Qafa dhe shpata (II)
Rashid Khalidi | Intervistuar nga Tariq Ali | Shqipëruar nga Genc Shehu
Botuar në numrin 147 të revistës New Left Review (Maj/Qershor 2024)
Një tjetër kusht në sfond për Revoltën ishte ngritja e fashizmit në Europë.
Nga momenti që nazistët morën pushtetin, e gjithë situata ndryshoi për hebrenjtë në marrëdhënien e tyre me botën dhe me sionizmin. Kjo është krejt e kuptueshme. Si pasojë ajo solli ndryshime edhe në Palestinë: midis viteve 1932 dhe 1939, përqindja hebraike e popullsisë u rrit nga 16 ose 17 për qind në 31 për qind. Sionistët papritmas kishin një bazë demografike të qëndrueshme për të marrë nën kontroll Palestinën, të cilën nuk e kishin në vitin 1932.
Palestinezët u bënë viktima indirekte të Judeocidit europian.
Absolutisht. Palestinezët po paguajnë për gjithë historinë e urrejtjes ndaj hebrenjve në Europë, që nga kohërat mesjetare. Eduardi I i dëboi hebrenjtë nga Anglia në vitin 1290, dëbimet franceze në shekullin pasues, dekretet spanjolle dhe portugeze në vitet 1490, pogromet ruse nga vitet 1880 dhe, në fund, gjenocidi nazist. Një dukuri kjo historikisht tipike europiane dhe e krishterë.
Po sikur të mos kishte ndodhur Judeocidi në Europë dhe fashistët gjermanë të kishin qenë fashistë të zakonshëm, pa obsesionin për të shfarosur hebrenjtë?
Oh, një goxha çfarë do mund të kishte qenë. Por shikoni situatën në vitin 1939. Ekzistonte tashmë një projekt sionist, me mbështetje të fuqishme nga Perandoria britanike, për arsye që nuk kishin fare të bënin me hebrenjtë apo sionizmin, por me interesa strategjikë. Deklarata e Balfurit u bë nga njeriu përgjegjës për kalimin e ligjit më antisemit në historinë parlamentare britanike, Akti i të Huajve i vitit 1905. Klasa sunduese britanike nuk deshte t’ia dinte sidomos për hebrenjtë. Mund të kenë pasur interes për interpretimin e tyre të Biblës, por ajo që u interesonte më shumë ishte rëndësia strategjike e Palestinës dhe Lindjes së Mesme si portë për në Indi, shumë përpara vitit 1917. Ky ishte shqetësimi i tyre, fund e krye. Kur u detyruan të largoheshin në vitin 1948, ata mundën ta bënin këtë sepse sakaq kishin hequr dorë nga India në vitin 1947 dhe nuk ia kishin më të njëjtën nevojë Palestinës. Edhe sikur Hitleri të ishte vrarë, prapë do të kishte një projekt sionist, me mbështetje nga perandoria britanike. Sionizmi do të kishte tentuar gjithsesi ta merrte të gjithë vendin, çka ishte gjithmonë objektivi i tij, dhe do të kishte tentuar të krijonte një shumicë hebraike përmes spastrimit etnik dhe imigracionit. Nuk do mund të spekuloja përtej kësaj.
Por a nuk kishte rryma anti-sioniste edhe brenda komuniteteve hebraike?
Sigurisht që kishte komunistë hebrenj, asimilacionistë hebrenj. Shumica dërrmuese e popullsisë hebraike të persekutuar në Europën lindore zgjodhi emigrimin në kolonitë e të bardhëve: në Afrikën e Jugut, Australi, Kanada, Zelandë të Re dhe, mbi të gjitha, në Shtetet e Bashkuara; disa shkuan edhe në Argjentinë dhe vende të tjera të Amerikës Latine. Kjo qe shumica dhe aty u vendos pjesa më e madhe e popullsisë hebraike në botë, përveç atyre që qëndruan në Europë. Anti-sionizmi ishte një projekt hebre, deri në ardhjen e Hitlerit. Para kësaj, sionistët ishin një pakicë dhe programi i tyre vihej thellësisht në pikëpyetje në komunitetet hebraike. Por Holokausti prodhoi një lloj uniteti të kuptueshëm në mbështetje të sionizmit.
Disfatat zakonisht kanë efektin e ndalimit të gjithçkaje për një kohë; pastaj rezistenca ngrihet përsëri, në forma të ndryshme. Por në rastin e viteve 1936–39, disfata u pasua menjëherë nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore – e cila filloi në Kinë, megjithëse shumë e quajnë lufta europiane. Cili ishte qëndrimi i udhëheqjes palestineze në atë periudhë? Në Indonezi, Malajzi, Indi dhe në pjesë të Lindjes së Mesme, disa pjesë të lëvizjes nacionaliste thoshin: armiku i armikut tonë është miku ynë, qoftë përkohësisht. Meqë armiku ynë është Perandoria britanike, kjo do të thotë gjermanët ose japonezët. Në librin e tij për Egjiptin, Anouar Abdel-Malek tregon se si, kur dukej se Rommeli mund të merrte Egjiptin, turma të mëdha u mblodhën në Aleksandri duke thirrur: “Përpara, Rommel, përpara!” Ata donin këdo tjetër përveç Britanisë. Cili ishte qëndrimi në Palestinë?
Qëndrimi në Palestinë ishte thellësisht i ndarë. Një fraksion i pakicës në udhëheqje u rreshtua me gjermanët, duke ndjekur Muftiun e Madh. Ai pati një karrierë të jashtëzakonshme gjatë luftës: francezët e dëbuan nga Bejruti, britanikët e ndoqën të dilte nga Iraku kur e rimorën atë në vitin 1941, pastaj e ndoqën nga Irani. Ai u përpoq të shkonte në Turqi, por turqit nuk e lejuan të qëndronte, kështu që përfundoi në Romë dhe më pas në Berlin. Por shumica e palestinezëve nuk shkuan në atë vazhdë. Shumë u bashkuan me Ushtrinë britanike dhe luftuan me forcat Aleate. Natyrisht, shumë udhëheqës ishin vrarë nga britanikët, qoftë në fushëbetejë apo me ekzekutim. Të tjerë u çuan në ekzil. Britanikëve u pëlqente të ekzilonin kundërshtarët e tyre nacionalistë në territoret ishullore: Maltë, Sejshelle, Sri Lanka, Andaman. Xhaxhai im u dërgua në Sejshelle për disa vite, së bashku me udhëheqës të tjerë palestinezë dhe më pas u mërgua në Bejrut për disa vite të tjera. Kështu, pjesa më e madhe e udhëheqjes e kuptoi që Britania nuk mund të ishte kurrë miku i tyre. Mund të lexoni kujtimet e xhaxhait tim – ai u bë një anti-britanik tmerrësisht i hidhur. Ai gjithmonë kishte qenë një nacionalist dhe anti-britanik, por grada në të cilën Revolta ndryshoi pikëpamjet palestineze është mbresëlënëse. Më parë, udhëheqja ishte përpjekur gjithmonë të pajtonte britanikët, në vazhdën e shumë elitave të përzgjedhura koloniale. Kjo ndryshoi me shpartallimin e Revoltës.
Në fund, disfata e Revoltës dhe më pas Lufta e Dytë Botërore i lanë palestinezët të papërgatitur për atë që do të vinte më pas, kur dy superfuqitë e reja – ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik – mbështetën sionizmin, ndërsa në terren britanikët bashkëpunuan me sionistët dhe jordanezët për të parandaluar ngritjen e një shteti palestinez. Palestinezët nuk ishin të organizuar sa duhet për të përballuar sulmet e forcave sioniste, që filluan në nëntor 1947, muaj para përfundimit të mandatit më 15 maj 1948, kur rezoluta e OKB-së për Ndarjen supozohej të hynte në fuqi dhe ushtritë arabe u përfshinë në përleshje. Deri atëherë, forcat sioniste kishin marrë Jaffën, Haifan, Tiberiasin, Safadin dhe dhjetëra fshatra, duke dëbuar rreth 350 mijë palestinezë dhe kishin pushtuar tashmë pjesën më të madhe të asaj që do të kishte qenë shteti arab sipas Planit të OKB-së për Ndarjen. Kështu palestinezët sakaq ishin mposhtur përpara se të shpallej Shteti i Izraelit dhe të fillonte e ashtuquajtura Luftë Arabo-Izraelite.
Do të dalim edhe te roli i Shteteve të Bashkuara në të gjitha këto. Por si e shpjegoni mbështetjen e Bashkimit Sovjetik për sionistët, duke i furnizuar ata me armë çeke për të vazhduar luftën?
Stalini ndryshoi qëndrim shumë shpejt, siç e dini. Nga një fuqi e fortë anti-nacionaliste dhe anti-sioniste, Bashkimi Sovjetik papritur u bë mbështetës i një shteti hebre. Kjo erdhi si tronditje e madhe për partitë komuniste të botës arabe. Mendoj se kishte disa arsye për këtë. Sigurisht, ishte një përpjekje për të tejkaluar Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta kishte një ndjesi se ky [shtet i ri] do mund të bëhej një vend socialist që do të rreshtohej me Bashkimin Sovjetik. Stalini gjithashtu dëshironte të minonte britanikët në Lindjen e Mesme. E mbani mend që Stalini e kaloi rininë duke luftuar në jug të asaj që do të bëhej Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës Civile ruse, kur britanikët ishin mbështetësit kryesorë të të Bardhëve – duke i financuar, armatosur dhe trajnuar ata. Ata i mbështetën me trupa dhe flota nga Balltiku deri në Detin Kaspik dhe Detin e Zi. Qysh herët, Stalini zhvilloi një armiqësi të madhe ndaj Britanisë dhe një obsesion për kërcënimin që paraqiste pushteti britanik në jug të BRSS-së. Dhe tani ai e pa këtë si një moment kur Bashkimi Sovjetik mund të dëmtonte regjimet kukulla arabe të Britanisë në rajon.
Ishte një katastrofë si ndërhyrje politike. Por nuk zgjati shumë.
Nja dy vite. Por, po, absolutisht. Nëse e shikoni votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pa Bashkimin Sovjetik dhe votat e tij nga Bjellorusia dhe Ukraina, si dhe nga vende nën ndikimin e tyre, amerikanët do ta kishin të vështirë të kalonin rezolutën e Ndarjes. Ndoshta mund t’ia dilnin, por mund të kishte çuar në një rezultat të ndryshëm. Dhe marrëveshja për armatimet çeke ishte vendimtare për fitoret e Izraelit kundër ushtrive arabe në fushëbetejë.
Kjo na çon tek elitat arabe – monarkitë dhe principatat e sheikëve të vendosura nga Britania pas rënies së osmanëve – bashkëpunimi i tyre me britanikët dhe dështimi i tyre për të ndihmuar në mposhtjen e këtij entiteti që Perandoria britanike kishte krijuar.
Monarkitë egjiptiane, jordaneze dhe irakiane luajtën rolin më të rëndësishëm këtu. Ato gjendeshin nën trysni të ndryshme, nga lart dhe nga poshtë. Nga njëra anë, britanikët nuk kishin absolutisht asnjë dëshirë të shihnin një shtet palestinez. Edhe pse kishin filluar të kishin një armiqësi ndaj sionistëve për shkak të fushatës së përgjakshme që u zhvillua kundër tyre nga Irguni, Banda Stern dhe Haganahu në fund të Luftës së Dytë Botërore, ata ende kishin një armiqësi të madhe ndaj palestinezëve. Britania abstenoi në rezolutën e OKB-së për Ndarjen. Një shtet hebre do të themelohej dhe nuk kishte asgjë që do mund ta parandalonte këtë. Por ata shpresonin që, përmes regjimeve të tyre klienteliste, të kundërpeshonin fuqinë e tij dhe të mbanin ndikimin që kishin në një pjesë të Palestinës, falë Emir Abdullahut të Transjordanisë, ushtria e të cilit komandohej nga oficerë britanikë.
Nga ana tjetër, ishte trysnia e opinionit publik. Bota arabe prej kohësh ishte e shqetësuar për sionizmin. Kur po e hulumtoja këtë çështje, gjeta qindra artikuj të hershëm gazetash për Palestinën nga Stambolli, Damasku, Kajroja dhe Bejruti. Kishte vullnetarë nga Siria dhe Egjipti që luftonin në Palestinë gjatë Revoltës Arabe. Kështu që këto regjime fqinje u vunë nën trysni popullore për të bërë diçka për gjëmën që po shpalosej në Palestinë gjatë viteve 1947–48, teksa sionistët fituan shpejt epërsi dhe refugjatë të varfër po fillonin të shfaqeshin në kryeqytetet arabe. Sigurisht, britanikët donin që jordanezët të hynin në lojë – me synimin për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor për veten e tyre. Egjipti dhe vendet e tjera arabe u detyruan nga popullatet e tyre që të ndërhynin. Por këtë e bënë në mënyrë gjysmake dhe vetëm pasi britanikët ishin tërhequr.
Kjo pati një efekt të madh radikalizues mbi oficerët e rinj arabë që u angazhuan, përfshirë Abdel Nasserin. Ai shkroi në kujtimet e tij: nuk na u dhanë mjetet për të luftuar dhe teksa po luftonim kundër izraelitëve, mendonim për monarkinë e korruptuar të kontrolluar nga britanikët në shtëpi. Së bashku me dy kolegë të ngushtë në grupin nacionalist të Oficerëve të Lirë, Abdel Hakim Amer dhe Zakaria Mohyedin, Nasser u vendos në Gaza dhe Rafah dhe vëzhgoi nga afër zemërimin e ushtarëve të thjeshtë ndaj Komandës së Lartë në Kajro. Ai citon një ushtar që përsëriste vazhdimisht me çdo urdhër të kotë të ri: “Turp, turp për ne,” me intonacionin e zgjatur sarkastik të fshatit egjiptian.1 Lufta rriti popullaritetin e Oficerëve të Lirë dhe përfundimisht çoi në përmbysjen e monarkisë në vitin 1952. Kjo ishte e vërtetë edhe me irakianët dhe sirianët. Pothuajse sapo mbaroi lufta, ndodhën një seri grushtesh shteti në Siri, pasuar nga revolucioni i vitit 1952 në Egjipt dhe më pas në Irak në 1958-n. Oficerët ushtarakë të përfshirë kishin luftuar të gjithë në Palestinë.
Shënim redaksional –Gamal Abdel Nasser ishte oficer i ushtrisë egjiptiane, më pas Kryeministër i Egjiptit (1954-56) dhe President (1956-70).
Pra, Palestina u nda, por jo sipas planit të dakorduar nga Kombet e Bashkuara.
Ben-Gurion dhe udhëheqësit sionistë dëshironin ta merrnin të tërën, thjesht nuk kishin mjetet në atë kohë. Kështu që u kënaqën me 78 për qind.
Ka pasur luftë pothuajse të pandërprerë që atëherë. Vala e parë e refugjatëve mbërriti në Gaza pas Nakbës në vitin 1948, përfshirë shumë nga miqtë tanë. Ata kurrë nuk kishin jetuar më parë në Gaza.
80 për qind e popullsisë së asaj që sot është Rripi i Gazës janë pasardhës të refugjatëve, shumica e të cilëve mbërritën në 1948-n. Ka popullata nga Negevi dhe zona të tjera që u dëbuan edhe më vonë. Por 80 për qind e popullsisë së Gazës fillimisht erdhën nga vende të tjera.
1.“Memoirs of the First Palestine War”, të përkthyera në anglisht nga Walid Khalidi për revistën Journal of Palestine Studies, Dimër 1973, janë një rrëfim magjepsës mbi kaosin dhe mungesën e qëllimshme të planifikimit nga Komanda e Lartë e korruptuar në Kajro
Imazhi i ballinës: Hammam Fuad në Unsplash