Poezia e Luljeta Lleshanakut dhe përkthimi i Ani Gjikës: dhuratë dhe zbulim në konkursin ndërkombëtar për çmimin Griffin, Kanada

Diana Malaj | 07.06.2019 | nyje.al 

Luljeta Lleshanaku dhe Ani Gjika përgjatë leximeve për çmimin Griffin, Toronto, Kanada (c)Griffin Poetry Prize Luljeta Lleshanaku dhe Ani Gjika përgjatë leximeve për çmimin Griffin, Toronto, Kanada (c) Griffin Poetry Prize

Me datë 5 dhe 6 qershor në hollin Koerner në Toronto, Kanada u zhvilluan mbrëmjet e leximit dhe dhënies së çmimit ndërkombëtar Griffin Poetry Prize mes katër poetëve finalist. Autorja Luljeta Lleshanaku dhe përkthyesja e talentuar e poezive të saj Ani Gjika, si pjesë e finalistëve ndanë me publikun e gjerë kanadez disa nga poezitë e përzgjedhura të përmbledhjes poetike “Hapësira Negative”. Përgjatë vitit të kaluar, ky libër është botuar nga dy shtëpi botuese dinjitoze: në Mbretërinë e Bashkuar nga “Boodaxe Books” dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga New Directions.
Ashtu siç jemi njoftuar dhe në shkrimet e mëparshme për autoren, Griffin Poetry Prize është ndër çmimet më të rëndësishme dhe më zemërgjerë që jepet për poezinë. Ky çmim, ndër të paktit e llojit të tij është krijuar për të çmuar rolin e poezisë në jetën kulturore të shoqërisë. Çmimi Griffin, është themeluar në vitin 2000 nga biznesmeni dhe filantropisti  Scott Griffin dhe jepet çdo vit në dy kategori: për poezinë ndërkombëtare të shkruar apo të përkthyer në anglisht, dhe për poezinë kanadeze. Fitues të mëparshëm të këtij çmimi, kanë qenë autorë të njohur si: Anne Carson, John Ashberry, Charles Simic, Paul Celan, etj.

Përpara leximit të poezive të Luljeta Lleshanakut dhe Ani Gjikës, një nga përfaqësueset e jurisë, poetja daneze Ulrikka Gernes shprehet si më poshtë për poezinë dhe përkthimin si dhuratë e zbulim:
“Poezia është shkruar në të gjitha gjuhët dhe në të gjitha kohët. Ajo është një formë e aktivizmit dhe kjo duhet festuar! Ja përse jemi sonte këtu. Fjalët kalojnë nga njëri kufi gjuhësor te tjetri. Ato nuk janë emigrante, azilkërkuese, refugjate, e megjithatë ato shpesh janë shoqëria më e mire e jona. Janë dhurata të çmuara që kalojnë kufijtë në mënyrë të tillë që na zgjerojnë mendjet dhe zemrat tona. Sepse në çdo fjalë gjejmë të mbartur refleksion për njerëzoren.
Gjuha shqipe është një ndër gjuhët më pak të njohura në botë që e flasin përafërsisht 5 milion shqipfolës. Shqipja përbën një nga degët e pavarura të gjuhëve indo-evropiane, që nuk lidhet ngushtësisht me asnjë nga gjuhët e tjera në Europë. Nuk dua të flas më shumë për ashpërsinë politike të këtij vendi përgjatë shek. XX. “

Siç është shprehur edhe juria e çmimit, poetja Ulrikka vazhdon me vlerësimet e saj: “libri Negative Space  i Luljeta Lleshanakut sjell një vështrim të rrallë tek poezia shqiptare bashkëkohore. Rrjedhshëm e me saktësi të mprehtë, Ani Gjika e cila është edhe vetë poete, ka mundur të shprehë në anglisht jo vetëm poezitë e Negative Space por dhe atmosferën e ngrysur e cila zotëron gjatë gjithë librit, një ndjesi e thellë perkohshmërie që është pasojë e të jetuarit nën presionin e ashpër politik. Negative Space është gjithkund pjellore. Duke hapur portën e traumës, ne ballafaqohemi me një zë të butë dhe inteligjent, me ngjarje që nxjerrin në dritë realitetin e një njerëzimi të përbashkët, duke i rikthyer dinjitetin këtij njerëzimi. Në një botë të përçarë nga terrori e dhuna, poezia e Lleshanakut është përherë trazuese, por dhe qetësuese për ne, banorët e saj.”

Edhe pse nuk arriti të kurorëzohet me çmimin Griffin në Kanada, Luljeta Lleshanaku ka arritur të na zgjerojë mendjen dhe zemrat tek bën prezantimin e saj dinjitoz në skenat ndërkombëtare të artit. Poezitë e Luljetës janë si katër kunjat e një tende që na japin me patjetër një copë vend në këtë botë, dhe me ato pak fjalë që kemi na mundëson të mendojmë se poezia e saj është si fjala e munguar për dashurinë, si diçka më e fortë se ne, më e madhe se ne.

Për të lexuar disa nga poezitë e saj të mëhershme klikoni këtu.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje