Qytetarët mes radhës dhe covid-it

10.07.2020 | nyje.al 

Instituti i Shëndetit Publik, në komunikimin e tij të përditshëm njoftoi se numri i rasteve të reja për ditën e sotme ka arritur në 90 individë pozitivë, duke e çuar numrin e plotë të të infektuarve në 3278.
Kamza bën pjesë tek qytetet në të cilat janë identifikuar në mënyrë periodike raste të reja pozitive me COVID-19. Ndërkohë që situata rëndohet, në vendet publike të qytetit po bëhet pothuajse e pamundur të ruhet distanca mes qytetarëve.

Pensionistet teksa presin per te marre pensionin, foto nyje.al

Ora 08.00 e mëngjesit është momenti me grumbullimet më të mëdha përballë filialit të postës shqiptare. Pensionistët shfrytëzojnë oraret e mëngjesit të hershëm për t’u mbrojtur nga vapa, por radhët e gjata të pritjes dhe nevojat urgjente për të tërhequr pensionin po i detyrojnë të qëndrojnë me orë të tëra në pritje.
“Kena ardh që prej orës 8 të mëngjesit. Kam mbi 1 orë që presim jashtë. Pensionin nuk ma kanë sjellë në shtëpi me poste, siç na kanë pasë thanë prandaj jam detyrue me dalë herët me e marrë.”- shprehet njëra nga nënat.

Nuk është aspak më mirë situata e qytetarëve që detyrohen të presin jashtë dyerve të bankave të nivelit të dytë. Filiali i Bankës Kombëtare Tregtare, si në kohë normale, ashtu edhe pandemie nuk ofron kushte të përshtatshme për të pritur klientët e saj të shumtë. Ditën e sotme, me dhjetëra qytetarë, mes nxitimit për të kapur oraret zyrtare të punës dhe detyrimeve bankare, janë rrjeshtuar në shkallët e kësaj të fundit, duke mos u kujdesur për ruajtjen e distancave kundër covid-19.

 

Klientë të bankës Kombëtare Tregtare, në radhë. Kamëz, foto nyje.al

Në pamje të parë, hyrja e tregut të fruta-perimeve të Kamzës të jep përshtypjen e qëndrës së dezinfektimit për qytetarët. Në fakt, tuneli ekzistent dezinfektues është jofunksional, duke ia shtuar rrezikun e infektimit qytetarëve që kryejnë pazaret e tyre ditore.

Qendra e Dezinfektimit në hyrje të tregut të Kamzës, foto nyje.al

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje