nyje.al | 08.04.2025
“Mirë se erdhët në këtë darkë festive në residencën zyrtare të presidentit të shtetit të Izraelit. Është e vertetë që ajo çka e bën këtë darkë festive është ajo çka transformon çdo darkë në një darkë të shkëlqyer, shoqëria. Ndaj këtë mbrëmje jemi mbledhur për të ngritur dolli, për të falenderuar e festuar një mik të shtrenjtë të shtetit dhe të popullit të Izraelit, kryeministrin e Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Edi Rama.” – u dëgjua të shqiptonte përkthyesja e zyrës së Kryeministrit në nisje të videos së publikuar në faqen e tij për darkën e marrjes së medaljes së nderit nga presidenti izraelit.
Ndërsa kryeministri Rama e presidenti Herzog ngrinin dolli për njëri-tjetrin dhe medaljen e nderit, e ëma e gazetarit palestinez Islam Maqdad vuante dhimbjen e humbjes së djalit të saj që mbeti i vrarë pas sulmit ajror mbi tendën e ngrituar nga media “Palestine Today”. Tenda provizore dhe shtëpi banimi ishin objektet e shkatërruara nga sulmet e forcave izraelite në qytetin jugor të Gazas, Khan Younis, raportoi me 6 prill Al Jazeera. Më së paku 46 persona u vranë të hënën nga këto sulme ajrore, që rinisën më 18 mars pasi Izraeli nuk pranoi të niste fazën e dytë të armëpushimit, që nënkuptonte largimin e trupave ushtarake nga Gaza.

Jo në emrin tim
Pas marrjes së medaljes dhe para darkës festive, Rama mbajti një fjalë ku falenderoi presidentin izraelit dhe u shpreh që ndihej i vlerësuar për medaljen e nderit dhe nderin e marrjes së saj e ndante me të gjithë shqiptarët. Pas publikimit në media të lajmit dhe fjalës së kryeministrit Rama nuk vonuan reagimet e qytetarëve që distancoheshin nga “nderimi” i medaljes. Kjo u pasua me nisjen e një fushate që mban emërtimin “Jo në emrin tim!”
Një peticion online i inicuar në platformën online change.org tashmë shënon mbi 4300 qytetarë që kanë deklaruar që Rama nuk i përfaqëson në marrëdhëniet me shtetin e Izraelit. Në të denoncohet mbështetja aktive që kjo qeveri po i bën shtetit izraelit në logjistikë, diplomaci dhe në propagandë.

Firmëtarët e peticionit e dënojnë dhe kundërshtojnë furnizimin me naftë bruto dhe të rafinuar nga Shqipëria drejt Izraelit, shtet që po kryen gjenocid mbi popullin palestinez. Në po të njëjtën pikë, ata kundërshtojnë hapjen e porteve të vendit tonë për anije me armatime që kanë për destinacion Izraelin, duke shkelur kështu rekomandimet e OKB-së dhe konventat ndërkombëtare.
Gjithashtu firëmtarët kundërshtojnë qasjen diplomatike të Shqipërisë lidhur me çështjen dhe konsiderojnë të turpshme abstenimet e trupës tonë në OKB në votimet për rezolutat për armëpushim në Gaza.
Së fundmi ata akuzojnë kryeministrin dhe qeverinë Rama për mashtrim të opinionit publik dhe pastrim imazhi të shtetit Izraelit. Kjo bëhet duke pranuar dhe kryer vizita diplomatike, duke organizuar festime më individë të përfshirë në mënyrë aktive në forcat izraelite dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e Izraelit në Javët Kulturore Ndërkombëtare.
Përmes peticionit, firmëtarët parashtrojnë tre kërkesa për qeverinë e shtetit shqiptar.
Ne e denoncojmë këtë qëndrim e turpshëm të Qeverisë Rama dhe kërkojmë që menjëherë:
Të ndalojnë të gjitha aktivitetet kulturore dhe diplomatike që legjitimojnë Genocidin e Gazës
Të ndërpriten marrëdhëniet ekonomike dhe ushtarake me Izraelin
Të zbatohen vendimet e ICJ-së dhe të ndiqet Konventa e Gjenocidit
Peticioni është shpërndarë masivisht në rrjete sociale dhe një grafikë e gatshme me mbishkrimin “JO NË EMRIN TIM” dhe me imazhin e Ramës dhe Herzog të mbuluar nga një dorë e kuqe është shpërndarë nga më shumë se rreth 6500 profile në Instagram.

Zgjidhje me dy shtete, por me kusht
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, në fjalën e tij u shpreh se qeveria e tij ka pasë mbështetur zgjidhjen e konfliktit të përgjakur me mbi 50 mijë viktima me vazhdimin e ekzistencës të të dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, por tashmë kusht për palestinezët është zhbërja e Hamasit.
“Ne qendrojmë të patundur krah Izraelit në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamas. Dhe siç e kam thënë më përpara, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qënë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete por në këndvështrimin tim dhe këndvështrimin tonë nuk ka zgjidhje me Hamasin aty.”
Rama cilësoi Hamasin si nazistët e shekullit të ri dhe u shpreh se meqë historia e ka mësuar Shqipërinë të mos bëjë paqe me të këtillë, ekzistenca e Hamasit rrjedhimisht e bën shtetin palestinez të lëkundshëm për Shqipërinë.
“Hamasi janë nazistët e shekullit të ri dhe historia na ka mësuar që me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis.”
Ky diskurs i shkon për shtat qeverisë izraelite të drejtuar nga Benjamin Netanyahu, e cila mban të pushtuar Gazën dhe nuk tërheq trupat ushtarake me objektivin për të eliminuar edhe të fundmin militant të Hamasit. Këtë pikëpamje të Ramës e parandjeu dhe presidenti Herzog që ndonëse foli para Ramës, e falenderoi atë për aftësinë unike prej artisti që arrin të shohë botën me sytë e asaj që mund të jetë.
“Zoti Kryeministër, i dashur miku im Edi, si artist ju keni aftësinë unike ta shihni botën jo vetëm siç është, por siç mund të jetë, dhe në këtë cilësi vizionare kjo përbën shumë për kombin tuaj dhe kaq shumë për lidhjet që kombet tona ndajnë aktualisht.”