Selma Daku | 15.01.2025 | nyje.al
Organizata “Qëndresa Qytetare” ka mbajtur një qëndrim publik ditën e hënë mbi keqpërdorimin e hapësirave publike në qytetin e Kamzës. Denoncimi lidhet me një aktivitet publik që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, së bashku me drejtuesen politike Lindita Nikolla dhe kryetarin e bashkisë Rakip Suli, kanë zhvilluar javën e kaluar në qytet. Ata kanë shfrytëzuar hapësirën rinore dhe bibliotekën në brendësi të Pallatit të Kulturës për të promovuar nismën e PS-së #Shqiperia2030. Në postimin e saj, Spiropali njofton praninë e Kuvendit Rinor të Kamzës, si dhe i bën jehonë çeljes së regjistrimit të diasporës, duke i ftuar në ‘bashkim’ në programin politik të PS-së.
Sipas Qëndresës Qytetare, kryetarit të bashkisë Kamëz i takonte të merrte masa për një shkelje që ndodh në një hapësirë (apartiake) të dedikuar për të rinjtë e Kamzës, por në vend të kësaj, ai e ka shpërndarë takimin në faqen e tij zyrtare të rrjetit social Facebook. Kujtojmë se më herët Rakip Suli është ndëshkuar administrativisht në dy raste, për përdorim të hapësirave publike. Në të dyja rastet, ai përdorte faqen zyrtare të Bashkisë Kamëz në rrjetin social Facebook për të rishpërndarë postime gjatë fushatës elektorale të Partisë Socialiste, duke përcjellë mesazhe partiake. Të njëjtën gjë Suli vazhdon të bëjë edhe në fushatën elektorale të këtij viti.
Sipas ligjit zgjedhor shqiptar, ekziston një sanksion i qartë që ndalon mbajtjen e aktiviteteve politike në institucionet publike katër muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë se çdo aktivitet që shfrytëzon hapësirat fizike dhe ato virtuale si publike, nga ana e partive, përfshirë PS-në, dhe që zhvillohet brenda kësaj periudhe është në shkelje të rregullave. Prandaj, shfrytëzimi i qendrave rinore dhe hapësirave të tjera publike për aktivitete promovuese partiake, ngre pikëpyetje për një mangësi të mundshme të transparencës dhe ndershmërisë në procesin zgjedhor.
Në një prononcim për redaksinë tonë, aktivisti Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare, tha se paralajmërimi për denoncim ka kaluar tashmë në veprime konkrete pasi ata kanë dorëzuar denoncimin e tyre pranë KQZ dhe pritet të investigohet dhe të sigurohet ndëshkimi i merituar për çështje të tilla.
“Ne kemi dorëzuar denoncimin pranë KQZ i cila e ka administruar çështjen, dhe sipas procedurave rastet kalojnë përmes një procesi investigimi ku ne si palë do ta ndjekim me juristët, që raste të tilla të marin sanksionet e merituara administrative.”
Më tej, i pyetur për ndikimin që kanë në transparencën dhe proçesin e zgjedhjeve fushatat në hapësira publike, Qiraxhi u shpreh se ky është ndër problemet kryesore të diktuara edhe në Raportin e Zgjedhjeve të kaluara nga OSBE ODHIR dhe pyetësorin e zhvilluar nga “Qëndresa Qytetare” përgjatë muajit dhjetor, ku një pjesë shumë e madhe mendojnë se përdorimi i shtetit në fushatë ka efekt vendimtar në rezultatin zgjedhor.
“Përdorimi i aseteve shtetërore është një nga problematikat kryesore në proceset zgjedhore dhe kjo gjendet në Raportin e Zgjedhjeve të kaluara nga OSBE ODHIR, por gjithashtu edhe kur kemi pyetur qytetarët përgjatë muajit dhjetor, 84.5% e shqiptarëve mendojnë se përdorimit i shtetit në fushatë ka efekt vendimtar në rezultatin zgjedhor. Këtë besojmë edhe ne, prandaj është me rëndësi të veçantë mbajtja e shtetit larg përdorimit për arsye elektorale, që të garantojmë një garë të drejtë dhe të pandikuar.”
Shfrytëzimi i hapësirave publike për aktivitete politike është një çështje e ndjeshme, dhe rast i përsëritur. E njëjta organizata në bën me dije se institucionet që kanë filluar vrullshëm shpërndarjen, ripostimin dhe komentimin e postimeve me përmbajtje politike janë institucionet arsimore. Faqet e shkollave, zyrat e drejtorive vendore dhe drejtoritë rajonale janë monitoruar nga QQ dhe 36 sosh janë denoncuar pranë KQZ-së për shpërndarje të postimeve me mesazhe elektorale për partinë socialiste. Ndërsa shoqëria shqiptare përballet me një sfidë të tillë, është e rëndësishme që të gjithë aktorët, përfshirë qeverinë, partitë politike dhe qytetarët, të angazhohen për të ndihmuar në ruajtjen e një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të ligjshëm. Organizata Qëndresa Qytetare fton qytetarët për të denoncuar çdo rast që lidhet me këtë lloj shkeljeje, si mënyrë që secili prej qytetarëve të kontribuojë në garantimin e një procesi zgjedhor më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë.
Imazhi në ballinë: Fotografi të postuara nga Elisa Spiropali