyrje të politikës në zgjidhjen e kësaj krize të rritjes së çmimeve e për sa kohë ka qytetarë që ndjejnë detyrën për të dalë në shesh.
Aktivistët e Organizatës Politike bënë thirrje për këdo që të bashkohet, duke lënë mënjanë çdo gjë më pak të rëndësishme së buka e gojës.
“Ka nevojë të jemi shumë për t’i ndryshuar gjërat, ashtu sikurse ka nevojë të reagojmë edhe nëse jemi pak. Të reagojmë kudo ku ka padrejtësi: në punë, në shkollë, në rrugë.
Reagimi ynë do të ndryshojë gjendjen aktuale e jo të vazhdojmë akoma të themi se ky vend s’bëhet. Është koha të lëmë mënjanë mllefet që kemi mes vetes, është koha të bashkohemi e të dëgjohemi fort!” Albina Ruko – Aktiviste e Organizatës Politike