Për mitin-personazh dhe personazhin-mit: një miniaturë e “Këmba e të panjohurës” të Krenar Zejnos

Kujtim Tafhasi | 11.02.2024 | nyje.al

Kapitulli i parë është tekstualisht një moment arkeologjik i pasur rreth domenit të artit. Nga Frenhoferi, te Balzaku, nga kryevepra “të panjohura” të artit, deri te kryevepra arti me kadencë biblike, pathos e profeci, apostuj dhe dishepuj të së bukurës, misionarë dhe rishtarë. Vepra Këmba e të Panjohurës e Krenar Zejnos, është një tekst kryesisht konciz, mjeshtërisht i formuluar rreth ingranazheve të atyre autorëve dhe karaktereve që përmend, konkretisht Frenhoferin dhe Balzakun, ku depërtojnë shijet dhe krizat e kryeveprës së panjohur të Balzakut, por jo vetëm. Në një perspektivë të mendimit të lë mundësinë që këto shije t’i rafinosh, ose sublimosh, me autorë të tjerë të filozofisë. Ndoshta është një zgjedhje e qëllimtë, por një cilësi e kryeveprës së panjohur është mëkati, prandaj merita e autorit është se të jep mundësinë të gabosh. Ose më saktë, jo se ta jep vetëm autori, por autori i autorëve. Pra “Kryevepra e panjohur”, një vepër aq ankthioze, ku gjenden të kryqëzuara brenda saj lloj-lloj matricash besimi, krize etj.. Një kryevepër me kadencë biblike, pathos e profeci, apostuj dhe dishepuj të së bukurës, misionarë e rishtarë është për t’u marrë seriozisht, për t’u shtrënguar shumë fort, sepse siç t’u shfaq, ashtu mund edhe të të ikë.

Pra, ashtu si feja e vendos vulën te magjepsja, kryevepra mban firmën që e emërton të bukurën si e panjohura, e panjohshmja, e ndaluara. “Është zjarri dhe kjo ambicie prometeane e artit, e bashkë me të vetëdija mbi ekzistencën e krijimit në kushtet e rrezikut të së panjohshmes, të pashqueshmes, që e shtyjnë artistin e kryeveprës prej rolit demiurg drejt mitit… e më pranë Zotit” (Zejno, Këmba e të Pajohurës 10). Pra, autori thekson për këtë kryevepër se vdekja e autorit është bashkëpunëtore përplotësuese, apo rivale kundërshtuese e Zotit, sepse nga njëra anë, autori – ashtu si i Plotfuqishmi – rreh të gjenerojë natyralen prej mbinatyrales; ndërsa ndryshe Zoti – si vdekja e plotfuqishme: pra, prej natyrales gjeneron mbinatyralen. Në një perspektivë të Heidegger-it, ku flet rreth origjinës së artit dhe në këtë rast po të bëjmë një krahasim me “Kryeveprën e panjohur”, ose më saktë një përshtatje, ontologjikisht qenia pjek kushtet për me qenë. Çfarë do të thotë kjo?

Sigurisht, Heidegger-i nuk shkon te vepra e artit për hir të veprës së artit, por për hir të qenies. Tek origjina e veprës së artit, për veprën e Balzakut, mund të themi se manifestohet qenia me të gjitha karakteristikat e saj, herë duke u fshehur, e herë duke u manifestuar, ku përpara se të banohet me gjuhë, ajo është, ku përpara se të emërtojë, ajo është një kaos që lips të rëndohet. Rëndohet pasi t’i shpëtojë dehjes, dhe kur të fillojë përpirja e veprës, rast në të cilin duhet pasur parasysh kuptimshmëria, ose kufizimi i kuptimit, na duhet daseini – do thoshte Heidegger-i, nëse kujtojmë pikturën e Cézanne-së dhe komentin e Heidegger-it mbi të, fshataren me këpucë të përbaltura që zvarritet nëpër kodra te po ai shkrim i tij. E bukura te “Kryevepra e panjohur” bëhet kurban në emër të dashurisë dhe gjallimit të imazhit të reales.

Kryevepra si e panjohur, ka një ftesë rreth pelegrinazhit drejt botës së artit, duke gjetur këtu edhe misionin e dashurisë. Arti në tërësi, dhe kjo vepër arti në veçanti, tregon shansin e madh dhe sinqeritetin që ka vepra e artit si iluzion i sinqertë në rastin e Nietzsche-s, kur shprehet se arti është iluzioni më i ndershëm në raport me fenë, filozofinë dhe shkencën, pasi vetëm ajo e pranon veten si të tillë, prandaj edhe realiteti humbet kur lind vepra e artit.

Konkretisht, te vepra e Balzakut ka një pluralitet në cilësitë dhe atributet e saj, pra kemi Jetë-Dashuri-Art. “Balzaku vetëm sa na e paraqet vdekjen reale, pa koment, ndonëse jeta dhe vdekja ishin ndeshur në çdo skaj e detaj tabloje. Portat e rënda të këtij trilli balzakian hapen e palosen kanat nga të dy anët, sipas kahjes nga shtyn dhe hyn: Jeta. Me çelës tematik Erosin, si prani e dyfishtë e gjallmimit, krijimit të veprës dhe veprimit” (Këmba 15).

Ndërkohë, pason një pyetje tjetër e rëndësishme: Kush është ky Frenhofer? Mourice Brauziere, prezantues i njërit prej botimeve të shumta të kryeveprës, thotë: “Plakush diabolik që duket se ka dalë prej Faustit të Goethe-s, apo një rrëfim fantastik i Hofmanit, ai shfaqet si një fantazmë e Durrerit”. Dhe më tej: “Gjithë balzakianët bien dakord, Kryevepra e panjohur, sidomos në versionin origjinal të prezantuar tek revista Artisti (1831), është para së gjithash, një imitim i Hofmanit”.

Më e trishta ndodh në fund të Kryeveprës, fund më tragjik se vetëvrasja e artistit, e ngjashme me Van Gogh-un, ku korbat e mortjes së tablosë së fundit, janë më të zinj se vdekja e tij. E në këtë rast, Frenhoferi po lëshon një mesazh kumtues se po ndodh një formë eutanazie arti, pra gjëma më e madhe. “Vetëvrasja e artistit pse nuk e gjen publikun e artit të tij, është ku e ku më pak se vetëvrasja e artit, ngaqë nuk e gjen më artistin që do mishërojë” (Këmba 18).

Te nëntema tjetër e Zejnos, “Mes njerëzores dhe mbinjeriut”, ku Frenhoferi sillet në një kontekst niçean në miniaturë, paraqet prapë një mundësi tjetër që të ofron për t’u bërë pjesë e kësaj kryevepre. Në çfarë forme? Sigurisht duke parë mundësinë dhe hapësirën që të ofron gjeniu. Te gjeniu ka vend për gjithçka: nga mohimi, te pohimi, nga Kanti, te Nietzsche, nga Hegeli, te Nietzsche. Por si është e mundur që gjenitë e konceptit nuk e kanë këtë lloj privilegji, dhe kjo kryevepër e ka? Këtu pra qëndron madhështia, e bukura, kriza, paradoksi, Zorba dhe e pakapshmja. Ky është Frenhoferi që të shtang, të përfshin si asnjë tjetër, por prapëseprapë filozofia aty është në mes, pavarësisht formës, si mohuese hegeliane, si asaj sublimeje kantiane të një pohimi niçean. Frenhoferi si vullnet për fuqi. Çfarë madhështie, çfarë goditjeje dhe çfarë pezmi i imagjinares. Teksa kalon nga Kanti te Deleuze, a nuk na paraqitet Frenhoferi si vektor forcash? Për autorin e shkrimit, vizioni i Balzakut është se thërret jetën për të shpallur të vërtetën. Pra, krejtësisht një projekt prometean i papërmbushur.

Një perceptim ndjesor niçean, është çasti i këputjes, çasti i krisjes, çarjes, që poetika e mendimit të tij e njeh si “zanafilla e mbërjes që do pjellë të jashtëzakonshmen” (Këmba 74). 

“Ju keni dhënë mbicipën e dukshme të jetës, por nuk shprehni tejngopjen që grafullon, atë çka ndoshta është bash shpirti vegim që derdhet tallaz mbi pështjellën” (Këmba 105).

Këtu mund të analizojmë këndvështrimin e Zejnos për binomin Dionis-Apolon, parë si hapësirë e kohësi. Kur e bukura është e shqueshme, ajo ndodhet gjithmonë në vendin dhe në kohën e duhur, por kur është mrekullisht e bukur, pra për atë që flet Frenhoferi, në këtë pikë e pakohshmja banon kohësinë. Kemi të bëjmë me domen niçean, po aq sa dhe me një rrekje niçeane: e Vërteta si ideal dhe krijimi si ardhje e një identiteti që nuk ishte, e bashkë me të, e Vërteta vetë, jo për vetveten, por si detyrim ndaj njerëzimit, atë të mugëtën. Deleuze për shembull thotë: “Koncepti niçean i artit si tragjik, e sheh artin si fuqia më sipërane e gënjeshtrës, që e mrekullon botën, teksa ndërkaq e gabon” (Këmba 110).

Harmonia apoloniane e klasicizmit që kërkon Balzaku te kjo chef-d’oeuvre, dhe vagëllimi përmes nemitjes, apo dehjes së vegimit dionisiak të Frenhoferit, e bëjnë Kryeveprën një fjalëkryq të kuptimësisë së linjës në rrugën e artit. Autori i shkrimit e përmbyll këtë nëntemë me një varg subversiv të Niçes: Lipsur qofsha nga çdo e vërtetë, jam i marrë, jam poet!

Aurën e këtij shkrimi të shkurtër dhe reflektimi minimal ndaj këtij teksti dinjitoz dhe realisht me shumë shije, do ta përmbyllim me nëntemën IV, rreth imazhit-tekst dhe tekstit-imazh.

Këtu kemi të bëjmë me fuqinë, aftësinë dhe aurën e imazhit të së bukurës së Frenhoferit, ku ndjek gjithashtu metamorfozën e tekstit të Balzakut. Kemi vënë re një mospërputhje mes asaj që perceptojmë dhe asaj që realisht lexojmë, e gjitha kjo falë kohës së perceptimit, tek imazhi piktorik nuk mund të ndodhë sepse përfshirja estetike apo e thënies është gati akute, ontikja e veprës është vetë ky lloj të perceptuari. Në një kontekst heidegerian, kjo akutëri perceptive është një mundësi e madhe e manifestimit të qenies përmes daseinit. Një mundësi e banimit të qenies – por edhe një pamundësi në rast se kemi parasysh kritikën e bërë te Letër mbi humanizmin – pasi në këtë pështjellim imediat, gjuha ka gjasa edhe të përhumbet ontologjikisht. Pra, gjuha nuk është kollaj të banohet, sidomos me -izma. Pra, imagjinoni pak sikur Kryevepra të kthehet në një stimulim prapashtesash të modernitetit, e bukura mbulohet nga një iluzion i shëmtuar që nuk ka asnjë lloj vetëdije se po gabon, e për më tepër boshe. “Po ku gjallon vallë, – pyeti pas një pauze, – ajo Venerë e pakapshme antikiteti, aq e kërkuar, nga e cila ne mbartim vetëm ca copëza bukurie?” (Këmba 68).

Këtu autori e copëzon pyetjen duke vënë në pah këtë bukuri të pakapshme prej modernitetit, dhe ndërkaq, e bukur si prej antikitetit. Kjo riparaqet veçoritë e së bukurës së Balzakut përmes krahasimit, ku tregon modernitetin si mbulesë dhe pamundësi për ta kapur, dhe ngjashmërisë ndaj idesë së të bukurës para antikitetit. Një formë tjetër për ta copëzuar pyetjen është: Mos ndoshta bukuria është te sjellja jonë përballë asaj që e kemi kategorizuar si të bukur, befasia e formës, pusia estetike që na ngre për të na dalluar si humanë… dhe që i ngremë për të qenë përveçse humanë, edhe krijues? 

Nëse do e merrnim rastin e të bukurës si një lojë gjuhësore, apo si një gjëegjëzë, apo edhe duke u sjellë si supervizor dhe sundues të saj, e bukura do të zhvishej nga vetë prestigji, mrekullia dhe sublimiteti i saj, duke rrezikuar të mos lexohet aty ku ky sublimitet synohet dhe shfaqet me të vërtetë. Për ta lënë të pashteruar bukurinë si të tillë, më poshtë do të paraqesim një pasazh në të cilin adresohet e bukura si e tillë. Sepse nuk është një figuracion i llojit “lojcak” apo i qëndisur bukur – siç shprehet autori, por një shprehje e drejtpërdrejtë që thotë një shprehimësi të organicitetit të së bukurës, dhe shpirtit ngjizës brenda saj:

“Ju nuk zbrisni në intimitetin e formës, nuk e ndiqni me zell e dashuri në pështjellimet dhe arratinë e saj. Bukuria është një gjë e sertë dhe e vështirë, që s’e bën dot kollaj për vete. Duhet pritur çasti që t’i gjesh anën, ta përgjosh, ta shtiesh në dorë, ta shtrëngosh fort për ta bërë të të jepet” (Këmba 113).

Pak a shumë të hasur nëpër gojëdhëna, te Kanti, te feja e me radhë, se e bukura ka tendencën të godasë, e jo të jetë një lojë, përndryshe fshihet, ashtu siç fshihet në modernen. Për t’u çelur do marramendjen, madhështoren, poezinë, pellgun etj..

Referenca:

Heidegger, Martin. Being and Time. New York: HarperCollins, 2008.

Heidegger, Martin. Letër mbi humanizmin. Tiranë: Plejad, 2010.

Zejno, Krenar. Këmba e të Panjohurës. Tiranë: Botimet Zenit Editions, 2011


Për Autorin 

Kujtim Tafhasi, 23 – vjeçar nga Kukësi, është autor i ri me interes në filozofi, metafizikë, estetikë dhe antropologji kulturore. Ka përfunduar studimet e nivelit Bachelor për Filozofi dhe ato të nivelit master në Filozofi Sociale. 

 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje