Pavjo Gjini | 31.12.2019 | nyje.al
Imazh shkëputur nga dokumentari për Frantz Fanon “Concerning violence”
Sartri, një antisemit dhe hebre, shkruan: “Ata [hebrenjtë] ia kanë lejuar vetes të helmohen nga stereotipi që të tjerët kanë për ta dhe jetojnë me drojën se veprimet e tyre do t’i korrespondojnë këtij stereotipi . . . Mund të themi se sjellja e tyre është pambarimisht e mbipërcaktuar nga përbrenda” (p.95).
Hebraizmi i hebreut, megjithatë, mund të kalojë pa u vënë re. Ai nuk është integralisht ai që është. Veç mundemi me shpresu e me prit. Veprimet dhe sjellja e tij janë faktori përcaktues. Përpos disa tipareve që hanë debat, ai është i bardhë, prandaj mund të kalojë pa u dalluar. I përket racës që kurrë nuk e ka praktikuar kanibalizmin. Çfarë ideje e çuditshme, të hash babain tënd! Iu del mirë në shteg; nuk duhet të jenë zezakë. Ç’po them edhe unë – sigurisht që hebrenjtë janë dërrmuar. Janë përndjekur, shfarosur e djegur, por këto janë veç episode minore në historinë familjare. Hebreu nuk u hyn në zemër sapo u bie në sy. Gjithsesi me mua gjërat marrin një fytyrë të re. Mua nuk më jepet asnjë mundësi e dytë. Jam i mbipërcaktuar për së jashtmi. Jam skllav jo i “idesë” që të tjerët kanë për mua, por i pamjes sime.
Mbërrij dalëngadalë në botë; shfaqjet e befta nuk janë më zakoni im. Zvarritem përkrah. Vështrimi i bardhë, i vetmi i vlefshëm, tashmë po ma bën autopsinë. Jam i shtangur. Sapo t’u mprehen bisturitë, të bardhët ia nisin objektivisht me pre copa të realitetit tim. Jam tradhëtuar. E ndjej, e dalloj në vështrimin e bardhë jo ardhjen e një njeriu të ri, por të një tipi të ri njeriu, të një specieje të re. Një Negro, në fakt!
Rrëshkas skajeve dhe antena ime takon aksiomat e ndryshme sipërfaqeve të gjërave: rrobat e Negros vijnë era Negro; Negro ka dhëmbë të bardhë; Negro ka këmbë të mëdha; Negro e ka kraharorin të gjerë. Rrëshkas skajeve pa u ndjerë, gjithçka dua është me qenë anonim, me qenë i harruar. Shiko, pranoj gjithçka, me kushtin me shku pa u dallu.
“Ej, dua të takosh mikun tim zezak . . . Aimé Césaire, një agrégé 1 zezak nga Sorbona . . . Marian Anderson, këngëtari më i madh zezak . . . Dr. Cobb, i cili zbuloi rruazat e kuqe të gjakut, ishte zezak . . . Ej, përshëndetma mikun tim zezak nga Martinika (ki kujdes, se preket shpejt).”
Marre. Marre dhe vetëpërçmim. Neveri. Kur iu pëlqej, më thonë se lëkura nuk ka të bëjë me të. Kur më urrejnë, shtojnë se nuk lidhet me ngjyrën e lëkurës. Prapëseprapë. Jam rob i këtij rrethi vicioz. Ua kthej shpinën këtyre profetëve të fundbotës dhe mbahem pas shokëve të mi, zezakë si unë. Për dreq, edhe këta ma kthejnë shpinën. Janë pothuajse të bardhë. Pastaj, me gjasë eventualisht do të martohen me një të bardhë dhe do të trashëgojnë fëmijë nga pak zeshkanë. Kushedi, gradualisht, me gjasë. . .
Po ëndërroja.
“Duhet ta dish se jam një prej fansave më të mëdhenj lionez të zezakëve”.
Prova ishte aty, e paepur. E zeza ime ishte aty, e thellë dhe e pamohueshme. Dhe më dërrmonte, më përndiqte, më parehatonte dhe më pezmatonte. Negrot janë bisha, të metë dhe analfabetë. Megjithatë unë e dija se në rastin tim këto pohime ishin të gabuara. Ekzistonte ky miti se Negroja duhej çmontuar me çdo çmim. Nuk jetonim më në një kohë kur njerëzit mrekulloheshin prej priftit zezak. Kishim doktorë, mësues dhe shtetarë. Në rregull, por gjithsesi gjithnjë kishte diçka të pazakontë rreth tyre. “Kemi një mësues historie senegalez. Është shumë inteligjent. . . Mjeku ynë është zezak. E ka dorën shumë të lehtë.”
Këtu kishim mësuesin Negro, mjekun Negro, ndërsa sa për mua veç bëhesha karakatinë nervoze që dridhet qoftë edhe prej një pipëtime. Bie fjala, e dija se nëse mjeku bënte një ndërhyrje qorrazi ia hapte gropën vetes dhe të gjithë atyre që vinin pas tij. Çfarë mund të presin, në fund të fundit, prej një mjeku zezak? Për sa kohë që gjithçka shkonte vaj, e ngrinin në qiell; por ki parasysh se nuk kishte asnjë lloj hapësire me gabu. Mjeku zezak asnjëherë nuk e di se sa pranë koritjes është. Po e përsëris, isha i ngurosur: as takti im i rafinuar, as dija ime letrare, as njohja e teorisë kuantike nuk përbënin përparësi.
Insistova, kërkoja shpjegim. Zëbutë, si t’i qaseshin një fëmije, më shpjeguan se disa njerëz kanë përvetësuar një opinion të caktuar, por, shtuan, “Veç të shpresojmë se do të kalojë shpejt”. Domethënë, çfarë nënkuptonte kjo? Paragjykim racor.
(Paragjykimi racor) nuk është asgjë më shumë sesa urretja irracionale e një race për një tjetër, përçmimi i popujve më të fuqishëm e të kamur për ata që i konsiderojnë si inferiorë përballë vetes dhe urrejtja idhnake e atyre që mbahen të nënshtruar dhe që janë vazhdimisht të fyer. Meqë ngjyra është manifestimi racor më i dukshëm së jashtmi, është bërë kriteri përmes të cilit gjykohen njerëzit, pavarësisht arritjeve shoqërore apo arsimore. Racat e ngjyrave të hapura janë në pikën ku nuk i honepsin dot ato me ngjyra të mbyllura dhe popujt zezakë nuk e pranojnë më pa protestuar pozicionin inferior në të cilin janë degdisur. 2
Nuk kisha gabuar. Ishte urrejtje; më urrenin e më përçmonin, ua neverisja, jo fqinjit të derës ngjitur apo kushëririt, por një race të tërë. Kisha përballë diçka irracionale. Psikanaliza na thotë se nuk ka gjë më traumatike për një vogëlush sesa kontakti me racionalen. Unë personalisht do të thosha se për një njeri të pajisur vetëm me arsyen, nuk ka gjë më neurotike 3 sesa kontakti me irracionalen. I ndjeja tehet e thikës tek mpreheshin brenda meje. E ndava mendjen me u vetëmbrojtë. Si të gjithë takticienët e mirë doja me e racionalizu botën dhe me i tregu bardhoshit se e kishte gabim.
Jean-Paul Sartri thotë se te hebreu ka një lloj imperializmi këndellës të arsyes: nuk do vetëm t’i bindë të tjerët se ka të drejtë; synimi i tij është t’i bindë se ka një vlerë absolute dhe të pakushtëzuar te racionalizmi. E ndjen veten misionar të Universalit; përkundrejt universalitetit të fesë katolike, prej së cilës është i përjashtuar, ai pohon ‘katolicitetin’ e racionales, instrumentin përmes të cilit rroket e vërteta dhe themelohet lidhja shpirtërore mes njerëzve. 4 Edhe pse mund të ketë hebrenj të cilët e kanë bërë intuitën kategorinë themelore të filozofisë së tyre, shton autori, intuita e tyre nuk i përngjason përshtjellimit Paskalian të shpirtit dhe është ky i fundit i cili – i bazuar në një mijë perceptime të paperceptueshme – hebreut i duket armiku i tij më i keq. Sa për Bergsonin, filozofia e tij jep përshtypjen kurioze të një doktrine anti-intelektualiste ndërtuar e tëra nga inteligjencat më racionale e më kritike. Përmes argumentit e pohon ekzistencën e vazhdës 5 së kulluar, intuitës filozofike; dhe bash ajo intuitë që zbulon vazhdën ose jetën është vetvetiu universale, meqë çdokush mund ta praktikojë, dhe na prin drejt universales, meqë mund t’ia emërojmë dhe përkufizojmë objektet.6
Me entuziazëm ia nisa t’i përmblidhja dhe shqyrtoja rrethinat e mia. Na ka rënë ta shohim fenë katolike se si në fillim i justifikonte e pastaj me kalimin e kohës i dënonte skllavërinë dhe paragjykimet. Duke iu drejtuar për gjithçka idesë së dinjitetit të njeriut të gjitha paragjykimet ishin bërë copë e thërrime. Pas shumë hezitimesh, shkencëtarët e pranuan se zezaku është qenie njerëzore; in vivo dhe in vitro u vërtetua si i ngjashëm me të bardhin: e njëjta morfologji, e njëjta histologji. Arsyeja ishte e bindur për fitore në çdo nivel. I mblodha edhe një herë të gjitha copat bashkë; por më duhej të ndryshoja tonin.
Fitorja më budallallepsi duke luajtur me mua si macja me miun. Siç thoshte tjetri, kur unë isha i pranishëm, ajo s’gjendej gjëkundi; kur ajo ishte e pranishme, unë nuk isha më. Në abstragim kishim dakordësi: Negroja është një qenie njerëzore – domethënë, e paska zemrën në anën e majtë, shtojnë ata që nuk ishin shumë të bindur. Por mbi disa çështje të caktuara i bardhi qëndronte i pakompromis. Në asnjë rrethanë nuk donte intimitet mes racash, sepse ne e dimë se “marrje-dhëniet mes racave me shumë dallime mund ta ulin performancën mendore dhe fizike . .. Derisa të kemi njohuri më përfundimtare mbi efektet e marrje-dhënieve mes racave, bëjmë mirë t’i shmangim” 7.
Sa për mua, e dija bukur mirë si me reagu. Madje, në një lloj mënyre, nëse do më duhej ta përkufizoja veten do të thosha se jam në pritshmëri; po hetoj rrethanat; po interpretoj gjithçka mbi bazën e çfarë kam zbuluar. Jam bërë ndijor. Në fillimin e historisë sime që të tjerët kanë fabrikuar për mua, kanibalizmit i ishte dhënë vend nderi në mënyrë që të mos e harroja. Më brendashkruan në kromozome gjene të caktuara trashësish të ndryshme që përfaqësonin kanibalizmin. Midis sekseve zbuluan racën. Shkencës duhet t’i vijë marre nga vetja!
Megjithatë ia dal ta shpjegoj këtë “mekanizëm psikologjik”, ku të gjithë e dimë se nuk është vetëm psikologjik. Dy shekuj më parë, isha i humbur për njerëzimin; isha përjetësisht skllav. Më pas, përkrah më erdhën një grup tek shpallnin “mjaft më”. Ngulmimi im bëri pjesën tjetër; shpëtova nga përmbytje qytetëruese. Lëviza përpara.
Tepër vonë. Gjithçka është parashikuar, zbuluar, provuar dhe shfrytëzuar. Duart e mia tek dridheshin rroknin boshin; burimet ishin shteruar. Tepër vonë! Por prapë, edhe këtu, dua të di pse.
Prej momentit kur dikush u ankua se kishte mbërritur tepër vonë dhe se gjithçka tashmë ishte thënë, na duket se kemi nostalgji për të kaluarën. A mund të jetë ajo parajsa e humbur përshkruar nga Otto Rank? Sa prej atyre që duken të fokusuar në mitrën e botës ia kanë përkushtuar jetën intelektit të orakullit të Delfit ose janë rrekur të rizbulojnë udhëtimet e Uliksit! Pan-spiritualistët që synojnë të provojnë ekzistencën e shpirtit te kafshët argumentojnë si në vazhdim: një qen shtrihet mbi varrin e padronit të tij dhe vdes urie. I mbetej Janet-it të demonstronte se qeni në fjalë, ndryshe nga njeriu, ishte qartazi i pazoti ta linte pas të shkuarën. Ne flasim për lavdinë që kishte Greqia, thotë Artaud-ja; por, shton, se nëse njerëzit sot nuk munden më ta kuptojnë “Koeforat” e Eskilit, ky është faji i Eskilit. Edhe anti-semitët e bazojnë “pikëvështrimin” e tyre në emër të traditës. Në emër të traditës, të kaluarës së gjatë historike dhe të lidhjes së gjakut me Paskalin dhe Dekartin, hebrenjve u është thënë: kurrë nuk do t’i takoni këtij vendi. Së fundmi, njëri prej këtyre francezëve të mirë shpalli në një tren ku isha ulur: “Le të jetojnë vlerat e vërteta franceze, pa racën do ta kemi të sigurtë! Në momentin që po flasim na duhet një unitet kombëtar. Jo më grindje të brendshme! Një front i përbashkuar kundra të huajve [dhe u kthye nga unë] kushdo qofshin ata”.
Për hir të së drejtës, duhet thënë në mbrojtje të tij se i vinte era verë e kuqe e lirë. Nëse do të mundte, do të më kishte thënë se si skllav i çliruar gjaku im e kishte të pamundur të këndellej nga emrat e Villonit e Taines 8.
E turpshme!
Hebre dhe unë: i pakënaqur me racializimin e vetes, për fat, po bëhesha më njerëzor. Po më rrihej më pranë Hebreut, bashkëvuajtësit tim në fatkeqësi.
E turpshme!
Në pamje të parë mund të duket e çuditshme që sjellja e një antisemiti mund të barazohet me atë të një negrofobi. Mësuesi im i filozofisë nga Antilet më pati kujtuar një ditë se: “kur dëgjon dikë që fyen hebrenjtë, vëri veshin se po flet për ty”. Dhe në atë kohë besoja se kishte universalisht të drejtë, në kuptimin se isha përgjegjës me gjak e shpirt për fatin e përgatitur për vëllain tim. Prej asaj kohe, kam kuptuar se kishte dashur të thoshte thjesht që antisemiti është negrofob në mënyrë të pashmangshme.
“Ke mbërritur tepër vonë, mjaft vonë. Gjithnjë do të ketë një botë – një botë të bardhë – mes jush dhe nesh: kjo pamundësi nga të dyja anët për ta eliminuar të shkuarën njëherë e përgjithmonë”. Kuptohet se i përballur me këtë artrit afektiv të të bardhit, më në fund e ndava mendjen me e brohorit zezonën time. Gradualisht, duke i shtrirë pseudopodet në të gjitha drejtimet, sekretova një racë. Dhe kjo racë luhatet nën peshën e një elementi bazik. Ritëm! Dëgjoje Sengorin, rapsodin tonë:
Kemi të bëjmë me më ndijoren e më pak materialen e gjërave. Kemi të bëjmë me elementin vital par excellence. Kemi të bëjmë me kushtin thelbësor dhe gurthemelin e Artit, siç është frymëmarrja për jetën; frymëmarrja që përshpjetohet ose përngadalësohet, bëhet e rregullt ose me spazma në varësi të tensionit të individit dhe nivelit emocional të natyrës së tij. Kaq primordial është ritmi i kulluar; kemi të bëjmë me të në kryeveprat e artit zezak, sidomos në skulpturë. Kompozimi i një motivi të një forme skulpturore përballë një forme simotër, si frymëmarrja me frymënxjerrjen, ripërsëritet pambarimisht. Ritmi nuk është simetri që prodhon monotoni, por gjallëri dhe liri . . . Kështu tirania e ritmit ia del ta afektojë atë që është më së paku intelektuale tek ne, duke na mundësuar të penetrojmë karakterin e objektit; dhe mungesa e shtrëngesave tona është në vetvete ritmike.9
A e kam lexuar siç duhet? E rilexoj edhe më me vëmendje. Në anën tjetër të botës së bardhë shtrihet një kulturë zezake magjepsëse. Skulptura zezake! U skuqa prej krenarisë. A ishte ky shpëtimi?
E kisha racionalizuar botën dhe bota më kishte refuzuar prej paragjykimit të lëkurës. Meqë nuk kishte asnjë mundësi të binim dakord bazuar në arsye, përfundova tek irracionaliteti. I takonte të bardhit tashmë të tregohej më irracional se unë. Për hir të kauzës, përvetësova procesin e regresit, megjithatë fakti ishte se kisha të bëja me një armë të panjohur; ja tek jam në strofullën time; jam i përbërë prej irracionales; zhytem deri në fyt në irracionale. Tani le të kumbojë zëri im:
Ata që nuk zbuluan as barutin as kompasin
Ata që nuk ditën kurrë ta nënshtronin as erën dhe elektricitetin
Ata që nuk i kanë eksploruar as detet e as qiellin
Por ata që ia dinë të gjitha qoshkat trojeve të vuajtjes
Ata që të vetmin udhëtim kanë patur çrrënjimin
Ata që i janë përshtatur gjunjëzimit
Ata që janë zbutur dhe kristianizuar
Ata që janë vaksinuar për t’u bastarduar . . .
Po pra, të gjithë këta janë vëllazëria ime – një “vëllazëri e hidhur” na përbashkon. E kam shtruar premisën minore, tani hedh diçka tjetër në shesh:
Ama, ata pa të cilët botën s’do ta quanim botë
Gunga aq më përftuese sa më shumë toka braktis tokën
Silosi ku ruhet e piqet çka është më tokësorja e tokës
E zeshkëta ime nuk është prej guri, është shurdhëri vërsulur britmave të ditës
E zeshkëta ime nuk është vend i errët me ujë të qelbur në syrin e vdekur të tokës
E zeshkëta ime nuk është as kullë e as katedrale
Rraset thellë në mishin e kuq të dheut
Rraset thellë në mishin e përflakur të qiellit
Shpon tej ballëlartë gjunjëzimin e zymtë.10
Hajdee! Tupanët trumbetojnë mesazhin kozmik. Vetëm zezaku është në gjendje t’ia rrokë e t’ia deshifrojë kuptimin dhe impaktin. Duke kalëruar botën, me thembrat në ijet e saj, fërkoj qafën e botës ashtu si prifti më i lartë ia prek sytë viktimës së flijimit…
Ata që ia hapin zemrën e ngazëllyer thelbit të të gjitha gjërave
Pavetëdijshëm ndaj sipërfaqeve, por të ngazëllyer me lëvizjen e gjithë gjërave
Indiferent ndaj nënshtrimit por duke luajtur lojën e botës
Përnjëmend bijtë më të vjetër të botës
Përshkrueshëm për të gjitha frymët e botës
Shtrati i pashtershëm për të gjitha ujërat e botës
Shkëndijë e zjarrit të shenjtë të botës
Mish i mishit të botës drithërueshëm nëpër lëvizjen e botës.11
Gjak! Gjak! . . . Lindje! Marramendja e së nesërmes! Me treçerekun zhytur në trullosjen e agimit e ndjej veten shpërlarë me gjak. Arteriet e botës, troshitur, kapur dhe çrrënjosur më janë drejtuar e më kanë lëruar. “Gjak! Gjak! I gjithë gjaku ynë në lëvizje prej zemrës burrnore të diellit”.12
Flijimi shërbeu si ndërmjetësim mes meje dhe krijimit – nuk ishin origjinat që zbulova, por Origjina. Gjithsesi, syçelë ndaj ritmit, lidhjes me Nënën Tokë, dhe ndaj asaj martese mistike e orgjiastike mes njeriut e kozmosit. Te La Vie sexuelle en Afrique noire, një libër plot vëzhgime pjellore, De Pedrals bën të ditur se në Afrikë, pavarësisht trojeve, ka gjithnjë një lloj strukturimi magjik social. Madje shton, “të gjitha këto elemente mund të gjenden në një përmasë më të madhe në shoqëritë sekrete. Për aq sa adoleshentët synet të të dy sekseve frenohen për vdekje të mos ua tregojnë të pafamiliarizuarve se çfarë kanë kaluar dhe për aq sa kalimi nëpër një shoqëri sekrete gjithnjë lyp akte të shenjta dashurie, ka kuptim ta konsiderojmë synetllëkun, rrethprerjen dhe ritet shoqëruese si themeltare për një shoqëri sekrete minore”.13
Po eci mbi prushin e thëngjillit. Rrebeshë uji ma kërcënojnë shpirtin e përflakur. Këto rite më mëdyshin. Magji e zezë! Orgji, sabatë, ceremoni pagane e grishje. Çiftimi është rast me i çu të fala zotave të familjes. Është akt i shenjtë, i kulluar dhe absolut, që ndërkryen forca të padukshme. Çfarë duhet të mendojmë për gjithë këto manifestime, gjithë këto kalime dhe gjithë këto veprimtari? Prej çdo krahu më vërsulen pahijshmëritë e vallëzimeve e propozimeve. Këtejpari, një këngë kumbon:
Zemrat tona dikur djegur prush
Tani janë ftohur
Gjithë mendojmë për Dashuri
Në rikthim drejt fshatit
Ku takojmë një fallus gjigand
Oh! Atëherë dashuri të bëjmë
Që seksin ta lajmë e përthajmë.14
Toka, deri tani e vënë në fre, ia plas së qeshurës. A janë këta nimfomaniakë të virgjër? Magji e zezë, mentalitet primitiv, animizëm dhe erotikë kafshërore – të gjitha këto ia mësyjnë drejt meje. Të gjitha këto i stereotipizojnë njerëzit që nuk e kanë mbajtur hapin e evolucionit të njerëzimit. Ose, nëse shkon më mirë ndryshe, përbëjnë njerëzimin e dorës së tretë. Tek ia kisha mbërritur kësaj pike, hezitoja t’ia përkushtoja veten. Pastaj edhe yjet m’u bënë agresivë. M’u desh të zgjidhja. Ç’ia fus kot edhe unë! Nuk kisha zgjidhje tjetër.
Po, ne niggerat jemi të prapambetur, naivë dhe të lirë. Për ne trupi nuk është një kundërshti ndaj asaj që ju quani shpirt. Ne jemi në botë. Rroftë e qoftë lidhja mes Njeriut dhe Tokës! Për më tepër, shkrimtarët tanë më kanë ndihmuar t’ju bind se qytetërimit tuaj bardhosh i mungon bollëku i hollësisë dhe ndjeshmërisë. Dëgjoje:
Ndjeshmëri emotive. Emocioni është për zezakun si arsyeja për grekun. Ujë që rrudhet prej çdo flladi? Shpirtit të zhveshur e të fshikulluar nga erërat frytet i këputen të papjekur? Po, në një farë mënyre, zezaku sot është më i pasur në dhurata sesa në vepra. Por pema i zhyt rrënjët në tokë. Lumi gërryen thellë duke nxjerrë thërrime të çmuara ari. Dhe poeti afro-amerikan, Langston Hughes, këndon:
Kam njohur lumenj
Antikë e sterr lumenj
Shpirti më është rritur thellë
Si lumenjtë e thellë.
Shi natyra e emocioneve dhe e ndjeshmërisë së zezakut, për më tepër, e shpjegon sjelljen e tij tek përballet me objektet që qasen me kaq intensitet të lartë. Kemi të bëjmë me një nevojë për shpengim, një qasje aktive për vëllazërim, shi identifikim, nëse veprimi – desh thashë karakteri i objektit – është i fuqishëm. Sjellje ritmike: kujtojeni këtë fjalë.15
Ja pra tek e kemi zezakun të rehabilituar, “nën helmetë”, tek udhëheq botën me intuitën e tij, të rizbuluar, ripërvetësuar, shumëkërkuar e të pranuar; dhe nuk është një zezak, oh, jo, por Zezaku, që paralajmëron antenat gëluese të botës, tek qëndron në qendrën e vëmendjes së botës, tek spërkat botën me fuqinë e tij poetike, “përshkrueshëm nga të gjitha frymët e botës! Jam Bota! Njeriu i bardhë kurrë nuk e ka kuptuar këtë zëvendësim magjik. Njeriu i bardhë e do botën; e do për veten e tij. Ai zbulon se është padron i paracaktuar i botës. E skllavëron atë. Marrëdhënia e tij me botën është marrëdhënie përvetësimi. Por ka vlera që mund të shërbehen vetëm me erëzat e mia. Si magjistar ia kam vjedhur bardhoshit një “botë të caktuar”, që i kish humbur atij dhe sërës së tij. Kur ndodhi kjo garant bardhoshit duhet t’i ketë ardhur një tronditje e pashpjegueshme, duke qenë i parrahur me kështu reagimesh. Arsyeja ishte ngaqë përmbi botën objektive të plantacioneve, bananeve dhe pemëve të gomës, kisha ndërtuar hollësisht një botë prej vërteti. Thelbi i botës ishte pronë e imja. Mes meje dhe botës kishte një marrëdhënie bashkëjetese. E kisha zbuluar Njëshin primordial. “E folura e duarve të mia” e shqeu fytin histerik të botës. Bardhoshi kishte ndjenjën e parehatisë se po i rrëshkisja dhe se po i merrja diçka me vete. Kërkonte në xhepat e mi, nuk më la cep pa ma kontrolluar. Nuk kishte asgjë të re. Me sa duket do të duhej të kisha një sekret. Me morën në pyetje; tek ua ktheva shpinën me një lëvizje që ngjallte mister belbëzova:
Toko’Waly, xhaxha, a i mban mend netët kaluar
Kur koka ime binte rëndë në supet e durimit tënd ose
Kur doçkën s’ma lëshonte dora jote në udhëzime me hije e shenja
Fushat janë lule larvash xixëlluese, yjet nderen barit e pemëve,
Heshtje është kudo
Veç erërat e kaçubeve zukasin, mizëri bletësh kuqërreme
Bulkthave tringëllimën ia mbysin,
Dhe tupanët mekur, e largëta frymëmarrja e natës,
Ti Toko’Waly, dëgjoma çfarë veshi s’e kap, dhe shpjegoma
çfarë po thonë paraardhësit në qetësinë oqeanike të yjësive,
Demi familjar, akrepi, leopardi, elefanti dhe peshku,
Dhe vezullimi qumështor i Shpirtrave në zhguallin e pafundësisë së qiejve,
Por ja, Hëna perëndeshë tek bëhet palë dhe vellot e hijeve ja tek bien,
Natë e Afrikës, nata ime terr, mistike e shndritëse, zezone e shkëlqyese.16
Pra, ja tek isha poet i botës. I bardhi e pati zbuluar poezinë pa asgjë poetike në të. Shpirti i të bardhit ishte i korruptuar dhe siç më tha një shok që ligjëron në Shtetet e Bashkuara: “Zezakët përfaqësojnë një lloj sigurese për njerëzimin në sytë e të Bardhëve. Kur të Bardhët ndjejnë se janë mekanizuar së tepërmi, drejtohen për nga ata me ngjyrë dhe lypin pakëz mbështetje njerëzore”. Të paktën isha qasur; nuk isha më një joentitet.
Pjesa e tretë: kliko këtu
_________________
1. Gradë akademike që jepet pas një procesi kompetitiv rigoroz për të marrë të drejtën për të dhënë mësim në lice ose në fakultet. Shënim i përkthyesit.
2. Sir Alan Burns, Colour Prejudice, Allen and Unwin, London, 1948, p.16.
3. Neuroza në psikologji përshkruan çrregullime mendore të cilat prekin pjesë të personalitetit të individit. Shfaqet përmes simptomash të ndryshme fizike dhe mendore, me çrregullime ankthi, fobi, çrregullime personaliteti dhe çrregullime të ndryshme kompulsive obsesive. Si mjek psikiatër, Fanoni e përdor këtu termin për t’i dhënë të gjithë rëndesën psikologjike që ka për subjektin kontakti me irracionalen. Shënim i përkthyesit.
4. Jean-Paul Sartre, Anti-Semite and Jew, Grove Press, Neë York, 1960, p. 112-113.
5. ‘Durée’ kemi vendosur ta lëmë ‘vazhdë’, duke ndjekur sugjerimin e Elvis Hoxhës, si një nga përkthimet e mundshme të këtij koncepti qëndror për filozofinë e Henry Bergsonit. Bergsoni e bën qëndror këtë koncept për të theksuar rëndësinë e përvojës së kohëzgjatjes, të një marrëdhënieje intuitive, pa ndërhyrje intelekti e intelektuale, me kohën, për të pohuar se duree-ja është intensitet i kulluar, lënda e një intuite të kohës. Është në proces përkthimi nga Elvis Hoxha njëra nga veprat e Henry Bergsonit, “Mendimi dhe Lëvizësit” ku trajtohet nga filozofi francez ky koncept. Shënim i përkthyesit.
6. Anti-Semite and Jew, p.115.
7. Jon Alfred Mjoen, “Harmonic and Disharmonic Race-Crossings”, 2nd International Congress of Eugenics (1921), Eugenics in Race and State, vol.2,p.60, quoted in Burns, op. cit., p.120.
8. Poet dhe historian klasik francez. Shënim i përkthyesit.
9. Senghor, “Ce que l’homme noir apporte,” L’Homme de couleur, pp. 309-310.
10. Césaire, Notebook of a Return to My Native Land. p.110-114.
11. Si mësipër. p.115.
12. Si mësipër.
13. De Pedrals, La vie sexuelle en Afrique noire, Payot, p.83.
14. A. M. Vergiat, Les rites secrets des primitifs de l’Oubangui, Payot, Paris, 1951, p.113.
15. Senghor, op. cit., p.205.
16. Senghor, Chants d’ombre, Editions du Seuil, 1945.
Pingback: Përvoja e jetuar e Zezakut (pjesa e parë) – Frantz Fanon – Nyje
Pingback: Përvoja e Jetuar e Zezakut – Frantz Fanon – Nyje