Pensionistët vijojnë protestat e tyre për pensione të dinjitetshme

Selma Daku | 31.10.2024 | nyje.al

Pak ditë pas protestës së javës së kaluar, ku pensionistët shprehën indinjatën e tyre për rritjen e pensioneve me 4.1%,  kryeminstri Edi Rama ka postuar në rrjetet e tij sociale një panoramë komunikimi të deputëve të partisë socialiste me pensionistë nga qytete të ndryshme për të ndarë me ta fakte e pikëpamje mbi sfidën e përfshirjes së tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit. Edhe në takimet e tij në Fier e Durrës, ai ka ripërsëritur se i gjithë problemi është te sigurimet e papaguara shoqërore dhe se pensionistët po vidhen nga kjo kategori, duke iu larguar përsëri përgjegjësisë së qeverisë së tij. Por kjo nuk e ka zbutur zemërimin e pensionistëve të cilët një javë pas protestës së fundit, u mblodhën përsëri dje para Kryeministrisë, duke shprehur shqetësimet e tyre për pensionet e ulëta dhe shkeljen e dinjitetit të tyre. Të pranishëm në protestë ishin pensionistë të shumtë të cilët i kanë kaluar vitet e tyre të punës duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, por tani po përballen me sfida të shumta financiare.

Këtë here grupimi i “Pensionistët bashkë” kishin vendosur t’i drejtohen kryeministrit me kërkesa konkretë të cilat i kishin publikuar 1 ditë më parë në rrjetin e tyre social dhe i persëritën dje të përfaqësuar  nga aktivisti i Lëvizjes Bashkë Jani Marka . Ata kërkojnë miratimin e minimumit jetik, rritje të pensioneve dhe miratimin e statusit të minatoëve dhe ish-minatorëve. Por kërkesat e pensionistëve nuk ishin vetëm për rritje të pensioneve, por gjithashtu për përmirësimin e kushteve të jetesës. Ata kërkuan që qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për shërbime shëndetësore më të mira dhe zgjerim të listës së ilaçave të rimbursueshme, si dhe ndërtimin e hapësirave çlodhëse për ta.

1.Miratimin e minimumit jetik si standardi i pensionit minimal dhe rritjen e të gjitha pensioneve mbi këtë bazë.

2.Përmirësim të ndjeshëm të kujdesit shëndetësor në spitale dhe në shtëpi, si dhe zgjerimin e listës së ilaçeve të rimbursueshme cilësore.

3.Ndërtimin e mjediseve publike çlodhëse, argëtuese dhe kulturore për pensionistët kudo nëpër Shqipëri.

4.Miratimin e Statusit te Minatorit per te gjithe punëtorët dhe ish-punëtorët e nëntokes.

Protesta u nis me thirrjet e aktivisteve të  Lëvizjes Bashkë, Anxhela Nasto dhe Albina Ruko në të cilat akuzonin qeverinë për rritje të korrupsionit dhe pensione të ulëta, thirrje të cilat pasoheshin edhe nga pensionistët.

Miliarda korrupsion,

10.000  lekë pension.

Shqipëri latine,

Krim dhe korrupsion.

 

Pensionistët janë bashkuar,

Dinjitet për të kërkuar.

Pedagogu dhe aktivisti i “Lëvizja bashkë” Redi Muci tha se tallja e qeverisë ndaj pensionistëve nuk ndaloi me rritjen prej 4.1%, por po vazhdon me takimet qe kryeministri Edi Rama po vazhdon, sipas tij me pensionistë të bindur të partisë së tij, ndërkohë që shumica e pensionistëve trajtohen pa dinjitet.”

“Jemi mbledhur këtu për të shprehur të gjithë indinjatën tonë me talljen e paturpshme që kryeministri iu ka bërë pensionistëve të këtj vendi duke rritur pensionet me një shifër qesharake prej 4.1%. Por jemi këtu edhe për talljen që ai vazhdon t’iu bëjë ditë për ditë me takimet që organizon me disa të moshuar të bindur të partisë së tij, duke iu treguar përralla se si do t’i rrisë bonuset dhe pensionet në fund të vitit. Një tallje e përhershme me njerëz që kanë punar gjithë jetën e tyre dhe në fund të jetës trajtohen pa më të voglin dinjitet.”

Pensionisti Vladimir Dyshniku u shpreh i shqetësuar për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm në të cilin tha se është parashikuar më pak se gjysma e buxhetit të këtij viti. 

“Ky njeri është i pangopur, e urren popullin shqipëtar dhe sidomos pensionistët saqë për vitin e ardhshëm, në projekt-buxhet, nëse për vitin 2024 u parashikuan 41 milion euro, në vitin e arshshëm janë parashikuar 16 milion euro, pra më pak se gjysmën. Këta po na vjedhin dhe bukën e gojës.”

Një tjetër pensionist i angazhuar në grupin “Pensionistët Bashke”, Qani Shino, tha se indeksimi i qeverisë ishte një lëmoshë për ta dhe ftoi të gjithë pensionistët të dalin dhe të protestojnë duke i konsideruar si pjesë themelore të vendit.

“Indeksimi është detyrë qeveritare. Për ne ishte një lëmoshë, i barabartë me 24 lekë në ditë. Ju them pensionistëve të vijnë këtu dhe të protestojnë sepse në asnjë vend të botës nuk ka qeveri më të fortë se populli. Populli jemi ne, bërthama pleqërore.”

Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori iu drejtua pensionistëve duke i përgëzuar për atë për rezistencën që kanë treguar deri tani. Duke iu referuar takimeve të njëpasnjëshme të vetë kryeministrit dhe deputetëve të tij në qytete të ndryshme të vendit, ai e krahasoi kauzën e tyre me atë të studentëve në 2018 dhe iu kërkoi të mos ndalen.

“Ju me këtë protestë, me protestën e javës së kaluar dhe me protestat që shpresoj që vazhdoni, e keni gozhduar Edi Ramën. Ai nuk ka qenë kurrë në kaq vështirësi që pas protestave të studentëve në vitin 2018. E shikoni si përditë flet për pensionet pa dhënë dhe pa premtuar asgjë. […] Atë që e arritën 30 mijë studentë, e keni arritur ju këtu, duke e detyruar dhe shqetësuar Edi Ramën. Mos u ndalni.”

Zhaneta Lamçe, pensioniste në vendin tonë, tha se mundi i 30 viteve të punës i është shpërblyer me 83 mijë lekë të vjetra. Ajo kërkoi që kryeministri të lërë detyrën dhe të ndalojë shoë-n që po bën.

“Të lësh një pensioniste/pensionist që ka punuar 30 vjet nën tokë apo mbi tokë me 82 mijë lekë të vjetra nuk e ka parë historia sepse ne kemi një kryeministër batakçi. […] Po të jetë burrë, ikën dhe e lë detyrën, jo të shkojë të bëjë shoë. A ka më turp? Ne mblidhemi këtu ai shkon të bëjë show në Durrës.”

Pensionistët kërkuan gjithashtu që qeveria të angazhohet për të siguruar një sistem pensioni të qëndrueshëm dhe të drejtë, i cili merr parasysh inflacionin dhe rritjen e kostove të jetesës. Ata theksuan se rritja e çmimeve dhe inflacioni e kanë vështirësuar ndjeshëm jetesën e tyre.

Protesta e djeshme nuk ishte vetëm një shprehje e pakënaqësisë, por një thirrje nga pensionistët për t’u bashkuar në një zë të madh, duke u bërë një forcë e rëndësishme në ndihmën e vetvetes dhe të tjerëve në situata të ngjashme. Prej vitesh, pensionistët kanë protestuar për të drejtat e tyre, dhe kjo ka ndihmuar të rrisë vetëdijen për situatat e vështira ekonomike që ata përballen.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje