Policia e Shtetit dhe Ministri Hoxha sulmojnë median dhe protestuesit, qytetarët mbajtën dje marshimin e radhës

28.11.2024 | nyje.al

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit mbajtën sot dy komunikata që më shumë se sqarim të opinionit publik, ato ngjizën reagime të forta prej qytetarëve. Në deklaratën e Policisë së Shtetit për herë të parë jepet një version kronologjik i ngjarjeve. Version që ka shkaktuar debat në komente në rrjetet sociale, shumica e të cilëve adresonin një tentativë të këtij institucioni për të vendosur autorin në një pozicion mbrojtës në ngjarje. 

[…] Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë […] shkruhet në deklaratën e Policisë së Shtetit, në të cilën tentohet të tregohet që nuk ka pasur një autor të dytë në vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçes. 

Deklaratat e Luisit dhe babait të tij dëshmojnë për një tjetër version të ngjarjes, ku sipas publikimeve mediatike dhe në rrjete sociale ai është sulmuar jo vetëm nga M.P, por edhe nga shoku i tij K.B. Për Policinë e Shtetit ky version është i gënjeshtërt. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha shkon më tej duke konsideruar platformat mediatike që i japin hapësirë zërave të Luisit, babait të tij apo çdo burimi tjetër që shkon përkundër qëndrimeve të institucioneve, si vorbulla që prodhojnë tymnajë në mënyrë të papërgjegjshme dhe qytetarët  protestues si lubi të zakonshme që ushqehen me gjakun e viktimave të tragjedive. Tragjedi që janë sporadike sipas ministrit Hoxha pasi numri i vrasjeve po bie çdo vit. 

Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekje të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh.

Kujtojmë që një prej protestave të fundme të mbajtura në kryeqytet vinte si klithmë për ndryshimin e politikës qeveritare “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit”, politikë që ka shkaktuar rrjedhimisht si pasojë vrasjen e dhjetra qytetarëve të pafajshme. 

12 ditë pas asaj proteste, Martin Cani mbeti viktimë e radhës, jo vetëm e sulmit të M. P por edhe institucioneve që kanë degdisur sigurinë e shoqërisë në nivele ku nxënësit e shkollave 9-vjeçare enden me thika në çantat e shkollës. 

Me banderolën “Institucionet e papërgjegjshme vrasin!” në duar, ashtu si të enjten e kaluar protestuesit u mblodhën dje përpara shkollës “Fan Noli” dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit ku kanë kërkuar mbajtje te përgjegjësisë institucionale dhe dorëheqje të ministres Manastirliu dhe drejtoreshës së shkollës “Fan Noli”. Shumë prindër, aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile apo moshatarë të Martinit, të cilët mbanin në duar pankarta me thirrje të ndryshme, kërkuan me zë të lartë drejtësi për Martinin. 

Kërkesat për më shumë përgjegjësi dhe transparencë në hetimin e ngjarjes u theksuan në çdo fjalim, por në këtë protestë të tretë pati edhe një propozim për të ndryshuar emrin e shkollës “Fan Noli”, ku ndodhi ngjarja, dhe për t’i vënë emrin e Martinit, kësisoj përjetësohet emri i tij. Ky propozim u mbështet me duartrokitje nga protestuesit pjesëmarrës. 

Ermelinda Hoxhaj tha se reagimi qytetar nuk duhet të ndalet përkundrazi duhet kërkuar drejtësi për Martinin dhe për Luis Meçen, shoku i Martinit i cili mbeti i plagosur nga ngjarja, si dhe garanci dhe siguri për fëmijët. Përveç sigurisë ajo ka kërkuar edhe cilësi ne arsim.

Reagimi ynë ka sjellë reagim edhe nga institucionet e drejtësisë dhe nuk duhet të ndalet. Ne kërkojmë drejtësi për Martinin, për Luisin, kërkojmë garanci që kjo mos të ndodhë më, kërkojmë garanci për fëmijët tanë, kërkojmë shkolla të sigurta por edhe arsim cilësor.

Aktivisti i “Qëndresa Qytetare” Migen Qiraxhi i ka bërë edhe njëherë thirrje ministres së Arsimit për dorëheqje. Ai iu bëri thirrje edhe protestuesëve që të bëhen bashkë për të ndryshuar axhendën e qeverisë, në të cilën sipas tij nuk ka vend për arsimin. Alternativa e vetme për të është prishja e planeve të pushtetarëve për t’u pasuruar me paratë që duhet të investohen në arsim.

Zyrtarja e cila mban karrigen, edhe njëherë i them që duhet të dalë, duhet të dalë edhe të japi dorëheqjen. […] Të bëhemi bashkë e ta deformojmë të gjithë atë axhendë. Sigurisht ata që ulen në karrige i bëjnë marifetet shumë kohë përpara se ku do i çojnë paratë, por ne kemi vetëm një alternativë; t’ua prishim ato plane dhe ato trashje xhepash dhe t’i çojmë paratë te fëmijët tanë.

Një zonjë pensioniste është shprehur e tmerruar nga ngjarja e Martinit dhe Luisit, ngjarje e cila i ka krijuar frikë për të dërguar fëmijët në shkollë. Ajo është e vetëdijshme për ngjarjet e pakëndshme që mund të ndodhin dhe që nuk mund të parandalohen, por në rastin e Martinit ajo kërkon përgjegjësi nga ministrja, drejtoresha e shkollës dhe mësuesit të cilët nuk kanë marrë asnjë masë ndonëse ishin në dijeni për ngjarjen.

“Ne i dërgojmë fëmijët në shkollë dhe është e tmershme që ti të shkosh ta marrësh fëmijën të vdekur atje. Unë besoj se shumica nga ju jeni prindër. Me vdekjen e Martinit dhe plagosjen e Luisit më është lënduar një pjesë e shpirtit, por ky lëndim po vazhdon çdo ditë. Ndoshta nuk mund t’i ndalojmë 100%, gjërat do të ndodhin, por ama të kenë kurajon, duke fillu nga Ministria e Arsimit, drejtoritë arsimore, drejtoresha e shkollës dhe mësuesit që turp t’iu vijë. E kanë ditur që ka ndodhur diçka e tmerrshme, e kanë ditur që ata janë adoleshentë dhe nuk i kanë përcjellë nëpër shtëpia por i kanë lënë të ikin vetëm.”

Mos-veprimi i punonjësve publikë dhe institucioneve është faktor kryesor që ngjiz reagime të qytetarëve në tragjedi të ngjashme. Në reagimin e sotëm të “Prindërit për arsim cilësor”, grupi organizator i protestave, aktivistët u shprehën se Ministri Hoxha hap një plagë që dëshmon pikërisht për ndërhyrjet në zbatueshmërinë e ligjit në hetimet e ngjarjeve kur e krahason vrasjen e Martin Canit me atë të Eglantin Prognit.

“ Policia e Shteti dhe vetë Ministri i Brendshëm  akuzuan median dhe prindërit protestues ku në deklaratën e tij Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha u shpreh se disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.

Në rastin e Pogradecit, akuzat ndaj Policisë u konfirmuan, ashtu siç u konfirmuan edhe në rastin e vrasjes shtetërore të Klodian Rashës, ku Drejtori i Policisë së Shtetit i vuri në dorë armën viktimës.

Përpara se të ngresh gishtin kundër protestuesve qëndrestarë, kujto vartësit e tu që SKY t’i ekspozoi si peng të krimit të organizuar dhe pronarë parcelash kanabisi.

Përpara se t’i  gjykosh mediet, kërko të verifikohet puna e Policisë së Shtetit për të parandaluar tragjedinë tek “Fan Noli”.” 

Në statusin e tyre, aktivistët gjithashtu shprehën qendresën e tyre në vazhdimin e reagimit dhe protestave derisa të bëhet drejtësi për Martin Canin, pavarësisht kërcënimeve dhe sulmeve të ministrit. 

Imazhi në ballinë: Fotografi e përpunuar, efektivët e policisë paraqiten me fytyrat e ministrit Ervin Hoxha dhe kreut të Policisë së Shtetit

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje