Protesta e aksione kundër djegies së mbetjeve dhe heshtjes së institucioneve

Erinda Isufaj | nyje.al | 04.07.2025 

Një ditë pas aksionit të aktivistëve përpara Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të shqetësuar për zjarret e fundit, ditën e sotme u mbajt një protestë në qytetin e Elbasanit. Gentian Sejrani, në një komunikim për median pohoi se është e rëndësishme të protestojmë përpara institucioneve që kanë përgjegjësi për ngjarjen.

“Ne do të jemi në Elbasan për të kërkuar informacion dhe për të vënë përpara përgjegjësisë institucionet që janë të ngarkuara për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve.” 

Sipas njoftimeve në rrjete sociale, aktivistë e qytetarë nga Elbasani dhe Tirana janë bashkuar sot në një aksion-protestë për të mos lënë të kalohet lehtë ngjarja e zjarreve në Elbasan. Protestuesit fillimisht u drejtuan drejt Prokurorisë së qytetit, dhe më pas marshuan drejt Bashkisë së Elbasanit. 

Sakaq dje, një reagim të organizuar përpara Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, aktivistë të Qendresës Qytetare dhe përfaqësues të shoqërisë civile ngritën zërin kundër ndotjes ekstreme të ajrit, menaxhimit të dështuar të mbetjeve dhe heshtjes së institucioneve përballë një krize të përsëritur mjedisore dhe shëndetësore.

Migen Qiraxhi, gjatë fjalës së tij denoncoi gjendjen alarmante të ndotjes në Elbasan, ku për tre ditë me radhë qyteti ka qenë i mbuluar nga tymi dhe djegia e mbetjeve në afërsi të inceneratorit. Ai theksoi se situata nuk është një ngjarje e izoluar, por pasojë e një krize me emër: projektit të dështuar të inceneratorëve, që sipas tij “ka përpirë miliona euro nga taksat e qytetarëve, pa prodhuar as pastrim, as ajër të pastër”.

Në fjalimin e mbajtur para ministrisë, Qiraxhi përmendi disa prej treguesve kryesorë të ndotjes së ajrit në Elbasan:

“Metani (CH₄): 2 herë mbi normë
Dioksidi i Azotit (NO₂): 2.5 herë mbi normë
Dioksidi i Karbonit (CO₂): 3 herë mbi normë

Qytetarët thithin helm në përditshmëri, ndërsa Ministria dështon sistematikisht të marrë masa parandaluese dhe mbrojtëse,” deklaroi ai.

Ai shtoi se asnjë paralajmërim nuk iu dha qytetarëve për të mbrojtur shëndetin e tyre në ditët me ndotje ekstreme. Sipas tij, qytetarët duhej të ishin njoftuar urgjentisht që të qëndronin brenda, të përdornin maska mbrojtëse dhe të shmangnin aktivitetin fizik në ajër të hapur.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mesazhe të rëndësishme si: “Inceneratorët po djegin eurot tona” dhe “Fëmijët s’kanë ajër, zyrtarët s’kanë turp”. Këto pankarta pasqyronin zemërimin dhe zhgënjimin e qytetarëve ndaj një sistemi që, sipas tyre, ka dështuar jo vetëm në menaxhimin e mbetjeve, por edhe në mbrojtjen e të drejtës për një jetë e një mjedis të shëndetshëm.

Qiraxhi dhe përfaqësuesit e tjerë të Qendresës Qytetare kërkuan që institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK, të hetojnë këtë situatë si një krim mjedisor me pasoja të rënda për shëndetin publik.

“Kur shteti dështon të fikë zjarrin, duhet të ndizet përgjegjësia politike dhe ligjore e vendimmarrësve,” theksoi ai.

Zjarret në fushat e mbetjeve nuk janë më incidente të rastësishme. Aktivistët në protestë theksuan se ato janë pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit të mbetjeve dhe mungesës së një strategjie afatgjatë. Pamjet e tymit që mbulon Elbasanin, Vlorën, Durrësin dhe Fierin janë bërë tashmë imazhe të zakonshme gjatë sezonit turistik.

Vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan 1,077 vatra zjarri dhe u dogjën 43,466 hektarë pyje, një rritje drastike krahasuar me vitin 2023

Ndërkohë, gjendja e mjeteve zjarrfikëse mbetet e mjerueshme: automjete të viteve ’80, të paafta për të përballuar zjarre industriale, po përdoren në raste të tilla ekstreme. Ndërhyrjet ajrore mungojnë totalisht, ndërsa prioritetet e institucioneve duket se shkojnë diku tjetër. Sipas raportimit të Reporter.al, zjarri në Elbasan është tentuar të fiket nga vetë kompania administruese e landfillit EcoElb pa bërë thirrje për ndërhyrje nga ajri. 

Protestuesve iu bashkua edhe Antonio Demiri, banor i Elbasanit, i cili dëshmoi: “Për të tretën verë radhazi, qyteti mbulohet nga retë e tymit, ndërsa njerëzit sëmuren dhe bizneset turistike mbyllen.

Ndërsa në  fund të fjalimit, Qiraxhi deklaroi se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk meriton më këtë emër, pasi nuk përfaqëson më as mbrojtjen e mjedisit dhe as zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. 

Aktivistët vendosën simbolikisht një pankartë mbi tabelën e Ministrisë, duke e quajtur atë “Ministria e Tymit dhe e Ndotjes”, dhe jo më Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. “Ajo nuk e meriton këtë titull,” përfundoi ai.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje