Selma Daku | 21.01.2025 | nyje.al
Mbrëmjen e djeshme, grupimet politike të Lëvizjes Bashkë, Shqipëria Bëhet, Nisma Thurje thirrën tubimin përpara Ministrisë së Brendshme në Tiranë, për të kërkuar transparencë dhe drejtësi për rastin e policit me inicialet A.S. Dhjetra qytetarë, aktivistë dhe simpatizantë të partive të reja politike protestuan për rastin, i cili është ndjekur me diskutime online dhe shqetësim ndër qytetarë. Specialisti i qarkullimit rrugor në Tiranë, A.S, tentoi vetëvrasjen të nesërmen e arrestimit të Martin Manes, djali i biznesmenit Samir Mane. Këto dy ngjarje janë interpretuar si të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, dhe janë hedhur dyshime mbi presione të mundshme që kanë detyruar policin të kryente tentativën e vetëvrasjes.
Protestuesit, me banerin e shpalosr “shteti i oligarkëve” kërkuan ndëshkim për abuzimet dhe përjashtimet e padrejta duke vënë akoma më shumë në dyshim barazinë para ligjit, dhe duke kritikuar edhe njëherë lidhjen e ngushtë shtet – oligarki.
Aktivistja dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Mirela Ruko, u përqëndrua te deklarata e Ministrit të Brendshëm i cili reagoi vetëm pas njoftimeve për protstë, duke thënë se ngjarja është një manipulim dhe dizinformim që po përdoret për qëllime politike apo mediatike. Në deklaratën e tij ai gjithashtu mohon që A.S të ketë tentuar vetëvrasjen për shkak të presioneve për të mos zbatuar ligjin.
“Sot, fatkeqësisht, përballemi me një realitet ku Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka dështuar jo vetëm të garantojë rendin dhe sigurinë, por me deklaratat dhe veprimin e tij, ka treguar se ka mungesë vullneti për të mbrojtur ligjin dhe ata që qëndrojnë në vijën e parë të garantimit të ligjit”
Sipas kryetarit të “Lëvizja Bashkë” Arlind Qorit, ky rast e përngjason vendin me shtetet totalitare, ku viktima detyrohet të qëndrojë në heshtje dhe për më tepër detyrohet të shfajësojë fajtorët e vërtetë. Ai zgjodhi të lexojë disa mesazhe të dërguara nga policë të ndryshëm të cilët sipas tij, nuk mund të jenë pjesë e protestës për shkak të pozicionit të punës. Në njërin nga mesazhet e lexuara nga Qori polici shkruante:
“Situata jonë është alarmante, përballemi me presione të vazhdueshme për transferime që na largojnë nga familjet tona. Pagat janë skandaloze dhe uniformat janë në një gjendje të mjerueshme. Nuk gjen dy policë me një uniformë të njëjtë. Drejtuesit tanë shpesh tregohen të paaftë dhe në vend që të na mbështesin ushtrojnë presione nga më të ndryshmet nga ne.”
Në përfundim të fjalës së tij ai kërkoi dorëheqjen urgjente të Ervin Hoxhës si dhe paralajmëroi se protestat nga Lëvizja Bashkë do të vijojnë.
“…ky ministër i quajtur Ervin Hoxha për 99% prej jush që nuk e dini kush është, duhet të shkarkohet ose të japë dorëheqjen një orë e më parë.”
Një tjetër aktiviste e Lëvizjes Bashkë, Loreta Koleci, shprehu indinjatë për diferencimin që kjo ngjarje vuri në dukje, ku familjarët e njerëzve me pushtet janë të paprekshëm në çdolloj situate, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë dënohen për gjëra minimale.
“Në Shqipëri, të jesh djali i Samir Manes, të jesh djalë i një oligarku tjetër, rajoni i policisë është si kafja e lagjes ku ti rri pak dhe del. Nuk ke asnjëlloj përgjegjësie. Ndërkohë që te kjo qeveri që ka 12 vite në pushtet, kemi parë se si punëtorë të thjeshtë, familjarë të thjeshtë, janë dënuar apo kanë kryer vetëvrasje se nuk kanë paguar dritat.”
Shqetësimi i qytetarëve për ndihmën që u ofrohet biznesmenëve me fuqi të madhe financiare sa vjen e rritet. Kjo ndihmë dhe ky favorizim nga institucionet shtetërore është një shenjë e kapjes së institucioneve nga individë me fuqi të madhe ekonomike.
Pavarësisht se partitë e reja politike priteshin të zhvillonin tubimin së bashku, për shkak të njoftimeve me të njëjtën vend dhe orë të mbajtjes së saj, mosdakordësitë mes Lëvizjes Bashkë dhe Shqipëria Bëhet për të bashkëpunuar, dhe që kulmoi në debate të lidhura me rendin e fjalës, sollën që dy partitë të ndaheshin dhe të zhvillonin paralelisht protestat e tyre.
Edona Haklaj, nga Shqipëria Bëhet deklaroi se është përpjekur të bashkërendojë protestën e ditës së djeshme, me qëllimin për të mos pasur mbivendosje dhe përplasje duke e kontaktuar kryetarin e LB-së, i cili i është përgjigjur që protesta është thirrur nga Lëvizja Bashkë dhe do drejtohet nga Lëvizja Bashkë. Në anën tjetër të Ministrisë së Brendshme, Haklaj ka pohuar:
“Sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi për rastin e një punonjësi policie, rast i të cilit ende nuk është i zbardhur. Sot, nuk kemi drejtësi! […] Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në qëllimet tona, në idealet tona, për të kërkuar drejtësi për qytetarët e këtij vendi dhe për t’i përfaqësuar ashtu siç duhet qytetarët e këtij vendi!”
Kryetari i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj në qëndrimet e tij të mëparshme ne rrjetet sociale ka kërkuar nga Policia e Shtetit një raport të plotë dhe të saktë për çka ka ndodhur në rastin e policit, si dhe ka theksuar se të gjithë qytetarët duhet të trajohet barabartë para ligjit, pavarësisht statusit social a ekonomik që ata kanë.