25.09.2019| nyje.al
Pesë ditë pas goditjeve të para të termetit me magnitudë 5.8 dhe 5.6, e dy ditë pas përmbytjeve të shirave në vend, disa nga banorët e Kamzës vazhdojnë të kenë ende vështirësi për të rimarrë veten e për t’iu rikthyer jetës normale. Sipas burimeve zyrtare të informacionit, menjëherë pas emergjencës së shpallur, Bashkia Kamëz ka ngritur grupin e punës në terren dhe ka krijuar hapësira për strehim në qytet.
Nga të dhënat paraprake të bashkisë janë raportuar rreth 65 kërkesa për pësim dëmi material nga qytetarët, mes të cilave 22 familje, 3 shkolla dhe një kopësht. Mes këtyre objekteve thuhet se vetëm një shtëpi është tashmë e pabanueshme, ndërkohë që dy të tjera kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale, kryesisht plasaritje suvaje dhe dëmtim të çative të objekteve. Zyra e informacionit të bashkisë na bën me dije se banesat më të rrezikuara kanë qenë shtëpitë private të ndërtuara para viteve 2000, ndërsa në pallate nuk ka pasur asnjë raportim dëmi.
Nëpërmjet rrjeteve sociale të Bashkisë Kamëz u njoftua se dy do të ishin qendrat e strehimit: Stadiumi i Kamzës (fusha e futbollit dhe dy dhomat e zhveshjes së sportistëve) dhe Pallati i Kulturës. Nëpërmjet njoftimit krijohet përshtypja se Pallati i Kulturës është përgatitur me elementët bazikë të strehimit të njerëzve (me shtretër, me batanije, me ushqime, me dhoma të veçanta e të paracaktuara për qëndrim, apo me kushte të tjera të domosdoshme higjieno-sanitare), por në fakt brenda tij asgjë s’ka ndryshuar. Nuk ka parapërgatitje për strehim, sallat dhe hollet e tij janë bosh, dhe nuk ka asnjë qytetar që është drejtuar në këtë institucion. Punonjësit vazhdojnë ditën e tyre të punës normalisht, ndërkohë që lajmi i “dyerve të hapura” të institucionit për qytetarin masazhon trupat e tendosur të një qyteti epileptik.
Ndryshe qëndron fakti në hapësirat e Stadiumit të Kamzës. Me reshjet e shumta, banorët e pastrehë të qytetit, apo ata në kushte të vështira banimi kanë qenë më të ekspozuar ndaj vështirësive që kanë shkaktuar përmbytjet e dy ditëve më përpara. Të gjendur në situatë emergjence, banorët i janë drejtuar policisë bashkiake dhe bashkisë natën e 23 shtatorit. Sot, datë 25 shtator nga takimet në terren na rezultojnë se janë 4 familje të strehuara në dy dhomat e zhveshjes së stadiumit, të cilët shprehen se qëndrojnë aty prej 2 ditësh në kushte tejet të vështira.
Njëra familje na tregon se janë në pritje të sigurimit të një banese sociale e që problemet e banimit nuk kanë lindur vetëm nga përmbytjet e fundit që kanë ndodhur. Ata kanë qenë gjithmonë në kushte të tilla të vështira dhe pa mbështetje shtetërore. Pavarsisht kërkesave të vazhdueshme për përfitimn nga programet sociale të strehimit, nuk ka ndryshuar ende asgjë. Për ta, qëndrimi në një dhomë të improvizuar në stadium vështirësohet sa vjen e më shumë për shkak të foshnjeve, fëmijëve shumë të vegjël dhe grave shtatzënë që jetojnë në të njëjtën dhomë.
Juljana Lusha (40 vjeç) është kryefamiljarja tjetër e strehuar prej dy netësh në stadiumin e Kamzës. Bashkë me tre fëmijët e saj, ajo tregon sesi janë larguar nga shtëpia e tyre thuajse e rrënuar ku qëndronin më parë, dhe janë zhvendosur në dhomën e strehimit. “Jemi larguar me rroba të lagura, zbathur, e veç pas insistimit tonë prej 4 orësh në shi më në fund policia bashkiake na ka gjetur vend dhe na kanë sjellë këtu ku jemi. Të vetmet gjëra që kam arritur të shpëtoj janë çantat e shkollës së fëmijëve, me librat e tyre të lagura. Një polic më ka dhënë këpucët dhe xhupin e tij, ndërsa batanijet i kemi nga Kryqi i Kuq. Ushqimin na e kanë sjellë vetëm dy herë, njëherë në mëngjes e vaktin e darkës në orën 11 të natës. Ndërkohë që unë jam këtu me tre fëmijë të cilët kanë përjetuar frikë, panik e ankth gjatë 48 orëve të fundit.”
Dhoma e strehimit për familjen e Julianës, Stadiumi Kamëz
Dhoma ku ajo qëndron prej dy ditësh është e madhe, në kushte normale ajo shërben si dhoma e ndërrimit për sportistët. Ka vetëm disa rafte blu, në të cilat Juliana ka vendosur ushqimet dhuratë nga Ministrja e Shëndetësisë. “Ajo ministrja e shëndetësisë na solli makarona, salcë, oriz. Pa pikë turpi! Ku me i zie? Si t’i përgatisim? Për çfarë na duhen? Të mos tallen me fukarenjtë! Po rrimë në një dhomë që nuk ka as ujë për të shpërlarë banjon, e jo më për të gatuar oriz e makarona. Edhe një shishe uji për të pirë me shumë lutje na e kanë sjellë natën vonë. Nuk kemi një palë çorape me ua veshë fëmijëve, spo na krijohen kushtet për një qëndrim njerëzor. “
Me Julianën shkëputemi për pak kohë nga qendra e strehimit, për tek shtëpia e saj e rrënuar nga tërmeti dhe përmbytjet, në rrugën “Londër” të Kamzës. Videoja më poshtë:
Ndërkohë që shteti të jep imazhin e “organizimit të madh” në ndihmë të qytetarëve, me kryetarë bashkie e ministra që vizitojnë zonat e tronditura nga tërmetet dhe të përmbytura nga reshjet, bashkë me pako orizi e makaronash, faji zhduket, përgjegjësia hiqet, situata neutralizohet nëpërmjet imazheve giciluese të gishtave ministrorë tek prekin foshnjat e atyre që e njohin mirë shakanë e zakonshme e të bërit shtet medemek. Banorët e strehuar në stadiumin e Kamzës i përkasin shtresës më të varfër të shoqërisë sonë. Pa ndihmë ekonomike, pa banesa sociale, pa mbështetje shtetërore, të dhunuar fizikisht e psikologjikisht, të papërfshirë në arsim e pa përkrahje të veçantë, ata e dinë që nuk u kanoset jeta prej natyrës, por prej atyre që “mëkojnë” prej pozitave të mëshiruesve, prej një shteti të dhunshëm me mospraninë e tij, por tejet të pranishëm virtualisht.
Ministrja Manastirliu dhe kryebashkiaku Rakip Suli në qendrën e emergjencave në Kamëz, dt. 24 shtator. Foto e marrë nga faqja zyrtare e Bashkisë Kamëz.
Pingback: Situata pos-tërmet në Kamëz: banorët i bëjnë thirrje për ndihmë bashkisë! – Nyje