NYJE
Ka qytete që të mësojnë nevojën e gurit në xhep, të tjerë që të ngarkojnë një gurë mbi shpinë.
Qytete që të rrinë si gurë në këpucë. Qytete me mure prej guri.
Qytete me shumë mite, pa asnjë sizif.
Qytete që koha u rri ngusht në shpatulla. Qytete shpatullngushtë.
Ka qytete që ta mësojnë heshtjen si gjuhën e zemërimit.
Qytete që nuk iu flet më me gojë. Qytete memece.
Ka qytete që u ngelet hatri, qytete që mbajnë me hatër, qytete që të zbojnë përditë hatërmbetur.
Qytete me tym oxhaqesh dhe burrni. Qytete që nuk digjen, vec që të mos krihen
gratë, si periferia e qytetit dhe qytete që tradhëtojnë periferitë. Qytete që shqetësohen për burrninë e tyre.
Qytete që burrnohen nga frika.
Qytete që i tremben pikëpyetjes, të tjerë që shtrihen mes “jo vetëm që…por edhe”.
Qytete që s’veprojnë, që s’pësojnë, që s’kanë gjendje.
Qytete pa folje, ose me një folje të zgjedhuar në një kohë të gabuar
të mënyrës kushtore
Qytete të kushtëzuara.
Qytete që e kan zët përemrin “ata” dhe “të tjerët” i dëfton me një “ne” harmonike të qytetit distopik.
Qytete që “thjesht ndodhin” për të lindur një metaforë urbane. Qytete pa hartë.
Qytete si pjesëza gjuhësore që rrinë në prag të të ardhurit për të treguar në cilën trajtë është.
Shquhet apo nuk shquhet? Me cilën mbaresë ligjore i është themeluar shtëpia?
Nyja si vendi i lidhjes së dy skajeve të një filli jete, dhe qyteti një fill i zvogëluar nyjesh.
Qytete që lidhen nyje kur u duhet të flasin, dhe qytete që zhbëhen kur u diktojnë mendimin.
Qëndra qytetesh të nyjëzuara me mendësinë e “të parit që prin”, dhe skaje qytetesh te nyjezuara me harresën.
Qytete me nyje!
Qyteti-nyje, Kamza, shtrihet në fillin e hollë të jetës në zgrip, e tendosur në skaje. Aty nyjëtohen liria dhe informalja, e drejta dhe e përligjura, shtetërorja dhe njerëzorja, jeta jonë si nyje për t’u zgjidhur dhe ngërçi i artikulimit të mendimit të lirë.
Në njërin skaj të këtij qyteti shtrihet terreni imagjinar në të cilin projektohet dinjiteti i njeriut, dhë në skajin tjetër gjithë çka prodhon padija e njeriut të nxituar të kapë me vrull ritmin e urbanes. Në njërin skaj gjallon jeta e njeriut që kërkon të ndërtojë mbi mungesën dhe në skajin tjetër njeriu që kërkon të gjejë nyjet me jetën.
Kjo është nyja e parë që shënon fillimin e rrëfimit të ngjarjeve në një qytet i cili kërkon të bëjë dhe të zhbëjë nyjet e veta. Kjo nismë nga një grup të rinjsh do të lejojë që gjërat të dalin në sipërfaqe, të gjenden lidhjet mes ngjarjeve, vendeve, fenomeneve dhe synon që të krijojë një hapësirë të lirë ku secili qytetetar të shprehë mendimin e tij dhe të jetë pjesë aktive e saj.
Në trajtën e një gazete elektronike, do të paraqesim, zgjidhim dhe lidhim nyjet institucionale, kulturore, dhe historitë njerëzore që shkurtojnë dhe zgjasin fillin jetësor të qytetit.