Përdhunimi

14.11.2022 | Nga Franca Rame| Përkthimi: Diana Malaj | nyje.al 

Në 9 mars 1973 Franca Rame u rrëmbye nga 5 fashistë, që e detyruan më forcë të hipte në një fugon brenda të cilit u torturua dhe u dhunua.

Është një radio ndezur…por vetëm pasi ka kaluar pak kohë e dëgjoj. Vetëm pas pak sekondash e kuptoj që është dikush që po këndon. Po, është një radio. Muzikë e lehtë: qiell, yje, zemër, dashuri…dashuri…

Kam një gju, një të vetëm, të ngjeshur pas shpine… sikur ai që po më rri nga mbrapa po e mban gjurin tjetër të mbështetur për tokë… me duart e tij shtrëngon të miat, duke m’i rrotulluar në të kundërt. Sidomos të majtën.

Nuk e di përse, e gjej veten duke menduar se mbase mund të jetë mëngjërash. Nuk po kuptoj asgjë nga ç’po më ndodh.

Ndjej tronditjen e atij që po e humbet toruan, zërin…fjalën. Bëhem e vetëdijshme për gjërat, me një ngadalësi të pabesueshme….Zot cfarë turbullimi! Si kam hipur mbi këtë furgon?

A i kam ngritur vetë këmbët, njëra pas tjetrës pas shtyrjes së tyre apo më kanë ngritur peshë?

Nuk e di.

Është zemra që më rreh fort mes brinjve, deri aty sa më ndalon të mendoj…është dhimbja e dorës së majtë, që po bëhet vërtet e padurueshme. Përse po ma përdredhin kaq shumë? Nuk po mundem të bëj asnjë lëvizje. Kam ngrirë.

Tani, ai që po më rri mbrapa nuk e mban më gjurin e tij vënë mbi shpinën time…është ulur me terezi…dhe më mban mes këmbëve…shumë fort…nga mbrapa…siç bëhej para shumë vitesh kur u hiqeshin bajamet fëmijëve.

Imazhi që më vjen ndër mend është ajo. Përse më shtrëngojnë kaq shumë? Unë nuk po lëviz, nuk po ulëras, jam pa zë. Nuk e kuptoj se çfarë po më ndodh. Radioja këndon, jo edhe aq fort. Përse muzikës? Përse ia ulin zërin? Mbase sepse nuk ulëras.

Përveç atij që më mban, janë dhe tre të tjerë. I shoh: nuk ka shumë dritë… as shumë hapësirë…mbase për këtë arsye më mbajnë gjysmë të shtrirë për tokë. I ndjej që janë të qetë. Shumë të sigurtë. Çfarë bëjnë? Po ndezin një cigare.

Po pijnë cigare? Tani? Përse më mbajnë shtrënguar kështu dhe thithin cigare?

Diçka do të ndodhë, e ndjej… Marr frymë thellë…dy, tri herë. Nuk, nuk kthjellem…kam vetëm frikë…

Tani, njëri më afrohet, një tjetër më ngjitet nga e djathta, tjetri në të majtë. Shoh të kuqen e cigareve. Po marrin frymë thellë.

Janë shumë afër.

Po, do të ndodhë diçka tani…e ndjej.

Ai që më mban nga mbrapa, i tendos gjithë muskujt…i ndjej rreth trupit tim. Nuk e ka shtuar shtrëngimin, vetëm ka tendosur muskujt, i gatshëm për të më mbajtur mbërthyer. I pari që kishte lëvizur, m’u fut mes këmbëve… në gjunjë… duke m’i hapur. Është një lëvizje e saktë, në marrëveshje me atë që më mban nga mbrapa, sepse menjëherë këmbët e tij, hidhen sipër të miave për të më bllokuar.

I kam ende veshur pantallonat. Përse m’i hapin këmbët, teksa kam ende veshur pantallonat? Ndihem edhe më keq sesa të isha e zhveshur.

Nga kjo ndjesi më shpërqëndron diçka që nuk e dalloj menjëherë…një nxehtësi fillimisht e dobët e pastaj më e fortë, deri sa bëhet e padurueshme, mbi gjoksin e majtë.

Një gjilpërë djegëse. Cigaret…mbi golf deri në lëkurë.

Mendoj se çfarë duhet të bënte një njeri në këto kushte. Nuk mundem të bëj asgjë, as të flas dhe as të qaj… ndihem sikur të isha e projektuar nga jashtë mbështetur me fytyrë në dritare, e shtrënguar të shoh gjëra të tmerrshme.

Ai që më është ngjitur në të djathtën time ndez cigaret, i thith dy herë e më pas ia kalon atij që më mban mes këmbëve. Mbarohen shpejt.

Kutërbimi i leshit të djegur duhet t’i shqetësojë të katërt: me brisk rroje më shqyejnë golfin, përpara, për së gjati… më grisin gjimbajtëset… më presin edhe lëkurën në sipërfaqe. Në raportin mjekësor do të matnin rreth 25 centimetra. Ai që më ndodhet mes këmbësh, në gjunj, m’i shtrëngon gjinjtë me sa i hanë duart, i ndjej të akullta mbi djegiet e lëkurës.

Tani…më zbërthejnë pantallonat dhe të gjithë i përvishen punës për të më zhveshur: një këpucë, një këmbë.

Ai që më mban nga mbrapa po eksitohet, e ndjej që më fërkohet pas shpine.

Tani ai që më rri mes këmbëve hyn brenda meje. Më vjen për të vjellë.

Më duhet të rri e qetë, e qetë.

“Hajde, kurvë. Më kënaq.” Unë përqëndrohem tek fjalët e këngëve; zemra po më plas, nuk dua të dal nga turbullimi që kam. Nuk dua të kuptoj. Nuk kuptoj asnjë fjalë…nuk njoh asnjë gjuhë. Një tjetër cigare.

“Hajde, kurvë. Më kënaq.”

Jam gur.

Tani është radha e të dytit… goditjet e tij janë edhe më të vendosura. Ndjej një dhimbje të thellë.

“Hajde, kurvë. Më kënaq.”

Brisku që ju desh për të më prerë golfin më kalon shpesh mbi fytyrë. Nuk ndiej nëse më pret a jo.

“Hajde, kurvë. Më kënaq.”

Gjaku më rrjedh nga faqet te veshët.

Është radha e të tretit. Është e tmerrshme të ndjesh që kënaqen brenda teje përbindësha të ndyrë.

“Po vdes, – ia dal të them më në fund, – vuaj nga zemra”.

Besojnë, nuk besojnë, zihen mes tyre.

“Le ta zbresim. Jo….po….”. Flakëron një shuplakë mes tyre. Më shtypin një cigare në qafë, sa për ta fikur. Ja, aty, besoj se do më bjerë më në fund të fikët.

Pastaj ndiej që më lëvizin. Ai që më mbante nga mbrapa më rivesh me lëvizje të sakta. Më rivesh ai, unë e ndihmoj pak nga pak. Qahet si fëmijë se është i vetmi që nuk ka bërë dashuri…më fal….i vetmi, që nuk i hapi pantallonat, por e ndjej nxitimin e tij, frikën e tij. Nuk di si të ma veshë golfin e prerë, m’i fut dy cepat në pantallona. Furgoni ndalet sa për të më zbritur…dhe largohet.

E mbaj me dorën e djathtë xhaketën të mbyllur mbi gjinjtë e zhveshur. Është thuajse terr. Ku jam? Në park. Ndihem keq…në kuptimin që jam gati të më bjerë të fikët…jo vetëm nga dhimbja fizike në të gjithë trupin, por për shkak të neverisë… poshtërimit…për mijëra pështymat që kam marrë në tru…për spermën që ndjej teksa del jashtë. Mbështes kokën në një pemë…më dhembin shumë edhe flokët… m’i tërhiqnin për të ma mbajtur palëvizur. Kaloj dorën mbi faqe…është e larë në gjak. Ngre jakën e xhaketës.

Eci…eci nuk e di për sa kohë. Pa e kuptuar, ndodhem përballë komisariatit të policisë.

E mbështetur në murin e ndërtesës përballë, rri duke e vështruar për një kohë bukur të gjatë. Mendoj me çfarë do përballem nëse hyj tani…dëgjoj pyetjet e tyre. Shoh fytyrat e tyre…gjysmë-buzëqeshjet e tyre…mendohem dhe rimendohem…më pas marr vendim….

Po kthehem në shtëpi…. po kthehem në shtëpi… do t’i denoncoj nesër.

Ky tekst është përkthyer në nëntor të vitit 2020 dhe redaktuar në të njëjtën kohë nga Elsa Demo. Ajo çka na çoi te monologu i Frankës ishte ndërprerja e dhunshme dhe kërcënuese e shfaqjes teatrale “Vidh një çikë më pak” në zonën e Valiasit, nga dy burra, banorë të lagjes, të cilët – sipas kojshive të tyre – kishin lidhje me partinë socialiste dhe bashkinë e Kamzës. Për shkak të rrezikut që ju kanos aktivistëve dhe publikut, shfaqja jonë teatrale u ndërpre. Lagjia u rrafshua pak muaj më vonë, si pjesë e projekteve të rindërtimit nga tërmeti, proces që u denoncua nga banorët për parregullsi ligjore dhe mungesë transparence. Me skenografi të thyer, vendosëm që shfaqjen ta rijepnim disa herë të tjera, në lagje brenda dhe jashtë Kamze. Njejtë si gjesti i fundit i Frankës, as ne nuk denoncuam, por vendosëm të përkthenim; nëpërmjet gjuhës së “Përdhunimit” të Frankës kuptimësuam ndodhinë brenda një sintakse tjetër dhune. Një vit më vonë, ky tekst u interpretua nga tri aktivistet e grupit Ata: Mariana Syla, Irena Keçi dhe Anisa Pepkolaj. Shfaqja teatrale ishte me regji të Anila Ballës. Sot e kësaj dite ajo ngjarje nuk është sqaruar. Ne i rikthehemi herë pas here kujtesës rreth atij momenti si lexuesi-përkthyes, intimisht të lidhur me gjurmët që tjetri ka lënë mbi ne, por gjithmonë të pamundur për ta përkthyer.

Imazhi i ballinës: Milos LopusinaUnsplash